OpEd

Gropa

Jemi në gropë - është ndjenja më e përhapur sot në shoqërinë kosovare. Na kanë mashtruar të gjithë. Mbase kurrë më shumë zhgënjim dhe pesimizëm s’ka pasur në popullatën e Kosovës në këta 20 vjetët e lirisë

NUK ËSHTË tipike ngathtësia e reagimit të klasës politike, por edhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe njerëzve me ndikim publik në vend, lidhur me vërejtjet e fundit që po vijnë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, por edhe nga shtetet si Gjermania, për mospezullimin e taksës prej 100 për qind të produkteve nga Serbia dhe Bosnja. Nuk mund të thuhet se nuk ka reagim, por ky ngjan si shumë i mefshtë, i butë dhe jo fort normal për situata të këtilla.

Të kuptohemi, zor të ketë një shqiptar të Kosovës, i cili vlerëson se Kosova do të mundë të ishte shtet dhe të mundë të funksionojë si shtet i mirëfilltë, pa mbështetjen e SHBA-së dhe shteteve të fuqishme të BE-së. Të gjithë e kuptojnë se nuk e kanë se duan ta dëmtojnë Kosovën këto shtete kur kërkojnë që Prishtina t’i bëjë koncesione Serbisë. Mirëpo, ka disa gjëra që kanë ndodhur viteve të fundit, e të cilat kanë ndikuar që e gjithë shoqëria ta zbehë besimin fillimisht në përfaqësuesit e tyre politikë, pastaj edhe në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare.

NDODHI VETËM rreth 14 muaj më parë kur s’u deshën më shumë se 2-3 orë dhe çdo person me pak ndikim në Kosovë të përfshihej me zjarrmi në përpjekjet për të mos përkeqësuar marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në. Ishte episodi i përpjekjeve për të kontrabanduar në një të premte të vonshme zhbërjen e Gjykatës Speciale nga tri partitë që sot janë në koalicion qeveritar, bashkë me presidentin, por – pavarësisht se a vlerësohej si e drejtë ose padrejtësi për Kosovën kjo gjykatë – pati mobilizim të shpejtë shoqëror për të mos lejuar që përfaqësuesit e shteteve mbështetëse të Kosovës në Perëndim ta vlerësonin një hap të atillë si një “thikë pas shpine”.

U përsërit kjo edhe në muajt në vazhdim. Pavarësisht se a ishin të bindur se a po humbte tokë ose jo Kosova me rastin e demarkacionit me Malin e Zi, deputetët e Kuvendit vendosën që ta votojnë me dy të tretat e votave ratifikimin e një marrëveshjeje të këtillë. Për këtë marrëveshje Kosova kishte ardhur ndoshta edhe në prag të konfrontimit më të madh ndërqytetar; ishte kohë kur digjeshin veturat, gjuheshin politikanët me vezë në rrugë, hidhej gaz e koktej molotovi, goditej me minahedhës ndërtesa e Kuvendit, por në fund u kalua. Na thuhej, është kriteri i fundit nga 95 kritere (më shumë kritere se cilido shtet i rajonit që tashmë ishte në zonën e bardhë të Schengenit) në mënyrë që edhe për Kosovën – ghetton e fundit në Evropë – të ndodhte liberalizimi i vizave.

KËTË JAVË E shfrytëzova mundësinë që ta jep Facebooku për të shtruar pyetjen në formë ankete se sa besojnë qytetarët se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë vitit 2019. Afro 3 mijë persona votuan dhe prej tyre vetëm 13 për qind u përgjigjen pozitivisht – se besojnë që Kosova do të ketë liberalizim të vizave gjatë këtij viti. Plot 87 për qind u përgjigjën me “jo”.

Pra, edhe pse më pak se 2 milionë nga rreth 510 milionë banorët e shteteve anëtare të BE-së dhe rreth 750 milionë banorëve të Evropës gjeografike, edhe pse u përmbushën plot 95 kritere, edhe pse në mesin e kritereve kishte edhe të sojit nga i cili nuk u sfidua asnjë shtet tjetër – demarkacioni i kufirit – vetëm kosovarët sot vazhdojnë të mbesin të izoluar si në kafaz dhe kanë humbur shpresën se kjo padrejtësi e madhe mund të zhbëhet frik.

Në anën tjetër, Gjykata Speciale tashmë ka filluar procesin e çuditshëm të intervistimit të dhjetëra individëve, pa qartësuar nëse janë dëshmitarë, të dyshuar, ose të akuzuar. Edhe për këtë votoi Kuvendi i Kosovës, ndonëse me krime të ndërlidhura me luftën në Kosovë u morën edhe gjykatat vendore, edhe gjykatat e UNMIK-ut, edhe ajo e EULEX-it, edhe Tribunali i Hagës, e edhe gjykatat serbe, por – ja që u kërkua nga miqtë tanë – ndodhi edhe votimi i Gjykatës Speciale. Çka po shohim në anën tjetër, po bëhen rreth 5 vjet që gjykatat në Beograd për krime lufte nuk kanë proceduar seriozisht me asnjërën nga lëndët që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë; të liruarit nga vuajta e dënimeve të plotfuqishme nga Tribunali i Hagës kthehen në Serbi dhe botojnë libra të sponsorizuar nga Qeveria serbe, ligjërojnë nëpër fakultete, anëtarësohen nëpër parti politike.

Sakaq, sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, tashmë kanë filluar zërat në përkrahje të idesë së revidimit të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës së 17 Shkurtit dhe ndryshimit të kufijve të saj në emër të arritjes së një “marrëveshjeje historike me Serbinë”. Alo?!

JEMI NË GROPË është ndjenja më e përhapur sot në shoqërinë kosovare. Na kanë mashtruar të gjithë. Mbase kurrë më shumë zhgënjim dhe pesimizëm s’ka pasur në popullatën e Kosovës në këta 20 vjetët e lirisë.

Ka filluar të zbehet besimi në secilin dhe në çdo gjë. Gjë që është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli e një vendi.

Megjithatë, duhet gjetur forcën e të mos humbet fokusi se kush janë partnerët dhe cili është vizioni politik e strategjik i vendit. Edhe pse kjo, për arsyet e përmendura më sipër, sot tingëllon më e vështirë se kurrë.

Se, po, jemi mashtruar!

Por e mira është se, kurdo që ndodhesh në gropë, i vetmi veprim racional të cilin mund ta ndërmarrësh është përpjekja për daljen prej saj. Sa më shpejt. Me sa më pak pasoja.

[email protected]

Twitter: @adritaikk