OpEd

Futurizmi i përditshmërisë

Këtu e 115 vjet më parë, futurizmi shpërtheu si lëvizje që në esencë lartësonte luftën, teknologjinë, shpejtësinë, shkatërrimin e së kaluarës. Sot mund të ketë kuptim ajo që paralajmëroi – humbja e njeriut përballë teknologjisë – por është e pakuptimtë “profecia” e futurizmit se njeriu në esencë ndien nevojën për shkatërrim. Ose në mjegullim të realitetit. Sot, futurizmi rikthehet në përditshmëri

Qiellin e qetësisë së frikshme të një nate krejt të zakonshme do ta çante si me bajonetë batareja e fishekzjarrëve. E para që m’u ndërmend qe nëse kisha harruar datën e ndonjë feste. E dyta, s’ka fare rëndësi. E treta u shndërrua në një lloj makthi në kërkim të arsyes – të kuptimit jo se jo – se ç’e shtyn njeriun ta prishë qetësinë, t’i shkaktojë ankth tjetrit, qoftë edhe për një milion sebepe që mund të ketë për të festuar. Kalimthi më zaptoi urrejtja ndaj egoizmit, shpjegimi u rras keq në zbërthim sipërfaqësor, gjetja e arsyes mbeti në tentativë.

Zura ta krijoj skenën me ca të rinj të dehur për ditëlindjen e njërit prej tyre që festën medoemos duan ta finalizojnë me krisma, tym, mjegull, piskamë. S’e vazhdova më tej, urrejtja ndaj sojit nisi të bëhej e frikshme, u pajtova të hiqja dorë – ç’më hynin në punë fishekzjarrët e tjetrit – por në aktin final të arritjes së paktit me vetveten, në mesnatë ose pas mesnate, bataretë u shndërruan në rafal. Tymi i barutit u bë zagushi, mjegullonte çdo shkëndijë të zbërthimit të kuptimtë. Shpjegimi nëpërmjet egoizmit nuk kishte më kuptim. Një rast si ky iu afrua më tepër konceptit të vullnetit të njeriut për dekonstruktivitet.

Qetësi. Tymi po shkapërderdhej. Dukej sikur çdo gjë do të binte në vendin e vet, bashkë me bluarjen e kotë të koncepteve, por tashmë dëgjohej fishkëllima e fishekzjarrit së radhës dhe prisja vetëm finalen. Buçiti keqas dhe efekti që arriti qe shpërthimi në qiell dhe brenda kokës, njëkohësisht. 

S’e di ku e gjeti të çonte krye dhe ç’lidhje kishte me të, por i pari që m’u ndërmend ishte “Manifesti i futurizmit” i vitit 1909. Do ta rilexoja po atë natë dhe do ta kërkoja gjatë në përditshmëri. Te 11 pikat e dokumentit të botuar në “Le Figaro” – me të cilin Filippo Tommaso Marinetti do të shpallte futurizmin dhe synimet e futuristëve – u bënë një lojë për ta provuar futurizmin në përditshmëri. Në variantin më të rëndë, për ta mbiemëruar si futurizmi i përditshmërisë.

* * *

Me një fjalë, futurizmi shpërtheu në dekadën e parë të shekullit të njëzetë si lëvizje që në esencë lartësonte luftën, teknologjinë, shpejtësinë, shkatërrimin e së kaluarës. Lindi krejt rastësisht prej një aksidenti të Merinettit me makinë. La shenja në art – jo pak vepra mund të çmohen për estetikën e tyre – u shtri edhe në letërsi e arkitekturë.

Sot mund të ketë kuptim ajo që paralajmëroi – humbja e njeriut përballë teknologjisë – por është e pakuptimtë “profecia” e futurizmit se njeriu në esencë ndien nevojën për shkatërrim. Ose në mjegullim të realitetit. Sot, futurizmi rikthehet në përditshmëri.

“Po ia shpallim botës këtë manifest tonin të dhunës shkundëse dhe përvëluese, me të cilin themelojmë sot ‘futurizmin’, sepse duam ta çlirojmë këtë vend nga gangrena e tij e qelbur e profesorëve, arkeologëve e ciceronëve dhe e antikuarëve”, do të shkruante Marinetti 115 vjet më parë.
Në futurizmin e përditshmërisë, kaherë e kemi çliruar realitetin tonë “prej profesorëve, arkeologëve e ciceronëve dhe antikuarëve”. E kemi çliruar prej elitave intelektuale, prej mendimit, peshës së tij. Me marrinë në diktaturën e klikimeve, me shtirje, sharlatanë-analistë, me profesorë të tillë, me vrapin pas materiales.

Me pafuqinë tonë për ta zhbërë imazhin e pensionistit që dëshpërohet para bankomatit. Të atij që duhet ta dëshmojë se merr frymë për të marrë lëmoshën, me të cilën i “shpaguhet” puna 40 e kusur vjeçare. Me frikën për t’u plakur.

Me spektakël budallallëku që gjejnë shikues bjerrakohës, me VIP që s’e njohin as Kadarenë. Dhe me shumë të tjera.

“Ne afirmojmë se mrekullia e botës është pasuruar me një bukuri të re: bukurinë e shpejtësisë. Një automobil garash me kapakun e motorit stolisur me tuba të mëdhenj të ngjashëm me gjarpërinj frymëshpërthyes… një automobil ulëritës, që duket sikur rend mbi predha mitralozi...”, do të shkruante Marinetti në pikën e 4-t të “Manifestit” të tij 115 vjet më parë.

Rrugët tona sot janë imazhi i futurizmit të përditshmërisë sonë. Realiteti ynë është po ai.

Po kjo pikë, do të më rishfaqej rrugëve në festën e 28 Nëntorit, me tufa të rinjsh me makina të shpejta që sorollaten tek djegin gomat dhe kacavirren e çirren dritaresh. Ky është manifesti ynë. Njësoj, në një ditë qershori kur çlirimin e Kryeqytetit e festojmë me zaptim të sheshit me paradë motoristësh që garojnë për çmendurinë. Po në atë shesh, ku festa zgjat me muaj, muzika të dridh kaptinën midis zemrës së qytetit, e një shkolle filloristësh i zihet fryma me bërllok shishesh birre. 
Ky është manifesti ynë. Rruga që ia shtrojmë “futurizmit” të së ardhmes.


* * *

“Ne duam t’i shkatërrojmë muzetë, pa le bibliotekat, akademitë e çdo lloji, e të luftojmë kundër moralizmit, feminizmit e kundër çdo qyqarllëku oportunist apo dobiprurës”, do të shkruante Marinetti në pikën e 10-të të “Manifestit” të tij 115 vjet më parë.

Në ditën e pestë të qershorit, do të më rishfaqej edhe pjesa e parë e kësaj pike me imazhet e rrafshimit të monumentit të mbrojtur përhershëm në Prizren. Do të më rishfaqej disa herë edhe para dyerve të mbyllura të Muzeut Kombëtar të Kosovës në emër të restaurimit milionësh që kundërmon ende pa nisur mirë, njësoj si para portave të Teatrit Kombëtar të zhvendosur skutave dhe të grevës së aktorëve që s’u vë vesh kush. Në salla që s’e mbajnë dot ujin, aty ku mashtrojmë veten me shkëlqim të rrejshëm. Do të më rishfaqej përditë me “ngritje” muzesh e sallash opere në letra e skica. Themelim kinse-institucionesh të reja, muze gjenocidi, arti, transformim monumentesh me fasada, retushim fotografish për reklamim në prag fushatash. Me shkulje brutale mikrofonash në salla kuvendesh.
Pjesa e dytë e po kësaj pike – në luftën kundër moralizimit e feminizmit – do të më rishfaqej përditë me fishkëllima e shikime të mprehta në adresë grash njësoj si te feministet e shtirura me piskama e projekte fondesh.

Arkitektura e Antonio Sant’Elias futurist – që synonte shkatërrimin e qyteteve të vjetra me objekte që s’kanë fund e që lidhen me ura, sepse njerëzit nuk ecin përtokë – do të më rishfaqej në rendera të kryetarit të “Prishtinës së përjetimeve”, që lidh objektet me platforma pa leje, me poza pranë projekteve që nuk do të përfundojnë kurrë, tamam si puna e futuristëve.
Sepse ky është manifesti ynë i futurizmit të përditshmërisë.

* * *

“Përveç luftës nuk ka tjetër bukuri. Asnjë vepër që nuk ka karakter agresiv nuk mund të jetë kryevepër. Poezia duhet ngjizur si një sulm i dhunshëm kundër forcave të panjohura, për t’i pakësuar ato dhe për t’i mbrojtur nga njeriu. Ne duam t’i thurim lavde luftës – e vetmja pastërti e botës – militarizmi, patriotizmi, gjesti shkatërrues i lirisjellësve, idetë e bukura për të cilat vdiset dhe përçmimi i femrës”, do të shkruante Marinetti në pikën e 7-të dhe të 9-të të “Manifestit” të tij 115 vjet më parë.

Të dyja bashkë, vazhdojnë të më rishfaqen përditë nëpërmjet ekranit, nga vatrat e luftës, të lartësimit të saj. Me fëmijë të përgjakur përballë indiferencës sonë.
 

* * *

Futurizmi lindi po atë vit kur u lind Selman Riza, njëra prej mendjeve më të ndritura shqiptare. Në futurizmin e përditshmërisë sonë, duket larg mendsh që disa vjet më vonë, kur Riza u bë ai që është, do të shkëmbente letra me një të ri 27-vjeçar. I riu i asaj kohe, është akademik Rexhep Ismajli, sot njëra prej mendjeve më të ndritura shqiptare, po ashtu.

Riza do t’ia shpaloste Ismajlit ambiciet e tij për të konceptuar e themeluar shkencën e të menduarit dhe të të komunikuarit – intelektologjinë dhe komunikavistikën.

Në futurizmin e përditshmërisë sonë s’ka vend as për diskurse të tilla, për intelektologjinë e komunikavistikën, jo se jo. 

Sepse me shpërfillje, njësoj si synimet futuriste, shkatërrojmë edhe të kaluarën, s’e bëjmë hesap mësuesin, s’u kthehemi veprave që lënë pas gjeneratat para nesh, atyre si të dy kolosëve, të cilët këtu e gjysmë shekulli më parë, shkëmbenin letra për themelimin e një shkence. 

“Ejani atëherë, zjarrvënës gazmorë me gishta të shkrumbuar! Ja ku janë! Ja ku janë!…Ejani! Vëruani zjarrin rafteve të bibliotekave!…Ndryshoni rrjedhën e kanaleve për t’i përmbytur muzetë!…Oh, sa gëzim duke parë kanavacat e vjetra të lavdishme që lundrojnë sipër ujërave, të çngjyrosura dhe të qullosura, kanavacat e vjetra e të lavdishme!… Kapni kazmat, sëpatat e çekiçët dhe shkatërroni pa mëshirë qytetet e nderuara!”, thërriste çmendurisht Marinetti. 

Me futurizmin e përditshmërisë i jemi përgjigjur. 

Gëzuar për një të ardhme tjetër, pa futuristë!