Pas natës së gjatë të zgjedhjeve, qytetarët serbë janë gdhirë për të gjetur vendin në udhëkryq në mes SPS-së dhe MORAMO-s. Në mes Rusisë dhe Perëndimit. Fatin e tyre do ta përcaktojë një njeri. Vuçiqi ka fituar çdo gjë që ka për të fituar. Tani, vendimi që ka përpara nuk është një kalkulim politik, por e ardhmja e një vendi
Në Serbi janë mbajtur zgjedhjet presidenciale, ato parlamentare dhe zgjedhjet e pjesshme lokale. Tri ditë më vonë mund të nxjerrim tetë mesazhe kryesore.
1. Një parlament më demokratik
Parlamenti i kaluar i Serbisë ka qenë qartazi jodemokratik. Në thelb ai është përbërë prej një partie të vetme. Shumica e udhëhequr nga SNS-ja ka kontrolluar 231 nga 250 ulëse të Kuvendit. Sot Serbia do të këtë një parlament qartazi më demokratik. Dalja e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 1 prillit prej 58.71% ka qenë dalje më e lartë që nga viti 2008. Rrjedhimisht, në parlament do të janë të gjithë: nga partitë e majta dhe të gjelbra, sikur koalicioni MORAMO, deri te partitë e djathta dhe nacionaliste, sikur ZAVETNICI. Patjetër se nuk gëzohem se lëvizjet sikur DVERI apo NADA kanë arritur të janë pjesë e parlamentit serb, por qartazi ka qytetarë serbë të cilët identifikohen me politikat e tyre. Po ashtu, duhet njohur se përderisa ne gjykojmë partitë në Serbi puro nga qëndrimet e tyre karshi Kosovës, nuk duhet harruar se ata votohen nga qytetarët serbë për një gamë të gjerë të çështjeve që janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve në Serbi, siç janë korrupsioni, inflacioni apo mbrojtja e vlerave familjare. Prandaj, na pëlqeu apo jo parlamenti i ri i Serbisë, qartazi ai është reflektim real i shoqërisë serbe. Fatkeqësia e madhe është se faktori shqiptar nuk ka arritur të unifikohet dhe të fitojë ulëse në parlamentin e ri të Serbisë. Për këtë përgjegjësi duhet të mbajnë edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare.
2. Vuçiqi me legjitimitet të pakontestueshëm
Në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, Vuçiqi ka shënuar fitore historike. Rizgjedhja e tij president i Serbisë nënkupton se ai do të ushtrojë mandat dhjetëvjeçar si president i vendit dhe mandat pesëmbëdhjetëvjeçar si kryetar i partisë në pushtet. Këtë nuk e ka arritur as Milosheviqi në kulmin e pushtetit të tij.
Përveç mandatit historik, fitorja e Vuçiqit ka konfirmuar edhe legjitimitetin e tij të pakontestueshëm. Ai është rizgjedhur me 59% të votave të qytetarëve. Vuçiqi ka marrë 150.000 vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara presidenciale. Kundërkandidati i tij, ish-gjenerali Zdravko Ponosh, ka fituar 18% të votave, apo 40% më pak. Në fakt, nëse votat e të gjithë shtatë kundërkandidatëve të Vuçiqit do të bëheshin bashkë, ato prapë do të ishin dy herë më pak se votat e Vuçiqit.
3. Fillimi i fundit për partinë e Vuçiqit?
Përderisa Vuçiqi ka rritur votën e tij personale për 150.000 vota në krahasim me zgjedhjet e kaluara presidenciale, në anën tjetër në kuadër zgjedhjeve parlamentare partia e Vuçiqit, SNS, ka humbur 500.000 vota në krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare. Pra, me fjalë të tjera, Vuçiqi si individ po rritet, por partia e tij po zvogëlohet. Rrjedhimisht, për herë të parë që nga viti 2014, SNS-ja nuk do të mund të vetëformojë qeverinë. Parlamenti i Serbisë ka 250 ulëse dhe për formimin e qeverisë nevojiten 126 deputetë. SNS-ja ka fituar 120 deputetë. Sido që SNS-ja të ndërtojë koalicionin qeverisës, është e qartë se koalicioni i ardhshëm nuk do ta ketë më shumicën prej dy të tretave dhe do të ballafaqohet me një opozitë shumë më dinamike dhe të artikuluar.
Votat që SNS-ja ka humbur kanë shkuar kryesisht për partitë proruse dhe për ato të ekstremit të djathtë. SPS-ja proruse e Ivica Daçiqit ka arritur rezultat më të mirë që nga vitit 2012, duke u rritur për 100.000 vota apo 30%. Koalicioni i djathtë prorus NADA dhe partia proruse ZAVETNICI janë rritur secila për 200%. Kjo ishte edhe arsyeja pse Vuçiqi në konferencën e parë për media shfaqi pakënaqësinë ndaj rritjes së partive të djathta, duke nënvizuar se “Serbia ka lëvizur në mënyrë dramatike në të djathtë”.
Në këtë kontekst, partia e Vuçiqit patjetër se është fituese e zgjedhjeve me 42,91%, por rënia e ndjeshme prej 500.000 votave përbën kërcënim serioz për të ardhmen e partisë. Dhe nuk duhet harruar se SNS-ja ka arritur këtë rezultat, përkundër keqpërdorimit të konsiderueshëm të pushtetit. Sipas raportit paraprak të OECD/ODIHR-it, gjatë fushatës zgjedhore Vuçiqi ka inauguruar trembëdhjetë punimet infrastrukturore, përfshirë linjën hekurudhore Beograd-Novi-Sad, Institutin për Sëmundjet Kardiovaskulare dhe fabrikat e reja në Kragujevc, Valevë dhe Adashevc. Ndërsa në aspektin medial, televizioni shtetëror RTS ka alokuar 50% të kohës ekskluzivisht për narracion pozitiv të Vuçiqit. Televizionet private kombëtare sikur PINK dhe B92 kanë përkushtuar 80% të kohës ekskluzivisht për narracion pozitiv të Vuçiqit. Pra, është e qartë se pushteti ka shfrytëzuar çdo kapilar të shoqërisë për të dominuar mbi një opozitë të brishtë - dhe përkundër kësaj ka humbur 500.000 vota.
Problemi tjetër që e pret SNS-në është lidershipi i partisë. Pra, SNS-ja do të ballafaqohet tani me këtë trend të rënies në mungesë të lidershipit të konsoliduar të partisë. Vuçiqi është zotuar se do të dorëhiqet nga partia e tij pas zgjedhjeve. Po ashtu, sipas Kushtetutës së Serbisë, ky është mandati i fundit i Vuçiqit si president i vendit. Prandaj lind pyetja se kush do të jetë lidershipi i ri i SNS-së në këto kohë kur partia është duke u ballafaquar me një spirale të rënies politike. Dhe kjo na sjell edhe te pika e radhës dhe te një problem tjetër i madh i SNS-së.
4. Rënia e Beogradit?
SNS-ja ka kontrolluar qeverisjen e Beogradit që nga viti 2010. Zgjedhjet e së dielës sfiduan seriozisht pushtetin e SNS-së në Beograd. Tani për tani rezultati është jashtëzakonisht i ngushtë. As SNS-ja, as opozita e bashkuar nuk e kanë shumicën. Kuvendi i Beogradit ka 110 përfaqësues dhe momentalisht secila palë ka fiks gjysmën e përfaqësuesve. Opozita ka dorëzuar një numër të ankesave, të cilat do të mund të lëviznin peshoren e fitores në drejtim të opozitës, por është ende herët të paragjykojmë rezultatin përfundimtar. Ky diskutim, po ashtu ,komplikohet më shumë duke pasur parasysh që tani formimi i koalicionit qendror për qeverinë do të jetë i ndërlidhur me formimin e koalicionit lokal për Beogradin. Matematikat e tilla mund të thyejnë bllokun e bashkuar opozitar në nivel të Beogradit, në veçanti duke pasur parasysh laramaninë ideologjike të tyre. Sidoqoftë, ajo çfarë është tani është e qartë se SNS-ja ka humbur përkrahje të konsiderueshme në Beograd.
Rënia e Beogradit do të ishte mesazh për të ardhmen për SNS-në. Duhet kujtuar se kolapsi i regjimit të Milosheviqit në vitin 2000 filloi me rënien e Beogradit në duar të demokratëve në vitin 1996. Humbja e Beogradit për SNS-në do ishte humbje e madhe, jo vetëm simbolike. Fitorja e opozitës në Beograd do të pajiste opozitën me pushtet të jashtëzakonshëm opozitar dhe resurse të konsiderueshme financiare. Sa për ilustrim, buxheti i Beogradit është 1.3 miliardë euro dhe përbën 25% të të gjithë votuesve të Serbisë.
5. Revolucioni i gjelbër
Befasia më e bukur e zgjedhjeve ishte suksesi i koalicionit të gjelbër MORAMO. Koalicioni MORAMO është replikim i suksesit MOZHEMO në Kroaci. Pra, një parti e të rinjve me kredon mjedisore dhe me orientim të qartë properëndimor. Ata kanë qenë e vetmja parti politike në zgjedhjet e fundit serbe që ka njohur gjenocidin në Srebrenicë. MORAMO fitoi 4.7% në zgjedhjet parlamentare, duke hyrë kështu për herë të parë në Parlament, ndërsa në nivel të Beogradit fitoi 10.75%, duke dalë si partia e tretë më e madhe në kryeqytet. Unikaliteti i MORAMO-s qëndron në faktin se kanë krijuar një lëvizje tërësisht qytetare nga zeroja dhe me bindje tërësisht progresive. Hyrja tani në pushtet qendror dhe lokal do t’u ofrojë atyre pushtet institucional dhe mbështetje financiare për të zgjeruar revolucionin më të ri të gjelbër në rajon. Së paku lider i tyre, Dobrica Veselinoviq, është optimist. Me të kuptuarit rezultatin e zgjedhjeve, ai tha se “po fillon një epokë e re politike”. Do të jetë interesant për të parë se si do të zhvillohet bashkëpunimi ndërshtetëror i partive të gjelbra në Ballkan. Tani në dy kryeqytetet më të mëdha të rajonit partitë e gjelbra ushtrojnë pushtet të konsiderueshëm. Në Zagreb, kryetari vjen nga një parti e gjelbër, ndërsa në Beograd partia e gjelbër do të jetë partia e tretë më e madhe. Tani duhet të shohim nëse këto parti do të kenë kapacitetet për të ndërtuar aleanca politike të cilat do të shërbejnë si platformë për ngritjen e partive të tjera të gjelbra në rajon. Për fillim ishte shumë inkurajuese kur pamë se kryetari i Zagrebit dhe njëri nga liderët e MOZHEMO, z. Tomislav Tomasheviq, ka uruar menjëherë MORAMO-n për rezultatin e tyre në Serbi.
6. Tri pasojat e pushtimi rus të Ukrainës
Pushtimi rus i Ukrainës ka prodhuar tri pasoja në zgjedhjet e Serbisë. E para, në sfondin e një lufte në mes të Rusisë dhe Ukrainës, që kërcënon krijimin e një krizë të sigurisë, energjisë dhe ushqimit, qytetarët kanë qenë të prirë të mbështeten tek opsioni më i sigurt zgjedhor. Vuçiqi ishte votë për siguri dhe stabilitet. Vota për opozitën ishte votë për ndryshimin dhe të panjohurën. Në kohë krize, qytetarët kanë zgjedhur kandidatin i cili më së shumti mishëron sigurinë dhe stabilitetin. Këtë e ka kuptuar shumë mirë Vuçiqi, prandaj slogani i fushatës së tij presidenciale ka qenë: “Paqja. Stabiliteti. Vuçiqi”. E dyta, lufta në Ukrainë ka spostuar nga rendi i ditës të gjitha çështjet nacionale mbi të cilat opozita ishte duke luftuar me pushtetin e Vuçiqit. Kësisoj, para pushtimit rus të Ukrainës qytetarët serbë kanë qenë jashtëzakonisht të interesuar në çështjet siç janë korrupsioni, liria e mediave dhe mjedisi. Dhe në këto debate nacionale opozita ishte duke fituar pikë të rëndësishme zgjedhore. Prandaj, edhe pamë protestat masive në gjithë Serbinë që kërcënuan seriozisht pushtetin e Vuçiqit. Por, pas pushtimit rus të Ukrainës, të gjitha këto çështje ranë nën hijen e zhvillimeve në Ukrainë. Kësisoj, opozita humbi nga duart pothuajse të gjitha letrat e mundshme opozitare, dhe e gjithë vëmendja kaloi drejt Vuçiqit si burrështetas i shkathët botëror, i cili do të ruajë interesat nacionale duke naviguar vendin nëpërmjet detit të trazuar global i cili kërcënon stabilitetin e Serbisë. E treta, pushtimi rus në Ukrainë ka zgjuar sentimentin prorus të Serbisë. Rrjedhimisht Serbia lëvizi në të djathtë dhe qytetarët mbështetën partitë me qëndrim të qartë prorus. Këtë e njohu edhe vetë Vuçiqi kur tha se disa parti politike përmes papërgjegjshmërisë politike të tyre kanë “përfituar nga kriza në Ukrainë”. Këto fjalë të Vuçiqit në veçanti mund të lexohen si goditje ndaj Daçiqit.
7. Pikëpyetjet
Me përfundimin e zgjedhjeve një numër i çështjeve të rëndësishme mbesin të paqarta. Epilogu i tyre do të këtë ndikim të konsiderueshëm në të ardhmen e Serbisë. Në këtë drejtim janë së paku tri pikëpyetje.
E para, si do të ndërtohet koalicioni qendror dhe ai lokal në Beograd? Serbia është në udhëkryq dhe Vuçiqi është ai nga i cili do të varet çdo gjë. Do ta ndërtojë një koalicion properëndimor me forcat kyç progresive brenda tij (SNS-UJEDINJENI-MORAMO), apo do ta ankorojë Serbinë përfundimisht pranë Rusisë me ndërtimin e një koalicioni të ekstremit të djathtë (SNS-SPS-NADA)? Se çfarë do të bëjë Vuçiqi nuk e dimë, edhe pse ai ka dhënë disa sinjale të pakënaqësisë me Daçiqin. Në konferencën e parë për media, Vuçiqi ka goditur në mënyre të tërthortë Daçiqin për keqpërdorimin e krizës në Ukrainë me qëllim të rritjes së papërgjegjshme të partisë. Shumë më direkte ka qenë znj. Zorana Mihajloviq, anëtare e Kryesisë së SNS-së dhe person i afërt i Vuçiqit, e cila ka përjashtuar hapur mundësinë e koalicionit me SPS-në dhe ka përsëritur mesazhin e Vuçiqit për “keqpërdorimin e luftës në Ukrainë...duke ndezur zjarre patriotike”.
E dyta, çfarë do të ndodhë me SNS-në? Nëse Vuçiqi me të vërtet tërhiqet, kush do ta marrë drejtimin e partisë? Deri më sot partia ka qenë kohezive falë prezencës dhe lidershipit personal të Vuçiqit. Kjo u shpërfaq së fundmi në kuadër të dallimit të rezultatit presidencial të Vuçiqit dhe parlamentar të SNS-së. Pra, në vitin 2022 SNS-ja po ballafaqohet me 2012-n të DS-së së Tadiqit. Në rast të fatit të DS-së dhe shpërbërjes së SNS-së, skena politike e Serbisë do të përjetonte një rikonfigurim të konsiderueshëm politik. Kjo shpërbërje mund të jetë më elegante dhe graduale, por edhe mund të jetë më e paparashikueshme dhe kaotike.
Pikëpyetja e tretë është personi i cili ka qenë kundërkandidati kryesor i Vuçiqit në këto zgjedhje, ish-gjenerali Zdravko Ponosh. Z. Ponosh është i ri në politikë dhe ka qenë relativisht anonim deri para zgjedhjeve të fundit. Në përballje me Vuçiqin ai është ballafaquar me një kandidat shumë më të spikatur politik, me fonde inekzistente financiare dhe me prezencë minimale mediatike. Po ashtu, lufta në Ukrainë ka kthyer gjasat e fitores kundër tij. Por, përkundër gjithë kësaj, Ponoshi ka arritur rezultat të respektueshëm prej 18.42%. Nuk duhet harruar se ai ishte kandidat për president i një partie të vogël në Serbi, brenda së cilës kishte mosmarrëveshje thelbësore me kryetarin e partisë, z. Vuk Jeremiq. Rrjedhimisht, Ponoshi 24 orë pas zgjedhjeve e dorëzoi dorëheqjen prej partisë. Në këtë kontekst, nuk duhet nënvlerësuar kapacitetin politik të Ponoshit. Përkundër humbjes përballë Vuçiqit, ai ka dëshmuar se ka potencial serioz politik. Tani mbetet të shihet se cila do të jetë lëvizja e tij e radhës politike.
8. Ndikimi i zgjedhjeve në dialogun
Konsideroj se rezultati i zgjedhjeve në Serbi krijon një mjedis më të favorshëm për dialogun. Këtë e them për së paku katër arsye. E para, Vuçiqi tani pas bojkotit opozitar të zgjedhjeve të vitit 2020 është i pajisur me legjitimitet të pakontestueshëm demokratik. Kjo tani do t’i japë atij legjitimitetin e nevojshëm edhe para komunitetin perëndimor për avancimin e dialogut me Kosovën. E dyta, Vuçiqi tani nuk është më i ngarkuar me kalkulimet zgjedhore politike. Pas këtij mandati presidencial gjasat janë të mëdha se ai do të tërhiqet nga politika. Rrjedhimisht, tani atij i krijohet mundësia historike për të zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura në mes Kosovës dhe Serbisë, pa ngarkesa për pasojat eventuale zgjedhore. E treta, përbërja e re e parlamentit serb, për dallim nga ai i kaluari, shpërndan përgjegjësinë për arritjen e marrëveshjes tek një spektër më i gjerë politik në Serbi. Kësisoj, Vuçiqi tani mund të koordinojë me komunitetin ndërkombëtar përfshirjen dhe llogaridhënien më të madhe të të gjitha partive parlamentare në dialogun me Kosovën. Kësisoj, për dallim nga Parlamenti i kaluar, përgjegjësia për ratifikimin eventual të marrëveshjes nuk do binte vetëm mbi Vuçiqin dhe partinë e tij, por mbi spektrin më të gjerë politik në Serbi. E katërta, presioni ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes me Kosovën tani do të rritet. Me ambasadorin amerikan ,Christopher Hill, tani në Beograd është e qartë se Serbia do të ekspozohet ndaj një dinamike të re karshi një game të çështjeve: nga pozicionimi karshi Rusisë e deri te dialogu me Kosovën. Qoftë SHBA-ja, qoftë BE-ja kanë treguar zemërgjerësi dhe mirëkuptim me përfundimin e procesit zgjedhor, por tani patjetër se Vuçiqi do t’i ekspozohet presionit për përcaktim të Serbisë ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Këtë e kupton vetë Vuçiqi, prandaj në konferencën e parë për media pas zgjedhjeve ai tha se në ditët në vijim “Serbia duhet të përcaktohet se si do të duket e ardhmja e saj”.