Gazeta është produkt bazik dhe shumë funksional. Mbi të gjitha ofron material për lexim. Por, me të mund të ndiqen edhe mizat, të pastrohen xhamat, të dredhet duhani, mbështjellën librat dhe fletoret, bëhen kapelat për të lyer muret, mbi to lahet peshku, në to vendosen gështenjat e pjekura, farat dhe leblebijat, kikirikët e pjekur, besa edhe patatet e skuqura. Mbi to thahen kumbullat e mollët, ndizet zjarri.... vargu i përdorimit të gazetës mund të vazhdojë deri në pafund. Sot gazeta duket si një specie e rrezikuar dhe në zhdukje. Prandaj, duhet angazhim për ta shpëtuar. Sepse është mbi të gjitha pjesë e kulturës së një shoqërie. Dhe kështu mbetet edhe në kohën kur ka shumë media, gjithnjë e më shumë gazetarë, por gjithnjë e më pak gazeta. E në Kosovë aspak
Qëkur ekziston njerëzimi ka pasur metoda dhe mjete komunikimi. Që në fillim ishin ato vizuale dhe tingëllore. Sinjali dërgohej përmes tymit ose përmes zërit. Më vonë populli njoftohej përmes daulleve dhe tellallëve, por edhe përmes shpalljeve të shkruara të vendosura në sheshe dhe mure. Avancoi me zbulimin e papirusit në Egjiptin e lashtë gati 3.000 vjet para Krishtit e 4.000 vjet më vonë edhe me zbulimin e letrës. Shkrimi u bë baza e evoluimit të shoqërive.
Ndoshta nga kjo kohë mund ta konsiderojmë lindjen e ndarjes së mediave në “audio, video dhe të shkruara” që ekzistojnë dhe sot. Përmes shkrimeve u përcollën zbulimet, mendimet, njoftimet. Librat e gazetat ishin njësi matëse e zhvillimit të ndonjë shoqërie. Evolucioni shkoi tutje me zbulimin e shtypshkronjës nga Gutenbergu në Gjermani, pastaj me fillet e fotografisë. U zbulua edhe metoda e përcjelljes së zërit përmes telit. Doli edhe radio e më pas edhe televizioni. E gjithë kjo ndodhi përmes mijëra vjetësh. Por, evolucioni më i madh ndodhi në këta 30 vjetët e fundit.
Ja unë si gazetar kam kaluar një përvojë, e cila dikujt sot mund t’i duket si mit apo e pabesueshme. Tekstet e para për revistën KOHA në fillim të viteve 90 të shekullit të shkuar i kisha shkruar në makinë shtypi në Zagreb. Pasi në Kroaci ishte luftë dhe nuk kishte lidhje telefonike me Kosovën, tekstet i dërgoja me “fax” në Shkup te kolegu Seladin Xhezairi. Ai pastaj po me “fax” i dërgonte në Prishtinë. Aty daktilografja e rishkruante përsëri për ta vendosur në pllaka për shtyp. Më thoshin më vonë se i duhej shumë mund pasi shkronjat mezi shiheshin. Ishin zbehur duke kaluar nga Zagrebi në Shkup e nga Shkupi në Prishtinë. Vetëm pak vite më vonë doli emaili, për ne zbulim evolucionar. Në një “flopy disk” (më i madh sesa formati i një Ipadi të sotëm!) regjistroje tekstin, shkoje në një nga pak vende si në shoqatën e gazetarëve në Kroaci ku kishte “email” dhe e dërgoje në “Kohën Ditore”. Dhe ata menjëherë e kishin të shkruar, pa nevojë që ta rishkruajnë. Dhe KOHA nisi edhe web faqen. Dhe historia vazhdoi.
Sot me një telefon të vetëm bëj gjërat që vetëm para disa vitesh duhej një ekip i tërë. Xhiroj raportin, e dërgoj përmes internetit direkt, shkruaj tekste, incizoj zërin. Dhe atë edhe për TV edhe web, edhe atë që vazhdojmë ta quajmë “gazetë” e në fakt është versioni PDF i “Kohës Ditore” që del në sajtin e KOHËS.
Me mall të madh pashë një reportazh në TV se si Liridon Kadriu, një lexues besnik për ditë printonte faqet e gazetës “Koha Ditore” dhe i lexonte, sepse donte të ketë në dorë atë që lexon. Nuk donte ta humbiste atë veti. Si mijëra kosovarë të tjerë, nuk u shkon kafja e mëngjesit pa gazetë.
Kosova ka mbetur i vetmi shtet në Evropë që nuk ka një gazetë ditore. Ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur as në kohën e Milosheviqit. Kur pashë këtë lexues duke printuar gazetën mu kujtuan ditët më të vështira të gazetës dhe gazetarëve. Kur flisja me axhën Nehat Islami, legjendën e gazetarisë sonë, me Ibro Osmanin, axhën Zenun Çelaj, legjendën tjetër, Jemi Mikullovcin e pazëvendësueshëm, Albanin, Agronin e Xhovanin, dhe shumë kolegë të tjerë të gjeneratave të ndryshme është e pamundur të mos hapet muhabeti “si mbetem pa gazetë”. Me kujtohen edhe ditët kur “Koha Ditore” dilte si refugjate në Maqedoni, kur duke hyrë me trupat e NATO-s më 12 qershor 1999 solla me vete disa qindra kopje dhe rrugës ua shpërndaja njerëzve që kishin dalë për të pritur çlirimtarët. I gëzoheshin edhe gazetës, sepse edhe kthimin e atë e shihnin si një fillim të një jete normale, pa frikë. JO pa arsye pushtuesit godisnin së pari gazetat. Jo rastësisht edhe regjimi i Slobodan Milosheviqit sulmoi së pari mediat, ndaloi gazetat, pastaj sulmoi gazetarët. Kështu bëjnë edhe sot diktatorët.
Pa marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë së mediave, shpejtësisë që ofron webi dhe TV, gazeta mbetet themel i gazetarisë profesionale. Në vendet e zhvilluara, TV-të nisin ditën duke lexuar shtypin. Ajo që shkruhet në gazeta vazhdon të vendosë edhe agjendën e zhvillimeve dhe debateve për atë ditë. Gazetat vazhdojnë të kenë edhe sot ndikimin më të madh, sesa mediat e tjera. Dhe kjo nuk varet nga numri i atyre që e kanë lexuar, por nga natyra e gazetës. Ajo nuk është sipërfaqësore, siç janë mediat e tjera. Ajo gjithmonë jep më shumë sesa 2 minuta në TV apo një postim në rrjetet sociale. Dhe, ajo që shkruhet në gazetë mbetet e arkivuar, mund ta gjejë dikush pas 10 apo 100 vjetësh.
Pak ndodh, që për shembull në BE dikush të reagojë për ndonjë raportim në TV në Kosovë. E rrallë ndodh që të mos e vërejnë atë që shkruhet në gazetë.
Gazeta është produkt bazik dhe shumëfunksional. Mbi të gjitha, ofron material për lexim. Por me të mund të ndiqen edhe mizat, të pastrohen xhamat, të dredhet duhani, mbështillen librat dhe fletoret, bëhen kapelat për të lyer muret, mbi to lahet peshku, në to vendosen gështenjat e pjekura, farat dhe leblebijat, kikirikët e pjekur, besa edhe patatet e skuqura. Mbi to thahen kumbullat e mollët, ndizet zjarri.... vargu i përdorimit të gazetës mund të vazhdojë deri në pafund. Sot gazeta duket si një specie e rrezikuar dhe në zhdukje. Prandaj, duhet angazhim për ta shpëtuar. Sepse është mbi të gjitha pjesë e kulturës së një shoqërie. Dhe kështu mbetet edhe në kohën kur ka shumë media, gjithnjë e më shumë gazetarë ( dhe “gazetarë” ), por gjithnjë e më pak gazeta. E në Kosovë aspak.
Kur ishim të rinj, në vitet e gjimnazit, vërenim se si ata pak më të moshuar se ne, por akoma të rinj, mbanin gjithmonë nën sqetull një gazetë. “Për t’u dukur si intelektual” thoshim ne. Kjo sidomos vërehej kur kishin ndonjë takim me ndonjë vajzë!. Pos që ishte mjet informimi, ishte edhe një simbol i statusit social të jesh lexues i gazetës. Kur udhëtoja me autobus nga Peja për Prishtinë apo Istog, shumë udhëtarë në dorë kishin gazetën dhe lexonin. Më vonë dolën “video kasetat” dhe udhëtarët zbaviteshin duke parë Qumilin, Sheremetin e Delinë, Lecin e Cimën (që na e mori në mënyrë të pamëshirshme kaq herët koronavirusi). Udhëtimi ishte si një ritual. Siç ishte edhe leximi i gazetës në mëngjes me kafe, në shtëpi apo kafenenë ose çajtoren e mëhallës. Edhe te berberi të priste gazeta, me bonus që atë të cilën e lexon ta komentosh edhe me berberët të cilët zakonisht janë agjencia më e mirë e lajmeve. Nuk u ikte asgjë!
Kultura e leximit të gazetave nuk ka vdekur. Edhe sot në autobus, tren, kafene në Evropë sheh njerëz duke lexuar gazetë. Ka vërtet më shumë që shikojnë dhe lexojnë në telefon, por gazeta mbetet akoma gjallë dhe i bën ballë kohës.
Mirë është që kemi tash këtë botim të “Kohës Ditore” për Vitin e Ri. Me shpresë që në këtë vit të ri ta kthejmë gazetën e përditshme. Dhe të bëhemi prapë me gazetë, letër që mban në dorë, shfleton dhe lexon.