OpEd

Hocus Pocus AUKUS

Këtyre ditëve i pamë edhe qytetarët e shumtë serbë të Kosovës duke pritur në radhë për t’i marrë targat e tyre të reja RKS. Do të thotë dalëngadalë po e kuptojnë se ky shtet e ka përnjëmend. Kështu fillon të thyhet miti se Serbia e ka nën kontroll Kosovën dhe se shteti i Kosovës na qenka një shtet i rrejshëm fantom. Kështu ngadalë fillon të zbresë realiteti mbi tokë dhe ky do të duhej të ishte edhe momenti kur Qeveria e Kosovës do të duhej të gjente mënyra për të vazhduar me integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës

Sado që të flitet në lidhje me raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, aty asnjëherë nuk teprohet nëse bazohemi në të kaluarën jo të largët dhe në vazhdimësinë e roleve të protagonistëve të njëjtë qysh nga koha e luftës 1998-1999. Mirëpo kur them të flitet mbi këto raporte mendoj duke e shtjelluar këtë temë pa ia bërë argatin dreqit dhe duke mos e harruar aq lehtë qoftë të kaluarën, qoftë marrëveshjet e nënshkruara dhe zotimet e marra ndërkombëtare.

Zbatimi i reciprocitetit mbi targat e automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë një vendim i duhur i Qeverisë, edhe pse i vonuar, dhe do të duhej që një vendim i tillë të merrej nga Qeveria po atë moment kur pala tjetër nënshkruese e marrëveshjes nuk e ka aplikuar atë.

Por fjala e vjetër popullore thotë "më mirë vonë se kurrë".

Dje e pashë edhe mënyrën se si një komandant i njësive speciale policore të Kosovës iu drejtua një përfaqësuesi të protestuesve serbë në njërën nga pikat kufitare në veriun e vendit.

Ai komunikim ishte shumë profesional dhe në asnjë mënyrë intimidues për pjesëtarët e pakicës serbe aty. Nuk e vërejta asnjë dallim sikur në rastet e ndryshme kur u janë drejtuar protestuesve shqiptarë në të kaluarën. Ajo të jepte të kuptosh qoftë si dëgjues i saj nëpërmjet mediave elektronike të cilat e plasuan atë pjesë, qoftë edhe sikur të ishe pjesëtar i pakicës serbe së cilës po i drejtohej komandanti i Forcave Speciale Policore të Kosovës.

Disa nga forcat speciale të analistëve tanë cinikë në studiot e shumta private televizive u munduan që këtë vendim të Qeverisë ta interpretojnë si pjesë të fushatës së zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 17 tetor. Ca të tjerë disi ia mbajshin Serbisë gajlen se mos po bezdiset fort e po ia fillon një lufte me Kosovën, disa nga mediat elektronike kishin shpërndarë një lajm i cili më pas u vlerësua edhe si i rrejshëm mbi shujtat e vobekta të njësive speciale policore të Kosovës të cilat janë të përfshira në këtë operacion, i cili ende vazhdon dhe bëhet me turne.

Në anën tjetër, pati edhe mjaft nga analistët të cilët këtë intervenim nga ana e Qeverisë së Kosovës e vlerësuan si të duhur edhe pse i vonuar. Disa nga ta madje as nuk e ndërlidhën këtë gjë me zgjedhjet lokale.

Mendimi ndryshe sigurisht se në një shoqëri demokratike është gjë e shëndoshë e edhe vlerë shoqërore, mirëpo jo mendimi kur ti punon kundër interesave tuaja dhe shtetit të cilit i përket. Nuk them se duhet shpifur që medoemos t’i mbrosh interesat shtetërore, mirëpo as nuk duhet shpifur për t’i nëpërkëmbur ato.

Ditëve të kaluara gjithashtu pamë edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht të BE-së, e cila ishte edhe facilituese e këtyre bisedimeve dhe marrëveshjeve. Nga reagimi i Borelit mund të kuptohet se fajësia nuk i hidhet Kosovës ekskluzivisht dhe palët thirren që ta ruajnë qetësinë, si dhe që të zbatojnë marrëveshjet e arritura. E pala e cila asnjëherë nuk u është përmbajtur të njëjtave është medoemos Serbia dhe jo kur është puna vetëm te targat.

Edhe reagimet të cilat erdhën nga Republika e Shqipërisë e sidomos ajo e krye-kuvendares znj. Lindita Nikolla ishin inkurajuese dhe pro vendimit të Qeverisë së Kosovës. Edhe deklarata e kryeministrit Edi Rampa, edhe pse me pak ambiguitete, i dha Kosovës të drejtë në vendimin e saj.

Në anën tjetër Aleksandër Vuçiq si duket ka shumë probleme me menaxhimin e emocioneve të tij dhe me qasjen e kryeministrit Kurti. Në këtë mosmenaxhim të duhur të emocioneve ai rrugës është duke shënuar edhe autogola diplomatikë e politikë apo ndoshta vetëm unë po e shoh ashtu.

Që kishte me thënë i moçmi "Alpini ua ka plasë Ranitallin në xhep edhe politikanëve kosovarë e s’po ja trazon emocionet Vuçiqit, pfff".

Shakanë anash. Kanë kaluar 13 vjet qysh nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e kësaj pavarësie nga pjesa dërrmuese e shteteve perëndimore demokratike në botë. Këtë pavarësi e kemi paguar me çmim mjaft të lartë jo vetëm në luftën e fundit, por ndër shekuj. Më ka rastis që ta shëtis një pjesë të madhe të botës, dhe për aq sa kam parë dhe kuptuar së paku me kushtetutë në asnjë vend nuk është ndonjëra pakicë e "diskriminuar" aq pozitivisht siç është pakica serbe në Kosovë. Edhe pse ata ende janë nën ndikimin e politikës ditore të Serbisë, e cila interesat e serbëve të Kosovës i ka vetëm për konsum të brendshëm se jo që ajo aq vërtet brengoset për ta, qeveritë kosovare qofshin të kaluarat qoftë edhe kjo aktualja duhet të punojnë në integrimin e tyre në shoqërinë dhe shtetësinë kosovare.

Këtyre ditëve i pamë edhe qytetarët e shumtë serbë të Kosovës duke pritur në radhë për t’i marrë targat e tyre të reja RKS. Do të thotë, dalëngadalë po e kuptojnë se ky shtet e ka përnjëmend. Kështu fillon të thyhet miti se Serbia e ka nën kontroll Kosovën dhe se shteti i Kosovës na qenka një shtet i rrejshëm fantom. Kështu, ngadalë fillon të zbresë realiteti mbi tokë dhe ky do të duhej të ishte edhe momenti kur Qeveria e Kosovës do të duhej të gjente mënyra për të vazhduar me integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës, pasi që shteti i Kosovës u takon atyre po aq sa edhe banorëve me shumicë shqiptare. Mirëpo iluzionet mbi një shtet të rrejshëm të Kosovës e i cili i lë ashtu të jetojnë si në rezervate të indianëve në Amerikë duhet të përfundojë.

Kosova është shtet dhe ky është i vetmi realitet, sa më parë që të përqafohet ky realitet nga qytetarët pakicë serbe të Kosovës aq më e mirë do të jetë e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre. E me pranimin e këtij realiteti edhe Serbisë nuk do t’i mbetet shumë për kë me u “brengos" pasi që shteti i Republikës së Kosovës i trajton të gjithë qytetarët e saj njësoj, pavarësisht etnisë apo religjionit të tyre.

Në të njëjtën ditë kur Qeveria e Kosovës mori vendimin mbi reciprocitetin e targave të automjeteve me Serbinë rastësisht doli edhe lajmi mbi AUKUS-in, i cili është një pakt trepalësh sigurie midis Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, i shpallur më 15 shtator 2021. Sipas paktit, SHBA-ja dhe Britania e Madhe bien dakord ta ndihmojnë Australinë për të zhvilluar dhe vendosur nëndetëse me energji bërthamore, duke i shtuar Perëndimit praninë ushtarake në rajonin e Paqësorit. Ky pakt trepalësh zemëroi Francën, e cila në fakt edhe e bëri tërheqjen e ambasadorëve të saj nga Amerika dhe Australia pasi që u ndie e tradhtuar nga ana e Australisë me të cilën kishte arritur një ujdi për ndërtimin e nëndetëseve konvencionale me vlerë prej 30 miliardë dollarësh.

Tashmë Amerika dhe Franca janë duke punuar në drejtimin e rikuperimit të marrëdhënieve të tyre të tendosura pas formimit të AUKUS-it. Pritet që edhe ambasadori francez të kthehet në Amerikë përsëri.

Duke nënshkruar paktin AUKUS javën e kaluar, Australia zbuloi se ku qëndron në botë: Ajo po merr anën e SHBA-së mbi Kinën.

Në një editorial të BBC-së thuhet se Kina është rritur në pushtet, ajo ka filluar të sfidojë dominimin e SHBA-së në rajonin e Azisë dhe Paqësorit.

Kina ka ndërtuar marinën më të madhe në botë dhe është bërë gjithnjë e më këmbëngulëse mbi zonat e kontestuara siç është Deti i Kinës Jugore.

Australia kishte deklaruar prej kohësh se nuk kishte pse të zgjidhte midis dy fuqive, por vitet e fundit qëndrimi i saj ndaj Pekinit është ngurtësuar.

Kina është dyshuar për ndërhyrje në politikën australiane dhe sulme kibernetike ndaj institucioneve kryesore.

Tensionet u ndezën më tej vitin e kaluar kur Australia bëri thirrje për një hetim mbi origjinën e koronavirusit. Pasoi një valë sanksionesh kineze kundër eksporteve australiane.

Pra, politika e jashtme dhe mbrojtja do të ndikojnë më shumë në jetën e australianëve të zakonshëm sesa në dekadat e fundit. Gjërat po i afrohen shtëpisë.