OpEd

Futboll po i thoni

Sa më shumë që do të shikojmë futboll vetëm për shijim të lojës, aq më normalë e stabilë do të jemi si individë, si shoqëri dhe si shtete.

NUK KAM HEZITUAR asnjëherë të tregoj se nuk shikoj futboll. Sado e pakapshme të mundë të tingëllojë kjo gjë këto ditë, nën ethet e botërorit “Rusia 2018”.

Në fakt, jam rritur në një shtëpi të cilën vetëm 10 metra rrugë edhe trotuar e ndajnë nga hyrja në stadium, por kam shkuar aty vetëm për të vrapuar ndonjëherë, pasi që u ndërrua edhe shtegu i vrapimit rreth fushës.

Në anën tjetër, ka përjashtime. Pra, ka raste edhe kur shikoj futboll. Mirëpo këto kanë të bëjnë sërish jo me sportin sa kanë të bëjnë me politikën.

Që i bie, unë përpiqem të shikoj futboll kur luan Kosova. Ose kur luan Shqipëria. Ose edhe Zvicra. Dhe gjithnjë me këtë renditje.

Se natyrisht, kemi nevojë për lajme të mira. Kemi shumë nevojë për të treguar se dimë dhe mundemi. Kemi nevojë të na marrin si shembull për të mirë. Për punë, për përkushtim, për rezultate, për suksese. Jo vetëm për vuajtje, viktima, prapambeturi ose moszhvillim.

E sërish me renditjen e njëjtë, për lajme të mira ka nevojë Kosova, si një shtet në pritje të rrumbullakimit të procesit të shtetësisë dhe cimentimit të orientimit evropian.

Jo më pak ka nevojë për lajme të mira Shqipëria, si pjesa tjetër ku jeton populli ynë, e renditur po ashtu nga fundi i tabelës në shumicën e standardeve evropiane.

Dhe lajmet e mira u bëjnë nder edhe shqiptarëve që jetojnë në diasporë, në këtë rast në Zvicër, për ta ndryshuar perceptimin e – pse jo edhe propagandën qëllimkeqe – për një diasporë shqiptare problematike.

SIDOQOFTË, KËTO ditë u pa se megjithatë edhe ata që janë të flaktë për fushën e gjelbër, që thonë se shikojnë vetëm lojën, lojëtarët dhe teknikën, që merren vetëm “me sportin”, dalin lehtësisht në terren tjetër.

Pati së paku tri episode kur shpërthyen debatet, që s’kanë të bëjnë asgjë as me topin, as me rezultatin në fushë e as me lojëtarët e preferuar. Kishin të bënin kryesisht me politikën.

E para, emblema që prezantoi Federata e Futbollit e Kosovës. Nuk u pëlqye. Nuk u pranua as arsyetimi se simbolizon zhvillimin e vështirë të futbollit të Kosovës nën okupim, që ndeshjet janë luajtur nëpër ara të baltosura në vend të stadiumeve, se janë bërë improvizime të shumta dhe se edhe dizajnet janë bërë si ka pasur mundësi e si është ditur – nganjëherë edhe me laps kimik. Të gjithë përnjëherë u bënë artistë dhe politikanë. Ka mundur të jetë më bukur, ka mundur të na përfaqësojë më denjësisht. Shto këtu edhe faktin që artisti i emblemës doli të ketë lidhje familjare me një zyrtare të rëndësishme të federatës – mjaftueshëm për të dalë edhe me protestë në rrugë.

Tash, ndoshta edhe kanë të drejtë kritikuesit. Mbase edhe ka hapësirë për dyshime për nepotizëm ose korrupsion. Fer!

E dyta, krejt prej kornerit – nëse përdorim një pozicion futbollistik – u stërtrajtua një deklaratë e një individi të parëndësishëm për përzgjedhjen e përfaqësueses për të cilën bën tifo. “Jam tifoz i Serbisë”, ishte deklarata e njëfarë Kosta Grillos dhe plasi bomba (e rrjeteve) sociale. E kuptueshme në një kontekst: shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur gjatë nga regjimet serbe, janë diskriminuar në punë e shkollë vetëm për shkak te etnisë, janë vrarë, dëbuar e djegur në luftë, kurse edhe sot e kësaj dite Serbia bën përpjekje që ta bllokojë dhe vështirësojë zhvillimin e Kosovës kudo që mundet. Në anën tjetër, ka edhe anë të tjera të medaljes: shqiptarët janë okupuar, luftuar e nëpërkëmbur, p.sh. edhe nga Turqia, Italia e Gjermania, ose ka edhe plot raste të tjera të konfikteve ndërmjet popujve e shteteve në Evropë e më gjerë, ndoshta edhe më të përgjakshme – përse atëherë dikush paska të drejtë të jetë tifoz i disa “armiqëve” e jo edhe i disa të tjerëve?

Në fund, mbase do të ishte problematike që Qeveria e Kosovës ose e Shqipërisë sot për sot të deklarohej për ndonjë tifozllëk për Serbinë, por Kushtetuta edhe e Shqipërisë, e edhe e Kosovës ia garanton të drejtën secilit individ që të ketë të drejtën e përzgjedhjes dhe shprehjes së lirë të mendimit të tij. A nuk kanë luftuar edhe Kosova edhe Shqipëria, mbi të gjitha, për lirinë, ku rol të pazëvendësueshëm zë edhe liria e shprehjes?! Për më tepër, çfarë rëndësie ka për kë bën tifo një individ i vetëm që s’përfaqëson askënd?!

E treta, u krijua një atmosferë e vërtetë bulizmi dhe ofendimi ndaj Adnan Januzajt, i cili u shpreh se ka lindur në Belgjikë, është belg dhe e ndien veten belg. Sërish, sado që shqiptarët për arsyet e përmendura më lart kanë nevojë për sa më shumë shqiptarë të suksesshëm, si mund t’i cënohet e drejta dikujt të deklarohet ashtu siç ndihet?! Gjithsesi, ne mbase do të dëshironim që të gjithë që kanë çfarëdo lidhjeje me shqiptarët të rrinin gjithë ditën duke folur për Skendërbeun, duke kënduar “Jo nuk ndahet Mitrovica”, ose duke e shikuar “Nëntorin e Dytë”, por kjo është utopike.

SI PO LIDHEN këto tri situata debatndjellëse të përfolura më lart? Besoj se flasin shumë për trazimin në të cilin ndodhemi ende si shoqëri. Se sa ende kemi nevojë të debatohet për prioritetet që i kemi. Mirëpo se sa e vështirë është kjo për shkak të traumave që na mbajnë të kurthuar e të ngarkuar.

Ose thënë ndryshe, sa më shumë që do të shikojmë futboll vetëm për shijim të lojës aq më normalë e stabilë do të jemi si individë, si shoqëri dhe si shtete.

P.S. Unë për vete që në fillim e pranova, kur shikoj futboll nuk e shikoj (vetëm) si sport. Nuk qenkam vetë! J

[email protected]

Twitter: @adriatikk