OpEd

Homologimi: marrëveshja që u kushtoi qytetarëve dhjetëra miliona euro

Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila doli të jetë më e fuqishme sesa Kushtetuta, ligjet dhe institucionet

Tri faqe kontratë. Dy nënshkrime. Një dekadë monopol. Dhjetëra miliona euro të hyra. Ky është një historik i shkurtër i homologimit të automjeteve në Kosovë. Pa hapur procedurë konkurrimi, më 22 shtator 2008, atëherë Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit nënshkroi marrëveshje mirëkuptimi për homologimin e automjeteve të importuara. Kompanisë private “Eurolab” iu dha ekskluzivitet operimi nga viti 2009 e tutje. Në emër të Ministrisë kontratën e nënshkroi ish-ministri Fatmir Limaj.

Kompanisë iu la një afat prej pesë muajsh që të sigurojë një hapësirë adekuate, të blejë pajisjet dhe të përgatisë stafin. Pra, përveç që nuk kishte proces konkurrence, shteti po i krijonte hapësirë një biznesi, i cili nuk i plotësonte kushtet bazike për kryerjen e homologimit.

Kjo marrëveshje e mirëkuptimit nuk u bë kurrë publike, me gjithë kërkesat e dërguara nga ana e organizatave të shoqërisë civile. Madje as ministrat që erdhën pas nuk patën guxim që ta bënin publike marrëveshjen.

Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila krijoi monopol që nga viti 2009, doli të jetë më e fuqishme sesa Kushtetuta, ligjet, vendimet e Qeverisë, opinionet e Agjencisë Kosovarë të Konkurrencës dhe rezolutat e Kuvendit. Marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në nenin 119 të së cilës ceket se veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë janë të ndaluara. Marrëveshja është edhe në kundërshtim me Ligjin e konkurrencës, Ligjin për prokurimin publik, i cili kërkon proces konkurrues me rastin e kontraktimit të shërbimeve apo dhënies së licencave, si dhe në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

Më 12 gusht 2015, Qeveria e Kosovës mori vendim për fillimin e procedurave për eliminimin e të gjitha veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë. Por as ky vendim i Qeverisë nuk arriti të shfuqizojë praktikën monopolizuese. Në dhjetor të vitit 2017 Autoriteti Kosovar i Konkurrencës lëshoi mendim profesional dhe udhëzoi Ministrinë e Infrastrukturës që të ndryshojë aktet ligjore të cilat mundësojnë monopolin në fushën e homologimit, mendim i cili nuk u respektua. Në mbështetje të 53 deputetëve, Kuvendi i Kosovës më 28 qershor 2019 mbajti seancë të jashtëzakonshme rreth monopolit në homologim, por rezoluta nuk u aprovua në mungesë të kuorumit. Kundër monopolit në homologim kanë reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Ambasada amerikane.

Në muajin tetor të vitit 2020, në seancë të Kuvendit u shqyrtua ndryshimi i Ligjit për automjete, ku me një nen parashihej largimi i detyrimit për homologim të veturave që importohen nga vendet e BE-së, Zvicrës dhe Norvegjisë. Sipas parashtruesve të kërkesës për ndryshim të projektligjit, qytetarët shpenzojnë rreth 4 milionë euro në vit për homologim. Por edhe pse projektligji u hodh në votim tri herë gjatë muajit tetor dhe nëntor, ai nuk i mori votat e mjaftueshme.

Përgjatë viteve, zyrtarët përgjegjës për të monitoruar procesin e homologimit në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës janë paguar nga kompania homologuese, ashtu siç dëshmohet nga formularët e deklarimit të pasurisë.

e mirëkuptimit për homologim, e nënshkruar para gati 13 vjetësh, ka dëshmuar se është mbi Kushtetutën, ligjet, rregullatorët. Monopoli në homologim do të jetë temë diskutimi edhe në legjislaturën e re të Kuvendit. Por mbetet të shihet nëse do të ketë vullnet politik që kjo praktikë kundërkushtetuese të ndalet.

(Ky editorial është pjesë e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI). “Dhënia fund korrupsionit përmes ngritjes së transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies gjatë procesit ligjvënës në Kosovë” i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk i pasqyrojnë medoemos ato të Fondacionit)