Pozicionimi se cilët janë kufijtë e kompromisit dhe çfarë nuk duhet lëshuar pe, ndërton një bazë të qëndrueshme për një marrëveshje që nuk shpërfytyron edhe më tej Republikën tonë
Viti që po hyjmë duket se do të jetë përcaktues për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Mbase kjo është fraza me të cilën jemi ushqyer e kurthuar në fund të çdo motmoti.
Megjithatë, vrulli i përfshirjes diplomatike të SHBA-së e fuqive më të mëdha të Bashkimit Evropian gjatë 2022-tës në përpjekje për ta qëndisur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, disi i ka kuptimësuar pritjet se, megjithatë, në vitin që po hyjmë do të kemi diçka të materializuar në raportet Kosovë-Serbi. Madje pritjet janë që në mars të 2023-tës do të shohim një marrëveshje.
Për dikë ky momentum duket të jetë shpresëdhënës për të lëvizur nga kjo status-quo e kamotshme dhe e lodhshme—e për shumëkënd, ani pse statu-quo e paqëndrueshme në shumë rrafshe, frika nga të panjohurat e mundësia e deformimeve të tjera të fytyrës së Republikës mbizotëron.
Dhe kjo frikë nuk është krejtësisht e pabazë.
Drafte, dokumente jozyrtare, non-papers, herë të konfirmuara pjesërisht e herë të mohuara, herë me takime publike e herë të fshehta, janë veç disa nga sekuencat e shumta që kanë shënuar vitin që po lëmë pas. Herë me autorësi e herë pa emra, herë të franko-gjermanëve e herë të Bashkimit Evropian, kryesisht dokumente që kanë gëzuar mbështetjen amerikane kanë qarkulluar nëpër media të ndryshme.
Njohje eksplicite, njohje të modelit të dy Gjermanive, VETËQEVERISJE të serbëve e të tjerë terma kanë gjendur vend si opsione të një ujdie që u kuptua se nuk do të jetë finale, por një gjetje e një marrëveshjeje të ndërmjetme, për të shafuar sadopak frikën që kanë BE-ja e SHBA-ja për shpërthime e destabilizime të tjera në truallin e Evropës.
Por kjo marrëveshje, gjithnjë nëse arrihet, do të mund ta ndryshojë fytyrën e Republikës së Kosovës dhe mënyrën se si ky shtet, që në shkurt do të mbushë 15 vjet të ekzistencës, do të jetë (jo)funksional në vitet e dekadat në vazhdim.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që shënon pothuajse dhjetëvjetorin prej se u nënshkrua, është një testament i gjallë që ndonëse e nënshkruar me idenë e normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë, e nënshkruar mes palëve, është bërë subjekt i përplasjes më të madhe jo vetëm mes Kosovës e Serbisë, por edhe të vetë Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Tashmë është bërë e qartë që në draftin franko-gjerman dhe gjerësisht nga ndërkombëtarët po i kërkohet Kosovës edhe më me ngulm themelimi i ASK-së. Kjo kërkesë është e kamufluar me termin “VETËQEVERISJE” për serbët e Kosovës.
Në të njëjtë kohë, definicionet sikurse “autonomi për serbët e Kosovës në disa fusha si arsim, shëndetësi, planifikim hapësinor” e të tjera veçse kanë filluar të rehabilitohen në fjalorin e diplomatëve të huaj edhe në intervista e diskutime publike. Gjerësisht.
Gjithsesi, si për të rehatuar shpirtrat e trazuar nga gjëmimi që shkakton fjala “autonomi” tek shumica shqiptare, diplomatë të huaj shtojnë aty- këtu ndonjë fjali ngushëlluese se ky asociacion do të mund të bëhej “brenda Kushtetutës së Kosovës apo të gjendeshin modele evropiane” për formimin e kësaj ngrehine juridike.
Por ka disa dilema themelore që duhen shqyrtuar kur diskutojmë për të ardhmen e një krijese që më të drejtë nga të shumtë shihet me shumë pikëpyetje.
A është i qëndrueshëm bazamenti i Kushtetutës së Kosovës që si shtet multietnik të ndërtojë mbi këto themele një tjetër ndërtesë juridike, bashkësi apo si do ta quajmë me fuqi vetëqeverisëse në shumë fusha duke i dhënë njërës etni—etnisë serbe prerogativa autonome brenda shtetit të Kosovës?
A po shpërbëhet ajo që u ndërtua një dekadë e gjysmë si një propozim i vetë ndërkombëtarëve dhe një kompromis i dhimbshëm, siç përshkruhej edhe nga vetë ata që i kanë vënë nënshkrimet mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës?
Se si mund të akomodohen të tilla kompetenca brenda një Kushtetute si ajo e Kosovës pa e cenuar parimin e barazisë së qytetarëve të Kosovës, kjo mbetet prapë tejet e diskutueshme.
Sikurse mbesin qesharake pandehmat e të gjithë atyre zërave në të gjitha poret e shoqërisë dhe posaçërisht të atyre që nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit se AKS-ja mund të formohet vetëm si një organizatë joqeveritare dhe në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Njëjtë cinike është të na thuhet se ka modele evropiane se si funksionojnë të tilla asociacione. Se në cilin vend evropian paskësh OJQ me fuqi vendimmarrëse e vetëqeverisëse në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit hapësinor e të tjera fusha brenda një shteti të pavarur, kjo mbetet një tjetër enigmë.
Se për çfarë lloj tjetër të autonomisë në arsim e shëndetësi po flasim, mjegullnaja bëhet edhe më e dendur duke e ditur se sikurse në shëndetësi e po ashtu edhe në arsim, serbët e Kosovës janë toleruar të kenë një sistem paralel, prej përdorimit të kurrikulave (në thelb në kundërshtim dhe cenim të kushtetutshmërisë së Kosovës) e deri te sistemi shëndetësor i pavarur që funksionon prej veriut të Leposaviqit e deri në pjesën më jugore të Shtërpcës.
Pra, çfarë autonomie apo vetëqeverisjeje në këto fusha apo të tjera iu duhet serbëve të Kosovës që nuk i ka adresuar plani gjeneroz i Ahtisaarit që duhet formuar krijesa të tjera juridike me pasoja politike për të akomoduar të drejtat civile të serbëve të Kosovës?
Natyrisht se jo vetëm tash, por kurdoherë, duhet të jemi të hapur të flasim për të drejtat e qytetarëve serbë të Kosovës dhe të pakicave të tjera. Kosova duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim dhe për këtë s’ka dyshim.
Por fillimisht duhet ta definojmë qartë nëse ne po flasim për të drejtat e serbëve të Kosovës, apo për të drejtat e Serbisë brenda Kosovës?
Sepse ajo çfarë kemi parë gjatë gjithë këtyre viteve, sidomos javëve të fundi në veri të Kosovës, është një dëshmi e gjallë që, megjithatë, serbët e Kosovës mbeten një mashë e Serbisë për ta minuar shtetin e Kosovës.
Me një lëvizje vetulle të presidentit Aleksandër Vuçiq, prokurorë, gjykatës, policë e punëtorë të administratës së serbëve në veri dhanë dorëheqje nga këto institucione, ani pse Kosova iu besoi për vite të tëra se do të integroheshin në shtetin e Kosovës, dhe, ndër të tjera, edhe ua dha besimin shtetëror, përveç, vulave, uniformave, pagave. Nuk kam dëgjuar diplomatë të huaj të flasin me tone kritike se si institucione të tilla që do të duhej të ishin larg diktatit e ndikimeve të politikës u nënshtrohen haptazi urdhrave që vijnë madje nga lideri i një shteti tjetër—Serbisë.
Prandaj janë këto mësime që nuk guxojmë t’i harrojmë. Prej katër komunave që filluan mosbindjen e barrikadimin kundër institucioneve të Kosovës edhe në kuptimin më literar, Kosova mund të përfundojë me një organ ku janë të përfshira 10 komuna, të cilat do t’i shkaktojnë deformim të mëtejmë fytyrës së Republikës.
Dhe ekzemplarin e kësaj fytyre e kemi parë jo vetëm në Republikën tonë, por edhe në vende të tjera ku Serbia ka ushtruar e vazhdon të ushtrojë ndikim obstruktiv. Nuk ka nevojë për imagjinatë se për cilat vende po flasim!
Ky diskutim, para së gjithash, pra do të na mundësojë të kemi të qartë së pari se çfarë fytyre duam ne si shumicë, e jo se çfarë duan të projektojnë të tjerët për ne.
Pranimi i deformimeve të tjera përmes intervenimeve të herëpashershme ka gjasë që do të lërë vraga të tilla që vështirë se do të ketë pasqyrë ta njohë fytyrën tonë. Të Republikës sonë për të cilën janë flijuar breza të tërë.
Kur u lexua verdikti i Gjykatës Speciale për Salih Mustafën, po partitë e njëjta që themeluan Gjykatën argumentuan se këtë e bënë nën presionin ndërkombëtar dhe tash alarmojnë po të njëjtat se si lufta e UÇK-së është nën sulm dhe se po shembet tregimi i Kosovës për luftën për çlirim e liri.
Nesër, fatkeqësisht njëjtë Qeveria Kurti mund ta përdorë argumentin e presionit ndërkombëtar që është i dukshëm, porse përtej narracionit të luftës për liri e të drejtën për shtet, me vetëqeverisje për serbët e Kosovës, ne do ta vulosim dështimin e shtetit të Kosovës, nëse e zgjerojmë potencialin instrumentalizues të Serbisë brenda Kosovës. Prandaj rezistenca është e domosdoshmëri.
Është e qartë se pozicionimi i sipërm në tekst mban një supremaci të asaj që nuk duhet bërë përballë asaj se çfarë duhet të bëjë Kosova.
Por, shpeshherë, pozicionimi se cilët janë kufijtë e kompromisit dhe çfarë nuk duhet lëshuar pe, ndërton një bazë të qëndrueshme për një marrëveshje që nuk shpërfytyron edhe më tej Republikën tonë. Gjithnjë nëse e duam si të tillë!