OpEd

Hija e Oppenheimerit

Ndonëse filmi “Oppenheimer” nënkupton shumëçka për shumëkënd, një nga temat kryesore të filmit është paradoksi i përhershëm në mes potencialit krijues dhe rrezikut shkatërrues që njeriu përfaqëson për vetveten. Dhe në këtë sens hija e Oppenheimerit ende jeton në mesin tonë

Nëse dikush ka arsye që të jetë i lumtur për vitin që lamë pas, ai është Christopher Nolan. Regjisori i filmit “Oppenheimer” krijoj veprën e tij më të suksesshme kinematografike mbi jetën e “babait të bombës atomike”, Robert Oppenheimer, dhe roli i tij qëndron në kuadër të projektit “Manhattan”. Filmi theu rekordin e të hyrave për një film biografik, fitoi 5 çmime në “Golden Globes” dhe është i nominuar në 13 kategori për “Oskar”. Siç qëndrojnë gjërat, me gjasë “Oppenheimer” do t’ia sjell’ Nolanit atë që iu mohua për kohë të gjatë – “Oskarin” e parë për regji.

Dhe ndonëse filmi “Oppenheimer” nënkupton shumëçka për shumëkënd, një nga temat kryesore të filmit është paradoksi i përhershëm në mes potencialit krijues dhe rrezikut shkatërrues që njeriu përfaqëson për vetveten. Në asnjë rast kjo kontradiktë nuk shpërfaqet më bukur se në rastin e krijimit të bombës atomike. Në këtë sens filmi i qëndron besnik saktësisë historike dhe na risjell në jetë dyshimet, brengat dhe debatet e shkencëtarëve të projektit “Manhatan” për mëryen e përdorimit të shkencës për qëllime shkatërruese. Kjo është edhe arsyeja përse pas projektit “Manhatan” Robert Oppenheimer dedikoi pjesë të rëndësishme të jetës së tij për të edukuar dhe avokuar publikun dhe vendimmarrësit për përdorimin beninj të shkencës. Dhe përderisa filmi “Oppenheimer” tanimë ka popullarizuar rolin e Robertit si krijues i bombës atomike, në diskursin publik është shumë më pak i njohur roli i tij si themeluesi i Buletinit të Shkencëtarëve Atomikë dhe Orës së Apokalipsit.

Pas largimit nga projekti “Manhatan”, Oppenheimer, Einstein dhe shkencëtarë të tjerë nga projekti “Manhatan” janë bashkuar në krijimin e një instrumenti, i cili do të edukojë publikun për rrezikun e vetëshkatërrimit nga bomba atomike, por edhe rreziqe të tjera të krijuara nga vetë njeriu. Kësisoj ata themeluan Buletinin e Shkencëtarëve Atomikë dhe lansuan Orën e Apokalipsit. Për gati një shekull Buletini njihet si forum i mendjeve më të ndritura të njerëzimit të cilët mblidhen një herë në vit për të vlerësuar trendët kryesorë globalë dhe për të paralajmëruar njerëzimin për rrezikun e vetëshkatërrimit. Produkti kryesor i punës së tyre është Ora e Apokalipsit. Ora e Apokalipsit vendoset disa minuta më afër apo më larg mesnate si simbol i mbarimit të kohës dhe fundit të njerëzimit. Sa më afër ora vendoset mesnatës, aq më afër jemi apokalipsit.

Hera e parë kur ora është vendosur më së afërmi mesnatës (2 minuta para mesnate) ka qenë në vitin 1953, kur SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik testuan bombat respektive termonukleare – bombat më të fuqishme që njerëzimi ka zbuluar deri më sot. Më pastaj ora është kthyer mbrapa duke vlerësuar se njerëzimi është në rrugë të mbarë të paqes dhe prosperitetit. Dhe kjo zgjati për 65 vjet deri në vitin 2018. Nga viti 2018 e deri më sot ora ka filluar përsëri t’i afrohet mesnatës. Në vitet 2020, 2021 dhe 2022 Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë ka vlerësuar se njerëzimi është afruar jashtëzakonisht shumë shkatërrimit të vetvetes dhe rrjedhimisht ka filluar të numërojë kohën e mbetur deri në mesnatë në sekonda. Kësisoj te vite me radhë ora u vendos në 100 sekonda deri në mesnatë. Në vitin 2023 me luftën në Ukrainë ora theu rekordet e mëparshme dhe u vendos në 90 sekonda deri në mesnatë. Dhe këtë javë buletini publikoi orën e viti 2024: ora ngelet 90 sekonda deri në mesnatë. Pra, thënë ndryshe, këta dy vjetët e fundit që jetojmë janë vitet më të rrezikshme për njerëzimin që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Këto janë katër rreziqe kryesore të cilat Buletini ka vlerësuar se kërcënojnë shkatërrimin e njerëzimit.

1. Rreziku nuklear

Fuqitë e mëdha kanë filluar garën e riarmatimit në shkallë alarmante. Në sfondin e luftës në Ukrainë mundësia e përdorimit të armës nukleare nga ana e Rusisë ngelet rrezik serioz. Dialogu në mes fuqive të mëdha lidhur me kontrollin e armëve nukleare është joekzistent. Rusia ka pezulluar marrëveshjen e vetme me SHBA-në për zvogëlimin e armëve nukleare – Traktati New START - ndërsa ka paralajmëruar vendosjen e armëve nukleare taktike në Bjellorusi. Po ashtu Rusia është tërhequr nga Traktati i Përgjithshëm për Ndalimin e Testeve Nukleare, ndërsa SHBA-ja ka refuzuar edhe të debatojnë ratifikimin e traktatit. Dhe përderisa e gjithë arkitektura e sigurisë nukleare është duke u kërcënuar, tri fuqitë e mëdha, SHBA, Rusia dhe Kina, janë duke investuar burimet rekorde për zhvillimin e kapaciteteve nukleare. Raporti i fundit i Komisionit bipartizan të Kongresit për Kapacitetet Strategjike të SHBA-së ka rekomanduar modernizimin urgjent të kapaciteteve nukleare të SHBA-së për të siguruar se do të jenë në gjendje të përballojnë dhe të mundin Kinën dhe Rusinë së bashku. Ndërkohë, përtej tre fuqive të mëdha, fuqitë më të vogla, siç janë Irani dhe Koreja e Veriut, janë duke vazhduar të zgjerojnë programet dhe kapacitetet e tyre nukleare, pa asnjë kontroll perëndimor. Irani tani është në gjendje të prodhojë material nuklear për sasi të vogël të armëve ofensive, ndërsa Koreja Veriore ka testuar suksesshëm raketën ndërkontinentale balistike “Hwasong-8”. Këto fuqitë tanimë janë të përfshira në mënyrë indirekte në Ukrainë, ndërsa me konfliktin e ri në Gaza dhe mundësinë e konfliktit të ri në Tajvan këto dinamika zgjerojnë rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve konvencionale në konflikte nukleare në mes palëve të përfshira.

2. Ndryshimet klimatike

Viti 2023 ishte vit me temperatura më të larta në histori. Temperaturat e detit kanë thyer rekordet, ndërsa akulli i Antarktikut është shkrirë me shpejtësinë më të lartë historike. Sipas gjitha gjasave, bota nuk do të arrijë objektivat e Marrëveshjes Klimatike të Parisit dhe të ngadalësojë rritjen e temperaturës globale nën 1.5 celsius mbi nivelet paraindustriale. Dhe ndonëse në vitin 2023 u arrit rekordi i ri i investimeve në energjitë e pastra prej 1.7 trilionë dollarë, investimi në lëndët tradicionale djegëse arriti në 1 trilion dollarë. Emetimet e gazrave serrë kanë vazhduar të rriten. Emetimet e dyoksidit të karbonit në vitin 2022 kanë qenë 1.5% më të larta se në vitin 2021, duke arritur kështu rekordin prej 57.5 gigatonësh. Dështimi për të ndaluar efektet e ndryshimeve klimatike do të ndikojë në zinxhirë të ushqimeve bazë, do të rrezikojë vendet bregdetare dhe do të nxisë konflikte kulturore, etnike dhe shoqërore.

3. Militarizimi i biologjisë

Kapacitetet e teknologjisë artificiale janë duke lëvizur nivelin dhe cilësinë e informatave e cila është tani në mënyrë automatike në dispozicion të aktorëve malinj. Në këtë sens AI mund t’u mundësojë aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë informatat e nevojshme për krijimin e materialeve të rrezikshme biologjike. Për shembull, bërja publike e informatave detaje për algoritmet AI u ka mundësuar disa hakërreve të prodhojnë virusin pandemik “influenza” të vitit 1918. Dy rreziqe të tjera biologjike ngelin arsye për brengosje të vazhdueshme: çlirimi aksidental i organizmave malinj nga laboratorët në natyrë dhe lindja e natyrshme aksidentale e sëmundjeve ngjitëse. Ky lloj rreziku është në veçanti në rritje për shkak rritjes eksponenciale të ndërtimit të laboratorëve të nivelit të lartë biologjik. Me rritjen e numrit të laboratorëve biologjikë dhe mosstandardizimit të praktikave laboratorike dhe mbikëqyrjes shkencore rritet edhe rreziku i çlirimit aksidental të patogjenëve në publik.

4. Rreziqet e Inteligjencës Artificiale

Inteligjenca Artificiale, rrjetet sociale dhe dezinformimi janë teknologjitë të cilat kanë potencial të ndryshojnë radikalisht mënyrën e jetesës sonë. Kaosi informativ i gjeneruar nga këto mjete kërcënon demokracinë dhe kapacitetin tonë për të zhvilluar dialog konstruktiv dhe për të marrë vendime të arsyeshme mbi sfidat komplekse. Përdorimi i AI për mbikëqyrjen shumë më invazive të qytetarëve në disa vende autoritare, pasojat e ndryshimit të pronësisë së Twitterit dhe militarizimi i dezinformimit nga ana e Rusisë në luftën e Ukrainës janë vetëm disa nga shembujt e kapacitetit të këtyre teknologjive për të korruptuar themelet e shoqërisë sonë. Përdorimi i AI-së në fushat e ndjeshme, siç është zhvillimi nuklear, ndryshimet klimatike apo eksperimentet shëndetësore ndonëse ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm përfaqëson edhe kërcënimin themelor për njerëzimin. Zgjerimi i përdorimit ushtarak të AI-së ngelet arsye madhore për brengosje.

Është një fibër i cili lidh projektin “Manhattan” dhe shpikjen e bombës atomike në mesin e shekullit të kaluar me Orën e Apokalipsit dhe ditët e sotme. Ai fibër është brenga e përdorimit të shkencës për qëllime vetëshkatërruese të njerëzimit. Frika se njerëzimi me paramendim apo rastësisht do të iniciojë një zinxhir ngjarjesh të cilat do të shkatërrojnë njerëzimin. Frika se njerëzimi nuk do të jetë i aftë të menaxhojë atë çfarë ka krijuar. Frika se në mes potencialit krijues dhe rrezikut shkatërrues të njerëzimit do të fitojë ky i fundit. Këto janë të njëjtat dyshimet që kanë preokupuar Robert Oppenheimerin dhe shkencëtarët e projektit “Manhattan” dhe këto janë po të njëjta dyshime që preokupojnë sot mendjet më të ndritura të botës. Kësisoj në një sens hija e Oppenheimerit ende jeton në mesin tonë. Kohërat kanë ndryshuar dhe me të edhe teknologjia, shoqëria dhe çdo gjë tjetër, porse një gjë ngelet e pandryshuar: tundimet e species sonë për pushtet dhe dominim, edhe me koston e vetëshkatërrimit.