Duke lënë mbrapa nesh akuzën absurde të antiamerikanizmit, duhet njohur se ka një hendek në mes Kurtit dhe SHBA-së dhe çelësi i këtij hendeku është emërtimi i tij i saktë. Nuk është Kurti antiamerikan, ai është antikompromis dhe ky fakt është hendeku kryesor në mes Kurtit dhe SHBA-ve. Këtë e konfirmoj edhe takimi me z. Blinken
Në kohën kur në Washington, Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani takuan Sekretarin Blinken, në Prishtinë dielli kishte perënduar. Me të perënduan edhe brohoritjet “antiamerikan”.
Që nga marrja e pushtetit Kurti është ballafaquar me kritikë intensive të antiamerikanizmit. Ajo ka osciluar nga të qenurit kritikë serioze, deri në të qenurit hajgarllak – e shpesh të dyja bashkë. Kësisoj, ish-përfaqësuesi Special i Presidentit Trump, z. Richard Grenell kishte akuzuar Kurtin se është “antiamerikan”, ndërsa Agim Veliu kishte shkuar një hap më tutje, duke thënë se Kurti është “tepër antiamerikan”. Siç duket të qenurit vetëm antiamerikan nuk i mjaftonte z. Veliut. Sidoqoftë, Grenelli dhe Veliu shkuan, por akuza e antiamerikanizmin mbeti. Ajo ishte në pritje të viktimës së radhës. Kësisoj, z. Ramush Haradinaj vazhdoi ku Veliu e la dhe na paralajmëroi të gjithë neve se tani me Kurtin fillon “epoka anti-Kosovë dhe anti-Amerikë”. Pra edhe Haradinajt, sikur Veliut, nuk i mjaftonte vetëm akuza e antiamerikanizmit, por hodhi aty edhe anti-Kosovën. Është mjaft vështirë të jesh veç njërën nga këto, por të jesh të dy këto bashkë është e pamundur. Më duket se dikur të gjithë kuptuan se sa jokredibile është akuza e antiamerikanizmit sa që filluan të rrisin volumin e akuzës në nonsens. Në lloj rruge njëdrejtimëshe e absurditetit. Kësisoj, z. Memli Krasniqi akuzoi Kurtin se është më i rrezikshëm se COVID-19 kur tha se “Kurti është virusi më i rrezikshëm, që po e infekton Kosovën me antiamerikanizëm”. Ishte pikërisht ky lloj i absurditetit, i cili shtyu Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeff Hovenier, të lë të gjitha angazhimet e veta dhe të angazhohej në debatin publik rreth topografisë ekzakte të zyrës, të takimit të z. Kurti me këshilltarin për siguri nacionale të SHBA-së, z. Jake Sullivan.
Në gjithë këtë sfond, fotografia e pritjes së kryeministrit Kurti nga sekretari Blinken hodhi ujë të akullt, mbi zjarrin e flakët, që ndiznin kritikët e Kurtit për antiamerikanizmin prej kohësh. Por duke lënë mbrapa nesh akuzën absurde të antiamerikanizmit, duhet njohur se ka një hendek në mes Kurtit dhe SHBA-së dhe çelësi i këtij hendeku është emërtimi i tij i saktë. Nuk është Kurti antiamerikan, ai është antikompromis dhe ky fakt është hendeku kryesor në mes Kurtit dhe SHBA-së. Këtë e konfirmoi edhe takimi me z. Blinken.
Vetëm falë fotografisë ne kuptuam se z. Kurti dhe z. Blinken janë takuar, sepse po të kishim gjykuar nga komunikatat e tyre me shkrim do të kishim menduar se këta dy kanë qenë në dy takime të ndryshme. Pas takimit, komunikata e z. Kurti përshkroi se ai ka biseduar me z. Blinken për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Kosovës, raportet bilaterale, demokratizimin e rajonit, anëtarësimi i Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe dhe dialogun me Serbinë. Z. Blinken përveç falënderimeve për Ukrainën dhe Afganët foli vetëm për një gjë: dialogun me Serbinë.
Është pikërisht ky fakt, i cili ekspozon hendekun në mes Kurtit dhe SHBA-së. Kurti mendon se Sekretarit të shtetit më të fuqishëm në botë, të përfshirë në krizën më të madhe që nga lufta e dytë botërore i intereson “mbështetja sociale” për qytetarët e Gjakovës dhe Lipjanit.
Z. Blinken, dhe rrjedhimisht SHBA-së, u intereson vetëm një gjë: stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, si pjesë integrale e Evropës së bashkuar. Dhe njëri nga mjetet kryesore për arritjen e këtij qëllimi është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Çdo gjë tjetër është e parëndësishme. Njëjtë sikur që sot në Ukrainë e vetmja gjë që i intereson z. Blinken, dhe rrjedhimisht SHBA-së, është fitorja e Ukrainës kundër Rusisë. Çdo gjë tjetër është e parëndësishme.
Kurti e kupton këtë, por njëkohësisht Kurti e kupton se çfarëdo avancimi serioz i dialogut me Serbinë do të kërkojë komprometim të qëndrimeve të tij prej vitesh. Nuk mund të bëhet asnjë avancim serioz në dialog pa ndonjë lloj kompromisi. Fjala kompromis është institucionalizuar brenda dialogut. Në anën tjetër i gjithë formësimi politik i Kurtit është ndërtuar në kundërshtim të kompromiseve. Z. Kurti nuk mendon se presioni duhet bërë Kosovës si viktimë dhe aleat i perëndimit, por Serbisë si agresor dhe faktor jostabiliteti. Por SHBA-ja nuk mendon kështu. Për SHBA-në Serbia nuk shihet si problem i viteve 1990, por mundësi e viteve 2020. Prandaj, në vend të presionit SHBA-ja zgjedh joshjen. Rrjedhimisht kompromisi i takon minimalisht të dy vendeve, jo vetëm Serbisë.
Në këtë kuadër, z. Kurti e gjen vetën në udhëkryq të paevitueshëm. A do t’i pranojë Kurti kompromiset në kuadër të dialogut me Serbinë për hir të arritjes së marrëveshjes përfundimtare apo kjo do të jetë një gjë e patejkalueshme për të. Me fjalë të tjera a do t’i sakrifikojë Kurti burrështetas Albinin opozitar apo Albini do të mbetet Albin. Përgjigjen së shpejti do e kuptojmë, por një gjë e konsideroj të rëndësishme: ka qenë dhe mbetet e gabuar që Kurti të cilësohet antiamerikan, njëjtë siç ka qenë dhe mbetet e saktë se Kurti ka qenë dhe mbetet antikompromis në dialogun me Serbinë. Dhe ky fakt mund ta vendosë Kurtin në kurs kolizioni me SHBA-në, por vetëm si pasojë, jo si shkak.