OpEd

Gazetarët nuk kanë faj pse Asociacioni po e mban peng Kosovën

Gabim e kanë ata që mendojnë se nëse gazetarët nuk e përmendin në pyetjet apo raportimet e tyre Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, atëherë kjo temë do të zhdukej dhe Kosova do të flinte rehat pa këtë çështje. Asociacionin nuk e kanë shpikur gazetarët, por të zgjedhurit e popullit dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës. Politikanët le të grinden mes vete, le të kritikojnë Amerikën, Francën e Gjermaninë sa të duan, le të shprehin mllefin ndaj BE-së e Serbisë, ndaj QUINT-it e Shqipërisë, ndaj Baroneshës Ashton dhe Josep Borrellit, por le t’i lënë gazetarët rehat të bëjnë punën e tyre. E si mund të mos parashtrohen pyetje për Asociacionin, kur është kryefjala e secilit takim ndërkombëtar e tash edhe pengesë eventuale që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës

Nëse do të bëhej një kuiz ku do të duhej numëruar sa më shumë elemente pse themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte ide e gabuar, dhe shumë e dëmshme për Kosovën, besoj se do të kisha gjasa reale të jem fitues në një garë të tillë. Ideja për themelimin e Asociacionit ka lindur për t’i dhënë Serbisë diçka që do ta kënaqte, që është “më shumë se Ahtisaari, e më pak se autonomia”. Dhe në këtë mënyrë, për të siguruar se “edhe Serbia fiton diçka, e edhe Kosova humbë diçka”. Dhe sikur i tërë dialogu deri me tash, edhe Marrëveshja për Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe shkon drejt segragacionit etnik të serbëve e jo drejt integrimit të tyre në shoqërinë dhe sistemin e Kosovës. Por kjo është një temë në vete për të cilën është legjitime të shprehen mendime, të shkruhen teste, të bëhen protesta, të kërkohen analiza dhe mendime të gjykatave. E mirë apo e keqe, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që BE-ja e quan edhe Bashkësi, është bërë obligim i Kosovës. E ka marrë në emër të Kosovës këtë përgjegjësi udhëheqësia shtetërore në vitin 2013 dhe më vonë edhe më 2015. Dhe e ka bërë obligim ligjor më shumicën e nevojshme Kuvendi i Republikës së Kosovës. Se duhet të themelohet, është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ka gjetur shkelje, por ka dhënë udhëzime që duhet të merren parasysh për themelimin.

Vërtet Lëvizja Vetëvendosje, e cila tash është parti politike në pushtet në Kosovë, një masë të madhe të profilit të saj e ka krijuar duke kundërshtuar Asociacionin. Por tash është në pushtet dhe nga ajo kërkohet që, sikur çdo qeveri legaliste, të zbatojë atë që është obligim të cilin në emër të Kosovës e kanë marrë të tjerët që në pushtet ishin para tyre. Sikur ata që një ditë do të vijnë në pushtet, në të ardhmen do të duhej të zbatojnë obligimet që dikush sot do t’i marrë përsipër në emër të Kosovës.

Gazetarët nuk duhet të brengosen se kujt i konvenon e kujt jo që të përmendet në media detyrimi për themelimin e Asociacionit. Në fakt gazetarët duhet të bëjnë maksimumin për të informuar sa më mirë që të jetë e mundur. Kujt i konvenon e kujt nuk i konvenon politikisht në momentin e caktuar, nuk duhet të jetë çështje shqetësimi e gazetarëve. Gazetarët nuk janë më “punëtorë shoqëroro-politikë të edukuar në frymën e marksizmit”, por janë profesionistë që do të duhej të punonin me qëllimin e vetëm të informimit të publikut, në mënyrë objektive pa manipulime të qëllimshme. E politikanët duhet të shikojnë punët e tyre dhe të mos mendojnë se liria e shprehjes nënkupton edhe të drejtën për të sulmuar gazetarët. Kur gazetarët kritikojnë politikanët, atëherë ata janë duke e kryer punën e tyre. Kur politikanët kritikojnë dhe sulmojnë mediat atëherë janë duke e keqpërdorur pozitën e tyre. Dikujt mund t’i duket e padrejtë kjo ndarje e roleve, por nuk kemi çka t’u bëjmë. Kështu është realiteti. Tjetër gjë është kur duhet përgënjeshtruar ndonjë të pavërtetë. E drejta për reagim ndaj së pavërtetës i takon secilit.      

Gabim e kanë ata që mendojnë se nëse gazetarët nuk e përmendin në pyetjet apo raportimet e tyre Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, atëherë kjo temë do të zhdukej dhe Kosova do të flinte rehat pa këtë çështje. Asociacionin nuk e kanë shpikur gazetarët, por të zgjedhurit e popullit dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës. Politikanët le të grinden mes vete, le të kritikojnë Amerikën, Francën e Gjermaninë sa të duan, le të shprehin mllefin ndaj BE-së e Serbisë, ndaj QUINT-it e Shqipërisë, por le t’i lënë gazetarët rehat të bëjnë punën e tyre. E si mund të mos parashtrohen pyetje për Asociacionin, kur është kryefjala e secilit takim ndërkombëtar, e tash edhe pengesë eventuale që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Sulmet ndaj gazetarëve pse ata bëjnë pyetje, e madje insistojnë në kërkim të përgjigjeve rreth Asociacionit, janë të papranueshme. Të mos bësh sot pyetje për Asociacionin do të ishte sikur puna e makushit që vë kokën në rërë. Kosova sot për shumë gjëra është peng e detyrimit për themelimin e Asociacionit. Kjo do të mund të bëhet edhe arsye pse Kosova mund të mos pranohet në Këshillin e Evropës pas dhjetë ditësh. Dhe mund të ndodhë që politikanët, edhe ata në Prishtinë, edhe në Bruksel e Berlin, Paris e Londër të mundohen ta bindin opinionin se “nuk është dështim”. Sepse nuk e kanë shpikur gazetarët kushtin që Kosovës, për të siguruar votat e duhura për anëtarësim në Këshillin e Evropës nga ministrat e Jashtëm të vendeve, i është vënë që të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtë e kanë përmendur së pari miqtë amerikanë, pastaj edhe ata gjermanë e francezë, e gazetarët vetëm e kanë kuptuar këtë. Dhe po shkruajnë e bëjnë pyetje. Dhe kështu duhet të vazhdojnë, sepse kjo edhe është detyra e tyre kryesore. Duke mos bërë pyetje, nuk do të zhduket kjo temë.