OpEd

Gabimet e pandëshkuara që na përsëriten

Rrëfimi për “Kosovën e Re” është i njëjti qe 13 vjet: Qeveritarët marrin vendime të gabuara në kurriz të qytetarëve dhe të vendit. Dhe i përsërisin vendimet e gabuara, sepse kurrë nuk japin llogari për to.

I.

Ka rreth 13 vjet prej se debatohet rreth ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

U lansua më 2005-2006 si projekt-ide nën emrin “Kosova C”, në kohën kur Kosova udhëhiqej nga Qeveria AAK-LDK me kryeministër Ramush Haradinajn, dhe pas largimit të tij për në Hagë, me Bajram Kosumin dhe Agim Çekun. Asokohe u promovua si “projekti më i madh kapital”, i cili me 2100 megavatët që do t’i prodhonte, jo vetëm se do t’i zgjidhte problemet e furnizimit me rrymë të qytetarëve, por edhe do ta transformonte Kosovën në një vend eksportues të madh të energjisë. Kostoja asokohe llogaritej deri në 5 miliardë euro, para këto që do të siguroheshin nga kreditë ndërkombëtare, të cilat do t’i paguanin qytetarët e Kosovës, një pjesë përmes taksave dhe pjesën tjetër përmes çmimit të energjisë elektrike. Qytetarët e Kosovës do të paguanin edhe koston e djegies së qymyrit, një pjesë përmes degradimit të ambientit dhe pjesën tjetër përmes degradimit të shëndetit.

Shumica e atyre që u përfshinë në debat, rreth projektit, konsideronin se këto ishin kosto tepër të larta për t’i paguar. Kosova as nuk kishte nevojë e as kapacitet për ta ndërtuar një termocentral aq të madh e të kushtueshëm, i cili në anën tjetër do të rrezikonte seriozisht jetën e po atyre qytetarëve që e paguajnë ndërtimin e tij.

I gjithë debati ashpërsohej edhe nga rritja e korrupsionit brenda strukturave qeverisëse dhe plasja e skandaleve të shumta me tenderët e kurdisur dhe privatizimet e manipuluara, që vetëm sa rritën mosbesimin qytetar në vendimmarrjen politike. Dhe, kur investitorët potencialë nisën të hamenden, ndërsa opozita politike u bë tepër e fortë - “Kosova C” e Ramush Haradinajt dështoi.

II.

Qeveria e radhës, PDK-LDK, me kryeministër Hashim Thaçin, e ringjalli projektin e termocentralit të ri pas shpalljes së pavarësisë, duke ia ndërruar emrin në “Kosova e Re” dhe duke ia reduktuar kapacitetet e planifikuara prodhuese në 1000 megavatë. Por, problemet e njëjta mbetën: Kostoja e lartë e ndërtimit do të paguhej nga qytetarët, ndërsa termocentrali i ri do ta rriste ndjeshëm çmimin e rrymës.

Me gjithë këtë, Qeveria Thaçi e viteve 2007-2010 kishte fuqinë e votës për ta imponuar këtë projekt, sado që qytetarët dhe opozita do ta kundërshtonin. E megjithatë, nuk e bënë. Jo se nuk deshën, por për shkak se rrethanat ndryshuan: kriza globale financiare dhe ekonomike, por edhe niveli i lartë i korrupsionit dhe keqqeverisjes në Kosovë i frikësuan investitorët e mundshëm.

Por, derisa “Kosova e Re” vegjetoi në sirtarët e vendimmarrësve, qeverisja korruptuese gjeti projekte të tjera atraktive për t’i shpenzuar milionat e qytetarëve; autostradat super të shtrenjta dhe shitja me të lirë e ndërmarrjeve të mëdha shoqërore zunë vendin prioritar në agjendën ekonomike të dy kabineteve të Thaçit (Qeveria PDK-LDK 2007-2010 dhe Qeveria PDK-AKR 2011-2014).

Biznesi me milionat për asfalt lulëzonte, por “Kosova e Re” e Hashim Thaçit dështoi.

III.

Një ringjallje e tretë e projektit ndodhi në kohën e qeverisjes LDK-PDK-Lista Serbe, me Isa Mustafën kryeministër.

Dy faktorë - pak kundërshtimet e brendshme për efektet ambientale, por edhe për koston ekonomike të projektit, e më shumë ndoshta insistimi i jashtëm për ta rimodeluar projektin që t’u përshtatet mundësive të investitorëve të mundshëm – bënë që projekti të pësojë edhe një tkurrje. Tani termocentrali planifikohet t’i ketë 500 megavatë – sa gjysma e “Kosovës së Re” të Thaçit dhe më pak se një çerek e “Kosovës C” të Haradinajt (Kosumit-Çekut).

Më 2015 u gjet edhe pala e interesuar - “Contour Global” u zgjodh edhe kompania e preferuar për projektin.

Por tashmë u bë e qartë se përveç problemit me koston ambientale dhe financiare (që do të mbeten të larta për vendin), projekti ballafaqohet edhe me një realitet tjetër politiko-ekonomik: standardet dhe rregullativa evropiane në sektorin e energjisë e bëjnë realizimin e projektit të jetë problematik për të ardhmen e Kosovës, nëse ajo do të jetë pjesë e tregut të përbashkët evropian dhe, një ditë, anëtare e Bashkimit Evropian.

Mbetet e paqartë nëse hezitimi për ta përmbyllur projektin në kohën e Qeverisë Mustafa kishte të bëjë me këtë, apo problemet ishin të natyrës tjetër. Por, “Kosova e Re” mbeti projekt i papërfunduar edhe në kohën e Qeverisë LDK-PDK.

IV.

Një prej vendimeve të para të mëdha të kryeministrit Haradinaj, në muajt e parë të mandatit të tij në krye të Qeverisë së koalicionit PAN-Lista Serbe, ishte që të nënshkruhet marrëveshja me “Contour Global”.

Kur pjesa komerciale e kontratës u bë publike, u kuptua se çmimi i energjisë elektrike do të rritet ndjeshëm. Ekspertët nga shoqëria civile tani paralajmërojnë se Qeveria po i garanton kompanisë së përzgjedhur koston e rrymës më të lartë se që pritet të jetë çmimi në tregun e lirë. Po ashtu, “Contour Global”-it i garantohet shitja e gjithë prodhimit të rrymës, me çmimin e paracaktuar dhe të lartë, pavarësisht nëse konsumatorët e Kosovës do të kenë nevojë për atë rrymë apo mundësi ta paguajnë atë çmim. Shteti i Kosovës do t’ia blejë rrymën “Kosovës së Re”, që thënë shkurt e bën këtë kompani të ketë edhe fitim të garantuar, edhe pozitë të privilegjuar në treg. Ndërsa rreziqet e investimit dhe koston e kredisë i merr përsipër Kosova, përkatësisht qytetari i saj.

Një marrëveshje e tillë është konsideruar e dëmshme dhe jashtë rregullativës evropiane edhe nga institucionet ndërkombëtare. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka paralajmëruar se kontrata e tillë i dëmton Kosovën dhe qytetarët e saj.

Për këto arsye, nga projekti “Kosova e Re” janë tërhequr Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa FMN-ja, po ashtu, ka shprehur kritikat dhe rezervat e saj.

E, megjithatë, Qeveria do të ecë përpara.

V.

Debati rreth “Kosovës së Re” vazhdon. Argumentet e prezantuara deri më tash dhe me konsistencë qartë dëshmojnë se me këtë projekt qytetarët e Kosovës do ta paguajnë çmimin ekonomik dhe ambiental, ndërsa vendi në të ardhmen do ta paguajë koston politike.

Por, për politikanët kjo nuk ka rëndësi. Ata qartë duan të ecin përpara, pa marrë parasysh kostos.

Kjo për shkak se për ta duket nuk ka kosto fare. Ka veç përfitime. Dëshmi janë të gjithë kryeministrat e ministrat që e kanë shtyrë përpara projektin e “Kosovës së Re”, pa dhënë kurrë llogari për milionat e shpenzuar dhe vendimet e gabuara.

Thjesht, ata nuk paguajnë çmimin për gabimet që bëjnë. Prandaj, edhe i përsërisin.