Në mes të tjerash këto zgjedhje ishin edhe mejdan gjeneratash. Gjukanoviqit 61 vjeç kundër Milatoviqit 36 vjeç. Gjukanoviqit “të rritur” në vitet ‘90 të Jugosllavisë dhe Milatoviqit “të rritur” në Oksford. Gjukanoviqit që nuk di anglisht dhe Milatoviqit që flet tri gjuhë të huaja. Gjukanoviqit që fliste për kërcënimet e së kaluarës dhe Milatoviqit që fliste për mundësitë e së ardhmes. Prandaj, armiku më i madh i Gjukanoviqit – sikur i të gjithë neve - doli të ishte vetë koha. Dhe këtë valë të re ndryshimesh të gjeneratave në politikë po e shohim në gjithë rajonin: Kurti vs Thaçi në Kosovë, Rama vs Berisha në Shqipëri, Grboviq vs Vuçiq në Serbi. Dalëngadalë historia e viteve ‘90 po groposet së bashku me karrierat e politikanëve të asaj kohe
Për së paku njëzet vjet të fundit Mali i Zi ka qenë shtyllë e stabilitetit të rajonit tonë. Derisa vende të tjera kanë osciluar nga kaosi në kaos, Mali i Zi ka qenë Luksemburgu i rajonit tonë – simbol i paqes, demokracisë dhe prosperitetit. Mali i Zi u bë i vetmi vend që doli nga Jugosllavia pa asnjë viktimë dhe plumb të shkrepur. Shpalli pavarësinë, u bë vend anëtar i NATO-s, fitoi liberalizimin e vizave dhe u bë kampion i pakontestueshëm i reformave për anëtarësim në BE. Kësisoj ai fitoi titullin “frontrunner” të rajonit. Në krye të këtij lundrimi të Malit të Zi nëpër ujërat e trazuara të Ballkanit ishte Milo Gjukanoviq. Me sens të jashtëzakonshëm politik dhe shkathtësi unike lidershipi ai u bë personifikim i shtetit. Por çdo gjë në këtë jetë ka një fillim dhe një fund. Kjo mësohet në shkolla dhe në kisha. Kësisoj këtë të diel erdhi edhe fundi i Gjukanoviqit.
Gjukanoviq humbi për dy arsye. E para parimore, e dyta praktike. Ai humbi parimisht, sepse nëse besojmë në demokraci atëherë ka diçka jo normale që Mali i Zi të drejtohej nga i njëjti person për 34 vjet. Edhe po të kishte qenë epoka e Gjukanoviqit epokë hyjnore dhe vetë parajsë në tokë, ajo kishte arritur afatin e vet të skadimit. Ndërsa në nivelin praktik patjetër se epoka e Gjukanoviqit nuk ishte parajsë në tokë. Ajo u lëndua nga raportimet e shpeshta për keqqeverisje, krim të organizuar dhe korrupsion të nivelit të lartë. Shumë qytetarë nuk i kanë ndier efektet e zhvillimit ekonomik dhe avancimit të përgjithshëm të Malit të Zi. Vështirësitë ditore ekonomike të qytetarëve malazez ishin në mospërputhje me jetën luksoze të Gjukanoviqit. Blerja e “Mercedes Maybach” 647 mijë euro, pushimet familjare në Shën Moric dhe 27 milionë euro të hyrat vjetore të djalit të tij ishin treguesit e botës paralele që Gjukanoviq kishte ndërtuar. Kësaj bote qytetarët e Malit të Zi i dhanë fund. Kontributin e vet e dha edhe Serbia. Skena politike e Malit të Zi kontrollohet në masë kritike nga Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa katër nga pesë televizionet kombëtare në Mal të Zi janë në pronësi të kompanive nga Beogradi. Një dominim kaq i ashpër serb i sheshit publik të Malit të Zi patjetër se nuk ndihmon në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe fer.
Po ashtu, këto zgjedhje presidenciale ishin ballafaqime të dy mesazheve të kundërta politike: mesazhi i stabilitetit, sovranitetit dhe pavarësisë së Gjukanoviqit kundër ndryshimit, ekonomisë dhe drejtësisë së Milatoviqit. Mesazhi i kërcënimit të sovranitetit i Gjukanoviqit nuk ishte bindës për qytetarët e një vendi anëtar të NATO-s. Nga ana tjetër, në veçanti në këtë kohë krizash mesazhi i prosperitetit ekonomik i Milatoviqit u përqafua nga pjesa dërrmuese e qytetarëve. Por ndoshta më e rëndësishmja, këto zgjedhje ishin njëkohësisht edhe mejdan gjeneratash. Gjukanoviqi 61 vjeç kundër Milatoviqit 36 vjeç. Gjukanoviqit “të rritur” në vitet ‘90 të Jugosllavisë dhe Milatoviqit “të rritur” në Oksford. Gjukanoviqit që nuk di anglisht dhe Milatoviqit që flet tri gjuhë të huaja. Gjukanoviqit që fliste për kërcënimet e së kaluarës dhe Milatoviqit që fliste për mundësitë e së ardhmes. Prandaj armiku më i madh i Gjukanoviqit – sikur i të gjithë neve - doli të ishte vetë koha. Dhe këtë valë të re ndryshimesh të gjeneratave në politikë po e shohim në gjithë rajonin: Kurti vs Thaçi në Kosovë, Rama vs Berisha në Shqipëri, Grboviq vs Vuçiq në Serbi. Dalëngadalë historia e viteve ‘90 po groposet së bashku me karrierat e politikanëve të asaj kohe.
Duke iu kthyer të ardhmes të gjithë ne dëshirojmë të shohim një Mal të Zi demokratik, të begatshëm dhe anëtar të BE-së. Ky qëllim i bashkon edhe Gjukanoviqin dhe Milatoviqin. Tani të dytë kanë përgjegjësi për realizimin e këtij qëllimi. Gjukanoviq ka për detyrë ta bëjë atë që nuk e ka bërë asnjëherë: të reformojë radikalisht vizionin, strukturat dhe kuadrin e partisë së vet. Kjo do të nënkuptonte thyerjen e monopolit të gardës së vjetër. Vetëm kështu ai mund të synojë fitoren në zgjedhjet parlamentare të parapara në verë të këtij viti. Nga ana tjetër, z. Milatoviq duhet të na bindë të gjithë ne skeptikëve se do të ruajë sovranitetin e Malit të Zi nga ndërhyrjet e Serbisë, do të promovojë bashkëpunimin rajonal dhe do të ruajë me xhelozi kursin properëndimor të Malit të Zi. Në këtë drejtim qëndrimet e tij të qarta dhe të prera për gjenocidin në Srebrenicë, sovranitetin e Bosnjës dhe obligimin e Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës do të jenë litmus testi i tij politik. Njëjtë kështu do të jetë në rrafshin global insistimi në fitoren absolute të Ukrainës kundër Rusisë.
Fitorja e Milatoviqit ka nxituar ankth në pothuaj gjithë rajonin për dy arsye. E para, konsistenca perëndimore e Gjukanoviqit ka qenë shtyllë qenësore e stabilitetit të rajonit. Rënia e tij lë boshllëk të madh politik. Ankthi është reagim i natyrshëm ndaj të panjohurës dhe z. Milatoviq është një e panjohur politike. Karriera e tij politike ka filluar në vitin 2020 dhe qytetarët nuk dinë çfarë të presin nga ai. Në veçanti tendenca e tij për të harruar vitet ‘90 dhe për të relativizuar të kaluarën është brengosëse. Shtoja kësaj borxhin që ai tani trashëgon ndaj partive lojale të Beogradit, dhe piktura është e kompletuar. E dyta, rajoni ynë në përgjithësi është zhgënjyer nga politikanët e rinj të edukuar në Harvard apo Oksford. Nga Shpend Ahmeti në Kosovë e deri te Vuk Jeremiqi në Serbi, pedigreja e shkollimit elitar nuk është dëshmuar të jetë garantim i politikanëve të suksesshëm. Thënë ndryshe, të gjithë e kemi ditur se z. Gjukanoviq nuk ka arsim dhe dije elitare, por ka dëshmuar të këtë busull morale dhe karakter hekuri. Dhe tani kur të gjithë e kuptojmë se z. Milatoviq ka arsim elitar, kemi dyshime nëse ai ka karakter hekuri. Vetëm koha do të tregojë.