OpEd

Fundosja e një banke zvicerane

E themeluar më 1856, Credit Suisse ishte ikonë e sistemit bankar të Zvicrës. Papërgjegjësia e bankierëve dhe injoranca e politikanëve e çuan atë drejt fundosjes. Çmimin për këtë kazino-kapitalizëm toksik e paguajnë taksapaguesit

Lajmet e televizionit publik të Zvicrës fillojnë në orën 19:30. Asnjë sekondë më herët, asnjë sekondë më vonë – fundja ky është vendi i orëve të përpikta. Të dielën lajmet filluan në orën 19:28. Sepse në orën 19:30 ishte caktuar një konferencë për shtyp e Qeverisë në Bern në lidhje me rrezikun e falimentimit të bankës Credit Suisse.

Zvicra ndodhet këto ditë në një situatë historikisht dramatike. Credit Suisse ishte në rënie të lirë nga mesi i javës së kaluar. Credit Suisse është banka e dytë për nga rëndësia në Zvicër. Është njëra nga 30 bankat më relevante për sistemin bankar botëror. Falimentimi i saj mund të lëkundë sistemin financiar ndërkombëtar.

Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, njoftoi të dielën se banka zvicerane UBS do ta blejë Credit Suisse. Fundosja e Credit Suisse ishte e pritshme. Me vite të tëra kjo bankë ka rrëshqitur nga skandali në skandal. Asgjë nuk e shpjegon më mirë mentalitetin e kazino-kapitalizmit sesa këto shifra: në 10 vjetët e fundit Credit Suisse ka shpërndarë 32 miliardë franga bonuse për aksionarë e njëkohësisht ka shënuar humbje për 3,2 miliardë franga.

Tani shteti duhet të vrapojë me 9 miliardë franga për të shpëtuar një bankë para fundosjes dhe për të marrë mbi vete rreziqet si pasojë e papërgjegjësisë së bankierëve, por edhe të politikës.

Kjo ngjarje është një dështim kolosal i elitave politike e ekonomike të Zvicrës. Dhe kjo ngjarje renditet në mesin e skandaleve të tjera. Më 2 tetor 2001 kompanisë së famshme ajrore “Swissair” i mbetën avionët në pistë – s’kishte më para. Fajtor për këtë ishte në radhë të parë elita ekonomike e politike e Zürichut e tubuar rreth partisë FDP. Më 2008 shteti u detyrua të shpëtojë nga kolapsi bankën UBS, e cila tani po e blen Credit Suisse. E diela ishte një ditë historike dhe nuk ishte ditë e mirë për Zvicrën. Edhe pas së dielës atmosfera i ngjan pak a shumë varrosjes së “Swissairit”, një ikone të ekonomisë zvicerane. Dhe përgjegjësia bie sidomos mbi politikanët liberalë dhe ata të djathtë, jo mbi socialdemokratët dhe të majtën në përgjithësi, e cila nuk lodhet duke paralajmëruar mbi rreziqet e kapitalizmit të shfrenuar.

Credit Suisse u themelua më 1856 me emrin Schweizerische Kreditanstalt (SKA) nga politikani Alfred Escher. Baza financiare mundësoi ndërtimin e rrjetit hekurudhor të Zvicrës, hapjen e tunelit të Gotthardit dhe lidhjen më të mirë të Zvicrës dhe Evropës veriore me Italinë dhe Mesdheun. Escher ishte mbreti i hekurudhave të Zvicrës, ai themeloi edhe Universitetin Teknik të Zürichut (ETH), një ndër shkollat më të famshme në botë.

Më 1988 Credit Suisse u angazhua financiarisht në bankën investuese amerikane CS First Boston, bleu Bank Leu (1990), Volksbank (1993) dhe fonde të tjera nga Brazili në Lindjen e Afërt dhe në Afrikë. Kështu Credit Suisse u bë bankë globale. Në krye të saj erdhën edhe bankierë nga shtete të tjera. Sa më e madhe banka, aq më e madhe gatishmëria për t’u futur në rreziqe. Më 2010 shefi i Credit Suisse, bankieri amerikan Brady Dougan, për një vit mori 90 milionë franga rrogë. Te njerëzit e thjeshtë, te punëtorët, kjo krijoi përshtypjen se një elitë grabitqare nuk çan kokën për rreziqet e mundshme.

Edhe krizën e Credit Suisse politikanët zviceranë (shumica liberalë-djathtistë) e kanë shikuar me indiferencë, ndonëse pas krizës së UBS-së më 2008 ishte miratuar një ligj që duhej të evitonte ndërhyrjen e shtetit për të shpëtuar bankat private. Tash me Credit Suisse po ndodh pikërisht kjo.

Zhvillimet e fundit me Credit Suisse nuk do të kalojnë pa pasoja. Në vjeshtë të këtij viti në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe debakli i Credit Suisse do të ketë ndikim në fushatën elektorale. Ose së paku duhet shpresuar që të ketë ndikim dhe të paguajnë çmimin sidomos ato parti që propagandojnë liri të pakufishme dhe sa më pak rregulla në sistemin bankar dhe ekonomik në përgjithësi. E diela pa dyshim hyn në histori si ditë e zezë në historinë e Zvicrës. Dhe ditët e ardhshme do të jenë herë të zeza dhe herë gri.