Gazetaria sportive është e dyta për nga interesimi që ka shoqëria jonë për të, pas gazetarisë të sektorit të politikës. Kjo deri diku reflekton edhepozitën që e kanë gazetarët sportiv në mediet tona, pasi shumica prej tyre kanë redaksi të sportit.
Gazetaria sportive është zhvilluar ndër vite dhe ka ndryshuar krahas ndryshimeve teknologjike të kohës. Teksti i parë i gazetarisë sportive daton nga viti 1733, një artikull në Boston Gazzette për një meç boksi. Në fillim të shekullit të 20-të, Radioja solli mbulimin e parë të drejtpërdrejt të një ngjarjeje sportive. Olimpiada e Berlinit më 1936 është ngjarja e parë e transmetuar në TV.
Zhvillimi teknologjik ka ndryshuar formën e raportimit edhe në gazetarinë sportive.Interneti kombinon të tri mediet tradicionale në mënyrën e mbulimit të ngjarjes. Nëse në gazetë kemi paralajmërimin e ngjarjes dhe më pas, përmbledhjen e saj, televizioni e radioja ofrojnë mbulim të drejtpërdrejtë dhe të hollësishëm në formë narracioni radiofonik e televiziv, kurse portalet kanë në brendi të gjitha këto.
Tjetër ndryshim është efekti i teknologjisë në mbulimin e një ngjarjeje sportive. Nëse më parë gjithçka kuptohej nga aftësia e komentatorit të radios për ta përshkruar detajisht ngjarjen, në TV, dalëngadalë paraqitja e ngjarjes i kaloi teknologjisë, sepse, kamera flet më shumë se sa komentatori. Me fjalë të tjera, kamera po cilësohet si pjesë më e rëndësishme e shprehjes apo gjuhës televizive, se sa vetë gjuha e folur. Sot, një ndeshje futbolli mbulohet nga qindra kamera që ia paraqesin publikut ndeshjen me çdo detaj të saj. 40 kamera fikse ishin në Bernabeu në El Clasicon Real Madrid-Barcelona dhe, dy prej tyre ishin enkas për Ronaldon e Messin. Përdorimi i mundësive që ofron teknologjia natyrisht se e ka përplotësuar mbulimin e një ngjarjeje dhe ajo sot, mund t’i percillet publikut shumë më e kompletuar.
Në vitet e fundit, media sportive është transformuar në masë të ngjashme me industrinë mediale në përgjithësi, megjithatë, gazetaria sportive vazhdon të ketë një pozicion të veçantë në fushën e gazetarisë. Të jesh një gazetar sportiv sot do të thotë të kombinosh përgjegjësitë e përgjithshme të profesionit me kërkesat e veçanta të sportit.
Edhe gazetaria sportive ka kaluar nëper procesin e tabloidizimit dhe kemi shumë raste kur kryelajmet janë bërë bazuar në spekulime në vend të fakteve. Kjo bën që të luhatet kredibiliteti i nje medie të caktuar e më gjerë. Në veçanti, kjo vlen për ato portale që shpesh shohim të kenë tituj sensacional dhe me mungesë të standardeve profesionale. I vetëdijshëm se këtë e bëjnë për klikime, them se tërheqja e lexuesit në këtë mënyrë është e gabuar. Nuk ka qenë e rastësishme kur në disa raste, gazetarët e portaleve janë ballafaquar me probleme për akreditim në ngjarje të mëdha sportive. Kjo mund të jetë edhe si rrjedhojë që shumica e portaleve nuk prodhojnë përmbajtje origjinale dhe lajmi kopjohet, prandaj lajmin e njëjtë e gjejmë në disa portale.
Arsimimi për gazetari sportive, i domosdoshëm
Shpesh dëgjojmë se gazetarëve sportivë në redaksitë e sportit në mediet tona u mungon baza e rregullave profesionale të raportimit dhe deri diku kjo mund të jetë e vërtetë, sepse kemi gazetare që nuk kanë përfunduar studime në fushën e gazetarisë. Gazetarit sportiv nuk i mjafton vetëm ta pëlqejësportin, apo vetëm t'i ndjek ngjarjet sportive, por, medoemos i duhen edhe njohuritë bazike të të bërit gazetari. Kjo vlen më shumë për portale, sepse në to ka më shumë të rinj të cilët po i marrin hapat e parë të gazetarisë sportive, derisa në redaksitë e medieve tradicionale, megjithatë ka gazetarë me përvojë më të madhe.
Tani, me qellim të përmirësimit të gazetarisë sportive, studentëve që përfundojnë studimet në gazetari, duhet t’u jepet më shumë hapësirë në portalet tona e më gjerë. Në konferencë kemi disa studentë të gazetarisë në UP, të gjithë e pëlqejnë sportin dhe që të gjithë janë pajisur e vazhdojnë të pajisen me njohuri teorike dhe i kanë mësuar rregullat e gazetarisë, pra, kanë një ‘bagazh’ të mirë për një gazetar të ri. Por, krahas njohurive të përgjithshme për sportin që mund të ketë, gazetarin e ri duhet ta “armatosim” edhe me rregullat praktike të të bërit gazetari, duke filluar nga rregullat bazike e deri te ato etike të gazetarisë, etj.
Këto, besoj, do ta ndihmonin atë të jetë më shumë i vetëdijshëm për rolin e tij dhe ta kuptojë kur vepron në kundërshtim me standardet profesionale, kur i kërkohet ashtu.
Përndryshe, do të vazhdojmë të ballafaqohemi me problemin e titujve joprofesionalë dhe sensacionalë e pa përmbajtje, ose me përmbajtje të shpifura.
Sot, baza e të qenit gazetar sportiv vijon të jetë e njëjtë. Aftësi të mira shkrimi, një kuptim i mprehtë dhe një pasion për lojën e bëjnë tiparin e një gazetari të mirë sportiv. Me gjithë ndryshimet teknologjike, këto tipare mbeten shenjë dalluese e përsosmërisë në gazetarinë e sportit. Por, në ditët e sotme, natyrisht, një gazetar sportiv përveç se shkruan artikullin, duhet të jetë i gatshëm të inçizojë, te xhirojë, të editojë e tetransmetojë nëpërmjet Facebook-ut apo portalit, për të shpërndarë lajmin (e shohim të ndodh kjo vazhdimisht në konferenca të ndryshme, p.sh. pas sukseseve të Majlinda Kelmendit në xhudo apo të Perfaqesueses se Kosovës në futboll), dhe të bashkëveprojë me audiencën në rrjetet sociale.
(Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë në UP dhe gazetar i sportit në KTV. Teksti është pjesë nga diskutimi i autorit në konferencën me temë: “Sporti dhe Media” që është mbajtur më 27 dhjetor në Prishtinë)