Problemi është se interesat e fuqishme të korporatave janë të lidhura ngushtë me lidershipin politik. Njerëzit anembanë botës e sidomos në Veriun Global, duhet të bëhen shumë më të zhurmshëm në këmbëngulje për një veprim kuptimplotë klimatik dhe një ndryshim real në strategjinë ekonomike që të ringjallet përtej kufijve kombëtarë. Vetëm kjo mund t’i japë fund hipokrizisë së gjelbër të botës së pasur dhe të na shpëtojë të gjithëve
Njerëz anembanë botës tashmë po e konsiderojnë Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin Klimatik (COP26) në Glasgou zhgënjim. Është një nënvlerësim masiv. Udhëheqësit botërorë – veçanërisht ata të vendeve të zhvilluara - akoma po dështojnë në kapjen e përmasave të sfidës së klimës. Edhe pse e kanë parasysh rreptësinë dhe urgjencën në fjalimet e tyre, kryesisht ndjekin interesat afatshkurta kombëtare dhe bëjnë premtime të largëta për emetimet në rrjetin zero pa angazhime të qarta dhe të menjëhershme për të vepruar.
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, deklaratat e shumë liderëve të vendeve të pasura në Glasgou janë në kundërshtim me strategjitë e tyre aktuale të klimës dhe çfarë thonë ata në kushte të tjera. Kështu, ndërkohë që liderët e G7-s në samit merreshin me zotimet për emetimet e gjelbra për disa dekada në të ardhmen, ata ishin të zënë duke lejuar dhe mundësuar më shumë investime në lëndët fosile që do të krijojnë prodhim shtesë dhe emetime të gazrave në afat të mesëm.
Për shembull, a mundet qeveria amerikane të ngrihet e të deklarohet vet? Në fjalimin e tij të fundit në Glasgou, presidenti Joe Biden ka theksuar se “meqë ne shohim paqëndrueshmërinë aktuale në çmimet e energjisë, në vend që ta hedhim atë si një arsye për të hequr dorë nga synimet tona të energjisë së pastër, ne duhet ta shohim atë si një thirrje për veprim”. Në të vërtetë, “çmimet e larta të energjisë vetëm sa e përforcojnë nevojën urgjente për të diversifikuar burimet, për të dyfishuar përdorimin e energjisë së pastër dhe për të përshtatur teknologjitë e reja premtuese të energjisë së pastër”.
Mirëpo, vetëm tri ditë më vonë, administrata e Bidenit pretendoi se OPEC+ po e rrezikon rimëkëmbjen ekonomike duke mos e rritur prodhimin e naftës. Madje edhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përgatitura t’i përdorin “të gjitha mjetet” e nevojshme për t’i ulur çmimet e karburantit.
Ky është një nga shembujt më flagrantë të kohëve të fundit të hipokrizisë klimatike nga një udhëheqës i një vendi të zhvilluar, por që nuk është i vetmi. Kurse, dyfishimi po shtrihet në procedurat e vet COP26, ku negociatorët e vendeve në zhvillim me sa duket po zbulojnë pozicionet e ekonomive të avancuara në takimet me dyer të mbyllura, e që janë krejtësisht të ndryshme nga qëndrimet e tyre publike.
Vendet e pasura, të cilat janë përgjegjëse për pjesën mbizotëruese të emetimeve globale të dyoksidit të karbonit deri më sot, po anashkalojnë angazhimet e shumta për ta siguruar financimin e klimës për vendet në zhvillim. Ata po i rezistojnë gjithashtu një përkufizimi operacional të propozuar që do t’i pengonte ata të shmangnin atë që llogaritet financim i klimës. Dhe ende po e trajtojnë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike si një rrjedhë e veçantë dhe refuzojnë të ofrojnë financa për të shmangur, minimizuar dhe adresuar humbjet dhe dëmet që lidhen me ndryshimet klimatike në vendet më të prekura.
Premtimet e deklaruara të COP26, po ashtu zbulojnë standardet dyfishta të botës së zhvilluar. Një grup prej 20 vendeve, përfshirë edhe Amerikën, u zotuan se do t’i japin fund financimit publik për projektet e lëndëve djegëse “të pandërprera”, duke përfshirë ato të fuqizuara nga thëngjilli, deri në fund të vitit 2022. Mirëpo, ndalimi zbatohet vetëm për projektet ndërkombëtare, e jo ato vendase. Do të thotë SHBA-ja dhe disa nënshkrues të tjerë refuzuan t’i bashkohen 23 vendeve që veçmas u angazhuan për të ndaluar projektet e reja të energjisë së thëngjillit brenda kufijve të tyre dhe për ta hequr infrastrukturën ekzistuese të thëngjillit.
Por edhe nëse zotimet në Glasgou do të ishin më solide, qeveritë e shteteve të pasura në veçanti, përballen me një problem të madh të besueshmërisë. Ato qysh herët kanë bërë premtime boshe për klimën, duke i zvogëluar interesat e vendeve në zhvillim që kanë kontribuar sado pak në ndryshimet klimatike. Ekonomitë e avancuara janë angazhuar në reduktimin e emetimeve që shtetet nuk iu kanë përmbajtur dhe ato kanë refuzuar garantimet e tyre ndaj vendeve në zhvillim në lidhje jo vetëm me financimin e klimës, por edhe me transferimin e teknologjisë.
Zotimi për financimin e klimës tashmë është 12 vjeç. Në COP15, në Kopenhagë, ekonomitë e avancuara premtuan të ofrojnë 100 miliardë dollarë për vit, për vendet në zhvillim, e marrëveshja e klimës në Paris, 2015, e bëri të qartë se të gjitha këto vende të zhvilluara janë të përshtatshme për financime të tilla. Kjo shumë është e vogël për nevojën e vendeve në zhvillim, të cilat janë në nevojë të biliona dollarëve, e gjithashtu kur krahasohen me shumat e mëdha që vendet e pasura kanë shpenzuar për mbështetjen fiskale dhe monetare për ekonomitë e tyre gjatë pandemisë Covid-19.
Mirëpo, bota e zhvilluar nuk e ka përmbushur as këtë zotim relativisht modest. Në vitin 2019, financimi total i klimës, i kanalizuar në vendet në zhvillim ishte më pak se 80 miliardë dollarë; shuma mesatare çdo vit që nga 2013 ishte vetëm 67 miliardë dollarë. E kjo shifër mbivlerësoi masivisht flukset aktuale nga qeveritë e vendeve të zhvilluara, për shkak se financat dypalëshe publike të klimës (të cilat duhet t’i jepeshin botës në zhvillim sipas marrëveshjes së Parisit) ishin mesatarisht më pak se 27 miliardë dollarë në vit. Pjesa tjetër erdhi nga institucionet shumëpalëshe - duke përfshirë bankat e zhvillimit - dhe financat private, prej të cilave qeveritë e shteteve të pasura kërkuan të merrnin kredi për mobilizim. Krahasuar me këtë shumë të vogël, subvencionet globale të lëndëve djegëse arritën në rreth 555 miliardë dollarë në vit nga viti 2017 në 2019.
Po në këtë mënyrë, premtimet e botës së pasur për transferimin e teknologjisë së gjelbër janë bërë thjesht fjalë goje. Qeveritë e vendeve të zhvilluara lejuan kompanitë vendase të kapeshin pas të drejtave të pronësisë intelektuale që e bllokojnë përhapjen e njohurive kritike për zbutjen dhe përshtatjen e klimës. Kur vendet si Kina dhe India kanë kërkuar të inkurajojnë industritë ë tyre të energjisë së riprodhueshme, SHBA-ja në veçanti, ka paraqitur ankesa në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Kjo strategji dritëshkurtër në fund të fundit nuk i sjell dobi askujt, përfshirë edhe firmat që kanë përfitime të menjëhershme, sepse kjo përshpejton shkatërrimin e planetit dhe hakmarrjen e natyrës në atë që tani po duket më shumë si një budallallëk njerëzor. Marshimet e studentëve dhe aktivistëve në Glasgou kundër kësaj qasjeje miope janë të rëndësishme, por nuk janë aq afër sa të detyrojnë qeveritë të ndryshojnë mendim.
Problemi është se interesat e fuqishme të korporatave janë të lidhura ngushtë me lidershipin politik. Njerëzit anembanë botës e sidomos në Veriun Global, duhet të bëhen shumë më të zhurmshëm në këmbëngulje për një veprim kuptimplotë klimatik dhe një ndryshim real në strategjinë ekonomike që të ringjallet përtej kufijve kombëtarë. Vetëm kjo mund t’i japë fund hipokrizisë së gjelbër të botës së pasur dhe të na shpëtojë të gjithëve.
(Autorja: Sekretare ekzekutive e Shoqatës Ndërkombëtare të Zhvillimit Ekonomik, është profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Massachusetts, Anherst, dhe anëtare e Komisionit të Pavarur për Reformë të Taksimit Korporativ. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)