Në kërkim të gjeneratave të forta, njeriu në Kosovë duhet t’i mbajë të vegjlit e vet me këmbë në tokë, ta kuptojnë se barrën e ndryshimit e kanë ata; se të mëdhenjtë pothuajse kanë dështuar. Ta kuptojnë që nuk bën dorëzuar karshi atyre që nuk zgjedhin mjete për ta ruajtur kaosin e mbijetesës së vet e karshi të vegjëlve të tyre që ua kanë trashëguar këtë mendësi
Në anën e djathtë në ekranin e kaltër qëndronte figura e një kalorësi e në të majtën shkruante “Anglia”. Përfundi një vijë ndahej nga fjala “Presents”. Kali qëndronte mbi atë vijë. Niste muzika të cilën po ashtu e mbaj mend, por nuk i di notat muzikore për ta përshkruar. Po ta dëgjonin ata që kanë shikuar televizion viteve ’80 do ta njihnin menjëherë. Pas pak notash, hiqeshin e kaltra, kalorësi dhe shkronjat. Shfaqej një glob duke u rrotulluar e afruar. Ndalej te Afrika. Ajo shndërrohej në video, që niste me një elefant që nxirrte ujin nga hunda e pastaj shfaqeshin disa kafshë të tjera. Globi sillej prapë dhe shfaqej Amerika me një video që niste me grizlin. Pas saj, Australia me kangurin dhe në fund oqeanet me balenën. Globi pastaj largohej e zvogëlohej për t’u shndërruar në shkronjën “O” të titullit “The WORLD of SURVIVAL”.
Televizioni i Prishtinës e përkthente “Ekzistenca”. Ishte seria e dokumentarëve të prodhuar nga televizioni britanik “Anglia” për jetën e egër, për natyrën. Me kureshtjen më të madhe i pata shikuar të gjitha episodet, dhe kjo, jo veç në TVP. Ka qenë ky programi ku u pata njoftuar me mbijetesën. Më kujtohet t’i kem pyetur disa herë prindërit e mi se pse këta që xhirojnë nuk bëjnë diçka për t’i shpëtuar kafshët e dobëta, të pafajshme, të bukura… nga, kryesisht, familja e maceve. Pata pyetur në disa raste, derisa e pata kuptuar që kur s’je i fortë mbetesh në dorën e fatit e në mëshirën e dikujt tjetër. Mbetesh për keqardhje e të hanë të uriturit. Antilopat që i shpëtonin një sulmi, mund të dështonin në tjetrin. Kameramanët e “Ekzistencës” nuk ndërhynin. Mua më vinte keq. Ato i hante leopardi. Ua shqyente gëzofin, ua merrte jetën dhe bukurinë bashkë me të.
Edhe sot më dhimbsen antilopat, por e di, e kam kuptuar qysh atëherë, se natyra ka rregulla. Në botën e egër ato shihen si e zeza në të bardhën. Tek ne kamuflohen, por ngjyrat kur hiqen çdo gjë thjeshtësohet në bazike. I forti fiton dhe jo krejt të dobëtit pësojnë. Shpëtojnë ata që kanë pasur fat apo, te bota jonë, ata që e dredhin. Kur ngjyrat hiqen, mund t’i shohësh të gjitha, përndryshe nuk mund ta dallosh kaprollin nga luani.
Kjo kolumne e Vitit të Ri nuk i takon turmës së kaprojve që shtiren si luanë, e realisht janë veç parazitë të kaosit ku nuk vlejnë ligjet e shtetit e as rregullat e natyrës. Me rëndësi janë njerëzit, të fortit e të dobëtit, që e popullojnë këtë vend, e që krijojnë balancën e shoqërisë pa të cilën nuk mund të ecet përpara. Mbijetesa e kaprojve ua ka bërë këtyre habitatin më të papërshtatshëm dhe për t’ia dalë në këto rrethana rregullat bëhen më të ashpra.
Pyetja është si t’ia dalësh në këtë mjedis. Kah duhet ta drejtojë e çka duhet t’i mësojë njeriu të voglit të vet për të mbijetuar në shtetin që nuk ua mbron të drejtat dhe në shoqërinë ku vlerat janë çoroditur? Si t’ia bëjnë njerëzit këtu që të prodhojë gjenerata të cilat nuk përshtaten, por sjellin ndryshim? Që 'vitat e ri' të na çojnë andej!
Dhe për ta gjetur zgjidhjen e një problemi të ndërlikuar, natyrisht niset me rregullat më të thjeshta. Me ato të natyrës, të cilën nuk është fare e drejtë ne ta quajmë e egër, por i ka mbetur ai emër. Rregulli kryesor është që i forti fiton. Megjithatë, nuk është aq e thjeshtë. Edhe në “The WORLD of SURVIVAL” nuk mjaftonte veç të ishe më i madh e më i shpejtë. Familjet e maceve, edhe krokodilët e kafshët e tjera kishin strategji që ua mësonin të vegjëlve të tyre për të dalë fitimtarë. Te ne të jesh i fortë do të thotë të jesh i aftë ta dallosh kaprollin nga luani; ta rezistosh rrugën e shkurtër e të mos u lakmosh parazitëve të kaosit. Do të thotë jo veç të mos ikësh, jo veç të ballafaqohesh, por edhe ta ndjekësh atë që të sulmon, të vjedhë, të rrezikon...
Në kërkim të gjeneratave të forta, njeriu në Kosovë duhet t’i mbajë të vegjlit e vet me këmbë në tokë, ta kuptojnë se barrën e ndryshimit e kanë ata; se të mëdhenjtë pothuajse kanë dështuar. Ta kuptojnë që nuk bën dorëzuar karshi atyre që nuk zgjedhin mjete për ta ruajtur kaosin e mbijetesës së vet e karshi të vegjëlve të tyre që ua kanë trashëguar këtë mendësi.
Në kërkim të gjeneratave të forta, njeriu në Kosovë duhet t’i njoftojë të vegjlit e vet me origjinën, që ta kuptojnë se jo krejt çka shohin sot na takon neve; që kultura e besimi sikurse kaprojtë shtrembërohen kur mbretëron kaosi. Ta kuptojnë se nuk bën përqafuar rrymat verbërisht.
Në kërkim të gjeneratave të forta, njeriu në Kosovë duhet t’ua mësojë të vegjëlve të vet artin e vetëmbrojtjes e vetëpërmbajtjes, që të dinë kur dhe si të përgjigjen kur kanë punë me ngucakëqij e me njerëz të pamarrur vesh. Ta ruajnë integritetin e vet dhe krenarinë në rrugëtimin e vështirë derisa bartin barrën e ndryshimit.
Andaj, le të jetë ky vit dhe të tjerët pas tij, viti i gjeneratave të forta!