OpEd

Hafijet dhe mafiet

Nga kabllogramet e mia diplomatike të javës të cilën e lamë pas do ta veçoja rastin e dy agjentëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, të cilët me anë të një marrëveshjeje gojore midis prokurorit Sylë Hoxha dhe drejtorit të atëhershëm të AKI-së, Driton Gashi, dy agjentëve u jepet identitet i rrejshëm me të cilin pastaj sikur dëshmitarë të mbrojtur dëshmojnë në procesin gjyqësor të njohur si rasti "Syri i popullit". Për mua ky rast jo vetëm që e rëndon sistemin juridik të vendit, por ai në fakt e shpalos një sistem paralel të instaluar shtetëror, i cili mund të veprojë sipas tekeve të dikujt për të arritur qëllime të caktuara politike. Mos të harrojmë se në atë proces gjyqësor dëshmitar ishte edhe ish-presidenti Thaçi, i cili i akuzoi kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, si dhe Glauk Konjufcën për lidhjet e tyre me organizatën terroriste "Syri i popullit". Qëllimi i fundit ishte që edhe Vetëvendosja të shpallej një organizatë terroriste dhe si e tillë të zhdukej nga faqja e dheut së bashku me eliminimin politik të dy figurave kyç të kësaj lëvizjeje. Qëllimi ishte që me një gur të vriteshin dy zogj

Nga kabllogramet e mia diplomatike të javës së cilën e lamë pas do ta veçoja rastin e dy agjentëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, të cilët me anë të një marrëveshjeje gojore midis prokurorit Sylë Hoxha dhe drejtorit të atëhershëm të AKI-së, Driton Gashi, dy agjentëve u jepet identitet i rrejshëm me të cilin pastaj sikur dëshmitarë të mbrojtur dëshmojnë në procesin gjyqësor të njohur si rasti "Syri i popullit". Për mua ky rast jo vetëm që e rëndon sistemin juridik të vendit, por ai në fakt e shpalos një sistem paralel të instaluar shtetëror, i cili mund të veprojë sipas tekeve të dikujt për të arritur qëllime të caktuara politike. Mos të harrojmë se në atë proces gjyqësor dëshmitar ishte edhe ish-presidenti Thaçi, i cili i akuzoi kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti, si dhe Glauk Konjufcën për lidhjet e tyre me organizatën terroriste "Syri i popullit". Qëllimi i fundit ishte që edhe Vetëvendosja të shpallej një organizatë terroriste dhe si e tillë të zhdukej nga faqja e dheut së bashku me eliminimin politik të dy figurave kyç të kësaj lëvizjeje. Qëllimi ishte që me një gur të vriteshin dy zogj.

Ky rast assesi nuk bën që të lejohet të bjerë në harresën e shoqërisë e sidomos në harresën e sistemit ligjor të Republikës së Kosovës. Po qe se vërtetohet se e ka pasur këtë rrjedhje të ngjarjeve, ky në fakt do të ishte skandali më i madh në shtetin e Kosovës i cili implikon sistemin e drejtësisë, inteligjencën, si dhe politikanët në pozitat kyç shtetërore. Ky rast eklatant është shpjegimi më i mirë i mundshëm për shpjegimin e nocionit "kapje e shtetit".

Sigurisht nuk e keni harruar kidnapimin e 6 shtetasve turq nga ana e shërbimeve inteligjente të shtetit turk ndaj qytetarëve të saj me lejeqëndrim të lëshuar nga shteti kosovar për veprimin dhe qëndrimin e tyre në shtetin e Kosovës. I kujtoni deklaratat e kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj për mosdijeninë e tij në lidhje me këtë rast dhe mungesën e informatave, të cilat ai i ka pasur në dispozicion në lidhje me këtë rast. Këtë e deklaroi njeriu të cilit Agjencia e Inteligjencës Kosovare do të duhej që t’i raportonte në bazë të rregullt. Isha kritik atëherë në lidhje me këtë dështim të shtetit tonë, ndërsa tani vetëm sa plotësohen zbrazëtirat e dyshimeve me skandale të reja, të cilat e dëshmojnë se deri në ç'nivel ishte i kapur shteti i Kosovës.

Kështu arrijmë edhe te pyetjet e reja se a ka lidhshmëri dhe si ndërlidhet rasti aq i dhimbshëm i Astrit Deharit në gjithë këtë komplot shtetëror kur dihet se prapë disa nga emrat e përfolur në lidhje me këtë rast prapë na përsëriten në trajtën e të njëjtit prokuror, Sylë Hoxha!!! A janë vetëm koincidenca të rastësishme apo kemi të bëjmë me një masterplan pjesët e mozaikut të së cilit gradualisht janë duke u plotësuar. Nuk dëshiroj që të zhytem në konspiracione, sepse ajo gjë nuk i përket një diplomati, mirëpo logjika ma thotë se këto raste kanë lidhshmëri dhe e kanë pasur për qëllim një epilog të caktuar. Shteti ku komplotet bëhen pikërisht nga instancat e saja më të larta shtetërore, si dhe nga protagonistë kryesorë në kuadër të tyre paraqet një shtet të rrezikshëm për vetë qytetarët e saj, demokracinë dhe liritë e tyre. Kur fillojnë që të dekonspirohen këto komplote njeriu e nxjerr një kashtë, por i dalin gjashtë! Kur këto komplote dekonspirohen ato bien sikur kullat prej letrave, kur njëra letër e balancon tjetrën dhe kështu me radhë. Me rënien e ndonjërës prej letrave kjo balancë humb dhe pastaj pëson kolapsi i kësaj kulle prej letrave, ku ato në fund bien njëra mbi tjetrën.

Do të dëshiroja që të merresha me kritikën ndaj Qeverisë së tanishme dhe disa nga gabimet e saja, mirëpo gabimet enorme të qeverive të kaluara kanë shkaktuar dëme aq të mëdha saqë disa nga to janë ndoshta edhe të pariparueshme. Mbetet që koha të na e dëshmojë.

Para ca netësh e pamë edhe intervistën e presidentes Vjosa Osmani. Personalisht unë e pëlqeva shumë paraqitjen e saj, si dhe përmbajtjen e intervistës së saj. Pse jemi të prirë që me qëllim apo pa qëllim t’i shikojmë dhe interpretojmë gjërat me një konotacion negativ nga ana e një pjese të madhe analistësh zhurmues televizivë është një tjetër gjë. Mirëpo, nuk pati asnjë ambiguitet në përgjigjet e presidentes Osmani. Ishte e saktë dhe shumë direkte në të gjitha pyetjet dhe temat e shumta, të cilat u hapën gjatë kësaj interviste. E si mos të ndihesh krenar kur përfaqësohesh nga një grua e re aq e ngritur, elokuente dhe direkte në të gjitha përgjigjet, të cilat ajo i dha atë natë. Jam i mendimit se edhe paraqitjet e deritanishme të presidentes Osmani në takimet e ndryshme jashtë vendit atë veçse e portretizojnë si një zonjë shumë të aftë kosovare. Kujtojmë mediet zvicerane, të cilat ishin përplot artikuj në lidhje me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Një anglishte sublime e perfeksionuar, fjali të ndërtuara me kuptim dhe substancë, si dhe qasje shumë direkte ndaj temave të shtruara. Kjo është presidentja jonë nga paraqitjet e së cilës kudo qoftë unë si qytetar i Kosovës asnjëherë nuk do të skuqesha.

Para dy ditësh në Twitter u cicërua një cicërimë e politikanes boshnjake Sabina Çudiq. Ndërmjet tjerash ajo cek se midis Kosovës dhe Serbisë kishte një marrëveshje mbi shkëmbimin e territoreve e ajo gjë e kishte edhe mbështetjen e administratës amerikane. Përmes shkrimit të saj në Twitter, z.Çudiq tregon se si ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ishte pro shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më tutje në shkrimin e saj znj.Çudiq tregon se në atë takim kishte qenë prezent edhe kryetari i Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, e që asokohe për një kohë të shkurtër ishte edhe në kuadër të ekipit negociues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tutje rrëfen ngjarjen ku thotë se në bisedë e sipër me Palmerin ishte bashkuar edhe ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku. Sipas Çudiqit, Çitaku me nervozizëm e kishte pyetur pse ka ndërhyrë në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë.

Kjo ishte përmbajtja e postimit në Twitterit të znj.Çudiq. Nëse këto deklarata qëndrojnë si të vërteta dhe këta zyrtarë kosovarë nga pozitat e tyre institucionale kanë punuar dhe lobuar në prapaskenat e shkëmbimit të territoreve midis dy vendeve, edhe kjo temë nuk do të duhej të ishte diçka që do të duhej të tejkalohej me aq lehtësi. Fundja, a nuk ishin të gjitha prononcimet e politikanëve kosovarë të qeverive të mëhershme se asnjëherë nuk është diskutuar për shkëmbimin e territoreve me Serbinë. A kemi të bëjmë edhe me këtë rast për atë gjë për të cilën ngrita pyetje edhe më herët. A e ka Kosova përbrenda saj edhe një shtet paralel, i cili e ka një kushtetutë ad hoc e që i shërben dreqit e të birit, por vetëm të mirës së Kosovës jo, dhe jo, nuk flas për atë të drejtuar dhe të orkestruar nga Serbia nëpërmjet pakicës serbe në Kosovë, por thjesht nga institucionet tona më të larta dhe nga përfaqësuesit tanë institucionalë? E çka ka ende nga prapaskenat, të cilat ne edhe nuk i dimë apo së paku ende nuk i dimë…