Nëse një pyetje si kjo – jo si barsoletë, por si veprim – çon krye në politikë, atëherë nuk ka të bëjë me naivitet. Është budallallëk, në mos edhe më shumë. Ka vite që “Hë, po me serbin ç’patët?!” nuk është barsoletë e politikës së Shqipërisë në raport me Kosovën. Dhe së paku në gjashtë muajt e fundit, pyetja habitore më rikthehet në tri e kusur raste, sërish jo si barsoletë por si veprim. Njëri prej tyre: një memorandum midis Shqipërisë e Serbisë në fushën e kinematografisë, në kohën kur Serbia po e financon filmin e radhës të pagëzuar si “E vërteta për Reçakun”
S’i kisha dhënë fort rëndësi tek e kisha cilësuar si një soj barsolete të patakt, kur dikush, kaherë, më kish treguar se një burrë në moshë, ku e di prej cilit vis të Shqipërisë, një shqiptari të Kosovës, nën diellin përcëllues të verës, do t’ia bënte pyetjen me habi: “Hë, po me serbin ç’patët?!”
Asokohe, më fort sesa shpjegim i një mendësie a naiviteti, barsoleta më kish ngjarë në shaka ngucakeqe e atij që do të ma tregonte, që s’e kish dëgjuar vetë, por ia kish përcjellë njëri. Do të më ndillte një lloj përbuzjeje ndaj atij të tretit, ashiqare edhe do t’ia merrja maraz, se po fut pyka midis nesh, shqiptarëve. Aq më tepër, kur i treti – siç i kishte thënë atij që pyetjen habitore do të ma përcillte mua – i paskësh thënë shqiptarit të Kosovës se një habi të tillë, shqiptari i Shqipërisë e kishte pak kohë pas luftës në këto anë.
Ka gjasë ta kem komentuar e nënçmuar, atë që po e quajmë barsoletë, sepse ai që ma përcillte, si për të më bindur, do të më jepte edhe pyetje e konstatime të tjera në dialogun midis shqiptarit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës që e kishin pasuar atë me “Hë...”, më shumë habitore sesa pyetëse. “Jetonit mirë në kohën e jugosllavit, kishit televizor me ngjyra, mbathnit çizme llastiku, me ngjyra edhe ato, pinit ‘Coca Cola’”, do të ishin konstatimet në dukje të trilluara për të më bindur mbi vërtetësinë e “Hë, po me serbin ç’patët?!”
Hyrjet e gjata në pështjellim e shpjegim rrethanash krejt të panevojshme – si “një ditë në diellin përcëllues” ose nëse pyetja më shumë habitore qe në pasluftë a kurdo tjetër – ma forcojnë bindjen për pasigurinë në vete nëse ajo që po e quajmë barsoletë, ka peshën e duhur për t’u trajtuar si fenomen ose si mendësi. Edhe më, ma forcojnë një lloj qasjeje vetëmbrojtjeje për të mos u marrë me të. Kisha refuzuar t’i përgjigjesha me seriozitet a t’i jepja peshë, edhe nëse “Hë...” më rikthehej vetëtimthi kur veshi më zinte në kafehanet e ndonjë qyteti në Shqipëri, ta zëmë në Shkodër, “Kukavicën” e Cecës së Arkanit. Edhe në aso rastesh, kundërpërgjigjja për të mos u marrë me të, do të ishte bindja e vetes se pyetja “Hë...!?” prej një kushedi kushi, është thjesht naivitet dhe s’ka potencë ta ilustrojë mendësinë kolektive.
Por nëse, e njëjta pyetje – jo si barsoletë, por si veprim – çon krye në politikë, atëherë nuk ka të bëjë me naivitet. Është budallallëk, në mos edhe më shumë. Ka vite që pyetja “Hë, po me serbin ç’patët?!” nuk është barsoletë e politikës së Shqipërisë në raport me Kosovën.
Dhe së paku në gjashtë muajt e fundit, pyetja habitore më rikthehet në tri e kusur raste, sërish jo si barsoletë, por si veprim.
* * *
“Hë, po me serbin ç’patët?!”, do të më rikthehej lehtas muajin e kaluar me “La bohème” të Puccinit në Teatrin Kombëtar të Serbisë me mysafir special tenorin shqiptar nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë në rolin e Rudolfit, tok me solistin nga Maqedonia e Veriut, edhe ky mysafir në kryeqytetin e Serbisë. Larg asaj t’i gjendet behane një bashkëpunimi kulturor, veçmas në operë.
Por “La bohème” ishte rezultat i një protokolli bashkëpunimi midis Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në kuadër të platformës “Teatri Open Balkan”. Qoftë edhe si metaforë, në Beograd u hap teatri i “Open Balkanit” me bohemin e famshëm, Teatri Kombëtar i Serbisë s’u rrethua prej policisë siç bën vaki kur artistë nga Kosova mëtojnë të shpalosin art atje. Dhe jo në teatro kombëtare, por në aso që jo vetëm figurativisht, në emër, synojnë dekontaminimin, qoftë edhe kulturor – si Qendra për Dekontaminim Kulturor.
“Hë, po me serbin ç’patët?!”, m’u rikthye sërish si puhi në verë, kur një delegacion nga organizata e evropiane “Europa Nostra” – e cila e futi dhe e mban Manastirin e Deçanit në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës – vizitoi Kosovën. Zyrtarët e vendit, më kot provuan ta bindnin delegacionin e organizatës – që merr për bazë raporte nga Serbia e për sekretare ka një juriste nga Beogradi – se Manastirin s’e rrezikon kush. S’u doli punë me juristen, por me përfaqësuesen nga Shqipëria në këtë organizatë.
M’u rikthye gati njëkohësisht edhe kur një aktivist nga Kosova, pranon krenueshëm çmim a mirënjohje nga po kjo organizatë, pa haberin se për “Europa Nostran” ai vjen prej vendit ku shqiptarët u sulen monumenteve.
“Hë, po me serbin ç’patët?!” e riktheva qëllimshëm si barsoletë, me një mik timin të kahershëm, dikur bashkë në gazetari, i cili në fundverë qe ftuar në Tiranë në një konferencë organizatash joqeveritare dhe Kosova poshtë emrit të tij, kishte edhe fusnotë. Do të indinjohej prej kësaj – skuqej tek po e tregonte edhe disa ditë pas ngjarjes – iku nga aktiviteti, por organizatorët e përshëndetën thjesht me një “Hë”, më fort psherëtimë sesa pyetje ose habi.
* * *
“Hë, po me serbin ç’patët?!”, do të më rikthehej keqas në shtatorin e sivjetmë me nënshkrim memorandumi midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për bashkëpunim në fushën e filmit. Firmat e tyre i hodhën ministret e kulturës nga të tria shtetet, lajmi u struk pa fort detaje a foto, pak të dhëna plasuan mediat e Serbisë, me disa pika memorandumi. Në dukje, një memorandum si ky nuk ka gjë të keqe, aq më shumë kur bëhet fjalë për fushën e filmit, të kulturës kaherë të veshur me të maksima të kadifenjta “se ajo çan kufij, ngreh ura, lidh popuj, e tejkalon politikën”.
“Qëllim i këtij Memorandumi është krijimi i mundësive për lehtësimin, zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e kinematografisë dhe veprimtarive të tjera audio-vizuale sikurse edhe të bashkëprodhimeve kinematografike”, është njëra prej pikave politikisht korrekte. Përmbyllja e Memorandumit, në dukje e mëndafshtë, parasheh “që shtetet nënshkruese pajtohen për rritjen e bashkëprodhimeve filmike e projekteve audio-vizuale nëpërmjet të cilave do të promovohen diversiteti kulturor, dialogu ndërkulturor dhe njohja e respektimi i ndërsjellë”.
Do të ishte tamam ngucakeqe sikurse barsoleta, ngritja e hipotezës sikur me këtë Memorandum, ku i dihet, një ditë, Shqipëria e Serbia bashkë, diku në Maqedoninë e Veriut si shesh xhirimi, do të realizonin një film për Kosovën.
Por është fakt, që po i njëjti nënshkrim në Memorandumin trepalësh të shtatorit, ai i ministres së Kulturës të Serbisë, është edhe në listën e shkurtit të projekteve filmike fituese që ky shtet do t’i financojë sivjet. Në mesin e tyre, edhe “Istina o Račku” nën regji të Stefan Krasiqit e me skenar të Dushan Bulliqit. Dhjetë milionë dinarë, (nja 85 mijë euro) ia jep shteti këtij projekti, i kategorizuar si film dokumentar që vetëm i tillë s’mund të jetë, si puna e një tjetri po për Reçakun, realizuar pak vjet më parë me bekimin e çatrafilove serbë që çirren në mohim gjenocidesh, ende në krye të shtetit.
“’Istina o Račku’ është analizë e llojit të vet për ngjarjet në fshatin Reçak të Kosovës dhe në tërësi zbardh krejt të pavërtetat të cilat janë përdorur për arsyetimin e nisjes së intervenimit të NATO-s, në të asokohshmen Republikë Federative të Jugosllavisë, më 1999. Veçanti e këtij filmi, është se rrëfimi për atë ngjarje vjen prej Danica Marinkoviqit, gjyqtares hetuese nga Prishtina që e ka udhëhequr rastin, dhe nipit të saj që studion drejtësi”, është arsyetimi i komisionit që e përzgjodhi projektin. Filmi i ashtuquajtur dokumentar, do të realizohet – Serbisë nuk i dështon një film si ky – do të shfaqet në Serbi dhe Memorandumi trepalësh ia mundëson edhe të kërkojë të shfaqet, ta zëmë në Tiranë.
Dhe në një rast si ky, “në emër të dialogut ndërkulturor, njohjes e respektimit të ndërsjellë”, do ta legjitimonte e do ta bënte krejt të zakonshme pyetjen habitore: “Hë, po me serbin ç’patët?!”