Blatteri u shkarkua, dhe iu ndalua angazhimi publik për gjashtë vjet, dënim që tashmë i ka kaluar. Nuk i dihet, edhe mund të kandidojë sërish për ta marrë nën kontroll FIFA-n. Me të në krye, nuk do të ishte çudi që më 2030-n kampionati të mbahet në Korenë e Veriut
Të dielën nis kampionati më kundërthënës botëror i futbollit. Mbahet në Katar, në Lindjen e Afërt dhe mbahet në vjeshtë – që kurrë nuk ka ndodhur deri më tani.
Arsyeja për këtë të dytën është shumë e logjikshme: është moti dhe temperaturat tejet të larta në stinën e verës atje: në muajin korrik temperatura minimale shënon diku 30 shkallë, e maksimalja nja 42 shkallë të Celsiusit – që natyrisht është e padurueshme për një këmbësor, e lëre më për dikë që duhet vrapuar mesatarisht 7 kilometra për ndeshje.
E arsyeja për këtë të parën është korrupsioni në FIFA, po qe se mbështetemi në faktet që i paraqet një dokumentar katërorësh i prodhuar nga Netflix, i quajtur “FIFA uncovered” apo në përkthim të lirë “FIFA cullak”.
* * *
FIFA, në fillim, kishte qenë njëfarë lloj OJQ-je, ku ishin mbledhur përfaqësuesit e federatave të futbollit nga disa shtete për të organizuar kampionatet e veta. U themelua më 1904-n dhe deri në ardhjen e brazilianit Joao Havelange (Zhoao Avelanzh), kishte pasur vetëm kryetarë evropianë. Ai që ndenji më së gjati në krye të FIFA-s kishte qenë francezi Jules Rimet (Zhyl Rime) – gati 34 vjet. U tërhoq nga aty kur i kishte mbushur 81 vjet moshe.
Rimet ishte ai që e krijoi garën e kampionatin botëror. Atëherë 20 anëtarët e FIFA-s kishin vendosur që kampionati i parë të luhej në Uruguai, për shkak se ky shtet ishte kampion i dyfishtë olimpik në futboll (1924 dhe 1928) dhe për shkak të faktit se shteti mikpritës do ta festonte njëqindvjetorin e pavarësisë dhe ishte i gatshëm që t’i paguante shpenzimet për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, përfshirë edhe mëditjet. Fare në fund, ishte i gatshëm ta ndërtonte një stadium të ri, që do të quhej “Centenario” (Qindvjeçari), vetëm për nevojat e kësaj ngjarjeje.
Kur Rimet u tërhoq, tashmë ishin luajtur kampionatet në Uruguai, Itali, Francë, Brazil dhe Zvicër, kurse FIFA ishte rritur në 80 anëtarë.
* * *
Havelange, jurist e sportist brazilian, vendosi të garonte për kryetar të FIFA-s, si kundërshtar i kryetarit të deriatëhershëm, britanikut Stanley Rous. Ky i fundit po e kërkonte mandatin e pestë dhe pritej se do të kalonte tutje pa ndonjë telashe të madhe. Por votimi shkoi në rundin e dytë, dhe Havelange fitoi.
Thuhet se e gjeti mënyrën se si t’i joshte federatat e futbollit “të viseve të pazhvilluara”, posaçërisht në Karaibe e Afrikë. U premtoi zgjerimin e numrit të pjesëmarrësve në kampionate e madje edhe organizimin e kampionateve botërore për të rinjtë. Meqë nuk kishte buxhet për t’i realizuar këto premtime, së shpejti do ta lidhte një kontrate me shefin e Adidasit, të cilit do t’ia linte në duar punën e shitjes së të drejtave televizive.
Në të njëjtën kohë, do të insistonte që kampionati i 1978-s të organizohej në Argjentinë, pavarësisht faktit se për 10 vjet, Argjentina nuk kishte bërë asnjë përgatitje për ta organizuar atë. Më 1976, pra kur asgjë nuk ishte punuar, ndodh grusht-shteti dhe në pushtet vendoset junta ushtarake. Ndodhin zhdukjet dhe vrasjet masive, dhe FIFA nuk tërhiqet. Përkundrazi. E përkrah mbajtjen e kampionatit i cili përfundon me fitoren e Argjentinës. Jo pak njerëz filluan të dyshonin se vendimi nuk ndryshoi për shkak të ryshfetit.
Kur i erdhi radha zgjedhjes për herë të shtatë, tashmë edhe sekretari i tij i përgjithshëm, Sepp Blatter, kishte gjetur dëshmi për paratë që Havelange i merrte në llogarinë e vet nga federatat e ndryshme nëpër botë, si kundërshpërblim për shërbimet që ua bënte – duke ua mundësuar organizimin e kampionateve që sillnin sponsorë, turistë dhe shumë para. Zvicerani Blatter e kishte në duar dhe e detyroi të tërhiqej, me nder dhe pa skandale.
Gjatë udhëheqjes së Havelangeit, FIFA i organizoi edhe gjashtë kampionate botërore (Gjermani Perëndimore, Argjentinë, Spanjë, Meksikë, Itali dhe SHBA); shitjen e të drejtave televizive jashtë SHBA-së e ngriti prej 400 milionë në 2,2 miliardë dollarë.
Kur u tërhoq, e shpallën Kryetar nderi të FIFA-s. Por megjithatë, e hetuan, dhe u konstatua se ishte përlyer me ryshfet derisa kishte qenë kryetar i FIFA-s. E arriti një marrëveshje me drejtësinë: e pagoi shumën prej gjysmë milionë frangash zvicerane dhe nuk pati më ndjekje. Atëherë ishte 90 vjeç. Vdiq në moshën 100-vjeçare.
* * *
Zvicerani Sepp Blatter, edhe pse përflitej për përfshirje në korrupsion ia doli t’i fitonte zgjedhjet për kryetar. Po ta shikonit dokumentarin, do ta zbuloni mënyrën se si ndodhi kjo. Çelësi ishte te Komiteti ekzekutiv që numëronte 24 anëtarë, përfaqësues të konfederatave kontinentale që e bëjnë FIFA-n. Aty ku vota, pavarësisht sa anëtarë e bëjnë konfederatën, vlen njësoj. Dhe votat u blenë.
Dhe një nga kushtet e kërkuara për votë, ishte pjesëmarrja e një shteti nga Karaibet në një kampionat botëror. Kjo u bë e mundur, pasi që në Francë 1998, numri i përfaqësueseve pjesëmarrëse u rrit nga 24 në 32. Pra, mund të vazhdonte të llogariste në njeriun që ia siguroi votat, përderisa mbante postin e kryetarit, thuajse të përjetshëm, të një konfederate futbolli.
Porse skandali më i madh shpërtheu më 2010-n, kur u vendos që organizatorët e dy kampionateve të radhës të mbaheshin në Rusi, përkatësisht Katar. Flitej për lidhjet e afërta të Blatterit me Putinin, kurse për punën e Katarit, vetëm mund të imagjinohen petrodollarët dhe mundësinë që një shtet i vogël me thuajse asnjë infrastrukturë të gatshme, ta mundte favoritin, SHBA-në, që kishte ardhur në Kongres të FIFA-s i përfaqësuar madje nga Bill Clintoni.
Kur e shikoni xhirimin e festimit të delegacionit të Katarit në çastin kur Blatteri e lexon pusullën e nxjerrë nga kupa, e vëreni që edhe gëzimi është i shtirur, përderisa çudia dhe befasia i përshkojnë fytyrat e gjithë të tjerëve.
* * *
Sipas dokumentarit, votat vendimtare erdhën falë “ndihmës për zhvillimin e futbollit” në disa shtete afrikane, në vlerë prej 1.5 milionë dollarësh amerikanë për person. Sinjalizuesja për pak sa nuk e humbi jetën, dhe u detyrua të tërhiqej nga akuza. Por tash, mbase në të sigurt, e rrëfen krejt rrëfimin në dokumentar. Me emra e mbiemra.
Natyrisht se për Katarin është punë e madhe të organizojë ngjarjen më të rëndësishme futbollistike – sepse pos që ka investuar shumë në infrastrukturë – i ka ndërtuar 8 stadiume të reja, një me kapacitet për 80 mijë shikues, një për 60 mijë dhe gjashtë me nga 40 mijë, tash bëhet qendra e botës ku do të mblidhen shumë turistë dhe do të shpenzojnë shumë para.
Thuhet se vende nëpër hotele më nuk ka; se banesat janë tepër të shtrenjta për t’u marrë me qira, dhe se barakat që i kanë përgatitur për tifozët nuk janë fort të mira, e as të lira. E biletat kurrë nuk kanë qenë më të shtrenjta.
Nëpërmjet futbollit duan të afirmohen si shtet i përparuar, i cili zyrtarisht nuk ka asnjeri të varfër, që është zhvilluar shumë në aspektin e investimeve në stabilimente si dhe në të shndërruarit në qendër financiare të rajonit.
E gjithë kjo derisa njëkohësisht është shtet i sunduar nga Sheriati, i cili dy ditë para kampionatit e ndalon konsumin e birrës dhe e besoj të alkoolit në përgjithësi dhe për të cilin janë të shumta raportet ku thuhet se shumë punëtorë kanë humbur jetën duke punuar në kushte çnjerëzore për t’i ndërtuar këto stadiume dhe instalime të tjera me kohë.
Katari me sipërfaqe është pak më i madh se Kosova. Ka rreth 2.9 milionë banorë, prej të cilëve vetëm 300 mijë janë autoktonë. Është shtet që ka më shumë indianë, bangladeshianë dhe nepalezë sesa vetë shtetas të Katarit, dhe në të jetojnë njerëzit nga madje 90 shtete, përfshirë edhe Kosovën.
Po, është e vërtetë se është hera e parë që një kampionat luhet në Lindjen e Afërt. Por mënyra se si ndodhi kjo tregon se paraja megjithatë, mund të blejë gjithçka që është për shitje.
* * *
Blatteri u shkarkua, dhe iu ndalua angazhimi publik për gjashtë vjet, dënim që tashmë i ka kaluar. Nuk i dihet, edhe mund të kandidojë sërish për ta marrë nën kontroll FIFA-n. Me të në krye, nuk do të ishte çudi që më 2030-n kampionati të mbahet në Korenë e Veriut.
Tash na ka mbetur të ulemi e t’i shikojmë ndeshjet. Uroj që të mos ketë kurdisje, sepse edhe ato u janë të njohura kampionateve botërore, si më 1978, kur Argjentina duhej ta mundte Perunë me katër gola diferencë, dhe rezultati përfundimtar qe 6:0.
E me gjithë këto dallavere, futbolli po është ky që po na e kthen vëmendjen larg realitetit. Qoftë edhe për një muaj.