OpEd

Gjetjet për shpëtimin e demokracisë

Një lexim kosovarçe i librit “Si vdesin demokracitë - E ardhmja jonë, rrëfyer nga historia”, i autorëve Steven Levitsky & Daniel Ziblatt

Perspektivat sociale e politike të shteteve, shoqërive, apo kombeve të vogla gjithmonë lëvizin si anijet e vogla dhe të brishta mbi baticat dhe zbaticat oqeanike të shteteve të mëdha. Erërat ideologjike që fryjnë nëpër shtetet e fuqishme shndërrohen në furtuna apokaliptike në vendet e brishta e inferiore. Aq më shumë në vendet si Kosova.

A na mëson historia si të sillemi si shtet e shoqëri në të sotmen dhe të ardhmen? A është historia mësuese e jetës për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit, që përfshin gjithë përvojën e së kaluarës? Kur pati përfunduar Lufta e Parë Botërore, që atëbotë quhej Lufta e Madhe, shumica e mendjeve të ndritura të kohës deklaronin se shkatërrimi katastrofal që pësuan kombet më të civilizuara të planetit, shumica e tyre në Evropë, nuk do të përsëritej kurrë më. Por papërvoja e grupimeve politike çoi në përsëritjen e një katastrofe edhe më të madhe dy dekada më vonë. Studiuesit e shkencave sociale, në të cilat përfshihet edhe historia, gjithmonë e më shumë përpiqen të ndërtojnë shenjat paralajmëruese të së ardhmes të shoqërive dhe atë gjithmonë duke i marrë për bazë shkaqet dhe pasojat e zhvillimeve në të kaluarën e afërt dhe të largët. Këtë alarm e japin me prova dy studiuesit amerikanë të “Universitetit Harvard”, Steven Levitsky & Daniel Ziblatt, në librin e tyre të botuar këtë vit me titull “Si vdesin demokracitë”.

Evoluimi i metodave të kapjes së pushtetit ka bërë që të ndërrojnë format dhe mënyrat e realizimit. Kështu, dy studiuesit amerikanë nuk merren me studimin e rrethanave të puçeve ushtarake e politike, që e kaluara i njeh pothuajse në secilin shtet të botës. Interesimi i tyre është te format e ndërmjetme të kapjes së pushtetit përmes “rrugëve legale”, siç janë zgjedhjet dhe institucionet formale të qeverisjes. Mbi të gjitha, Steven Levitsky & Daniel Ziblatt, i tregojnë shenjat paralajmëruese të veprimeve të atyre, që synim e kanë kapjen e shtetit përmes metodave të sofistikuara: jo më me puçe, por me “metoda demokratike”. Shembujt e ngjitjes dhe kapjes së pushtetit e shtetit që nga Musolini e Hitleri, e deri te autokratët bashkëkohorë në Peru, Venezuelë, Turqi e Rusi, e shfaqin një panoramë të kapjes së shtetit dhe rrënimit të demokracisë, pas së cilave gjithmonë kanë rezultuar dhe rezultojnë reagimi, ballafaqimi e kaosi.

Por si duhet lexuar e kuptuar paralajmërimi i dhënë me prova i autorëve amerikanë, nga lexuesit e shoqërive e shteteve të cofëta, siç është, në këtë rast, Kosova?

Që nga koha e përfundimit të Luftës së Ftohtë, rrënimi i pjesës më të madhe të demokracive është shkaktuar jo në pasojë të dhunës së gjeneralëve dhe ushtarëve, por nga vetë qeveritarët e zgjedhur. (f.13)

Shpesh institucionet shndërrohen në armë politike, të cilat iu tunden me forcë atyre që nuk e kanë mundësinë t’i kontrollojnë, nga ata që i kontrollojnë. Kjo është mënyra se si demokratët e zgjedhur shkatërrojnë demokracinë, mbushin gjykatat e agjenci të ndryshme neutrale me njerëzit e tyre dhe i “shndërrojnë në armë”, blejnë mediat dhe sektorin privat (ose i ngacmojnë, në heshtje), rishkruajnë rregullat e politikës për të qenë të favorizuar ata vetë, në fushën e lojës kundër kundërshtarëve. Paradoksi tragjik i rrugës elektorale drejt autoritarizmit është së vrasësit e demokracisë përdorin vetë institucionet demokratike në mënyrë graduale, në heshtje dhe, për më tepër, edhe ligjërisht për ta vrarë atë. (f.16)

Lexuesit tanë mund ta identifikojnë saktësisht pozitën e institucioneve të përgjithshme të vendit brenda getos së sistemit autokratik, ku nuk ka kufij të qartë ndërmjet parapolitikës e politikës dhe anasjelltas. Thënë me gjuhën e dy autorëve të lartpërmendur, e ardhmja jonë, si shoqëri dhe shtet, e gjithsesi edhe e tashmja jonë, kuptohet përmes “shenjave” që janë lehtë të lexueshme: kapja e të gjitha institucioneve qeveritare, e mbi të gjitha; kapja e gjyqësorit dhe agjencive të tjera me siglën si “të pavarura”. Ndërkaq, qatipët e kapësve të institucioneve mund ta kuptojnë se sa dëm i kanë bërë dhe i bëjnë vendit duke ua mbajtur ison të pushtetshmëve.

Dy autorët amerikanë japin shembuj se si duhet të parandalohet ngjitja e autokratëve në pushtet, ku rol të madh i japin, para së gjithash, filtrimeve brenda partive politike. Krahasimi me rastin tonë paraqitet shumë tragjik, për shkak se partitë politike të ne, në embrion (me ndonjë përjashtim) paraqesin grupime të bandave parapolitike, që veprojnë nën petkun e diskursit politik, ku autokratët kryesorë janë pikërisht krerët e partive. Tashmë dihet se institucionet e kapura nuk mund të shkapen nga partitë politike, e aq më pak nga veprimet ligjore të arbitrave të pavarur, siç duhet të jenë prokuroria dhe gjykatat. Nuk gjinden shembuj në botë (përveç në përralla) që autokratët, diktatorët, kriminelët e sejmenët e tyre, pas shumë e shumë të këqijave që i bëjnë, një mëngjes pranveror të zgjohen e të shndërrohen në demokratë, a në njerëz të mirë. Kjo nuk ka përjashtim as në shoqërinë tonë.

Ka mbetur që shoqëria jonë të bëjë përpjekje ta ndajë shapin nga sheqeri, t’i identifikojë qartë cubat, sejmenët dhe qatipët e tyre në njërën anë dhe gjithë të tjerët në anën tjetër. Kështu, pak a shumë, mëton t’u rrëfejë libri i dy autorëve amerikanë, profesorë në “Universitetin Harvard”, lexuesve të shteteve të kapura nga cubat, ku ne jemi një prej ekzemplarëve të veçantë, qysh nga ajo kohë e largët kur na shpëtoi NATO-ja nga robëria serbe dhe holokausti, e deri më sot.