Se përse Kosova nuk ka avancuar mjaftueshëm në mbi dy dekada mëvetësi? Sepse ka gjithologë shumë, e dituri e punëtorë pak
A do të ketë qenë ura e Ibrit ajo që e ka sjellë shefin e CIA-s në Kosovë, apo mbase ndonjë informatë e inteligjencës që paralajmëronte rrezikun e përshkallëzimit të situatës pas inkursionit ukrainas në territorin rus, apo ndoshta përçimi i një mesazhi të fuqishëm të administratës amerikane, momentalisht të zënë me zgjedhjet presidenciale – zor se shumica në Kosovë do të mund ta dimë.
Pos, natyrisht, gjithologëve kosovarë që i dinë të gjitha dhe të cilët janë në gjendje të flasin si për ushqimin më të mirë që duhet dhënë pulave, ashtu edhe për raketat që nisen për në Mars. Në muhabetin e ndërmjetëm mes këtyre temave, do të flasin sa për rrymën, aq edhe për inteligjencën dhe kundërinteligjencën ushtarake perëndimore.
Nuk e dyshoj se javën që vjen do të jemi dëshmitarë të debateve të pafund për simbolikën e vizitës së shefit të CIA-s, që thuhet të jetë e paparalajmëruar. Nuk do të ishte fort e logjikshme të paralajmërohej vizita e një njeriu që mban post kaq të rëndësishëm, e që në atë formë t’i rrezikohej siguria.
Wiliam Burns paraprakisht e vizitoi Bosnjën, e më pas Serbinë. Erdhi në Kosovë me masa shumë të forta sigurie, aq sa gazetarët u detyruan të largoheshin deri te Sheshi Vllaznim-Bashkim, e prej aty ta përcjellin hyrjen dhe daljen e tij nga ndërtesa ku u takua me Osmanin.
Burns bujti në Kosovë me gjasë, dhe i përcjellë nga njësitet elite të sigurisë, u kthye në mëngjes për ta takuar Kurtin në ndërtesën e Qeverisë. Pas takimit u largua dhe besoj se do të jetë kthyer në Amerikë.
* * *
Çfarëdo të ketë qenë tema e diskutimit, vizita e tij mund të tregojë një element që për ne do të duhej të konsiderohej i rëndësishëm: se rajoni, dhe Kosova në të, e ka megjithatë një peshë rëndësie për administratën amerikane, për shkak të një rreziku të përhershëm që ka të bëjë me ndikimin rus dhe ndalimin e përhapjes së tij.
Pra do të mund të spekulojmë për këtë vizitë sa të duam dhe të na ka ënda.
Por e besoj se rezultatet e kësaj vizite do të shihen dikur në të ardhmen jo fort të largët, për shkak se do të kujtojmë se vizitës së shefit të CIA-s i parapriu vizita e ndihmëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, që nga Kosova kërkoi koordinim, e nga Serbia “ndihmë” për sigurimin e llogaridhënies për sulmet e dhunshme të majit dhe shtatorit të vjetëm.
Pra, në interpretim të lirë të asaj që e tha zyrtari i NATO-s, Ura e Ibrit është gjë e vogël që mund të nxisë shpërthim të panevojshëm, ndërkohë që fakti se Beogradit i kërkohet “ndihma” për përgjegjësinë për dhunën, tregon se ku në të vërtetë gjendet burimi i kësaj dhune që i la të plagosur dhe lënduar thuajse 100 ushtarë të KFOR-it.
* * *
E tash, natyrisht, gjitha këto lëvizje, ardhje e shkuarje, do të bëhen pjesë e fushatës zgjedhore e cila ka nisur që moti, por e cila ka nisur të intensifikohet që prej para dhjetë ditësh, kur kryetarja Osmani shpalli datën e zgjedhjeve parlamentare, të parat që mbahen pas mandatit të plotë katërvjeçar të një qeverie.
Qysh tash dëgjojmë për atë se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, pra varësisht nga partitë politike, tashmë i kemi katër emra në qarkullim.
Qysh tash dëgjojmë për mrekullitë që do të na ndodhin po qe se ky apo ai kandidat do të zgjidhet kryeministër dhe qysh tash duhet të përgatitemi psikikisht se këta kandidatë do të defilojnë nëpër ekranet televizive të Kosovës, e edhe të Shqipërisë, ku do t’i shpalosin gjoja programet qeverisëse, ku do t’i kritikojnë kundërshtarët dhe ku do të refuzojnë të lidhin çfarëdo koalicioni parazgjedhor për ta siguruar pazarin më të leverdishëm pasi që të kryhen ato.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë e ka përcaktuar se partitë politike nuk do të mund t’i shpenzojnë më shumë se 2 milionë euro për fushatë, për shkak se e kanë ta shpenzojnë vetëm nga një euro për votues.
Pra, regjistrimi i popullsisë posa na tregoi se nuk jemi më shumë se 1.6 milionë banorë rezidentë. Prej këtij numri, po qe se llogaritet mesatarisht se secilin vit lindin 30 mijë fëmijë, rreth gjysmë milioni nuk kanë të drejtë vote se ende nuk i kanë mbushur 18 vjet. Pra, nëse në Kosovë ka rreth 1.1 milionë votues rezidentë, po del pra që numri i votuesve jashtë vendit është veç për 200 mijë votues më i vogël sesa në Kosovë.
Dy janë problemet esenciale këtu: një, që regjistrimi i popullsisë nuk e ka dhënë rezultatin e saktë për shkak se nuk është realizuar si duhet dhe dy, që regjistrimi i diasporës është njësoj i mangët, për shkak se në sa vitet e fundit është manipuluar me shifrën prej 700 mijë kosovarësh në diasporë, që i përfshin edhe fëmijët, pra për pasojë edhe numri i votuesve është më i vogël.
Do të ishte shumë mirë që dikush të dilte e të na shpjegonte se nga po na dalin 2 milionë votues – a do të thotë kjo se listat ende mbajnë emra të njerëzve të vdekur; apo nëse është e mundur që një person i vetëm të jetë regjistruar dy herë, edhe pse supozohet se të gjithë kemi numra personalë që nuk do të duhej të lejonin regjistrimin e dyfishtë.
Kjo çështje e besoj se kërkon një sqarim të logjikshëm për të kuptuar njëmend se sa kosovarë jemi, sa në vend, e sa në diasporë, dhe pse nuk jemi në gjendje ta zhvillojmë një regjistrim të popullatës të besueshëm i cili na i jep edhe informatat e besueshme. Madje, sinqerisht, nuk po e kuptoj se përse nuk mjaftojnë shënimet në regjistrin civil për të na treguar se sa banorë ka Kosova, dhe që ato të shërbejnë për ta matur popullatën përnjëmend.
* * *
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, pas një viti arriti ta marrë vendimin e njëjtë çfarë e kishte marrë vjet – që librat të subvencionohen, në vend se të blihen nga qeveria për t’u shpërndarë nëpër shkolla.
Nëse vitin e kaluar kemi mundur edhe t’i besonim se ka pasur përpjekje nga shtëpitë botuese që t’i rrisnin çmimet me shumicë (në vend se të jetë e kundërta) dhe për këtë arsye ka dashur të kursente para dhe ta kufizonte keqpërdorimin, sivjet nuk e ka pasur këtë argument për t’ia përkrahur vendimin.
E ka pasur një vit të tërë për t’i identifikuar librat; për t’i konsultuar drejtoritë e arsimit; për ta përcaktuar listën; për ta kërkuar ofertën; për ta blerë mbase ndonjë të drejtë dhe për ta shtypur ndonjë libër vet... e plot opsione të tjera që nuk do t’i sillnin prindërit në situatën kur duhen aplikuar dhe pritur paratë, për të shkuar nëpër librari e për të marrë vesh se librat ende nuk janë gati.
Dhe sinqerisht, lind dilema nëse në kohën e avancimit të teknologjisë, duhen shtypur libra, të cilat pos që kërkojnë blerje të letrës jo të lirë (pra edhe dëmtim drurësh), shtyp, magazinim, shpërndarje (pra që të gjitha me kosto). A nuk do të ishte më thjesht që të gjitha librat shkollorë të futen me një tablet që do t’u dhurohej fëmijëve nga buxheti i shtetit?
Tableti mesatar për nevojat shkollore kushton deri në 150 euro. Supozoj se kur do të negociohej çmimi me ndonjërin nga prodhuesit e mëdhenj drejtpërsëdrejti, do të mund të zbritej çmimi thelbësisht, sepse flitet për qindra mijëra copë.
Pra, deri në hapin e radhës, që do të ishte edhe digjitalizimi i fletoreve të punës, këto do të shtypeshin dhe do të bliheshin nga ministria për nevojat e nxënësve.
Investimi në teknologji do të kthehej shumë shpejt. Sidomos duke e pasur parasysh se tash e sa vjet, numri i nxënësve po bie, kurse shpenzimet e shtypit dhe shpërndarjes së librave po rriten.
E nga ana tjetër, mjafton një version digjital i librit për t’i shërbyer krejt një brezi prej mijëra nxënësish.
* * *
Zgjedhjet pikërisht do të duhej të merreshin edhe me çështjen e arsimit dhe të avancimit të tij, e edhe me shumë gjëra të cilat Kosova e pasluftës nuk i ka bërë e ka mundur.
Zgjedhjet e radhës do të duhej të na dilnin një udhëheqje që përnjëmend e zgjidh problemin e sigurimeve shëndetësore; që e krijon fondin e sigurimit pensional e invalidor dhe fondin për arsimin dhe edukimin e fëmijëve.
Nuk ka shumë filozofi që ato të krijohen e të funksionojnë mirëfilli. Po ja që në rast se nuk e kemi ndonjë ekspert që mund të merrej me temat, ja ku janë zviceranët, apo suedezët – e besoj se nuk do ta kishin rëndë të na ndihmonin.
Të vetmen gjë që ne do të duhej të bënim është të mos shesim mend se i dimë të gjitha.