Është për keqardhje se si Serbia iu qas këtij zhvillimi. Pa asnjë fije pieteti për viktimat. Pa asnjë fije ndjenje të përgjegjësisë për të respektuar edhe viktimat, por edhe verdiktet e shumë gjykatave ndërkombëtare që masakrën e mbi 8000 myslimanëve në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, e shpallën si gjenocid. Dhe është rasti i vetëm deri tash në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore për të cilin ka verdikt gjyqësor se ishte gjenocid. Është për keqardhje, sepse kjo dëshmon se nuk ka gatishmëri në Serbi për përballje me të kaluarën, për pajtim me fqinjët dhe për ecje përpara në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. E ajo paqe e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet duke harruar
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë gati 30 vjet prej kur ai ka ndodhur. Dhe në vend që me këtë rast mediat të raportojnë për mbi 8000 njerëz të masakruar në atë gjenocid, për ata që kryen këtë krim të tmerrshëm, për ata që e lejuan, me apo pa vetëdije, debati kryesisht u zhvillua në nivel politik dhe rreth ndasive në botë. Serbia, sikur edhe në rastet e tjera të ndryshme, pati qasjen e vet unike. Edhe këtë zhvillim në OKB e shfrytëzoi për mobilizim të brendshëm nacionalist, me folklorin dhe ikonografinë tashmë të parë disa herë. Kësaj radhe dallimi ishte se propaganda në Serbi nuk e paraqiti këtë betejë “Serbia kundër tërë botës”, por më shumë kundër Perëndimit. Edhe pse Rezoluta kaloi me një shumicë të madhe të votave nëse krahasohen ato në favor dhe ato kundër, Serbia pati mënyrën e vet të numërimit, sipas së cilës e nxori një rezultat që e nxjerr Serbinë si fituese. Pra, edhe pse Rezoluta u votua, Beogradi numëroi në favor të vetin votat kundër, ato të përmbajtura dhe ato nga vendet që nuk morën pjesë fare në votim. Dhe kështu Serbia pretendon se “shumica në OKB ishte në anën e Serbisë”. Bile, duke pasur parasysh se për këtë rezolutë nuk votuan Kina, India, Brazili dhe Rusia, Beogradi nënvizon se si “mbi 5 miliardë njerëz ishin në anën e Serbisë”.
Është për keqardhje se si Serbia iu qas këtij zhvillimi. Pa asnjë fije pieteti për viktimat. Pas asnjë fije ndjenje të përgjegjësisë për të respektuar edhe viktimat, por edhe verdiktet e shumë gjykatave ndërkombëtare që masakrën e mbi 8000 myslimanëve në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, e shpallën si gjenocid. Dhe është rasti i vetëm deri tash në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore për të cilin ka verdikt gjyqësor se ishte gjenocid. Është për keqardhje, sepse kjo dëshmon se nuk ka gatishmëri në Serbi për përballje me të kaluarën, për pajtim me fqinjët dhe për ecje përpara në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. E ajo paqe e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet duke harruar. Mospërmendja e gjenocidit për hir të një pajtimi është qasje e gabuar. Sidomos kur nga Evropa, Ballkanit i përmendet shpesh shembulli i pajtimit pas Luftës së Dytë Botërore. Por ai pajtim nuk ndodhi duke i harruar krimet, duke i relativizuar dhe duke i glorifikuar ata që ishin përgjegjës për to.
Nëse edhe mund të kuptohet sjellja e Serbisë në këtë rast, sepse atje është një pushtet që lufton për një të kaluar më të mirë, nuk kuptohet sjellja e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, që nuk lë gjë në botë pa komentuar, nuk foli fare. Dhe, ndonëse shumica e madhe e BE-së votoi në favor të Rezolutës dhe shumë vende të saj anëtare ishin edhe sponsoruese të saj, katër vende anëtare nuk e votuan. Ndasitë brenda BE-së për çështje të rëndësishme në botë, që nga Lindja e Mesme e deri te raportet me Rusinë, nuk janë më befasi. Por kur është çështja për një gjë kaq të ndjeshme, kaq të dhimbshme dhe episode kaq tragjike në historinë e Evropës, është dashur që e tërë BE-ja dhe NATO të jenë në favor dhe të flasin me një zë. Një porosi uniteti nga BE-ja do të dëshmonte se edhe ajo e ka kuptuar se përgjegjësia për gjenocidin në Srebrenicë ishte edhe e saj. Sikurse ishte edhe e OKB-së. Sepse gjenocidi ndodhi para syve të paqeruajtësve, në një zonë e cila ishte deklaruar si “zonë e sigurt” nga OKB-ja. Por për mbi 8000 njerëz e sigurt u bë vetëm vdekja, dhe atë vetëm për shkak se ishin të përkatësisë së një grupi etnik apo fetar.
Hungaria, vendi i cili për një muaj e merr edhe kryesimin e radhës së BE-së, madje ishte në grupin prej vetëm 19 vendeve në botë që votoi kundër. Në shoqëri me vendet si Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut. Sllovakia, Qiproja dhe Greqia abstenuan. Kështu, mungesa e unitetit nga BE-ja edhe një herë u shfaq në një skenë botërore, në nivel global. Dhe atë për të vetmin rast të gjenocidit në tokën e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, të vërtetuar juridikisht.
Bashkimi Evropian nuk deshi as të komentojë faktin se katër vende anëtare nuk kanë votuar në favor të Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë. Zëdhënësi i BE-së vetëm tha se votimi në OKB është çështje individuale e secilit vend anëtar, i cili voton sipas qëndrimeve nacionale. Por ai ka shtuar se ”BE-ja ka qëndrim të qartë për gjenocidin në Srebrenicë, e ai është se ky gjenocid nuk mund të mohohet e as të relativizohet”.
Por edhe vetë mungesa e unitetit nga BE-ja është një lloj relativizimi. Po ashtu, edhe gatishmëria që pa asnjë problem të mbajnë kontakte të ngushta dhe bashkëpunim pa kushte me ata që mohojnë gjenocidin vazhdimisht, e këtë e bëjnë shteti i Serbisë dhe subjektet politike të serbëve në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e Kosovë, është një lloj relativizimi. Pas sjelljes së tillë të disa vendeve të BE-së, ndaj të cilave heshtin edhe institucionet e përbashkëta në Bruksel, nuk ka kuptim as thënia se “në Evropë nuk ka vend për ata që mohojnë apo relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë”.