OpEd

Garë për vendin e fundit

Kosovës i duhet një opozitarizëm ndryshe. Një opozitë inspiruese, jo një opozitë denigruese. Një opozitë që lufton status-quonë, jo një që e ruan atë. Një opozitë që na hap horizonte të reja të mundësive për të ardhmen, jo një që na mban të kapur në të kaluarën. Vendi do të përfitojë nga një opozitë që eklipson pushtetin, jo një që e degradon atë në nivelin e tyre

Më 25 mars 2020, kur u rrëzua Qeveria Kurti 1, patjetër se të gjithë kemi pritur se Kurti, Thaçi, Mustafa, Osmani, etj., do të jenë personat kryesorë të ditës, por absolutisht askush nuk ka pritur se ylli i ditës do të jetë ish-deputeti Haxhi Shala. Ky besoj ishte gabimi ynë pasi që kemi nënvlerësuar dikë që ka nofkën “Topi”. Dhe në këtë sens topi u ndez atë ditë. Nuk besoj se as vetë ish-deputeti Shala, aka Topi, ka qenë i vetëdijshëm se atë ditë do të shpërthejë dhe do të hyjë në histori me deklaratën e tij se “virusi shpresa nga sot më nuk do të jetë”. Por kështu e ka edhe jeta e topit, asnjëherë nuk e di se kur do të qëllojë në shenjë. Sidoqoftë, reagimi publik ndaj kësaj deklarate ishte i menjëhershëm dhe intensiv. Topi vuri në lëvizje ortekë publikë. Kjo ndodhi jo sepse ish-deputeti Shala tha diçka të jashtëzakonshme, por sepse ai zbuloi publikisht atë çfarë të gjithë kolegët e tij mendonin privatisht. Nga ana tjetër, për të qenë fer edhe ndaj ish-deputetit Shala nuk besoj se ai ka dashur të thotë ekzakt këtë që e ka thënë. Ky gabim i tij linguistik ishte pasojë e përvojës së tij të kufizuar në çfarëdo ndërmarrjeje më komplekse dialektike. Duhet pasur parasysh se topat nuk janë në biznesin e finesave. Me gjasë nëse do ta kishte kthyer kohën mbrapa, ish-deputeti Shala do të kishte zgjedhur një fjalor tjetër. Mirëpo përderisa ndoshta fjalorin edhe do ta kishte ndryshuar, jam i bindur se ish-deputeti qëndron plotësisht mbrapa thelbit të cilin ai e komunikonte, e ajo është se për opozitën qeverisja e Kurtit ishte rrezik të cilin duhej ndalur.

Shala e kishte parë saktë rrezikun e qeverisjes së Kurtit dhe përkundër suksesit afatshkurtër për ndalimin e qeverisjes Kurti, pas pak muajsh ai nuk arriti të rizgjidhej deputet, ndërsa pjesa tjetër është histori. Dhe përderisa ish-deputeti është tani pjesë e historisë, fjalët e tij vazhdojnë të jetojnë edhe sot në opozitarizmin e qeverisjes Kurti. Në fakt, ndalja e shpresës u shndërrua në kredo të opozitarizmit. Në një sens ish-deputeti Shala u bë apostol i opozitës që do të vijë.

***

Kësisoj, pas largimit të ish-deputetit Shala opozita moderne vazhdoi të jetësojë me devotshmëri mohimin e shpresës së qytetarëve. Një lloj kryqëzate kundër progresit në Kosovë. Për të kuptuar këtë duhet parë sjelljen e opozitës përballë tri gjërave të interesit madhor publik që kanë dominuar kohëve të fundit: vettingu, trusti dhe arsimi.

E para, vettingu. Pra, e gjithë shoqëria jonë kupton se në ç’gjendje të rëndë e kemi sistemin e drejtësisë. Pasojat e një sistemi të dobët drejtësie po shpërfaqen në të gjitha fushat e jetës. Ato pengojnë proceset tona integruese, inkurajojnë pandeshkueshmerinë brenda institucioneve shtetërore, prishin mjedisin biznesor dhe parandalojnë investimet e huaja direkte. Por jo vetëm kaq: mungesa e një sistemi efektiv drejtësie është duke iu kushtuar me jetë vajzave, grave dhe familjeve të Kosovës. Ekspertet e fushës, sikur Instituti i Kosovës për Drejtësi, në vazhdimësi kanë identifikuar vettingun si zgjidhje më efektive për të avancuar sundimin e ligjit në Kosovë. Prej kohësh VV-ja është zotuar se do ta zbatojë vettingun. Kësisoj, drejtësia ishte kryefjala e fushatës së fundit zgjedhore të VV-së. Për qytetarët vettingu është shpresa për reformimin e sistemit të drejtësisë, por për opozitën shpresa është rreziku. Prandaj ajo edhe e kundërshtoi. Disa e kundërshtuan hapur, ndërsa disa e kamufluan kundërshtimin, por në thelb opozita i shpalli luftë vettingut.

E dyta, Trusti. Pra, shumica prej nesh kuptojmë se tërheqja e parave të Trustit nuk është zgjidhje për vështirësitë momentale ekonomike. Paratë e Trustit nuk janë zgjidhje as për vete, as për ekonominë tonë. Ekspertët e fushës, sikur Instituti GAP, në vazhdimësi kanë kundërshtuar tërheqjen e kursimeve pensionale. Përderisa qeveritë e mëparshme kanë dështuar të përmbahen nga ky epsh populist, mazhoranca e sotme ende po u reziston thirrjeve për shkatërrimin e Trustit Pensional. Por opozitën nuk po e intereson Trusti, po e intereson eliminimi i rrezikut të kësaj mazhorance, rrjedhimisht në betejën kundër “virusit të shpresës” ajo ka vendosur t’i militarizojë edhe kontributet tona pensionale.

E treta, greva në arsim. Pra, e gjithë shoqëria jonë e kupton se në ç’gjendje të rëndë e kemi sistemin e arsimit. Pasojat e një sistemi të dobët arsimi na kanë garantuar vendin e fundit në botë për cilësinë e arsimit. Cilësia e dobët e arsimit është pasojë e një politike të gabuar arsimore, ku në vend të nxënëseve kemi investuar në godinat e shkollave, dhe në vend të investimit në cilësinë e arsimtarëve kemi blerë lojalitetin e votuesve. Ekspertët e fushës, sikur KEC, ORCA dhe EdGuard, në vazhdimësi kanë ngritur alarmin e cilësisë së dobët të sistemit arsimor. Përmirësimi i cilësisë së arsimit ishte një nga zotimet e Qeverisë Kurti. Madje kryeministri Kurti bëri thirrje për Epopenë e Arsimit. Ndërsa sot kur opozita ka mundësinë e artë të bashkohet në korrigjimin e politikës së gabuar të rritjes populiste të pagave, ajo zgjedh përsëri ta luftojë Qeverinë me qëllim të parandalimit të “virusit të shpresës” - shpresës se edhe arsimi ndonjëherë do të reformohet.

Pra, në përmbledhje opozita me veprimin e saj opozitar dëshiron të na bindë se sistemi i drejtësisë është i shkëlqyer, sistemi arsimor është cilësor, ndërsa pensionet janë luks. Rrjedhimisht, vettingu është i panevojshëm, pagat e mësimdhënësve duhet rritur dhe pensionet duhet shpenzuar. Me fjalë të tjera, recetë për vetëvrasje të shtetit.

***

Çfarë dua të them me këta tre shembuj është se prej kohësh opozita ka vendosur në kredon e saj dështimin e Kurtit. I gjithë basti dhe angazhimi i tyre politik nuk është propozimi i alternativave progresive publike, por sigurimi i dështimit të Kurtit. Ai duhet të dështojë që të vdesë shpresa. Ai duhet të dështojë, në mënyrë që qytetarët të binden se Kurti nuk mund të ofrojë më mirë se çfarë ka ofruar opozita në qeverisjen e saj. Pra, në sens opozita ka zgjedhur të bëjë garë për vendin e fundit. Në këtë kuptim Kurti duhet të dështojë në çdo përpjekje të tij për reformë. Duhet të dështojë në menaxhimin e pandemisë, duhet të dështojë në vetting, duhet të dështojë në trust, duhet të dështojë në parandalimin e rritjes së çmimeve, duhet të dështojë në sigurimin e rrymës, dhe duhet të dështojë përballë SBASHK-ut. Deri në një masë një agjendë e tillë negative është e kuptueshme. Opozitarizmi asnjëherë nuk mund të divorcohet nga kritika ndaj pushtetit. Kjo është normale në gjithë botën, por problemi me opozitarizmin në Kosovë është se kjo po shkon në ekstrem. Pra, agjenda negative e opozitarizmit është në çekuilibër të plotë me formulimin e politikave progresive opozitare. Agjenda pozitive opozitare në fakt virtualisht nuk ekziston. Çfarë ekziston është një repertoar i pasur i “shpresa nuk do të jetë më”, “Aaa robt ja q***” dhe “Albin Kurti mundet me m’kapë veç për k***”. Prandaj, në konkurrencë më këtë fjalor akuzat për “shtet diktatorial” dhe “regjim autoritar” fillojnë të normalizohen si diskurs i moderuar opozitar.

Kosovës nuk i duhet kjo. Kosovës i duhet një opozitarizëm ndryshe. Një opozitë inspiruese, jo një opozitë denigruese. Një opozitë që lufton status-quonë, jo një që e ruan atë. Një opozitë që na hap horizonte të reja të mundësive për të ardhmen, jo një që na mban të kapur në të kaluarën. Vendi do të fitojë nga një opozitë që eklipson pushtetin, jo një që e degradon atë në nivelin e tyre.