Para disa javësh Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar një padi kundër Serbisë për gjenocid. Në strategjinë e Qeverisë thuhet se “Qeveria do të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe në Konventën Kundër Gjenocidit, dhe në të njëjtën kohë do të përgatisë padinë e Kosovës kundër Serbisë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë” (fq. 10).
Para se t’i analizojmë sfidat e një padie të tillë eventuale, duhet të bëjmë një shpjegim të shkurtër të krimit të gjenocidit dhe përdorimit të tij. Termi gjenocid është shpikur nga juristi polak hebrenj, Rafael Lemkin, në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe” në vitin 1944. Në vitin 1948, OKB-ja kishte adoptuar Konventën për Parandalimin dhe Represionin e Krimit të Gjenocidit, e cila i obligonte shtetet nënshkruese të saj që ta parandalonin këtë krim. Në artikullin II të kësaj konvente thuhej se gjenocidi ka të bëjë me akte kriminale të cilat kanë një qëllim specifik që është shkatërrimi i tërësishëm ose i pjesshëm i grupeve “nacionale, etnike, raciale ose fetare si të tilla”. Kjo konventë do të ketë për efekt normativizimin e krimit të gjenocidit, sepse më pas shumica e gjenocideve do të analizohen bazuar në këtë konventë. Votimi i ligjeve nga parlamentet e shteteve të cilat ua njohin popujve statusin e viktimës se gjenocidit do t’i kontribuojë këtij normativizimi. Këtu duhet përmendur dy kategori normash. Ato që mohimin e Holokaustit (negacionizmin) e bëjnë krim i cili ndëshkohet me ligj, siç është Ligji Gayssot në Francë (30 qershor 1990) dhe ato që kanë efekt potencues dhe njohës, përmes të cilave një shtet e njeh një gjenocid që ka ndodhur, pa e ndëshkuar mohimin e tij. I tillë ishte veprimi i SHBA-së më 24 prill kur e kishte pranuar gjenocidin armen. Joe Biden, me rastin e përkujtimit të 106-vjetorit të gjenocidit armen, deklaroi se për SHBA-në, vrasja e 1.5 milion armenëve nga osmanët në vitin 1915-16 kishte qenë gjenocid. E tillë kishte qenë edhe deklarata e ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Heiko Mass, javën e kaluar (më 28 maj) kur deklaroi se Gjermania e kishte njohur gjenocidin në Namibi të kryer gjatë kohës kur ky shtet afrikan kishte qenë i kolonizuar nga gjermanët (1884-1915). Ministri gjerman u kërkonte Namibisë dhe pasardhësve të viktimave falje për këto krime. Kolonizatorët gjermanë kishin vrarë me dhjetëra mijëra anëtarë të etnive Herero dhe Nama në vitin 1904, duke i eksterminuar rreth 80% të tyre.
Megjithatë, historianët dhe hulumtuesit kanë qenë shumë kritikë ndaj këtij “imponimi me ligj” ose “diktimit të së vërtetës historike” nga politika, duke konsideruar se ata nuk do të duhej të ftoheshin të prononcoheshin për një ngjarje historike e cila ka ndodhur jashtë shteteve të tyre dhe për të cilën nuk janë të informuar mire. Sipas tyre, kjo “dhunë performative” (Derrida) rrezikon të prodhojë efekt të kundërt. Edhe historiani francez, Henry Rousso, specialist i Holokaustit i cili është edhe shpikësi i fjalës ‘negacionizëm’ thotë se krimet masive të kryera kundër popujve para disa shekujve do të duhej të karakterizoheshin si krime kundër njerëzimit e jo gjenocide, duke lënë kështu hapësirë që të hulumtohen krimet bashkëkohore të cilat e meritojnë këtë klasifikim.
Ky term është përdorur edhe politikisht për shkak të ngarkesës së madhe emocionale që bart me vete. Qëllimi i grupeve që e rivendikojnë atë është t’i shënojë mendjet dhe të provokojë emocione, me qellim të fitimit të statusit të viktimës. Kjo do të bëjë që ky term të përdoret edhe për ta deformuar realitetin nga ato grupe që nuk kanë qenë viktima të gjenocidit. Mjafton ta përmendim përdorimin e këtij termi nga Serbia në vitet 1980 për “gjenocidin” e imagjinuar që po zhvillohej sipas tyre nga shqiptarët kundër serbëve të Kosovës.
Mst: Sfidat e padisë së Kosovës në GJND
Gjenocidi është krim që dënohet me ligj. Pas krijimit të gjykatave penale ndërkombëtare pas viteve 1990, shumë gjykata kanë dënuar individë për gjenocid. Padia eventuale e Kosovës kundër Serbisë ka të bëjë me një akuzë e cila nuk synon dënimin e individëve për gjenocid, por atë të shtetit të Serbisë për shkelje të Konventës Kundër Gjenocidit gjatë luftës së Kosovës. Kemi të bëjmë, pra, me një proces gjyqësor i cili do të zhvillohej para GJND-së si organi më i larte gjyqësor i OKB-së dhe i vetmi që merret me shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga ana e shteteve. GJND-ja trajton dy kategori rastesh: ato kontestuese që kanë të bëjnë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve juridike ndërkombëtare midis shteteve dhe ato këshillëdhënëse të cilat konsistojnë në dhënien e mendimit të saj për çështje juridike të së drejtës ndërkombëtare të cilat ia kërkojnë organet e OKB-së. I tillë ka qenë mendimi i kësaj gjykate në korrik 2010 për Kosovën. Çështjet që kanë të bëjnë me shkeljen e Konventës Kundër Gjenocidit hyjnë në kategorinë e rasteve kontestuese midis shteteve dhe ato mund të sillen para GJND-së vetëm nga shtetet. Deri tani, GJND-ja ka trajtuar gjithsej tri raste të tilla. Në mars 1993, Bosnjë-Hercegovina i ishte drejtuar GJND-së me një padi kundër RFJ-së me pretendime se kjo e fundit e kishte shkelur këtë konventë. Në padinë e Bosnjës thuhej se popullata myslimane boshnjake në këtë shtet kishte qenë viktimë e një fushate gjenocidiale të organizuar dhe të mbështetur nga Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ). Në aktgjykimin e saj të shpallur pas 14 vjetësh (shkurt 2007), GJND-ja e kishte shfajësuar Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë dhe kompliciteti në kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë. Kjo e lironte Serbinë nga pagesa e dëmshpërblimit. Megjithatë, Gjykata e kishte konfirmuar se në Srebrenicë kishte pasur gjenocid dhe se Serbia e kishte shkelur Konventën për shkak të mosparandalimit të kryerjes së gjenocidit dhe për mosbashkëpunim me Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi. Ajo nuk e kishte dorëzuar në Hagë Ratko Mladiqin i cili kishte qenë i akuzuar për gjenocid.
Padia e dytë kishte qenë ajo e Kroacisë po ashtu kundër RFJ-së në korrik 1999, përmes së cilës Kroacia i referohej nenin IX të Konventës kundër Gjenocidit të cilën sipas saj e kishte shkelur RFJ-ja gjatë luftës në Kroaci (1991-1995). Aty figuronte spastrim etnik i kryer kundër qytetarëve kroatë. Ajo kërkonte edhe dëmshpërblim. Më 4 janar 2010, Serbia i ishte kundërpërgjigjur padisë së Kroacisë me një kundërpadi për vrasje të serbëve, dëbimi me dhunë, zhdukje etj. Më 3 shkurt 2015, GJND-ja kishte thënë se as Kroacia dhe as Serbia nuk kishin sjellë prova të mjaftueshme të cilat tregojnë se kishin kryer gjenocid dhe i kishte hedhur poshtë paditë.
Padia e tretë është deponuar para GJND-së në nëntor 2019 nga shteti afrikan i Gambisë kundër Birmanisë (Gambia vs. Myanmar). Birmania akuzohej për gjenocid të kryer kundër pakicës së saj rohinjat. Ajo i kishte kërkuar GJND-së vendosjen e masave të përkohshme kundër saj. GJND-ja e kishte urdhëruar Birmaninë që të ndërmarrë masa për mbrojtjen e kësaj pakice dhe kishte vendosur masa të përkohshme kundër saj. Rohinjat janë pakice në Birmani dhe kanë qenë objekt i spastrimit etnik nga territoret ku jetojnë. 750 mijë anëtarë të këtij komuniteti janë dëbuar në shtetin fqinjë të Bangladeshit.
Çka na tregojnë këto raste për një padi eventuale të Kosovës kundër Serbisë për gjenocid? Sfida e parë e Kosovës ka të bëjë me faktin se ajo është shtet i ri, nuk është anëtare e OKB-së dhe gjatë kohës së kryerjes së krimeve në Kosovë, ajo ka qenë pjesë përbërëse e RFJ-së. Ky fakt e bën të pamundur që ajo si shtet të shkojë para GJND-së dhe të bëjë padi. Ashtu siç u tha më lart, shkelja e Konventës Kundër Gjenocidit është çështje kontestuese ndërmjet shteteve, dhe vetëm shtetet kanë të drejtë ta sjellin atë para GJND-së. Madje edhe po qe se Kosova do të ishte anëtarësuar ndërkohë në OKB-së dhe do të kishte nënshkruar Konventën Kundër Gjenocidit, si dhe Statutin e GJND-se, kërkesa e saj do të ishte e papranueshme për shkak se në kohën e kryerjes së krimeve ajo nuk kishte qenë shtet. Kujtojmë se RFJ-ja (Serbia) e kishte përdorur këtë argument për ta sfiduar padinë e Bosnjës me argumentin se në momentin e kryerjes së krimeve në Bosnje, ajo nuk kishte qenë anëtare e OKB-së dhe se si e tillë nuk kishte pasur obligim që ta zbatonte Konventën Kundër Gjenocidit. E krijuar nga Milosheviqi në vitin 1992, RFJ-ja ishte anëtarësuar në OKB në vitin 2000. GJND-ja ishte thirrur në një deklaratë të Parlamentit të Federatës së RFJ-së në vitin 1992, sipas së cilës RFJ-ja siguronte vazhdimësinë e RSFJ-së dhe se ajo kishte marrë përsipër t’i respektonte të gjitha angazhimet ndërkombëtare të saj.(fq. 41)
e vetmja mundësi për Kosovën për të bërë një padi të tillë mbetet përmes një shteti të tretë (Shqipërisë ose ndonjë shtet mik të Kosovës), në formën e padisë së analizuar më lart që ka bërë Gambia kundër Birmanisë. Por për dallim nga kjo e fundit, fuqia e kësaj padie do të ishte më e dobët për shkak se padia e Gambisë është deponuar në mes të krizës humanitare dhe masakrave të kryera kundër popullit rohinja. Në Kosovë krimet janë kryer 22 vjet më parë. Përveç kësaj, padia e Gambisë ka qenë një lloj kompensimi për pamundësinë që me krimet e kryera kundër rohinjave të merrej Gjykata Penale Ndërkombëtare permanente në Hagë për shkak se ky shtet nuk e ka aprovuar këtë gjykatë. Padia eventuale e Kosovës do të ndryshonte edhe nga ajo e Bosnjës sa i përket kontekstit politik ndërkombëtar. Në kohën kur GJND-ja e kishte pranuar padinë e Bosnjës kundër Serbisë (1993), masakrat kundër boshnjakëve po projektoheshin në të gjitha mediat ndërkombëtare. Bombardimi i Sarajevës, ku kanë humbur jetën 11500 persona, ishte në të gjitha televizionet e botës. Kjo kishte ndikuar qe një padi e tillë të merrte përkrahje ndërkombëtare. GJND-ja nuk është institucion politik dhe nuk mund të dyshohet se merr vendime politike ose se mund të ketë ndonjë simpati për ndonjërën nga palët kontestuese, por nuk ka dyshim se si organ i OKB-së, ajo duhet të jetë e ndjeshme ndaj konteksteve politike dhe përderisa merr vendime që kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare, ajo nuk mund ta injorojë realitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në vitet 2008-2010, shtetet më të fuqishme perëndimore si SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania etj., kishin qenë të interesuara që pavarësia e Kosovës të fuqizohej dhe ishin angazhuar në këtë drejtim edhe para GJND-së me ekipe ekspertësh të cilët kishin argumentuar në favor të saj. Shanset janë të vogla sot që ato ta bëjnë një gjë të tillë përsëri. Kjo edhe për shkak se ato janë të interesuara që të arrihet një marrëveshje ndërmjet tyre.
Përtej këtyre pengesave janë edhe disa të tjera të cila mund t’i nxjerrim nga dy rastet e përfunduara. Unë po i përmend vetëm disa nga ato, sepse debati gjyqësor përreth gjenocidit është shumë kompleks. Një ndër pyetjet paraprake të cilave u është përgjigjur GJND-ja është se a mundet një shtet të dënohet për shkelje të Konventës nëse asnjë lider i tij nuk është dënuar individualisht për gjenocid? Përgjigjja e saj kishte qenë se po, por mbështetja sistematike e saj në vendimet e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi për të vendosur se në Srebrenicë kishte pasur gjenocid tregon se në mungesë të një aktgjykimi të tillë është gati e pamundur që një shtet të dënohet për shkelje të Konventës. Në aktgjykimin e saj të vitit 2007, GJND-ja thotë se ajo u kishte dhënë “rëndësinë më të madhe” gjetjeve ligjore të bëra nga Tribunali i Hagës (shih art. 82 të aktgjykimit). Kjo e ka vendosur një standard sipas të cilit para se të dënohet një shtet për shkelje të Konventës, duhet të ketë dënime të individëve për gjenocide të kryera në atë shtet. Tribunali i Hagës ka dënuar gjithsej 20 serbë të Bosnjës për gjenocid. Në mesin e tyre Ratko Mladiqin dhe Radovan Karaxhiqin. Kjo kishte pasur pasoja për padinë e Kroacisë, sepse asnjë person nuk është dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid të kryer në Kroaci. Edhe Kosova është në një situatë të ngjashme, sepse lidershipi serb (Shainoviq, Pavkoviq, Lukic, Ojdanic, Lazareviq, Gjorgjeviq) i dënuar për krime në Kosovë nga kjo gjykatë, është dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit (shih librin tim: “Fshehja e krimit”, ASHAK, qershor 2021). I vetmi dënim për gjenocid i dhënë në kohën e UNMIK-ut në shkallë të parë nga Gjykata e Qarkut e Mitrovicës kundër Miroslav Vuckovic-it në vitin 2000, ishte hedhur poshtë nga paneli i Gjykatës Supreme të Kosovës në përbërjen e të cilit kishin qenë dy gjykatës ndërkombëtarë, Renate Winter nga Austria dhe Patrice de Charette nga Franca. Në këtë vendim ata kishin argumentuar përreth qëllimit për ta shkatërruar një grup tërësisht ose pjesërisht që është edhe një nga elementet përbërëse të gjenocidit. Në këtë aktgjykim një gjë e tillë nuk ishte pranuar, sepse sipas aktgjykimit “krimet e kryera nga regjimi i Milosheviqit në 1999 nuk mund të cilësohen si akte kriminale të gjenocidit, pasi qëllimi i tyre nuk ishte shkatërrimi i grupit etnik shqiptar në tërësi ose pjesërisht, por largimi i tij me forcë nga Kosova si rezultat i fushatës sistematike të terrorit duke përfshirë vrasje, përdhunime, zjarrvënie dhe keqtrajtime të rënda. Akte të tilla kriminale korrespondojnë me përkufizimin e krimeve kundër njerëzimit të përcaktuara nga ligjet ndërkombëtare (plani i përhapur ose sistematik i sulmit kundër popullatës civile gjatë luftës) ose mund të cilësohen si krime lufte” (shih raportin: hlc-rdc.org, 2013). Një përfundim të ngjashëm e gjejmë edhe në verdiktin e GJND-se në rastin e Bosnjës, ku thuhet, mes të tjerash, se “deportimi ose zhvendosja e anëtarëve të një grupi, edhe nëse kryhet me forcë, nuk është domosdoshmërish ekuivalente me shkatërrimin e atij grupi, dhe as shkatërrimi i tillë nuk është pasojë automatike e zhvendosjes […].” (shih aktgjykimin në www.icj.org).
Në mungesë të dënimeve të individëve për gjenocid, Kosova do të mund të provonte spastrimin etnik ashtu siç e kishte bërë Kroacia, e cila në padinë e saj i ishte referuar Rezolutës 780 të OKB-së të votuar në vitin 1992 në të cilën thuhej, mes të tjerash, se “'spastrimi etnik’ [...] konsiston në praktika të cilat përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe mund të asimilohen me krime specifike të luftës. Për më tepër, akte të tilla mund të bien gjithashtu brenda kuptimit të Konventës së Gjenocidit”. Megjithatë, në aktgjykimin e GJND-së për Bosnjën thuhet se spastrimi etnik mund të konsiderohet si shkelje e gjenocidit “vetëm nëse një veprim i tillë ndërmerret me qëllim specifik (dolus specialis), d.m.th. me qëllim të shkatërrimit të grupit, jo vetëm dëbimin e tij nga zona”(fq. 84).
E gjithë kjo tregon se “standardi” i vendosur nga GJND-ja për ta dënuar një shtet për shkelje të Konventës Kundër Gjenocidit është shumë i lartë dhe çdo padi e cila do të mungonte t’i përmbushte këto “standarde” do të mund të dështonte. Pasojat në atë rast do të ishin të mëdha për Kosovën dhe do të ndikonin që të zbeheshin vendimet e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi ku janë vërtetuar krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, si dhe “ndërmarrja kriminale e përbashkët” e lidershipit serb në Kosovë.
Në debate shpesh është përmendur suksesi i Kosovës në GJND në vitin 2010, i cili do të mund të shërbente si argument për sukses të një padie. Kjo qasje do të ishte e gabuar, sepse në rast të dështimit, kjo mund t’i kthehet Kosovës si bumerang ashtu siç i ishte kthyer Serbisë, e cila e inkurajuar nga shfajësimi i saj nga përgjegjësia për gjenocid në Bosnje në vitin 2007, e kishte iniciuar në muajt në vijim procedurën para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të kërkuar mendimin e GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë se Kosovës. Fakti se për 73 vjet asnjë shtet nuk është dënuar nga GJND-ja për kryerje të gjenocidit, Qeveria e Kosovës duhet të mendojë dy herë para se të ndërmarrë një veprim të tillë.
Autori është profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës