Si do të ishim pa Marrëveshje të Rambouillet-së, pa Trumpin e Rooseveltin presidentë e me z. Gjingjiq të gjallë?
1.
Çka do të kishte ndodhur sikur në vend të F. D. Roosevelt zgjedhjet amerikane më 1940 t’i kishte fituar piloti i njohur Charles Lindbergh? Kjo është pyetja e cila është pikënisja e njërit prej romaneve të shkrimtarit të madh Philip Roth, “Komploti kundër Amerikës”. Romani nuk ishte ndër më të njohurit të Roth, por u popullarizua kur zgjedhjet në Amerikë i fitoi Donald Trump, dhe për disa muaj e pastaj disa vjet me radhë kishte shkrime analitike të njerëzve seriozë të cilët analizonin se çfarë do të ishte Amerika po t’i kishte fituar zgjedhjet Hillary Clinton.
Në këtë zhanër të historisë që quhet histori alternative, Roth përshkroi një distopi botërore në të cilën Linbergh, i cili më herët kishte shprehur simpatitë e tij për nazizmin e lë SHBA-në jashtë Luftës së Dytë Botërore, duke nënshkruar marrëveshje mosndërhyrje me Gjermaninë e Hitlerit dhe Japoninë imperialiste.
Analogjia të cilën e nxorën analistët amerikanë me zgjedhjet e Trumpit ishte ajo e afërsisë së ish- presidentit amerikan me presidentin rus Putin, ambiciet totalitare të të cilit u panë që atëherë e janë më se evidente me luftën në Ukrainë.
Në analizën e asaj kohe, të zgjedhjes së Trumpit e jo të H.Clinton mbaj mend se deduksioni pothuajse kolektiv ishte se Putini e mori këtë zgjedhje (të cilës i ndihmoi me operacione të luftës speciale kibernetike) si një lloj carte-blanche për veprime të veta gjithandej; në Washington nuk është më dikush që do të kujdeset që Rusia të mos bëjë veprime të papërgjegjshme, së paku jo ato të natyrës serioze.
2.
Edhe vetë kam qenë i përfshirë në histori alternative para 24 vjetësh. Jo me roman, por me një deklaratë të cilën e mbaja në frustracion prej ditësh dhe nuk më linte të flija. Në ditët e fundit të konferencës së Rambouillet-së për shkak të papërgjegjësisë së një pjese të vogël të delegacionit të Kosovës, Kosova ishte afër të mos e nënshkruante marrëveshjen dhe me këtë akt të humbiste një shans historik. Dimensioni i këtij shansi ishte ekzistencial.
Dhe, kur me pëlqimin e delegacionit të Kosovës e nënshkrova dakordimin me Marrëveshjen (të cilën në formë ceremoniale do ta nënshkruanim në Paris disa javë më vonë) dhe atë tekst ia dorëzova sekretares amerikane Albright e ajo ua paraqiti kolegëve të tjerë ministra të pranishëm, andralla që më ishte zier prej ditësh doli si deklaratë. Ajo tingëllonte disi kështu:
Po të mos e kishim nënshkruar këtë Marrëveshje shqiptarët e Kosovës do të rrezikonin të bëheshin si kurdët, të shpërndarë gjithandej botës duke kënduar këngë të trishta sharkie për atdheun e humbur.
3.
A do të ishte rezultati mu i atillë e të bëheshim kurdë? Sot ende e besoj se çdo gjë negative që mund të paramendohet do të ishte e mundur po ta kishim humbur atë rast historik. Ky mendim nuk do të thotë se është i drejtë, është vetëm hamendësim. Siç janë hamendësime, që të gjitha legjitime mu për nga natyra e të qenit hamendësim, se Kosova mbase do të hynte në një luftë më të thellë dhe se përpjekja për gjenocid nga Serbia do të ishte e asi dimensioni sa do të kërkonte ndërhyrje më të fortë e ndëshkuese ushtarake perëndimore kundër Serbisë. Apo se në konferencën e radhës të cilën do ta organizonin SHBA-ja me Rusinë e BE-në, Kosova do ta fitonte një ofertë më të mirë.
Dallimi thelbësor, natyrisht, është se historia alternative mund të jetojë si roman, si debat televiziv, madje edhe si libër historik i bazuar në histori alternative (një i tillë i historisë alternative serbe, me parimin çka do të ndodhte po të ndodhte ndryshe, u botua më 2020 në Beograd nga dy historianë serbë). Vendimi historik , ai joalternativ, është i matshëm në kategoritë që nuk janë hamendësim.
Pra, në zgjedhjet e vitit 1940 fitoi F.D. Roosevelt dhe SHBA-ja dhe hyrja e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore vendosi peshoren historike në anën e forcave antifashiste. Në Konferencën e Rambouillet-së më 1999 Kosova e nënshkroi Marrëveshjen dhe si pasojë e drejtpërdrejtë vendi u çlirua dhe u vu në funksion një proces ndërtimi institucional që do ta aftësojë vendin për shpallje të pavarësisë, me përkrahje të shteteve të fuqishme demokratike. Dhe më 2016 në SHBA u zgjodh presidenti Trump e me gëzim të madh për presidentin Putin u sulmuan disa prej vlerave demokratike e civilizuese që konsideroheshin si të pakontestueshme në Amerikë.
4.
Në këtë debat të historisë alternative u përfshi për disa ditë një pjesë e Ballkanit Perëndimor, në 20-vjetorin e vrasjes së kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq. Presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviq, shkroi se po të mos ishte vrarë Gjingjiqi, Serbia sot të kishte përmbushur ëndrrën e tij e të qenit vend anëtar i BE-së. E kjo, implicite në ligjërimin e historisë alternative, do të thoshte se pothuaj të gjitha problemet e mëdha politike të një pjese të madhe të Ballkanit Perëndimor do të ishin zgjidhur. Një Serbi në BE do të thoshte një Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë në rrugën e tyre të mëvetësishme për në BE, në mos të qenit anëtar së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Një Serbi në BE do të thoshte njëkohësisht edhe një Mal i Zi në BE, me meritat e veta.
Dhe kjo natyrisht është e diskutueshme, madje duke u kthyer tek dilema e vjetër e pulës dhe vezës: a do të ishte e mundur një Serbi demokratike pa u zgjidhur një herë marrëdhëniet me Kosovën si një ndërshtetërore dhe pa u vendosur një Bosnjë-Hercegovinë normale e demokratike, një shtet që në tërësi është ballafaquar me të kaluarën e luftës e gjenocidit dhe ka vendosur drejt NATO-s e BE-së? Për më tepër, a ka mundur që kësaj lëvizjeje t’i prijë Z. Gjingjiq, i cili ngërthente më vete dilemën e dy besimeve kundërthënëse, mes aspiratës evropiane dhe besimit kolektiv në Serbi se problemi i luftërave në ish-Jugosllavi nuk është pse Serbia i ka filluar e ndjekur duke shkaktuar tragjedi njerëzore gjithandej, por sepse këto luftëra i ka humbur.
Dilemën e alternativës historike e ndërprenë plumbat e njerëzve të Serbisë së luftërave. Konstatimi i historisë faktike është se Serbia ishte i vetmi vend në Evropë në shekullin XXI ku u vra kryeministri. Dhe, rrjedhimisht, prej këtij momenti Serbia mori një kthesë që e largoi edhe atë, e edhe tërë regjionin, prej rrugës së integrimit evropian. Serbia e luftërave - e atyre që vajtuan për luftërat pse nuk u fituan e jo pse vranë e shkatërruan njerëz e pasuri, e atyre që ende lavdërojnë kriminelët dhe ende dehumanizojnë kroatët, boshnjakët, malazeztë dhe shqiptarët - ishte ajo që përcaktoi se përmbi fletëvotimin epror është plumbi.
Këtë dilemë aktuale, e jo të historisë alternative, e ka përjetuar për njëzet vjet Serbia dhe rrjedhimisht tërë regjioni me të.