OpEd

“Harta” e Lajçakut

Para se të bëhet reagim për hartën në murin e zyrës së Lajçakut, duhet të kishim bërë një analizë për elemente që përfaqësohen në të. Pati reagime nga shoqëria civile, por edhe nga qeveritarë. Po për çfarë reaguan? Se harta kishte vetëm vijën ndarëse (kufirin) shumë të zbehtë me Serbinë?

Edhe pse në titull të hartës thuhet EU UNCLASSIFIED / BE e PAKLASIFIKUAR, duhet të ketë kuptimin e statusit se gjoja ende e pazgjidhur. Por, në atë hartë ka shumë elemente, të cilat BE-ja i ka të klasifikuara dhe atë shumë mirë. Elementet që shfaqen në këtë hartë lënë të kuptojmë që burimi i të dhënave për hartimin e hartës nuk është Kosova, por dikush tjetër. Lajçaku tha se kjo hartë është hartë e BE-së dhe është hartë neutrale, po sa është neutrale?

Cilat janë elementet në hartë?

Kufijtë: Le të heqim kufirin e Kosovës (i cili nuk është i njëjtë për ndarjen shtetërore, por ama ka fontin dhe madhësinë e njëjtë sikurse shtetet përreth), harta ka disa kufij të tjerë që BE-ja duket që i shfrytëzon burimet serbe dhe ato burime, të cilat japin kufijtë e komunave edhe të cilët kufij janë vendosur në kohën e regjimit të Millosheviqit. Aty shfaqet kufiri i "komunës së Gorës", komunë e cila është shpallur nga regjimi i paraluftës dhe dihet se ajo komunë nuk ekziston në Kosovë. Hartën e njëjtë me ndarje të tillë administrative edhe më herët, por edhe këtë vit, KQZ-ja e përdori për prezantimin e të dhënave të zgjedhjeve, edhe pse ajo hartë është skematike dhe pavarësisht kësaj ajo paraqet një ndarje administrative që nuk është zyrtare sipas ligjeve në fuqi. Kosova ka dhe Ligjin për ndarje administrative (2008) pas Shpalljes së Pavarësisë, ku kufijtë komunalë janë shumë më ndryshe se sa në këtë hartë.

Kufiri i zonave të mbrojtura: Duket që prapë burim të të dhënave e ka Serbinë, por e sigurt që nuk e ka Kosovën, përkatësisht institucionet kompetente të Kosovës. Shihet se kufiri i Parkut të Sharrit nuk është ai kufi që Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me Planin Hapësinor të PK "Sharri", por po ashtu në pjesën e Kopaonikut shihet një zonë e mbrojtur, e që institucionet e Kosovës nuk është se kanë ndonjë vendim për shpalljen e asaj zone si zonë e mbrojtur.

Dihet se Kosova nuk është anëtare e BE-së, por ama disa institucione zyrtare të Kosovës janë anëtare të plota në shumë organizma evropianë e ndërkombëtarë sikurse janë: Agjencia Evropiane e Mjedisit (EAR), EUROSTAT, IUCN, (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) ose disa nga ata organizma që synojnë apo dhe politikat e tyre i zbaton sikurse është INSPIRE (Direktiva 2007/2 / EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit që krijon një Infrastrukturë për Informacionin Hapësinor në Komunitetin Evropian. Në periodikun e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) ADASTRA thuhet se: INSPIRE është e obligueshme për shtetet anëtare të BE-së, ndërkohë që është një kusht për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE siç është Republika e Kosovës. Për ta thjeshtësuar atë, nuk ka anëtarësim në BE pa implementim të Direktivës INSPIRE. Në Republikën e Kosovës ka disa vite që kanë filluar aktivitete në fushën e IKIH-së, ndërsa sipas nenit 23 të Ligjit për Kadastër Nr. 04 /-L-013, thuhet se “Agjencia Kadastrale e Kosovës është përgjegjëse për koordinimin dhe krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacioneve Hapësinore.

Por, sa kanë arritur që institucionet tona të krijojnë këto të dhëna në harmoni me direktivat si dhe shpërndarjen e këtyre të dhënave në institucionet që i aspirojmë?

Meqë këtë javë do të jetë Lajçaku në Kosovë ndër të tjera para se t'ia shtrojmë ndonjë pyetje për hartën në fjalë, do të ishte mirë që të shohim se sa kanë arritur që institucionet tona përgjegjëse, për çfarëdo të dhëna gjeografike, t'u përgjigjen kërkesave dhe realizmit të detyrave për shpërndarjen e këtyre të dhënave në institucionet evropiane. Pyetja që do të duhej drejtuar Lajçakut lidhur me hartë është: Kush është hartuesi i hartës si dhe burimi i të dhënave që shfaqen për territorin e Kosovës? Më pastaj do ta kishim të qartë se për çfarë po reagojmë dhe kundër kujt?

Ismail Gagica, gjeograf

Image