OpEd

“Gangsterë, analfabetë, prostituta” - pse e ka humbur kontrollin presidenti i Kroacisë?

Zoran Millanoviq dëshiron të bëhet sërish kryeministër i Kroacisë. Gjykata Kushtetuese thotë: ok, por duhet të japësh dorëheqje si president. Millanoviq përgjigjet me gjuhë kafehanesh. Një komedi kroate. E rrezikshme dhe e neveritshme.

Nga prizmi kosovar Zagrebi është parë si qendër e kulturës dhe civilizimit. Së paku në kuptimin e ngushtë ballkanik. Me revista si “Danas”, që përkrahnin Kosovën në vitet 1980, me intelektualë si Branko Horvati që demaskonin politikën agresive serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, me figura publike që kërkonin e përkrahnin një aleancë mes kroatëve dhe shqiptarëve kundër Beogradit hegjemonist - Zagrebi ka qenë për shumë personalitete të Kosovës pikë reference. Janë bërë 10 vjet që Kroacia ka hyrë në BE. Në NATO është anëtarësuar më herët. Nga 1 janari 2023 Kroacia është pjesë zonës Schengen. Edhe euro vlen si valutë zyrtare nga ajo ditë.

Të gjitha këto të arritura të mëdha nuk kanë ndikuar shumë në civilizimin e politikës. As në uljen e korrupsionit. Epike tashmë është lufta mes presidentit Zoran Millanoviq dhe kryeministrit Andrej Plenkoviq. Mund të thuhet pa e tepruar se ata janë armiq të përbetuar. Po të takoheshin në ndonjë bar, do t’ia përplasnin njëri-tjetrit shishen e birrës apo gotën e uiskit në kokë. Në cilësinë e presidentit, Millanoviq i ka shpallur zgjedhjet parlamentare për datën 17 prill. Është ditë e mërkurë. Edhe kjo një risi në historinë e demokracisë kroate. Pasi i ka shpallur zgjedhjet, Millanoviq ka paralajmëruar se do të hyjë vetë në ring: si kandidat i socialdemokratëve opozitarë ai dëshiron të sfidojë konservatorët e HDZ-së të Plenkoviqit, të lodhur e të diskredituar nga skandalet e shumta.

Gjykata Kushtetuese tha të hënën se Millanoviqi nuk mund të kandidojë për një parti politike pa dhënë dorëheqje nga posti i presidentit. Tingëllon e logjikshme. Si mund të jesh president, pra përfaqësues i të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht të zhytesh thellë në fushatë elektorale për një parti politike? Millanoviq mendon se ka të drejtë të kandidojë në zgjedhjet parlamentare dhe, njëkohësisht, të vazhdojë të jetë president. Nga ishulli i bukur i Korçullës ai të hënën i shau rend me rend juristët e nderuar të Gjykatës Kushtetuese. Sharjet qenë të nivelit të kafehanes ballkanike. “Gangsterë, analfabetë, prostituta”. I quajti gjykatësit edhe “seljačine”, një fjalë që shumica e kosovarëve e kuptojnë edhe pa përkthim. Millanoviq dyshon edhe në njohuritë e gjuhës kroate nga ana e gjykatësve. “Ata me gjasë kroatisht kanë mësuar në garazhin e automekanikut”, tha ai.

Përveç me afera korruptive qeveria e HDZ po përballet edhe me kritika nga shoqëria civile dhe mediat për shkak të tendencave për të kriminalizuar gazetarinë. Një ligj i miratuar së fundi i kërcënon sinjalizuesit me burg nëse ata e informojnë shtypin mbi rezultatet e hetimeve nga policia. Në fillim të shkurtit parlamenti emëroi kryeprokuror të shtetit Ivan Turudiqin. Ai akuzohet nga opozita për lidhje me Zdravko Mamiqin, shef i dikurshëm i klubit futbollistik Dinamo Zagreb. Mamiq kërkohet nga drejtësia dhe është arratisur në Bosnjë. Janë bërë publike edhe disa komunikime përmes WhatsAppit mes Turudiqit dhe një ish-sekretari të shtetit, i cili dyshohet për korrupsion.

Paralajmërimi i Gjykatës Kushtetuese në drejtim të presidentit Millanoviq ka gjasa të shkaktojë kaos politik në Kroaci. Gjykatësit kërcënuan se mund edhe të anulojnë zgjedhjet nëse Millanoviq nuk tregohet i arsyeshëm. Por Millanoviq, dikur politikan socialdemokrat, ngaherë i ka thënë lamtumirë arsyes dhe është shndërruar në populist agresiv dhe imitues i kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Millanoviq ka kritikuar furnizimin me armë të Ukrainës nga Perëndimi, sloganin “Sllava Ukraini” e ka quajtur “nazist” dhe shpesh ka lëshuar deklarata të pamatura e fyese ndaj myslimanëve të Bosnjës. “Një ikonë mizogjene” - kështu e ka quajtur Millanoviqin filozofi i njohur Zharko Puhovski. Krejt fushata elektorale, thotë Puhovski, do të reduktohet në përleshjen mes Millanoviqit e Plenkoviqit, “dy djem që rrihen” dhe shtyhen se kush do të jetë i zoti i shtëpisë në “vendin tonë të vogël”. Kjo, sipas Puhovskit, e shkatërron krejt jetën politike në Kroaci. “Po të donte të bëhej huligan, Millanoviq do të jepte dorëheqjen, por nuk është në gjendje të bëjë diçka të tillë. Si shumë burra maço, edhe ai është - burracak”.