Pra po e dimë se kjo qeveri ka trashëguar një mori problemesh që i kanë krijuar krejt qeveritë e shkuara. Por kjo jo domosdo do të thotë se krejt çka bën kjo qeveri është mirë dhe se është duke i zgjidhur problemet. Janë bërë thuajse dy vjet qëkur e mori pushtetin dhe po sillet thuajse mandati i saj është dhjetë e jo katërvjeçar, po qe se arrin ta çojë deri në fund
Pak para se t’ia nisja kësaj kolumne, përfundoi ndeshja mes Kroacisë dhe Brazilit. Rezultati qe eliminimi i kampionit të pesëfishtë botëror, i cili kishte ardhur në këtë kampionat si njëri nga favoritët për të fituar sërish. Përplot yje të shpërndarë gjithandej ekipeve më me nam, në Evropë kryesisht, ai e shpiku edhe vallen e gëzimit pas shënimit të secilit gol.
Kësaj radhe vallja nuk u bëri punë. Shteti i vogël prej më pak se katër milionë banorësh e mundi gjigantin latino-amerikan 214-milionësh, pas penalltive, dhe kaloi në gjysmëfinale. Me një disiplinë të jashtëzakonshme dhe me lojë të mençur, vetëmohuese dhe pa asnjë kompleks, kroatët, me lojë kolektive, e treguan me vepër dashurinë ndaj shtetit të tyre.
E nuk është se edhe kroatët nuk i kanë pasur telashet e veta me korrupsionin dhe me problemet e tjera që mbetën prapa pas luftës trevjeçare me serbët. Porse u treguan shumë të mençur dhe e shfrytëzuan përkrahjen maksimale, sidomos nga gjermanët, dhe më 1 janar 2013, pra 18 vjet pas luftës që e zhvilluan në tokë të veten, dhe 22 vjet pas shpalljes së pavarësisë, kaluan nga një shtet përbërës i Federatës jugosllave socialiste, në bashkësinë e shteteve evropiane të një niveli tjetër.
Kosovës vitin tjetër do t’i bëhen 24 vjet nga çlirimi dhe 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë. Dhe të vetmen gjë të përbashkët që e kemi me Kroacinë janë problemet që të dyja i kemi me Serbinë.
* * *
Ka mbi një javë që në veri situata po përshkallëzon. Po kërcasin edhe shok-bomba dhe krejt çfarë po dëgjojmë nga BE-ja është që palët duhen të përmbahen nga incidentet dhe se duhen ulur në tavolinë për t’u marrë vesh. Pra, rrëfim që e dëgjojmë qe, edhe pak do të bëhen, 12 vjet, me rezultatin e njëjtë: veriun e kontrolluar nga bandat kriminale të përkrahura nga Vuçiqi dhe Beogradi zyrtar dhe paqartësi se si do të zgjidhet, nëse do të zgjidhet, nyja gordiane.
Pra, përderisa në veri janë njerëz të maskuar që hedhin bomba, shkatërrojnë objekte e inventarë, plagosin policë dhe sulmojnë gazetarë – ata nuk quhen terroristë nga BE-ja. Dhe, assesi t’i tërhiqet vërejtja Beogradit se duhet ndalur këto veprime, “nëse do që ta ruajë perspektivën evropiane”. E me të parë këtë, nuk ka se si të mos të kujtohet reagimi i Borrellit, i cili e quajti veprim të njëanshëm përpjekjen e shtetit të Kosovës që të fuste rend në veri dhe t’i ndalte rutat e kontrabandës. Pra, sipas Borrellit, ta çosh policinë për ta kryer punën e vet në vendin e vet është veprim i njëanshëm. Mbase veprim i dyanshëm do të ishte që policia të merrej vesh me kriminelët e t’ua linte rrugët çelë hala, për edhe pak kontrabandë e fitim në të zezë.
Situata në veri ka qenë e keqe qëkur është kryer lufta. Veriu mbeti disi i shkretë dhe pa prezencë masive shqiptarësh që me gjasë ngarendën për të ardhur në Prishtinë. Gjithashtu mbeti nën kontrollin e francezëve, të cilët “për të siguruar paqen” e krijuan “kufirin” tek ura. Nuk do ta harroj kurrë deklaratën e një diplomati të akredituar në Kosovë, i cili në një çast sinqeriteti me gjasë, më kishte thënë “po të kishin qenë trupat tona atje, kjo kurrë nuk kishte ndodhur”. Se a kishte qenë kështu apo jo, nuk e di. E di që veriu mbeti i ndarë dhe për këtë nuk duhen fajësuar vetëm të huajt.
* * *
Problemet në veri u trashën edhe më shumë me hapjen e negociatave më 2011-n.Uzurpimi i negociatave nga vetëm një njeri, Hashim Thaçi, na e solli Zajednicën, më të madhin problem. Kërkimi nëpër arkiva nxjerr deklarata të Thaçit që lidhen për “marrëveshjen historike”, e që në fakt, vetëm e identifikojnë kryefajtorin për situatën në të cilën gjendemi, sa i përket këtij aspekti.
Në një intervistë në “Opinion” të Blendi Fevziut, më 24 mars 2015, kishte thënë: “Unë flas me bindje të plotë, para të gjithë qytetarëve të Kosovës me zotimin dhe përgjegjësinë më të lartë kombëtare, politike dhe shtetërore se Asociacioni është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës, me dokumentet e presidentit Ahtisaari dhe standardet evropiane. Le të urdhërojnë ekspertët e opozitës nëse kanë ndonjë... mos të m’i prezantojnë mua faktet, le ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese... Gjykata Kushtetuese është mbi Qeverinë, mbi opozitën, mbi partitë politike. Le t’i sjellin argumentet, nëse ata nuk duan t’i dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, ne i dërgojmë edhe në emër të tyre, le ta japë opinionin e vet Gjykata Kushtetuese. E nëse njëmend Gjykata Kushtetuese konstaton se ka ndeshje mes dokumentit për Asociacionin e Komunave ne Shumicë Serbe dhe legjislacionit kosovar, atëherë ne mund të japim dhe do të japim llogari”.
Disa vjet më vonë, më 30 gusht 2018, konferencë shtypi: “Unë s’e kam nënshkruar Asociacionin e Komunave Serbe. LDK-ja e ka nënshkruar. Duhet të ‘dhânë’ ata përgjigjen. Prandaj ata që pretendojnë me i hedhë të gjithë këto procese në drejtim të presidentit, e kanë gabim. Unë qëndroj pas të gjitha marrëveshjeve në Bruksel. Pas të gjitha marrëveshjeve që burojnë nga vullneti i njerëzve të Kosovës dhe përfaqësuesve legjitimë. Askush, kushdo që të jetë, nuk do ta tejkalojë Parlamentin e Kosovës. Unë do ta respektoj Kushtetutën e Kosovës qind për qind. Kushdo që e cenon Kushtetutën dhe frymën e Kushtetutës, jo vetëm atë çka shkruan, e cenim i frymës së Kushtetutës është edhe me e mbajtë Kosovën e izoluar, gjë që nuk do ta lejoj”.
Nuk e di se çfarë do të deklaronte sot për Asociacionin po të ishte ende në pushtet. Porse veprimi i tij kokë më vete, me “marrëveshjen historike” është zanafilla e ngërçit aktual dhe atuja më e madhe që ua dha serbëve në ditën kur vendosi t’i hapte çështjet që nuk duhej prekur më. Dhe pafytyrësia kur e akuzon LDK-në për nënshkrimin e marrëveshjes së dytë, që është derivat i “historikes” dhe kjo në kohën kur ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, vetëm tregon se nuk është politikan që i zihet besë. Përkundrazi.
Dje, në Kuvend u lajmërua Avdullah Hoti, ministër i Financave i asaj Qeverie, duke i thënë Kurtit se përse nuk e prish Marrëveshjen për Asociacionin, ngase ekziston një ligj që këtë edhe ia mundëson. Pra, njërit nga eksponentët kryesorë, e njëkohësisht edhe këshilltarët kryesorë të Isa Mustafës, i kujtohet pas shtatë vjetësh se tjetërkush do të duhej shfuqizuar një marrëveshje që edhe bashkëpartiakët e tij e kanë ratifikuar në Kuvend, duke i dhënë fuqi më të madhe sesa ligjet e Kosovës.
Është për keqardhje mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Është për keqardhje hedhja e fajit për gabimet drastike që vetë i ke bërë te tjetërkush. E për fat të keq kjo është karakteristika thelbësore e politikës në Kosovë.
* * *
Pra po e dimë se kjo qeveri ka trashëguar një mori problemesh që i kanë krijuar krejt qeveritë e shkuara. Por kjo jo domosdo do të thotë se krejt çka bën kjo qeveri është mirë dhe se është duke i zgjidhur problemet.
Janë bërë thuajse dy vjet qëkur e mori pushtetin dhe po sillet thuajse mandati i saj është dhjetë e jo katërvjeçar, po qe se arrin ta çojë deri në fund.
Ritmi jashtëzakonisht i ngadalshëm i gjithçkaje është duke na hedhur të gjithëve në amulli. Lufta në Ukrainë, që bëri të shpërthente inflacioni në tërë botën, e goditi fuqishëm edhe Kosovën, e cila vazhdon të jetë e varfër; vazhdon të mos ketë punësim të ri dhe ta ketë ekonominë më të pazhvilluar në rajon. Kosova vazhdon të mbijetojë me idenë e skemave sociale, që vetëm paraqesin ngarkesë shtesë për buxhetin, e kjo ngarkesë i bie mbi supe sektorit privat, pra sektorit më të diskriminuar në ekonomi.
Vazhdojmë të kemi probleme serioze në arsim, pa ndonjë ide të qartë se nga jemi nisur dhe si do të bëhemi më të mirë; vazhdojmë të kemi probleme tepër të mëdha në shëndetësi, që ka muaj që nuk ka as ministër që e udhëheq; kemi probleme me administratën e madhe që e ngarkon buxhetin, e tash edhe kjo qeveri beson se duhet shtuar ende të punësuar aty. Nuk zgjidhet problemi i efikasitetit me shtimin e nëpunësve, por, përkundrazi, me shkrirjen e më shumë detyrimeve te një post publik; vazhdojmë të kemi probleme me dhunën e sidomos kemi probleme me gjyqësinë. Po, e dimë që procesi i vetingut është i gjatë dhe i mundimshëm, por ai nuk do të realizohet kurrë, po qe se krejt çka bëjmë është që e përsërisim këtë fjalë kah të sillemi.
* * *.
Po, shumë probleme janë trashëguar nga e shkuara. Dhe njëri problem njëmend kërkon unitet të plotë të pushtetit dhe opozitës sepse ka të bëjë me shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. E mbase ky duhet të jetë çasti i fundit të tejkalohen inatet, antipatitë, narcisizmat e antagonizmat e të mos sharrojmë edhe më thellë në punën e bisedimeve dhe obligimeve që kanë dalë nga ato, pikërisht pse më 2013 e 2015 nuk pati kohezion mes shqiptarësh në rend të parë.
Por për gjërat e tjera që janë, kryekëput në duart e pushtetit, nuk ka më alibi e as “shikoni çka keni bërë qe 20 vjet”. E dimë çka kanë bërë krejt qeveritë e mëparshme, sepse ende i jetojmë pasojat, dita më ditë.
Besoj se nuk ka slogan më të qëlluar (huazuar nga njëri kandidat për zgjedhjet e kaluara në Prishtinë) që do të duhej ta udhëhiqte këtë qeverisje përpara: “Hajde ma gjallë, ma gjallë”!