OpEd

Hendeku në mes studiove dhe qytetarëve

Përkundër zhurmës publike sot qytetarët e Kosovës janë më proamerikanë, më proevropianë, më të kënaqur me diplomacinë e Kosovës dhe më të kënaqur me pozitën ndërkombëtare të vendit. Ky hendek në mes studiove dhe qytetarëve nuk do të thotë se qytetarët kanë të drejtë e mediat gabim, apo e kundërta. Por ky hendek patjetër imponon një vetëreflektim të mediave rreth ndikimit të tyre në informimin e drejtë të qytetarëve. Kosovës i duhen media që janë të afta t’ia komunikojnë bindshëm faktet publikut dhe të shërbejnë si autoritet i pakontestueshëm i së vërtetës përballë pushtetit. Mungesa e mediave të tilla është paralajmërim ogurzi për çdo vend

Javën e kaluar Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) publikoi sondazhin vjetor për politikën ndërkombëtare të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi. Sondazhi tani më tradicional është thesar i çmuar i pulsit të qytetarëve për aspektet kyç të politikës së jashtme të Kosovës. Sondazhi i këtij viti ka përfshirë 1065 të anketuar të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga të gjitha komunat e Kosovës. 49.9% e të anketuarve ishin femra, ndërsa 50.1% meshkuj. 60% e të anketuarve ishin nga zonat urbane, ndërsa 40% nga zonat rurale. Si i tillë sondazhi është mostër ideale për të kapur gjithë spektrin e sentimentit të qytetarëve.

Duke lexuar rezultatet e sondazhit pjesa më mbresëlënëse ishte pranëvënia e rezultateve të këtij viti me rezultatet e sondazhit të vitit 2020. Nga kjo pranëvënie ravijëzohen katër mesazhe kryesore.

1. Qytetarët janë përsëri proamerikanë. Presidenca kaotike Trump ka dëmtuar pothuajse të gjitha aleancat e SHBA-së në botë. Kosova nuk ishte përjashtim. Sjellja harbute e Grenellit, përfshirja e SHBA-së në kolapsimin e një qeverie legjitime, si dhe rrjedha e dialogut me Serbinë, ishin të gjitha arsyet për brengosje të qytetarëve të Kosovës. Prandaj nuk ishte befasi kur kuptuam në vitin 2020 që vetëm 9% e qytetarëve të Kosovës e konsideronin presidentin amerikan si lider të preferuar të tyre global. Asokohe, qytetarët e Kosovës gjetën strehim nën lidershipin fisnik të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila me 66% të përkrahjes së qytetarëve të Kosovës ishte lideri më i preferuar global. Pra, nëse qytetarët e Kosovës ishin diçka, ata ishin progjermanë. Sidoqoftë, një palë zgjedhje amerikane më vonë, dhe dy vjet më pas, qytetarët e Kosovës janë përsëri proamerikanë. Në sondazhin e këtij viti 63% e qytetarëve të Kosovës kanë zgjedhur presidentin Biden si lider të preferuar të tyre global.

2. Qytetarët janë përsëri proevropianë. Në vitin 2020, 50% të qytetarëve të Kosovës kanë menduar se BE-ja është organizatë miqësore me Kosovën. Sot 84.2% e qytetarëve mendojnë kështu. Ky rezultat shpërfaq rëndësinë e mesazheve publike të liderëve të vendit. Asokohe në vitin 2020 ishin të shpeshta mesazhet publike të liderëve të vendit të cilët e përshkruanin BE-në si “albanofobe” dhe “diskriminuese”, ndërsa përfaqësuesit e lartë të BE-së si “spanjollë” dhe “sllovakë”. Këso lloj mesazhesh patjetër që formësuan diskursin publik dhe ndjenjat e qytetarëve. Sidoqoftë, sot kjo kujtohet vetëm si histori e pahijshme dhe me kthimin e një sjelljeje të vëmendshme shtetërore edhe qytetarët kanë kthyer besimin nga BE-ja.

3. Qytetaret janë të kënaqur me diplomacinë e Kosovës. Në vitin 2020 vetëm 15.7% të qytetarëve ishin të kënaqur, apo tërësisht të kënaqur, me diplomacinë e Kosovës. Kjo ishte e kuptueshme pasi që për kohë të gjatë diplomacia e Kosovës është udhëhequr nga kryediplomati i cili shpesh ka pasur vështirësi të flasë kuptueshëm në gjuhë shqipe, lëre më në gjuhë të huaja. Ky standard i kryediplomatit u përkthye në standard për gjithë diplomacinë. Rrjedhimisht shërbimi diplomatik u shndërrua në entin statistikor të punësimit dhe sebep i allishverisheve politike. Por nuk ishte vetëm kjo. Në përgjithësi institucionet shtetërore vuanin nga mungesa e legjitimitetit publik. Rrjedhimisht, ardhja e një mazhorance me legjitimitet të paprecedent publik kontribuoi në ngritjen e besimit në institucionet publike. Prandaj nuk ishte befasi kur kuptuam javën e kaluar që 53.4% të qytetarëve janë të kënaqur, apo tërësisht të kënaqur, me diplomacinë e Kosovës.

4. Qytetarët besojnë se Kosova është e fuqishme jashtë shtetit, aq sa është e fuqishme brenda shtetit. Në vitin 2020 vetëm 21.7% të qytetarëve mendonin se pozita ndërkombëtare e Kosovës është përmirësuar, apo përmirësuar shumë, në pesë vjetët e fundit. Sot 64% mendojnë kështu. Në të dy raste – si për të mirë, si për të keq – qytetarët kanë identifikuar kredibilitetin dhe cilësinë e qeverisjes së brendshme si faktor kyç që ndikon në pozitën e Kosovës në botë. Pra, thënë ndryshe, qytetarët ndajnë mendimin se sa më kredibile dhe cilësore janë institucionet brenda vendit, aq më përfaqësuese është Kosova jashtë vendit.

Ajo çfarë është në veçanti impresive lidhur me këto gjetje është se ato qëndrojnë në kontrast të thellë me diskursin publik i cili ndërtohet çdo ditë në studiot dhe portalet e Kosovës. Pra, çdo ditë ne kemi tituj rreth anti-amerikanizmit, prishjes së raporteve me BE-në, degradimit të diplomacisë dhe dëmtimit të pozitës së Kosovës në botë. Por, përkundër kësaj, sot qytetarët e Kosovës janë më proamerikanë, më proevropianë, më të kënaqur me diplomacinë e Kosovës dhe më të kënaqur me pozitën ndërkombëtare të vendit. Ky hendek në mes studiove dhe qytetarëve nuk do të thotë se qytetarët kanë të drejtë e mediat gabim, apo e kundërta. Por ky hendek patjetër imponon një vetëreflektim të mediave rreth ndikimit të tyre në informimin e drejtë të qytetarëve. Kosovës i duhen media që janë të afta t’ia komunikojnë bindshëm faktet publikut dhe të shërbejnë si autoritet i pakontestueshëm i së vërtetës përballë pushtetit. Mungesa e mediave të tilla është paralajmërim ogurzi për çdo vend.