OpEd

Hibridi

Pikërisht Kuvendi është pasqyra më reale e gjendjes së shoqërisë kosovare sot: aty ku politikisht të paaftët i akuzojnë të tjerët për paaftësi politike; ku eksponentët e korrupsionit i akuzojnë të tjerët për korrupsion; ku shkatërruesit e bazës shoqërore i akuzojnë të tjerët për shkatërrim ose ku ofenduesit ndihen të ofenduar. Ky është hibridi ynë autokton: Prishtina jo, por Kosova e përjetimeve

Si fëmijë, sikurse çdo ditë tjetër të javës, edhe të dielave gjumi në dilte fort herët. Atëbotë nuk kishte shumë mundësi argëtimi për ta kaluar kohën derisa do të zgjoheshin edhe anëtarët e tjerë të familjes.

E kishim një televizor, “bardhezi”. Dhe ky, si në krejt botën socialiste, e zinte një kanal të vetëm, TV Beogradin, në të cilin transmetohej ditari në gjuhën shqipe diku para gjysmës së ditës. Gjithsesi pas emisionit për bujqësinë që realizohej nëpër fshatrat gjithandej ish-Jugosllavisë, dhe quhej “Znanje-imanje” (“Të dish - të kesh”; apo edhe “dije - pronë”... varësisht se si doje ta përktheje).

Nejse, titulli është irrelevant. Me rëndësi ishte përmbajtja e emisionit që për çdo javë të lume tregonte për rekordet e rendimenteve të të mbjellave (“toka jonë prodhon bukë për të gjithë” – që, përndryshe, nuk ishte e vërtetë) dhe për farat e reja që mbilleshin me synimin për prodhimin më të shtuar aq sa për të eksportuar (dhe kjo përndryshe ka qenë rrenë e pjesshme).

Ato që nuk ishin rrenë, ishin farat e importuara të kollomoçit, nëse s’e kam gabim nga Amerika, që quheshin “hibrid” dhe që kishin për qëllim rritjen e rendimentit të misrit.

* * *

Për hibridet do të vazhdonim të mësonim edhe në shkollë fillore – dhe jo pse synonim të gjithë të bëheshim biologë, por për shkak se planprogramet mësimore të kohës parashihnin që nxënësit të mësonin e të informoheshin për gjithçka (përfshirë, ta zëmë, edhe motorin e motokultivatorit, që e kishim të detyrueshme ta vizatonim në fletoret milimetrike për lëndën e BAT-it, pra Bazat e Arsimit Teknik)...

Dikush si unë, me afinitet thuajse zero për shkencat natyrore dhe teknike, hibridin dhe motokultivatorin i ka mbajtur në mend, për shkak se të parin nuk e ka dalluar as në fotografi, kurse të dytin kurrë nuk ia ka dalë ta replikonte në letër, për shkak se lidhje me vizatim nuk ka pasur.

Por me rëndësi i ka mbajtur mend.

* * *

Hibridi i asaj kohe mbeti term i palosur diku në sirtarët e trurit tim... me vite. Deri në këtë javë, kur “lufta hibride”, brenda natës dhe me një intensitet të madh, u bë termi i modës, të cilin të parët nisën ta përdorin përfaqësuesit e ekzekutivit.

Nuk di ta shpjegoj se sa e mërzitshme është të dëgjohet tek përsëritet vend e pavend, me kontekst e pa të – me qëllimin e thjeshtë për të tingëlluar shumë bindës për rrezikun që i kanoset (imagjinar apo i vërtetë, zor të dihet) një individi apo grupimi politik e që patjetër do të barazohen me të gjithë shoqërinë.

Për fillim, mbase do të duhej dhënë përkufizimin e “luftës hibride” siç e njeh Google: “Është një teori e strategjisë ushtarake, e propozuar për herë të parë nga Frank Hoffman, e cila përdor luftën politike dhe ndërthur luftën konvencionale, luftën e parregullt dhe luftën kibernetike me metoda të tjera ndikuese, siç janë lajmet e rreme, diplomacia, ndjekja ligjore, ndryshimi i regjimit dhe ndërhyrja e huaj në zgjedhje. Duke i kombinuar operacionet kinetike me përpjekjet subversive, agresori synon të shmangë autorësinë ose ndëshkimin”.

Pra, term i kontestuar, për shkak se është shumë abstrakt dhe nuk ka pajtueshmëri në lidhje me të. Si i tillë pra, edhe përdoret nga politikanët e Kosovës për ta arsyetuar kritikën që mediumet dhe publiku ua bëjnë veprimeve dhe vendimeve të ekzekutivit: pra që kritika domosdo të shpallet ose fake news ose tendencë, me qëllimin e dëmtimit të interesit nacional.

Zbulimi dhe emetimi i incizimeve të Kusari-Lilës dhe i komunikimit të Dejona Mihalit me drejtorin e akuzuar të Korporatës Energjetike nuk mund të quhen luftë hibride, derisa nuk të dëshmohet se ky komunikim nuk ka ekzistuar apo edhe se është falsifikuar apo montuar. Këtë duhet dëshmuar dhe vetëm deklaratat bombastike për “luftën hibride” këtë nuk mund ta bëjnë. Sikurse as nuk mund ta bëjë përpjekja për ta bindur të gjithë një popull se jemi nën kërcënim të përhershëm gjithandej dhe prej gjithkujt. E vetmja gjë që mungon në këtë vazhdë është që të nisim të ndërtojmë bunkerë për t’u mbrojtur nga desanti – edhe pse e dimë se kërcënimi më i madh na vjen prej vetë nesh që nuk ditëm se nuk ditëm të ndërtojmë shtet si duhet. Historia na e dëshmon këtë.

* * *

E mbasi jemi te hibridet, mbase do të duhej kthyer raportit të “Freedom House” për Kosovën në vitin 2023 që na ngre disa pikë më lart se viteve paraprake, por na shpall “Regjim hibrid”, pra një lloj sistemi politik që është krijuar si rezultat i transicionit jo të plotë demokratik nga një regjim autoritar në demokraci ku ka zgjedhje të lira, por që shumëçka nuk funksionon plotësisht siç do të duhej.

Sipas po këtij raporti, Kosova ka telashe shumë serioze me luftimin e plotë të korrupsionit; me mungesën e transparencës së trupave qeverisëse; me mediumet e lira dhe të pavarura; me organizimin më të gjerë sindikal; me pavarësi të gjyqësorit; me paanshmëri në procese gjyqësore; me barazinë para ligjit; me afarizmin pa ndërhyrje nga sfera të interesit; me mbrojtjen nga dhuna dhe të drejtat e punës...

Jam e sigurt se në raportin e radhës do të na dalin edhe elemente të reja që do të na mbajnë nën këtë përkufizim, duke i pasur parasysh ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës. Një trup i cili tre vjet e kusur me radhë na i ka shkatërruar nervat me mungesën kronike të kuorumit, është mbledhur tri herë në seanca të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita pa praninë e deputetëve të shumicës parlamentare për të diskutuar tema që pushteti i quan pjesë të “luftës hibride”.

I qartë qëllimi i opozitës për të bërë sa më shumë zhurmë për temat e ngritura për ta akuzuar Qeverinë për inkompetencë, korrupsion, tradhti e çka mos tjetër, duke ditur se pushteti nuk do t’ia sigurojë kuorumin për të votuar çfarëdo. E qartë edhe qasja e pushtetit që i fut veshët në lesh – sepse e aplikon arrogancën e shumicës, një diçka që aq shumë e kishte kritikuar derisa nuk erdhi në pushtet.

Dhe pikërisht Kuvendi është pasqyra më reale e gjendjes së shoqërisë kosovare sot: aty ku politikisht të paaftët i akuzojnë të tjerët për paaftësi politike; ku eksponentët e korrupsionit i akuzojnë të tjerët për korrupsion; ku shkatërruesit e bazës shoqërore i akuzojnë të tjerët për shkatërrim ose ku ofenduesit ndihen të ofenduar. Ky është hibridi ynë autokton: Prishtina jo, por Kosova e përjetimeve.

* * *

Java u mbyll me raportin e Bankës Botërore sipas të cilit rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 3.8% sivjet. Lajmi i mirë është që ka rritje. I keqi është që kjo rritje bazohet kryesisht në konsum dhe ndërtimtari që burimin e kanë nga remitencat.

E që kjo rritje është absolutisht e pamjaftueshme e dëshmojnë problemet shumë serioze të likuiditetit të sektorit privat. Ka vite që e përsëris se në tregun e Kosovës mungon paraja. Por sikurse sivjet nuk ka qenë asnjëherë. Dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së investimeve kapitale. Sipas një përmbledhjeje që e ka bërë miku im Shenolli, situata është si vijon: “Gjatë viteve 2015-2019 mesatarja e investimeve kapitale ka qenë 19.2%, ndërsa në periudhën 2020-2023 investimet kanë rënë në një mesatare prej 11.2% të buxhetit në dispozicion. Rënia e investimeve jo vetëm që e ka lënë Kosovën pa projekte madhore në vitet e fundit, por gjithashtu e ka ndëshkuar sektorin privat dhe bizneset, të cilat kanë pasur më pak punë dhe janë përballur me presion të likuiditetit. Për fat të keq, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve që janë larguar nga investimet kapitale kanë shkuar në ndihma sociale. E ndihmat e kanë rritur konsumin dhe importin, rrjedhimisht e kanë rritur deficitin tregtar në mallra në rreth 5 miliardë euro në vit apo 50% të GDP së Kosovës”.

Kur kompanitë private vijnë në situatën që nuk mund t’i paguajnë rrogat me kohë, për shkak se gjithkush gjithkujt i ka borxh, ky shtet e ka një problem tepër serioz.

Sa merreni me luftëra hibride, merruni me luftën për mbijetesën e dinjitetshme të popullit të gjorë e të detyruar t’jua dëgjojë krejt variantet e teorive të konspiracionit që u bien ndërmend.

[email protected]