Dy dekada pas luftës pak gjërat kanë ndryshuar në Serbi. Narracioni politik i lidershipit të sotëm serb dallon vetëm në nuanca nga fjalori i viteve ’90. Nëse një gjë kemi mësuar nga tragjeditë e viteve ’90, është se pas fjalëve luftënxitëse të liderëve serbë, vetë akti i luftës nuk vonon
Skena e filmit hapet. Shikuesi dëgjon zërat e këndshëm të zogjve. Me zgjerimin e kuadrit shikuesi sheh një pamje përrallore të pranverës me plot lulëzimin e saj dhe në mes kuadrit është një familje e madhe e lumtur. Burrat të përqafuar me gratë. Gjyshërit me nipa në prehër. Tavolina plot ushqim.
Gjithë këtë skenë të bukur e ndërpret zëri i rëndë që vjen nga televizori: “Përsëri pas gjysmë shekulli historia po përsëritet. Përsëri kundër gjithë popullit serb janë ngritur hordhitë e çmendura të së keqes, ustashët e armatosur, mercenarët e huaj të etur për gjak dhe fanatikët e xhihadit me flamujt e Muhamedit në dorë dhe me shpatë në dhëmbë, të cilët sikur para gjysmë shekulli janë duke sulmuar popullin serb i cili në mënyrë heroike është duke mbrojtur tokën e vet të shenjtë dhe i cili është i vendosur që fëmijët e tyre të mos jenë viktimat e gjenocidit dhe konspiracionit cinik të fuqive të mëdha; të cilët janë të vendosur që të rishkruajnë hartën e re të Evropës”. Duke dëgjuar këto lajme nga televizori, Laza, karakteri i filmit, ngrihet në këmbë, përqafon gruan e vet dhe largohet nga shtëpia. Të befasuar e pyesin: “Ku po shkon Lazo?”. Laza përgjigjet: “Në Bosnje, në Bosnje”. Çfarë ndodh më pastaj gjatë filmit me Lazen është që ai – një serb i urtë dhe familjar – shndërrohet në një kriminel të degjeneruar gjatë luftimeve në Bosnje.
Fillova kolumnen me këtë skenë të filmit për dy arsye.
Arsyeja e parë është, sepse kjo skenë nga filmi epik “Fshatrat e bukura digjen bukur” në 20 sekondat e saj ka shpjeguar më bukur se qindra libra rolin dhe fuqinë e propagandës shtetërore në tragjeditë e viteve ’90. Ka shpjeguar se si është e mundur që njerëzit e thjeshtë, të qetë dhe familjarë të shndërrohen në kriminelë të regjur lufte të cilët kanë qenë në gjendje që gjakftohtë të ekzekutojnë civilët boshnjakë në Srebrenicë apo të bartin kufomat shqiptare me kamionë në Batajnicë.
Arsyeja e dytë është, sepse kjo skenë mu kujtua duke dëgjuar fjalimin e presidentit Vuçiq në shënimin e përvjetorit të trazirave të marsit. Kohëve të fundit regjimi i Vuçiqit është duke përdorur çdo herë e më intensivisht fjalorin që i ngjan fjalorit të viteve ’90. Fjalët sikur “pogrom”, “viktimat serbe”, “padrejtësi ndaj popullit serb”, “populli i pambrojtur”, “agresori gjak etur”, “šiptari”, “ustaše”, janë bërë fjalor i rëndomtë i Vuçiqit apo i makinerisë së tij propagandistike. Edhe kësaj radhe në shënimin e përvjetorit të trazirave të marsit ai foli me përbuzje për viktimat shqiptare – tre fëmijë – ndërsa lartësoi në qiell terroristët e Banjskës. Ai foli përsëri për “pogromin” serb nga ana e shqiptarëve dhe paralajmëroi Perëndimin se ai duhet të zgjedhë në mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe nëse Perëndimi zgjedh Kosovën, atëherë Serbia do ta presë “momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë rastin”.
Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq i referohet pushtimit të mundshëm të Kosovës. Në dhjetor të vitit të kaluar ai nënvizoi se si është me rëndësi që Serbia të mësojë nga Azerbajxhani i cili ka pritur 27 vjet për t’u kthyer në Nagorno-Karabakh. Ai shpjegoi se pushtimi i suksesshëm i Azerbajxhanit ishte rezultat i dy dinamikave nga të cilat duhet mësuar Serbia. E para është se Azerbajxhani i vitit 1990 nuk është Azerbajxhani i vitit 2023. Ai ndërkohë është sforcuar politikisht, është rritur ekonomikisht dhe fuqizuar ushtarakisht. Pra, për 30 vjet Azerbajxhani është përgatitur për momentin e artë. E dyta është rëndësia e momentumit të favorshëm gjeopolitik. Azerbajxhani ka zgjedhur një momentum kur Perëndimi nuk ka pasur as interes, as energji të merret me një çështje margjinale sikur që është çështja e Nagorno-Karabakhut. Po ashtu, ndërkohë Azerbajxhani ka kuptuar se burimet e veta energjetike ofrojnë levë të rëndësishme shantazhi dhe negocimi karshi komunitetit perëndimor. Në veçanti në sfondin e një krize globale energjetike. Pra, sipas Vuçiqit, e gjithë kjo duhet t’i shërbejë Serbisë si udhërrëfyes për pozicionimin e saj karshi Perëndimit dhe Kosovës.
Në diskursin publik kjo sjellje e Vuçiqit është interpretuar në dy mënyra të kundërta.
Një interpretim është se e gjithë kjo është spektakël për nevojat e brendshme të politikës serbe. Vuçiqi me këtë narracion politik po kujdeset që të mos perceptohet tërësisht “perëndimor” dhe të humbasë votat nacionaliste të elektoratit serb. Ky lloj narracioni nacionalist i lejohet Vuçiqit nga ana e ndërkombëtarëve pasi që (1) Vuçiqi është duke iu garantuar perëndimorëve stabilitetin e rajonit, (2) Vuçiqi, përkundër këtij narracioni, është konstruktiv në ndërmarrjen e hapave praktikë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën (p.sh: energjia, letërnjoftimet dhe targat) dhe (3) Vuçiqi është duke bashkëpunuar me Perëndimin në çështjet e ndjeshme të sigurisë globale sikur që është furnizimi me armatim i Ukrainës. Rrjedhimisht, sipas këtij shpjegimi, krejt përderisa Vuçiqi respekton kërkesat kyç të sigurisë të komunitetit perëndimor, atij do t’i falen këto lloj narracionesh të kota publike rreth Kosovës.
Interpretimi i kundërt është se Vuçiqi e ka njëmend luftën. Vuçiqi ka sforcuar në mënyrë të paprecedentë aparatin e sigurisë së Serbisë. Së fundi, pozicionimi dhe përdorimi i mundshëm i armatimit më modern ofansiv kinez ka alarmuar edhe Këshillin e Sigurisë Nacionale të SHBA-së. Dhe, po, patjetër se momentalisht është e paimagjinueshme që Serbia ta pushtojë Kosovën në tërësi. Por Serbia nuk ka nevojë ta bëjë këtë. Ajo mjaftohet vetëm ta pushtojë një pjesë të Kosovës. Episodi i Banjskës e dëshmoi këtë. Ata që mbështeten symbyllur në NATO duhet ta kuptojnë se NATO-ja nuk e ka në mend të fillojë luftë të re për shkak do copë toke diku në një qoshe të harruar të Evropës. Në veçanti jo sot, kur NATO-ja është e preokupuar me probleme shumë më të mëdha se ky fati i këtij vendi të vogël të Evropës.
Se cila nga këto dy interpretime është e saktë, ngelet që koha ta dëshmojë. Çfarë mund të themi deri më sot: është se dy dekada pas luftës pak gjërat kanë ndryshuar në Serbi. Narracioni politik i lidershipit të sotëm serb dallon vetëm në nuanca nga fjalori i viteve ‘90. Nëse një gjë kemi mësuar nga tragjeditë e viteve ’90, është se pas fjalëve luftënxitëse të liderëve serbë, vetë akti i luftës nuk vonon.