Shkon mysafir vëllai tek e motra në fshatin tjetër, aty ku ajo ishte martuar. Ky tipi qëllon dembel i pashoq dhe kurulldiset me javë të tëra, duke ngrënë e duke pirë. I bëjnë muhabet , i shërbejnë, shkojnë me punë nëpër ara e kthehen, ndërsa mysafiri flladitet nën hijen e lisave, duke pritur bukën e ngrohtë e ujin e ftohtë.
E motra e sheh, i vjen keq nga njerëzit e shtëpisë, ngushtohet nga grykësia e tij, por nuk ka ç’të bëjë. Nuk ishte hera e parë që vëllai vinte e shkonte sipas qejfit, duke përfituar në kurriz të të tjerëve. Një ditë, ai i kërkon ujë për ta larë fytyrën, sepse siç i tha, mbase do të kthjellej e do të dilte për ndonjë sheti. “Oh vëlla, ia pret e motra, ti po të kishe fytyrë do të shkoje kaherë në shtëpi tënden, nuk të ka mbetur gjë për ta larë”!
Telenovela me lot krokodili
Kështu pra, njerëz, telenovela jonë qeveritare po vazhdon me episodet e saj të dhimbshme “shko-eja”, të mërzitshme e të dëmshme për shëndetin. Filani jep dorëheqje, kthehet prapë, shkon si individ, prezantohet si kryeministër, në fund sërish kthehet si kauboj, grindet me pleq e plaka, njërën e ngreh për krahu, tjetrit i kërcënohet, fotografohet si bilder dhe në një episod krejtësisht special, paraqitet edhe duke qarë, krejt dhimbshëm si të ishte frajeri i Zhades.
E ku mos me qajtë allahile, që thonë, kisha qarë me mindil e me peshqir në dorë. Kur të duash shko e kthehu në fotele si në bahçe të mixhës. Luaj me miliona si loja “Monopoly” , blej këtë e shit atë. Herë bëhu me popullin, herë gjoja për popullin, herë kishe prej gjirit të tij e herë futja sa të mundesh si me kaci.
Pushime, lundrime, fluturime, luks, të gjitha në emër të luftës dhe çlirimit. Gjithmonë e më tepër po pyetem çka dreqi kërkoi NATO-ja me bombardimet e saj në Kosovë. Pse vëlla përziheni në punë të huaja? Pse me ju thanë pa lidhje faleminderit tash? Me gjithë këta çlirimtarë, komandanta, gjenerala e kapedana, ishte çliruar Kosova edhe pa ju.
E që po them, kur je kryeministër ndodh kolaps energjetik, ekonomik, bllokadë ligji e drejtësie, ama ty s’ta ndien. Nuk merresh ti me këto. Je koka. I ke tetëdhjetë e kusur zëvendësa që nuk e dinë pse janë në këtë botë, dhe të cilët pos ryshfetit, shihe ti, marrin edhe rrogë!. I ke po aq këshilltarë, drejtorë, zëvendësa të tyre e këshilltarë të tjerë që merren me punë të rëndësishme, siç janë postimet e tua në Facebook ose rezervimin e biletave tua. Nuk je ma ti për me ça kryet për cikërrima si Posta a Telekomi apo për miliardat e derdhura nëpër autostrada si me qenë zift Komorani. As për të falurat jo se jo, bëj si ta ka qejfi allahile.
Në anën tjetër, dukeshin interesant lotët e krokodilit, karshi fatit të zi që po e ndjek liderin qeveritar. Po pse bre po e burgosni Burdushin sahat e dakik, kur bën vaki tipi ia kish punuar ndonjë hajmali të fortë për me heqë këtë ogur të zi? Si mundet dikush me ardhë dy herë në këtë post dhe sërish dy herë me e përfundu mandatin në të njëjtën mënyrë. Jaaa, nuk jam adhuruese e teorive të konspiracionit, ama herifi definitivisht ka nevojë me i fry te hoxha. Ka marrë mësysh qysh herën e parë me gjithë ato gjallesa përreth. Sa gjarpri, sa bretkosa, sa zhapini, sa majmunesha, secili ma dinakë se tjetri. Ndërro pëlhurë, ndërro lëkurë. Secili me bagazh plot sekrete e gjynahe, duke e mbajtur njëri-tjetrin në pushtet si duajt e sanës. Ende nuk ka dalë ai bir nëne që ia shti flakën komplet kësaj piramide të kalbur , megjithëse kur të ndodhë, do t’ia nuhasim kundërmimin e tymit edhe njëzet vjet të tjerë.
Pushimet virtuale
Në anën tjetër po them, ky pushtet u bë edhe i dëmshëm për shëndetin more njerëz. Sytë na u qorruan duke i parë surratët e njëjtë qe njëzet vjet. Fyti na u çjerr e zëri na u këput duke kërkuar ndryshime e drejtësi. Veshët na lanë duke dëgjuar premtime që na çuan e na kthyen nga Marsi njëqind herë. Zemra na lëshoi, u bë Kuvendi, shkoi Kuvendi, tym në sallë, tym në rrugë, fitoi kjo parti, u nda kjo parti, ky kërceu andej, ajo u kthye kah erdh. Për cilën parti e keni fjalën pashë të madhin Zot? Po ku dreqi ka parti në Kosovë, pos grupeve mafioze të interesit që grinden për gjah. Po mirë, hajde, një ose dy sosh.
E tani, përsëri Kosova në tezgë. Mundësia për të fituar pompon zemrat e secilit që garon sërish në këtë maratonë njëzetvjeçare të kapjes së shtetit. Blej e shitu para e pas zgjedhjeve sikur lakër tregu. Hajde kush me kë po bën dashnorllëk politik, kush po ofron çka , cila karrige ka dy, tri, ndonjë këmbë mbështetëse a largqoftë stërkambcë të parapërgatitur.
E fillojnë premtimet për trena elektrikë, aeroporte midis kollomoqi, teleferikë modernë, arsim evropian, ekonomi për lakmi, rroga të larta, ligj e drejtësi, rrugë e shkolla, kopshte e universitete ndërkombëtare, investime miliardëshe, pensione dinjitoze dhe përmbi të gjitha si qershia mbi tortë qe dy dekada: Viza. Liberalizim vizash. Ndërroja bre emrin se u bë bajat. Thoni për shembull dhënie vizash, heqje vizash, lirim vizash. Kjo fjali e shkurtër, e cila na jep ankth më zi se buzëqeshja e presidentit, ishte dashur të hiqet komplet nga fjalori ynë i përditshëm. Pse? Sepse thjesht Evropa nuk po do të na i japë vizat! Pse? Sepse thjesht ia ka qejfi. Plasni në vend! Kur kryeministri thoshte po i fali milionat se po kam qejf, pse nuk reaguat? Po kur tjetri jepte para për këngëtare, se ia ka lanë baba?
Ne jemi popull që gjërat i vendosim qysh po na teket e sipas qejfit, kështu që Evropa po i bën karshillëk modelit tonë.
Tekefundit, kujt i plasi për viza kur e kemi nënën Shqipëri. Edhe pse ka qëlluar nazelike “prindja”e dreqit, por ne po e duam si fëmija i përgazt!
Lëre që nuk na dha pasaporta e nënshtetësi, ashtu siç u premtua edhe andej në kohën e zgjedhjeve, por na i rriti çmimet, na futi taksën dhe plus na tregohet edhe gjoja e kujdesshme: Ta ndalë kondicionerin, ta qetë një vezë për mëngjes dhe ta ndalë rrymën. As nuk ftohesh, as nuk lodhesh, as nuk trashesh!. Ku po do ma mirë! Plus, me këto çmime ndihesh sikur je në Dubai.
Eh, si u përmend deti, ja ku më krisi ideja: Pse nuk na premtojnë politikanët punë dhe pushime virtuale? Ti shtrihesh rehat në kolltukun tënd, vë syzet dhe sakaq je në zyrë, por nuk je në zyrë. Shkon në det edhe pse realisht nuk je atje. Je president, por nuk ke pse dukesh. Je koka e krimit, më falni e vendit, por kush nuk mund të thotë se të ka parë duke bërë gjë. Të gjitha nën rrjetin nëntokësor futuristik. Wow, po rrëqethem sa e mençur jam.
Hajde kthehemi në Tokë
Ndërkohë, shumë po lutem që të mos ndalen dasmat, ahengjet dhe kanagjeqet me zijafet. Me gjithë ato adete, dukat, mëlmesa, xhingla-mingla e tupanë me surle, njeriu sinqerisht po e identifikon lehtë stadin e evoluimit njerëzor, që i bie diku në kohën e shpellave dhe totemëve ngjyra-ngjyra. Që po përshtatet me këtë luftën e vjetër politike parazgjedhore parafisnore.
Por ju vazhdoni dhe shikoni anën e mirë.
Të trulluar nga muzika, të helmuar nga qoftet e Brazilit e të dërrmuar nga vallja, ju nuk keni kohë të mendoni pse jemi këtu ku jemi dhe si mund të ecim para. Vetë filozofia e vjetër shqiptare, e bazuar në puro dembelizëm, mendjengushtësi, hajni, xhelozi dhe analfabetizëm, na mëson se çdokush e ka jetën ashtu siç me njëfarë mënyre e ka krijuar ose siç e ka dëshirë.
Nëse jo, atëherë kollaj: Veç ngriti duart dhe thuaj: Hajt se bëhet mirë!.