OpEd

Grindjet në mëhallën ballkanike

Me rënien e Qeverisë së Kosovës kanë rënë edhe maskat e politikanëve. Interesat e atyre që sunduan bashkë për tre vjet përnjëherë dolën të jenë të kundërta. Dhe faturën, natyrisht, do ta paguajë populli

Tensionet politike në hapësirat e Ballkanit janë si një sëmundje ngjitëse. Sapo të nisë puna mbrapsht në njërën pjesë të rajonit, shumë shpejt kjo përhapet në pjesët e tjera.

Natyrisht, janë disa vende – siç është, shembull, Bosnjë-Hercegovina – që gjenden në situatë permanente të tensioneve, diç ngjashëm me komën politike, dhe atyre kurrfarë sëmundje ngjitëse politike nuk ua ndryshon gjendjen, e cila edhe ashtu është dëshpëruese.

E disa të tjera, edhe pse tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian, jo rrallë infektohen me viruset lokale politike. Siç është, për shembull, Kroacia.

Vendet e tjera të këtij rajoni tonë malor janë disi në mes – duke u lëkundur mes proceseve demokratike dhe mentalitetit konfliktuoz, i cili, sapo të shfaqet te njëri, me shpejtësi të madhe bartet tek tjetri, nga fqinjësia në fqinjësi, dhe pothuaj brenda natës i gjithë Ballkani, prej një oaze të stabilitetit në këtë botë të polarizimit në rritje, shndërrohet në një fuçi evropiane baroti, e cila mund të shpërthejë në çdo moment.

Ja pra, pas turbullirave dhe tentimit ende të pasqaruar mirë të grusht shtetit në Mal të Zi, Maqedonia u fut në një krizë të rëndë paszgjedhore, e cila ende nuk është zgjidhur. Pastaj në pranverë nisi një krizë tjetër, kjo tash parazgjedhore, në Shqipëri, e cila ende nuk është e qartë se kur dhe si do të zgjidhet. Më pas, sapo u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Serbi, atje nisën protestat e të rinjve në rrugë kundër një diktature të zgjedhur të Vuçiqit.

Dhe tani, pra, kriza e re na erdhi edhe në Kosovë: Parlamenti i vendit, me votat e njërës prej partive në pushtet, PDK-së, votoi mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë, dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme qysh në qershor.

* * *

Asgjë e tmerrshme, do të mund të thuhet. Po edhe demokracive më të mëdha evropiane u ndodh të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Por, nuk është Kosova një shtet tipik demokratik evropian që shkon në zgjedhje në momentin kur Qeveria e humb shumicën, dhe nuk ka mundësi të marrë vendime me rëndësi të madhe nacionale. Qeveria e Kosovës ka dy vjet që nuk e ka pasur shumicën e nevojshme – dy të tretat e votave në Kuvend – për të marrë këso vendimesh.

Shembulli më i mirë, sigurisht, është demarkacioni me Malin e Zi, i nënshkruar qysh në gusht të vitit 2015, e të cilin koalicioni në pushtet në Kosovë – LDK-ja e Isa Mustafës dhe PDK-ja e Kadri Veselit – nuk ka arritur ta ratifikojë për dy vjet, për shkak se nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare.

Edhe pse të gjithë pushtetarët flisnin se ratifikimi i demarkacionit (për të cilin insistuan dhe vazhdojnë të insistojnë se është krejt në rregull) është me rëndësi strategjike për shtetin – për shkak se, thoshin, me të konfirmohet sovraniteti i Kosovës së pavarur, dhe me të, theksonin, ngrihen në nivel më të lartë marrëdhëniet e mira me shtetin strategjikisht të rëndësishëm të Malit të Zi, si dhe, insistonin, me këtë hapet rruga e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me çka flisnin të bindur, thellohet edhe procesi i integrimeve evropiane të Kosovës – dyshja sunduese Mustafa-Veseli kurrë nuk arriti të bindte deputetët e koalicionit të tyre që ta ratifikonin këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë këtë, pra – që nuk e kishin shumicën e duhur për të marrë vendime me interes të madh nacional – ata as nuk dhanë dorëheqje e as nuk ranë prej pushtetit.

Që gjithçka të jetë edhe më keq, që nga vjeshta e vitit të kaluar, e deri para pak më shumë se një muaji, partia serbe në koalicionin e pushtetit, Lista Srpska, e kishte “ngrirë” pjesëmarrjen e vet në Qeveri e Kuvend, me çka pushteti u dobësua edhe më shumë, dhe përveç demarkacionit nuk mund të merrte edhe shumë vendime të tjera, më pak të rëndësishme, se nuk e kishin as shumicën e thjeshtë parlamentare.

Dhe sërish, edhe pse për gjashtë muaj nuk i kishin votat në Kuvend për të marrë vendime, ata nuk dhanë dorëheqje, as nuk i rrëzoi kush.

Dhe tani, kur mandatit të Qeverisë i afrohej fundi – kishte mbetur më pak se një vit – ndërsa hulumtimet e opinionit që i bëjnë vetë këto parti tregonin se rejtingu i tyre po bie (posaçërisht ai i Partisë Demokratike të Veselit, për të cilën indikativ dhe alarmant ishte rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas, para pak muajsh, ku i humbi gati 20 për qind krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2013) disa preferonin të shkohej në zgjedhje të shpejta, që të shpëtoheshin ato vota që mund të shpëtoheshin, për të ruajtur gjasat e mira për mbetje në pushtet.

E Lidhja Demokratike e Mustafës, në anën tjetër, nuk i deshi zgjedhjet. Atyre rejtingu tashmë u kishte rënë shumë para tre vjetësh, kur në kundërshtim me vullnetin e votuesve të vet hynë në koalicion me Partinë Demokratike, për ta urryer, asokohe të Hashim Thaçit.

Mustafa dhe njerëzit e tij shpresuan dhe besuan se deri në fund të mandatit – pranverën e ardhshme – do të ndërronte disponimi i votuesve. Madje, duket se kishte ndër ta që prisnin se ndonjë prej rivalëve, posaçërisht nga radhët e partnerit të deritanishëm në pushtet, do të largohej nga skena politike me aktakuzat e Gjykatës Speciale, e cila sivjet do të duhej të niste punën.

Kjo ishte arsyeja pse partneret në qeveri u grindën për t’u ndarë. Jo paaftësia për të marrë vendime për vendin. Jo dështimi në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve. Por, thjesht, dhe vetëm, synimi për të qenë në pushtet edhe përtej këtij mandati.

* * *

Dhe kështu, partnerët e deritanishëm në pushtet, brenda natës (sërish) u bënë rivalët më të ashpër, andaj dhe seanca e Parlamentit të mërkurën, kur opozita, me ndihmën e votave të partisë së Veselit, arriti ta rrëzonte Qeverinë, më shumë i ngjante një grindjeje të ashpër shkurorëzimi sesa një diskutimi politik.

Maskat, më në fund, ranë. Interesat e atyre që sunduan bashkë për tre vjet përnjëherë dolën të jenë të kundërta. Dhe faturën, natyrisht, në fund do ta paguajë populli.

Siç ndodh tek të gjithë fqinjët tanë, të dashur, nga mëhalla ballkanike.

Fatkeqësisht!