OpEd

Humbja e momentumit politik

Refuzimi i kryeministrit Kurti për ta pranuar kushtin më të ri të shteteve mike të Kosovës është i lidhur kryekëput me politikën e brendshme dhe me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në të cilat kryeministri Kurti nuk dëshiron të shfaqet si kandidat që ka avancuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, ai sigurisht që këtë do ta bëjë pasi që (nëse) të fitojë zgjedhjet e ardhshme, por me këtë Kosova do të humbasë disa vjet dhe kushtëzimet mund të jenë edhe më të ashpra. Kjo do të thotë se kryeministri Kurti po e sakrifikon mirëqenien e Kosovës për interesat e tij partiake

Momentum politik do të thotë një rrethanë e krijuar, e cila mundëson ecjen përpara për të ndryshuar status quonë. Momentumi politik ka përcaktime të ndryshme, mirëpo, ky më lart i përshkruan më së miri rrethanat në të cilat ndodhet Kosova në kontekstin e zhvillimeve më të reja lidhur me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

Që ta shpjegoj më tej domethënien e togfjalëshit “momentum politik,” po i përmend dy shembuj: momentumi politik për intervenimin e NATO-s në Kosovë u krijua me ngjarjen tragjike të masakrës që e bënë forcat serbe në Reçak, mirëpo ky momentum ishte i ndërlidhur me pranimin e Marrëveshjes së Rambujesë. Kjo masakër krijoi një momentum në të cilin u mobilizuan të gjitha demokracitë perëndimore për të ndaluar gjenocidin që Serbia po e bënte në Kosovë. Po të mos pranohej kjo marrëveshje, momentumi politik për intervenimin e NATO-s do të humbej. Njëlloj, edhe pranimi i Pakos së Ahtisarit e krijoi momentumin për shpalljen e Pavarësisë të mbështetur ndërkombëtarisht.

Ky momentum do të humbej nëse Kosova nuk do ta pranonte Pakon e Ahtisarit.

Momentumi politik për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare u krijua me Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq. Edhe pse Serbia e ka thënë hapur që nuk do të respektojë atë që e ka pranuar, sidomos dispozitat e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, bashkësia ndërkombëtare vuri në lëvizje mekanizmat e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, me çka u krijua momentum politik i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Ky momentum fitoi në forcë pas votës pozitive të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës dhe pritej që Kosova të hyjë në rendin e ditës së Komitetit ministror më 17 maj, e të cilën e kundërshtoi dhe vazhdon ta kundërshtojë ashpër Serbia. 

Mirëpo, zhvillimet e fundit, përkatësisht refuzimi i kryeministrit Kurti i kërkesës për ta dërguar draftstatutin evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, rrezikojnë humbjen e momentumit politik që është krijuar me një mbështetje të gjerë ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe konsolidimit të shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare. Kushtëzimi franko-gjerman, përkatësisht i presidentit francez, Emanual Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholtz, i futjes së Kosovës në rend të ditës së Komitetit ministror të Këshillit të Evropës me fillimin e procesit të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, krijoi një cilësi të re në këtë momentum. I pari që e kumtoi këtë kushtëzim ishte përfaqësuesi i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Megjithëqë ky kushtëzim u tha hapur, në Kosovë, ai nuk u mor shumë seriozisht duke qenë se Qeveria e Kosovës nuk ishte transparente lidhur me kushtet ndërkombëtare të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Prandaj, për ta ruajtur këtë momentum Kosova do të detyrohej që ta dërgonte draftstatutin e Asociacionit, të qarkulluar nga Bashkimi Evropian, për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke e pranuar kushtëzimin ndërkombëtar. Nga kjo Kosova do të kishte përfitime të shumta dhe pak humbje. Në fakt Kosova do të arrinte qëllimin e saj që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe do të fitonte në kohë me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke qenë se politika e bojkotit të serbëve në veri, e dirigjuar nga Beogradi, pengon zbatimin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këtë e refuzoi kryeministri Kurti me një arsyetim se ky draftstatut nuk është një dokument zyrtar, por një “non-paper” dhe se si të tillë ai nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Ky arsyetim i kryeministrit Kurti e zhvendos problemin në një çështje teknike. Mirëpo, kjo çështje nuk është fare teknike, por është thellësisht politike dhe ka të bëjë me vullnetin politik të Kosovës që të avancojë në drejtim të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë vullnet politik po e presin shtetet të cilat, në parim, e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës, por me një kushtëzim të ri, i cili i kërkon Kosovës që të respektojë obligimet që i ka marrë në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Mospranimi i këtij kushti, pra refuzimi për ta dërguar dokumentin e Bashkimit Evropian në Gjykatë Kushtetuese, kur Kosova nuk ka qenë në gjendje deri më tani ta propozojë një draftstatut të sajin (e çka do të ishte krejtësisht legjitime), do të rezultojë në heqjen nga agjenda e Komitetit ministror të Këshillit të Evropës të pranimit të Kosovës në këtë organizatë dhe rrjedhimisht mund të përfundojë në humbjen e momentumit politik për anëtarësimin në këtë organizatë dhe humbjen e shanseve që Kosova të anëtarësohet edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Me vendimin e tij, kryeministri Kurti po ia kursen Serbisë përpjekjet për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ky refuzim i kryeministrit Kurti në momentin e fundit tregon një mungesë transparence nga ana e tij, sepse ky kushtëzim i miqve ndërkombëtarë nuk është i djeshëm. Kryeministri Kurti ka pasur së fundmi nga një bisedë telefonike edhe me presidentin francez Macron e edhe me kancelarin gjerman, Scholtz. Që të dytë do t’ia kenë kërkuar kryeministrit Kurti lëvizjen përpara lidhur me krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Pra, ai e ka ditur këtë qëndrim të shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian që më parë, por këtë nuk ua ka treguar qytetarëve të Kosovës. Si kryeministër i zgjedhur, ai është dashur që për këtë kusht të shteteve mike ta informonte opinionin publik dhe të tregonte se cili është qëndrimi i tij lidhur me këtë çështje.

Qëndrimi më i favorshëm për Kosovën do të ishte që draftstatuti evropian, në mungesë të një draftstatuti kosovar, të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të mos humb momentumi politik për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Po qe se nuk shfrytëzohet ky momentum politik tani, ai mund të humbasë dhe në të ardhmen, Kosova mund të ballafaqohet edhe me kushte të tjera dhe rikrijimi i një momentumi të ri mund të jetë i vështirë.

Shtrohet pyetja se përse kryeministri Kurti po e refuzon këtë kusht me çmimin që Kosova ta humbasë këtë shans që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe që t’ia krijojë vendit një mundësi që të anëtarësohet edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare? 

Ai është i vetëdijshëm për pasojat politike të veprimeve të tij si vendimmarrësi kryesor i Kosovës, por është i vetëdijshëm edhe për domethënien e momentumit politik dhe pasojat e humbjes së këtij momentumi. Tekefundit ai i ka fituar zgjedhjet duke e krijuar një momentum politik dhe duke e shfrytëzuar atë në maksimum. Besoj se refuzimi i kryeministrit Kurti për ta pranuar kushtin më të ri të shteteve mike të Kosovës është i lidhur kryekëput me politikën e brendshme dhe me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në të cilat kryeministri Kurti nuk dëshiron të shfaqet si kandidat që ka avancuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, ai sigurisht që këtë do ta bëjë pasi që (nëse) të fitojë zgjedhjet e ardhshme, por me këtë Kosova do të humbasë disa vjet dhe kushtëzimet mund të jenë edhe më të ashpra. Kjo do të thotë se kryeministri Kurti po e sakrifikon mirëqenien e Kosovës për interesat e tij partiake.