OpEd

Hekuri dhe byreku

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor identifikojnë ekonominë (papunësinë e çmimet) dhe korrupsionin si problemet kryesore. Lufta në Ukrainë dhe inflacioni vetëm sa do ta acarojë faturën ekonomike e politike

1.

Është një përshkrim komik që përsëritet në disa variante e ka të bëjë me thumbimin e shtrenjtimit të çmimeve gjithandej. Në njërën prej varianteve pyetet byrekxhiu se përse e shtrenjtoi produktin e tij dhe përgjigjja ishte se është shtrenjtuar hekuri (apo ndonjë artikull tjetër të materialit ndërtimor). Natyrisht, i lëshuar në rrjete sociale përshkrimi nxjerr disa përgjigje të pritura tallëse në formën e “çka ka lidhje hekuri me byrekun”?

Dhe, është e vërtetë se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë; nuk ka gjë të hekurt në byrek. Por, është po ashtu e vërtetë se ka shpjegim të një zinxhiri kauzal mes shtrenjtimit të hekurit dhe byrekut; nëse shtrenjtohet hekuri do të thotë do të shtrenjtohet ndërtimi, e kjo do të thotë se do të shtrenjtohet banesa apo objekti që byrekxhiu dhe çdo qytetar duan ta blejnë. Për më tepër, nëse qytetarët shkojnë me veturë deri te banka për të pyetur për kredi, udhëtimi do t’u kushtojë më shumë, sepse është shtrenjtuar nafta. Dhe kur të mbërrijnë të marrin ofertën e bankës ka gjasa që kredia të jetë më e shtrenjtë se ç’ishte. Po të vonohen në vendimmarrje, oferta e ardhshme bankare do të jetë më e shtrenjtë.

Çmimet e kanë logjikën e vet – të lidhjes së hekurit e byrekut – dhe kjo u pa në Kosovë menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, ku pas konstatimit të ekspertëve të sigurisë ushqimore se agresioni rus mund të krijojë mungesë vaji luledielli e drithërash, në rrjete supermarketesh kishte shtrenjtim disafish të së paku njërit produkt (vajit). Ishte krejtësisht e parëndësishme që vaj kishte në depo, që nuk kishte kurrfarë mungese në tregje evropiane dhe se nuk kishte rritje të konsumit të tij; vetë lajmi mbi ndikimin e luftës në Ukrainë mbi vajin qe i mjaftueshëm për të nxitur logjikën e vet të çmimeve.

2.

Jemi në një valë inflacioni të papërjetuar prej kohësh dhe ekonomistët madje paralajmërojnë stag-flacion, pra stagnim ekonomik e inflacion së bashku.

Kjo gjendje nuk ka për të ndryshuar shpejt. Ashtu si me absurdin e lidhjes së çmimit të hekurit dhe të byrekut, pushtimi rus i Ukrainës ka një logjikë të veten, qoftë edhe absurde ekonomike. Prej fillimit të luftës janë rritur çmimi i naftës (e gazit) dhe drithërave, dy gjërave që eksporton Rusia. Me gjithë sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, logjika ekonomike thotë se nëse dy-tri produktet që më së shumti eksportohen shtrenjtohen, atëbotë lufta do të vazhdojë. E, për më tepër, nëse këto dy produkte prekin në dy çështje të ndjeshme, sigurinë energjetike dhe atë ushqimore. Në këso gjendje roli gjeopolitik i Rusisë po ashtu “shtrenjtohet” në botën e tretë. Në Pakistan a Senegal qeveritë shikojnë me vëmendje se si do të venë punët në Ukrainë, sepse kështu do të kuptojnë si do të shkojë puna me naftë e me drithëra.

Është tashmë e qartë se gjysma e dytë e këtij viti do të na gjejë në pasiguri energjetike e ushqimore, gjegjësisht me çmime më të larta të energjisë, ushqimit dhe çdo gjëje tjetër.

3.

Sikur ta kishin parandier, qytetarët e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor (mungoi Shqipëria) u përfshinë në një sondazh të thelluar të Institutit Republikan të SHBA-së (IRI) para se të fillonte lufta në Ukrainë. Pas shumë vjetësh në pyetjen e bërë se cilat janë tri çështjet të cilat më së shumti i brengosin, qytetarët e pesë vendeve dhanë të njëjtën përgjigje: ekonomia/papunësia, ekonomia/çmimet e larta dhe korrupsioni.

Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova ishin dy vendet e skajshme në përgjigjet e veta. BeH kishte 24 për qind të respondentëve që e përmendën ekonominë/papunësinë si problemin më të madh krahasuar me Kosovën, ku këtë e bënë gati dyfish më shumë, 46 për qind të respondentëve. E kur erdhi te korrupsioni, qytetarët e BeH e konsiderojnë këtë si problem nga 17 për qind të respondentëve krahasuar me gjysmë më pak të respondentëve kosovarë, 8 për qind. Në rikapitullim skajshmërish, dyfish më shumë kosovarë se boshnjakë e shohin papunësinë si problem të vetin të parë dhe dyfish më shumë boshnjakë e shohin korrupsionin si problem (të tretë) sesa kosovarët.

Pas gati një çerekshekulli konfliktesh të papërfunduara që pasuan luftërat e përgjakshme, qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë mbërritur në pikën e identifikimit se për të gjitha ekziston një faturë ekonomike.

Dhe, me luftën në Ukrainë, kjo gjë vetëm sa do të acarohet.

4.

Rritja e faturave ekonomike do të kthehet në ciklin e vet politik.

Që nga vjeshta bota mund të hyjë në një valë disponimi politik të përshtatshëm për një rritje të paprecedent populizmi.

Siç do ta tregojë me thjeshtësinë e një cicërime në Twitter shkencëtari politik amerikan Ian Bremmer.

SHBA: Qeveri e majtë, inflacioni i lartë

Britani e Madhe: Qeveri e djathtë, inflacioni i lartë

Gjermani: Qeveri e qendrës, inflacioni i lartë

Itali: Të gjithë në Qeveri, inflacioni i lartë

Pra, nuk qenka puna e Qeverisë?

Ky nuk do të jetë shpjegimi në rrugë, medie sociale e as në debate të përnatshme akuzuese.