Pse Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, në vend se ta bëjnë Qeverinë bashkë dhe ta çojnë përpara vullnetin e qytetarëve, po e vazhdojnë fushatën zgjedhore, por kësaj radhe jo kundër partive të PAN-it, por kundër njëra-tjetrës?
FUSHATA ZGJEDHORE ka përfunduar më 4 tetor, në mesnatë.
Kutitë e votimit janë mbyllur më 6 tetor, në orën 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka certifikuar rezultatet më 27 nëntor, në mesditë.
Mirëpo, edhe sot e kësaj dite, në mes të janarit, në Kosovë duket se po vazhdon fushata zgjedhore. Me një dallim të vetëm krahasuar me fushatën zgjedhore zyrtare. Kësaj radhe në fushatë janë vetëm dy parti, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy subjekte, të radhitura si e para dhe e dyta me vullnetin e qytetarëve votues, ende nuk ia kanë dalë ta kurorëzojnë premtimin e përbashkët dhënë vetë qytetarëve, ta formojnë Qeverinë së bashku.
Përkundrazi, ato, për mbi 100 ditë, më tepër janë marrë me njëra-tjetrën, ose më mirë thënë për ta zënë ngushtë njëra-tjetrën, sesa për ta çuar në vend votën qytetare dhe premtimin e dhënë. Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja po e vazhdojnë fushatën zgjedhore, por kësaj radhe jo kundër partive të PAN-it, por kundër njëra-tjetrës.
Së fundi, pas shumë intervistash televizive, konferencave të shtypit e organizimeve të tjera, kanë filluar t’i bëjnë publike me shkrim ofertat (për pazare!) ndaj njëra-tjetrës, kurse kanë dështuar ta bëjnë publike, si me shkrim a si me gojë, programin e tyre qeverisës.
Si të kuptohet kjo? Assesi ndryshe sesa fushatë paselektorale për ta arsyetuar vetveten dhe për ta vënë në pozitë të pavolitshme partnerin e synuar. Garë groteske, e cila më shumë po synon arsyetimin e mosmarrëveshjes sesa arritjen e marrëveshjes. Veçse duket se e kanë harruar një hollësi shumë të rëndësishme, se – e kundërt me fushatën zgjedhore – kjo qasje nuk rekruton më shumë votues, por përkundrazi, i irriton edhe më tepër ata që kanë votuar për ta herën e parë, duke besuar në ndryshim mendësie qeverisëse.
GJATË GJITHË kësaj kohe, në vend se të fillojnë të qeverisin, LVV-ja dhe LDK-ja kanë akuzuar njëra-tjetrën, por kanë harruar thuajse krejtësisht idenë fillestare të shkuarjes në zgjedhje. Ato i kanë harruar fare PDK-në, AAK-në, NSD-në e AKR-në. Të gjitha këto parti, bashkë edhe me komunitetet pakicë, të cilat, sipas LVV-së dhe LDK-së, kanë qeverisur tepër keq, vazhdojnë të qeverisin me vendin, dhe të gjitha janë edhe sot të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Në të njëjtën kohë mediat janë të mbushura plot me raportime e shkrime për abuzime të shumta dhe skandale të Qeverisë në ikje, por Kurti e Mustafa s’merren me to se merren me njëri-tjetrin.
Harrojnë se me secilin skandal të ri të Qeverisë në largim, një faturë i shkon Qeverisë për skandalin, por një tjetër i shkon edhe LVV-së dhe LDK-së për zgjatjen e jetës së saj.
Ato, gjithashtu, harrojnë se plot 63 deputetë të Kuvendit të ri vazhdojnë të jenë nga partitë politike pjesë e Qeverisë në largim, pra edhe sot janë shumicë në Kuvend, ndërkohë që partia e Kurtit dhe e Mustafës bashkë i kanë vetëm 57 deputetë, që do të thotë se aktualisht nuk e kanë shumicën.
Pra, teksa LVV-ja dhe LDK-ja s’po munden ende të bëjnë koalicion, PANA dhe minoritetet vazhdojnë të jenë në koalicion.
Jorastësisht edhe letra e presidentit Thaçi, në të cilën thuajse shkarazi ai përmend mundësinë që partia fituese mund të refuzojë ta marrë mandatin dhe se atij i duhet të veprojë. Nëse edhe disa ditë nuk dërgohet zyrtarisht emri i mandatarit për formimin e Qeverisë së re në Presidencë, Thaçi patjetër se do ta trajtojë këtë çështje me Gjykatën Kushtetuese, ose të gjejë ndonjë interpretim të ri në emër të përgjegjësisë për të siguruar funksionimin e institucioneve shtetërore.
Së këndejmi, Kurti e Mustafa sigurisht e kanë të qartë se nuk është koha për gjumë të rehatisë e aq më pak për dobësim të pozitave të ndërsjella. Nëse e kanë pasur seriozisht ndryshimin, duhet ta gjejnë forcën që ta shohin “big picture”, se momentalisht janë të humbur nëpër detaje.
Shtyrja e marrëveshjes mund të sjellë rreziqe të paparashikueshme për formimin e një qeverie nga opozita e deridjeshme.
KOMPROMISI ËSHTË shumë më afër sesa që po e shohin Kurti dhe Mustafa.
Ka një histori të tërë të rezultateve zgjedhore të pasluftës, nga të cilat nëse lexohen qartë, shihet se të gjitha partitë që janë bërë bashkë në qeverisje kanë bërë kompromise nga më të ndryshmet ndaj partnerëve në emër të formimit të institucioneve. Dhe për hir të së vërtetës faktike, partitë të cilat tradicionalisht kanë dalë të parat - që nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001, e edhe në ato të viteve 2004, 2007, 2010, 2014 e 2017 - kanë qenë më zemërgjera ndaj partive të dyta ose më të vogla në raport të ndarjes së pushtetit të përbashkët.
Shpirtngushtësia që po e shohim nga LVV-ja dhe LDK-ja këto ditë, thënë më së buti, është mbi të gjitha papërgjegjësi ndaj rreth 427 mijë qytetarëve të cilët i kanë votuar ato, ose afro 52 për qind. Kjo, për shkak se nëse nuk arrijnë marrëveshje dhe e mbajnë fjalën se nuk bëjnë koalicion me partitë e PANA-s, i bie se po shkojmë prapë në zgjedhje.
Se shkuarja prapë në zgjedhje do të thotë heqje e vijave të kuqe pikërisht për partitë e PANA-s, se në të kundërtën sot do të mund ta bënin qeverinë e përbashkët edhe pa zgjedhje të reja.
E pse atëherë të na çojnë prapë në zgjedhje nëse nuk duan të qeverisin bashkë? Pse gjithë kjo gjimnastikë dhe dhunim i qytetarëve?!
Papërgjegjësi!
Twitter: @adriatikk