Lufta ka gjasë të na e fikë poçin në odë gjatë këtij dimri të gjatë që na pret. Por, përgjigjja ndaj luftës mund të na i ndryshojë jetët. Si?
1.
Është gati sport kombëtar i periferive të ngjarjeve botërore - një fshat, një kafehane e lagjes, një bankë parku ku mblidhen rregullisht pensionistët, berberhania - të bëjnë analizë gjeopolitike, e të vlerësojnë ngjarjet e mëdha botërore, duke përmendur emrat e liderëve dhe deklaratat e tyre - të vërteta a të supozuara, të mirëkuptuara apo keqinterpretuara - si të ishin njerëz të asaj lagjeje.
Dikur kjo tingëllonte si materie përqeshjeje madje edhe të barsoletave të përsëritura që kanë motiv odën e katundit të Llapit ku rrinë burrat këmbëkryq, duke përdredhur duhanin e nevojshëm për netët e gjata të dimrit dhe që atje diku në fillim të viteve shtatëdhjetë, nën poçet e sapoardhura të elektrikut, do të pyesin: “A thu çka ka me bo Niksoni tash në Vietnam?”.
Por, ja që isha në fshat në Shqipëri, fundjavën e kaluar dhe dëgjova analizën e një miku që me thjeshtësinë më të madhe (të ekspertit të sigurisë dhe bashkëfshatarit) zbërthente një spirale kazualiteti inspiruar nga lufta e Putinit në Ukrainë. Në këtë spirale, Putini duke qenë në krye të një shteti që për ekonomi ka prodhimin e lëndëve të para - gazit, naftës, mineraleve, drurit, etj. - ka tash një motivacion ekonomik për të thelluar luftën. Pra, sa më shumë luftë në Ukrainë, aq më e shtrenjtë nafta, gazi dhe mineralet. Në analizën e tij, momenti kur çmimet stabilizohen do të thotë se Putini është duke e humbur luftën.
Kaloi një ditë dhe pas sulmit të urës së Krimesë nga ana e diversantëve ukrainas, Putini sulmoi caqe kryesisht civile në Ukrainë. Për mikun tim, ky ishte sinjali se ai kishte nevojë të ngrinte çmimet e burimeve energjetike.
2.
Nuk jam i sigurt se ky lloj kauzaliteti funksionon orë për orë e ditë për ditë, por logjika qëndron. Për shembull në këtë rast, Rusia hodhi raketa mbi caqe civile në Ukrainë gjoja si përgjigje ndaj sulmit Ukrainas ndaj urës së Krimesë. Por caqet ishin të përzgjedhura shumë më herët, në shumicë të lidhura me prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Efekti imediat i këtyre sulmeve është dëmtimi i sistemit elektroenergjetik të Ukrainës, pra vështirësimi i furnizimit me energji elektrike për këtë shtet. Por, kur këtyre sulmeve u shtohet edhe ndalja e prodhimit në centralin bërthamor të Zaporozhjes, ky më nuk është vetëm problem i Ukrainës. Që nga kjo javë, Ukraina ka gjasa të mos mund të jetë eksportuese e energjisë elektrike në tregun evropian, siç ka qenë deri më tani dhe kështu, balanca energjetike evropiane po hyn në dimër me një deficit të madh ukrainas.
Kjo do të thotë që ndërsa po afrohen muajt e rritjes së konsumit të energjisë elektrike në Evropë, që tani dihet se do të ketë për aq më pak sa ka pasur rregullisht Ukraina. Rrjedhimisht, energjia elektrike nuk do të jetë vetëm më e shtrenjtë, por do të arrijnë momentet kur sado të jetë e shtrenjtë nuk do të gjendet në treg.
Për ata burra në barsoletën e odës së Llapit, të mbledhur rreth poçit të sapoinstaluar para pesëdhjetë vjetësh, rrëfimi gjeopolitik po kthehet me hakmarrje realiteti: po, është shumë me rëndësi se çka ndodh me Putinin, Zelenskin, të gjitha ato qytete e fshatra që po shkatërrohen e që dalin në lajmet televizive, sepse në fund të ditës do të ndikojnë te mundësia që ai poç të ndizet në natën e gjatë të dimrit që po na pret.
3.
Por, a mund ta shikojmë gjeopolitikën e fshatit tonë prej një këndi tjetër, jo domosdoshmërisht prej atij të shkatërrimit putinian dhe efektit negativ që ka në sigurinë energjetike, ushqimore dhe atë financiare?
Më duket se mund të nxirren shembujt e së kundërtës, ku Putini mund ta gjejë veten në një botë krejt tjetër prej asaj kur e filloi luftën. Për shembull, me Komunitetin politik evropian, të themeluar javën e kaluar në Pragë, Putini ka nxitur apo edhe shpejtuar një proces të konsolidimit të identitetit evropian, madje të një identiteti që nuk e sheh veten në kufirin mes Ukrainës e Rusisë, por e sheh të konsoliduar me dy supe të rëndësishme sigurie: të Britanisë së Madhe në Perëndim dhe të Turqisë (me zonën e Kaukazit mbrapa saj) në Lindje.
Apo, me shembullin e Iranit, një fuqie të lidhur me Rusinë, por në të cilën vajzat dhe gratë kanë filluar një protestë të paprecedentë për çlirimin e tyre dhe të vetë Iranit. Nëse arrijnë të fitojnë, do të ishte mostra më e madhe e feminizmit si forcë revolucionare që çliron tërë shoqërinë, pra edhe meshkujt, prej diktaturës, në këtë rast teokracisë. Dhe, tërë këtë në kufijtë e Rusisë.
Apo, me kërkimin e paqes gjetkë si përgjigje ndaj luftës së Putinit. Në Kolumbi, presidenti i ri, Petro, ka iniciuar procesin e paqes me guerilen ELN, e cila zhvillon luftë mbi gjysmë shekulli. Në Pragë, presidenti Erdogan mblodhi afër vetes presidentin e Azerbajxhanit dhe kryeministrin e Armenisë për të ndërprerë armiqësitë dhe gjetur paqe, posaçërisht kur i tërë regjioni ka nevojë të prodhojë e shpërndajë më shumë gaz për të zëvendësuar atë të Rusisë. E në Lindjen e Mesme dhe me ndërmjetësimin amerikan është arritur një marrëveshje mes Izraelit dhe Libanit për kufirin e ujërave territoriale mes dy shteteve. Aty gjenden rezerva të rëndësishme të gazit që mund të eksploatohen shpejt e të dërgohen për tregun evropian, duke e shpëtuar ekonomikisht Libanin e duke krijuar kushte për një paqe të përhershme mes Izraelit dhe këtij shteti.
4.
E në odën imagjinare gjeopolitike të Llapit edhe ky ndryshim pozitiv ka potencial të njëjtë ndryshimi si ai negativ. Nëse lufta e Putinit ndikon drejtpërsëdrejti që të fiket poçi elektrik nga deficiti energjetik, shembujt e përgjigjes ndaj kësaj lufte do të kenë efektet e veta në shoqërinë tonë.
Kosova është tashmë pjesë e Komunitetit politik evropian dhe ky përcaktim afatgjatë i demokracisë e shtetit kosovar duhet të shndërrohet në të pakthyeshëm me integrimin në strukturat euroatlantike. Gratë e Iranit, ndonëse në kushte të skajshmërisë të teokracisë, tregojnë se diktaturat më së shumti e godasin femrën, por nuk mund ta ndrydhin nevojën për liri. Për çdo shoqëri, përfshirë edhe Kosovën, në të cilën ka burra që duan t’u imponojnë grave se si duhet të sillen apo duken, zëri protestues i grave të Iranit është luftë për lirinë e tyre, jo vetëm për lirinë e Iranit. E drejta për liri dhe e drejta e gruas janë një dhe për këtë të drejtë për çdo qytetar të çdo shoqërie janë duke luftuar me zëra e duar që heqin hixhabin gratë e Iranit.
Dhe paqja, atë që po e kërkojnë në Kolumbi, Kaukaz apo Lindje të Mesme, duhet të jetë përgjigjja më e mirë që jep Kosova me fqinjin e saj Serbinë, Putinin dhe luftën e tij në Ukrainë.