Asnjë fushatë e asnjë kryetar komune a asamblist nuk ia vlen jetën e asnjërit përkrahës potencial që do të mund ta bartte virusin ose ta merrte në një takim çfarëdo qoftë ai, ku do të dëgjonte premtime edhe për udhëtime në Mars. Fushatën në terren duhet ndaluar, sepse zgjedhjet nacionale na treguan se ne nuk e çajmë kokën për shëndet kur bëhet fjalë për pushtet
Pra, keqmenaxhimi dhe nënshtrimi ndaj presionit të ekonomisë, e në veçanti gastronomisë, e solli këtë që e kemi sot.
Pushteti ishte shumë i lumtur në qershor me shifra krejt të vogla të të infektuarish e pa vdekje dhe lejoi hapjen totale të kufijve për t'ia mbajtur gjallë sezonin turistik Shqipërisë e për t'i "mbushur bateritë" me paratë që i solli diaspora. Pa asnjë masë të vetme mbrojtjeje. Sepse masat që u lanë në fuqi pas hapjes në qershor qenë sa për sy e faqe dhe mbetën kryesisht të pazbatuara.
Tash post festum po e dimë që gabimi kryesor ka qenë se udhëtarëve që vinin në Kosovë, me aeroplanë apo vetura, nuk u është kërkuar asnjë dëshmi e vaksinimit e as PCR-testi për të pasur një siguri bile të vogël që njerëzit që hyjnë nuk janë të infektuar.
Po të ishte kërkuar dëshmia për vaksinimin, ashtu siç e kërkojnë jo pak shtete në Evropë, mërgimtarët do të ishin detyruar të vaksinoheshin në shtetet prej nga kanë ardhur. Edhe ishin mbrojtur e edhe na kishin mbrojtur nga bartja e virusit.
E njëjta gjë është dashur të jetë aplikuar te kosovarët që veruan në Shqipëri. Atje janë edhe më të padisiplinuar se ne sa u përket maskave dhe masave mbrojtëse. Prandaj edhe ata që ktheheshin nga verimet është dashur të pajiseshin me dëshmitë, qoftë të vaksinimit, qoftë të testit PCR. Po të ishte vepruar kështu, situata do të ishte shumë, shumë më ndryshe.
* * *
Kështu tash hymë në javën e katërt të valës më vdekjeprurëse që e kemi përjetuar. Dhe për më keq, valës së një virusi të dalë jashtë kontrollit, që tash qarkullon në variantin shumë më të keq e më të rrezikshëm, të cilin nuk jemi duke e marrë seriozisht.
Prej javës së dytë të gushtit janë evidentuar gjithsej 39.987 raste të të infektuarish dhe madje 304 vdekje. Në mesin e të vdekurve janë edhe katër shtatzëna, dy prej të cilave u janë lindur fëmijët para kohe, ashtu që t'u rritet probabiliteti i shpëtimit. Momentalisht janë 79 pacientë të lidhur për respiratorë.
Në mesin e 80 personave që e kanë humbur jetën në tri ditët e para të shtatorit madje 9 prej tyre janë nën moshën 40-vjeçare. 93 për qind të të infektuarve dhe të të shtrirëve në spital janë të pavaksinuar. Pra njerëz që mbase edhe kanë mundur të vaksinoheshin me ato 130 mijë doza Astra Zeneca që u desh të shkatërroheshin për shkak se iu ka kaluar afati. Po të ishin administruar këto vaksina, mbase shumë nga këta që janë infektuar tash, po të kishin pranuar të vaksinoheshin, do të kishin shpëtuar.
Në këso situate emergjence njerëzit tanë me noshalancë refuzonin ta merrnin Astrën, si ekspertë virologë që janë, edhe për shkak të fushatës së keqe dhe profesionalisht të papranueshme nga deputeti Kamishi, i cili për famë doli të thoshte se vaksinat ishin me afat të skaduar. E në fakt ishin me afat të shkurtër e që mund të administroheshin deri në fund të gushtit.
E Astra Zeneca ka mundur të administrohej te mësimdhënësit, një e treta e të cilëve nuk e kanë marrë vaksinën. E ky është fakt për t'u tmerruar. Nëse njerëzit që u japin mësim fëmijëve, që përgatiten për mësimdhënie dhe duhen pasur një diapazon më të gjerë njohurish, nuk besojnë në shkencën por besojnë në thashetheme e besëtytni, çka mund të pritet prej njerëzve më pak të ngritur a të arsimuar?
Kjo tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në sistemin e arsimit për shkak se me sjelljen dhe qasjen e tyre as nuk mund t'i mësojnë fëmijët si duhet e as nuk mund t'u shërbejnë si shembull.
* * *
Pra në këtë kaos shëndetësor, dhe jo vetëm, Kosova është në prag të nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale. Është një ligj i zgjedhjeve që thotë që s'bën të shkurtohet fushata, por është edhe një Kushtetutë që thotë se mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme e të bllokohet gjithçka në shtet derisa gjendja nuk kthehet në normalitet.
Se a duhet karantinuar sërish, duke i pasur parasysh krejt shifrat zyrtare që janë jashtëzakonisht të këqija (e tash mund të paramendojmë se sa të tjerë "nuk i ka kapur radari" dhe nuk u janë nënshtruar testimeve për të ditur nëse janë infektuar), do të doja ta dëgjoja një këshillë prej një njeriu eminent, si p.sh. dr. Faucci në Amerikë. Atë që e dëgjoj nga drejtori i IKSHKP-së është se Zoti do të na ndihmojë.
Thuajse nuk kemi më kapacitete spitalore publike. Hajde mund të kemi edhe nja njëqind shtretër te privatët, përderisa QKMF-të nuk mund të funksionojnë si stacionarë COVID për shkak se nuk janë të pajisura me oksigjen.
Nuk është reale të besohet se shpërndarja e COVID-it do të ndalet përderisa kafehanet dhe lokalet vazhdojnë të punojnë pa e mbajtur asnjë distancë dhe duke i uzurpuar edhe trotuaret për të vendosur sa më shumë tavolina e karrige ku njerëzit rrinë nja 30 centimetra larg bashkëbiseduesit.
Është iluzion të besohet se do të ndalet përhapja e virusit përderisa gjobat për mosmbajtje të maskës shqiptohen vetëm në rrugën kryesore. Është edhe më iluzore të besohet se virusi do të ndalet ku njerëzit pa maska futen në minimarkete ku nuk ka dezinfektues në hyrje, e shërbehen nga punëtorët që gjithashtu nuk mbajnë maska.
Është absolutisht e pabesueshme se po qe se lejohet mbajtja e fushatës, numri i të infektuarve nuk do të shumëfishohet eksponencialisht. Zgjedhjet e përgjithshme e dëshmuan të kundërtën në shkurt/mars, vetëm se atëherë nuk e kemi pasur Deltën. E tash e kemi.
* * *
Nëse Kosova vendos të ecën tutje me masa që mbase nuk janë më adekuatet për ta frenuar përhapjen e pakontrolluar të virusit, fushatën zgjedhore duhet ndaluar krejtësisht. Ligji i parasheh 30 ditë; Abdixhiku i sugjeroi 10 ditë, Haradinaj 5. Qeveria nuk është deklaruar.
Më së miri është që fushatë zgjedhore në terren të mos ketë fare. Duhet shmangur çfarëdo tubimi në cilindo vend, i hapur a i mbyllur, krejt njësoj është, për shkak se ne jemi tradicionalisht të njohur si njerëz që nuk lodhemi për zbatimin e rregullave. Për më tepër, ndiejmë kënaqësi të mashtrojmë këdo, paj edhe vetveten.
Kosova është shteti që ka mbi 200 mediume elektronike radiotelevizive. I ka edhe një zilion portale që kush nuk e di as të kujt janë, as kur janë hapur dhe për cilën arsye. Janë 48 subjekte politike dhe 550 kandidatë e 38 komuna. Për të gjithë ka vend në cilëndo studio, bile me distancën e kërkuar, që të shpalosin çfarë t'ua ka ëndja. Hiç nuk ka nevojë të dilet nëpër rrugë të tregohen fuqia a simpatia - sepse ai që e ka ndërmend të dalë të votojë tashmë e ka të qartë kë do ta votojë.
Asnjë fushatë e asnjë kryetar komune a asamblist nuk ia vlen jetën e asnjërit përkrahës potencial që do të mund ta bartte virusin ose ta merrte në një takim çfarëdo qoftë ai, ku do të dëgjonte premtime edhe për udhëtime në Mars. Fushatën në terren duhet ndaluar, sepse zgjedhjet nacionale na treguan se ne nuk e çajmë kokën për shëndet kur bëhet fjalë për pushtet.
* * *
Nuk na duhen premtime. Na duhen veprime. Duhet mbrojtur nga virusi. Vaksinimi është mbrojtja më e madhe, pavarësisht që s'është e qindpërqindtë. E vaksinës duhet ndihmuar me disiplinë, mbajtje distance e maske.
Informimi i përditshëm pa shtrembërime dhe zbukurime gjithashtu është element kyç për vetëdijesimin e popullatës. Kësaj popullate që në rastin e COVID-it ankesat për mungesë vaksinash i paskan pasur agjendë politike e jo motiv përnjëmend.
Do të duhej të ishte e pabesueshme që më shumë t'i besohet një këngëtari sesa shkencës. Porse arsimi në Kosovë, në 20 vjetët e fundit, paska qenë tallava, sikurse këngëtari, me autorë arsimtarët që refuzojnë të vaksinohen. Mjerim!