OpEd

Fundi i majit 2020 në Kosovë - Një inventar i shkurtër politik në një vend me dy epidemi

Ndryshimi i muajit shënon disa ndryshime serioze për njerëzit në Kosovë, sepse efektet dhe trajtimi i dy viruseve janë akoma vendimtare për jetën e tyre - njëri prej tyre tashmë për shumë vite ka vepruar në mënyrë shkatërruese

Virusi afatgjatë i korrupsionit dhe nepotizmit

Në tetorin e kaluar, njerëzit vendosën më në fund t’i kundërshtojnë korrupsionin dhe nepotizmin. Për herë të parë, ata dërguan në opozitë elitat e vjetra politike, të cilat për shumë vite kanë qenë përgjegjëse për përhapjen e pakufizuar të "virusit korrupsion". Përkundër kohës së shkurtër në detyrë, Qeveria e re ishte në gjendje të ndërmarrë kundërmasa të shkëlqyera. Përfaqësuesit dhe menaxherët jokompetentë u dërguan në shtëpi, sepse vendet e punës dhe funksionet ua kishin borxh ekskluzivisht “rrjeteve” dhe jo kompetencave të tyre.

Ndihej një frymë lehtësimi në të gjithë vendin, sepse filloi të luftohej nepotizmi i shfrenuar!

Për vëzhguesit dhe aktorët ndërkombëtarë në Kosovë ishte pozitivisht befasuese që kërkesat për më shumë demokraci dhe më pak korrupsion filluan të merren seriozisht.

Pastaj erdhi virusi korona

Sikur të mos kishte sfida të mjaftueshme për Qeverinë e re, në mars erdhi edhe një virus kërcënues për jetën e njerëzve. Virusi ishte aq më tepër kërcënues duke pasur parasysh që në Kosovë zhvillimi i kujdesit të mirëfilltë shëndetësor kurrë nuk ka qenë në agjendën e qeverive të mëparshme. Si në vendet e tjera autokratike, virusi u shfrytëzua menjëherë nga opozita e mposhtur e elitave të vjetra për të manipuluar vullnetin demokratik dhe për të ngulfatur fillimin e ri demokratik.

Me një sulm sipas metodës së darës* u synua kthimi politik në kohërat e vjetra dhe te miqtë e vjetër. Presidenti, i cili me sa duket po i krahason kompetencat e tij me ato të mbretërve, menjëherë bëri thirrje për një emergjencë shtetërore për ta rrëzuar Qeverinë demokratike.

As sulmi, nga ana tjetër, nuk ishte befasues, pasi LDK-ja gjatë negociatave të gjata me LVV-në për koalicionin qeverisës e kishte bërë mjaft të qartë se nuk ishte aspak e interesuar t'i zbatonte premtimet e dhëna gjatë fushatës. Vjosa Osmani shërbeu si reklamë për kinse orientimin e ri të LDK-së, por pasi LVV-ja fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, ajo u hoq menjëherë dhe në pah dolën përsëri “zotërinjtë e vjetër”, të cilët duket se janë miq të mirë me ata që u ndëshkuan nga votuesit në zgjedhjet e fundit. Por, përkundër të gjithë këtyre sulmeve, Qeveria arriti ta menaxhojë shkëlqyeshëm krizën e pandemisë të shkaktuar nga virusi korona. Për më tepër, ajo madje zhvilloi qasje të mira për bashkëpunim me vendet fqinje. Duke vepruar kështu, Qeveria merr mbështetje të fuqishme nga BE-ja, e cila e vlerëson edhe këtë pjesë të punës së Qeverisë Kurti.

Pse të ndryshohen këto zhvillime?

Vëzhguesve - por edhe shumicës së qytetarëve – u intereson veçanërisht një pyetje: Pse po pengohet vazhdimi i punës së suksesshme të kësaj qeverie? Sondazhet e qytetarëve tregojnë vlera jashtëzakonisht pozitive për Qeverinë, kryeministrin dhe punën e tyre. Njëkohësisht, qytetarët shprehin qartë pakënaqësinë me presidentin dhe "sulmuesit e bezdisshëm" nga opozita. Përgjigjen në pyetjen e mësipërme mund ta japin vetëm ata të cilëve Qeveria e re për një kohë të shkurtër u ka treguar se si funksionon qeverisja më e mirë.

Për rrëzimin e Qeverisë janë mobilizuar të gjitha mjetet, të cilat rrjetet e tilla i kanë në dispozicion. Prandaj, është e pakuptimtë të diskutojmë gjatë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht që ka pasur mënyra të tjera për të interpretuar këtë mangësi të dukshme të Kushtetutës. Këtu nuk kishte vetëm një të vërtetë ligjore! Përkundrazi, një gjykatë vërtet e pavarur do të vepronte me "ndjeshmëri" më të madhe, sepse edhe interpretimi i këtij hendeku kushtetues në drejtim të zgjedhjeve të reja nuk do të ishte ligjërisht i dyshimtë. Madje, gjykimet kushtetuese duhet të bëhen gjithashtu në dritën e diskutimeve shoqërore. Por, është e kotë të argumentosh për këtë, sepse mashtruesit e vërtetë të vullnetit të votuesve gjenden në Kuvend. Pa ata ky "grusht shtet i ftohtë politik" kundër vullnetit të qartë të votuesve nuk do të ishte i mundur! Prandaj, qytetarët aty duhet ta shohin problemin e vërtetë. Sepse në zgjedhjet e kaluara qytetarët ua paskan besuar mandatin njerëzve, të cilët qartas paskan menduar apo planifikuar më herët t'i mashtrojnë votuesit e tyre. Asnjë parti nuk e ka treguar më shpejt dhe më qartë fytyrën e vërtetë menjëherë pas zgjedhjeve.

Mashtrimi në zgjedhje kërcënon zhvillimin e demokracisë në Kosovë!

Shumë njerëz në Kosovë pyesin nëse kjo që po ndodh tani mund të quhet vërtet demokraci. "Sulmuesit e bezdisshëm" formalisht iu përmbajtën rregullave dhe i shfrytëzuan ato në "mënyrë kreative". Madje në mënyrë tepër "kreative" për shumicën në vend, sepse ajo që po ndodh që nga koha e votës së mosbesimit aspak nuk ka të bëjë me shumicën apo me vullnetin e qytetarëve. Këtë duhet ta kenë kuptuar edhe disa nga administratat amerikane, të cilët, me sa duket që para zgjedhjeve të tetorit kanë bashkëpunuar në strategjinë e sulmit sipas "metodës së darës". Në kundërshtim me të gjitha fjalimet e tyre reklamuese që në Kosovë duhet të luftohet korrupsioni dhe shkaktarët e tij, Grenelli dhe të tjerë nga administrata e Trumpit i përkrahën pikërisht këta shkaktarë; madje nganjëherë krijohet përshtypja që disa politikanë kosovarë udhëzohen prej tyre. Kështu sulmeve të dyanshme kosovare ndaj Qeverisë së re iu shtua edhe sulmi i tretë. Tema e "dialogut" u ngrit dhe u përjetësua përsëri, megjithëse të gjithë e dinin se nuk do të ndodhte asgjë para zgjedhjeve në Serbi.

Por Qeveria edhe kësaj kërkese iu përgjigj në mënyrën më të mirë, duke zëvendësuar taksën e Haradinajt, e cila u kritikua ndërkombëtarisht me një mekanizëm të përdorur nga diplomatët profesionistë në të gjithë botën: Quid pro quo - të japë çfarë më jep… Kushdo që kritikon hapat e parë të Kosovës drejt një dialogu të ri dhe serioz me Serbinë tregon qartë që nuk ka interes real për zgjidhje të mira. Tani po mbështeten edhe ata që u kritikuan ashpër për vendosjen e taksës. Kjo i bën Grenellët dhe të tjerët nga administrata e tanishme amerikane bashkëpunëtorë të "sulmuesve të bezdisshëm", por sigurisht që nuk i bënë miq të vërtetë të Kosovës dhe zhvillimit demokratik – përkundrazi! Më e keqja është që "sulmuesit e bezdisshëm" akuzojnë ata, të cilët nuk duan të bashkohen në politikat e tyre shkatërruese, që kinse po e rrezikojnë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumica e kosovarëve nuk e duan këtë! Por, deri më tani askush nuk mund ta shpjegojë pse dhe si p.sh. një marrëveshje e shpejtë apo edhe një shkëmbim territoresh do te ishte në interes të kosovarëve. Është qartas në interes të administratës aktuale të SHBA-së që të ketë një "sukses të shpejtë" pak para zgjedhjeve amerikane. Por të gjitha "sukseset ose ujditë" e shpejta të administratës Trump ishin thjesht ajër i nxehtë në kuptimin më të mirë, dhe shpesh më të këqija se aq. Por në SHBA ka mjaft të tjerë që me të vërtetë duan ta mbështesin Kosovën - dhe me ata zhvillohet tutje miqësia midis dy vendeve. E ashtuquajtura miqësi midis aktorëve të administratës Trump nga njëra anë dhe "sulmuesve të bezdisshëm" në Kosovë nga ana tjetër sigurisht që nuk është ajo që e themeluan Klintoni, Rugova e shumë të tjerë!

Tani po vjen Qeveria LAN (Loser And Nobodies)

Shumë shpejt, por pa ndonjë program, u formua një koalicion i ri për një qeveri, e cila po mundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe po ngrihet në detyrë me mëshirën e presidentit Thaçi. Kush e përbën këtë koalicion qeveritar? Në rend të parë LDK-ja, një parti që deri më 6 tetor 2019 kishte premtuar një fillim të ri, por shumica e së cilës ka bërë të kundërtën që nga 7 tetori. Ata që në LDK vërtet besuan në fillimin e ri dhe luftuan për të, figura si Vjosa Osmani, u mënjanuan pas zgjedhjeve. Ajo nuk deshi të luante lojën e ndyrë të partisë së saj! Partner tjetër i koalicionit të ri është partia AAK e ish-kryeministrit, e cila bashkë me partnerin parazgjedhor PSD u ndëshkua keq në zgjedhjet e vitit të kaluar. Këtij konstrukti i shtohet edhe partia Nisma, e cila mezi kaloi pragun në zgjedhje dhe njëjtë si AAK-ja ishte pjesë e koalicionit të mëhershëm qeveritar PAN.

Sikur për ta dëshmuar që ky "koalicion i humbësve" synon kthimin në të kaluarën e mjerueshme, as këtë herë nuk ka diskutim për program të përbashkët qeverisës – por, kush do ta priste ndryshe! Dhe pse duhet të kenë ndonjë program? Kur është e qartë që ky koalicion synon vetëm rikthimin në pushtet dhe qasjen në përfitime! Në prapavijë gjendet PDK-ja, e cila me sa duket nuk ka më nevojë të marrë funksione të rëndësishme përfaqësimi për ta ushtruar pushtetin.

Tani kërkohet mocioni i qytetarëve për mosbesim kundër Kuvendit!

Duket qartë që përtëritja thelbësore dhe morale e politikës kosovare pësoi një humbje të madhe - në dëm të vullnetit të qytetarëve. Tani nga qytetarët kërkohet të bëjnë të mundur që qëllimet e reja të kenë një të ardhme. Qytetarët ua dhanë mandatin deputetëve të tanishëm - duke besuar se të deleguarit e tyre do të zbatonin vullnetin e tyre. Kështu duhet të funksiononte demokracia. Osmani dhe Kurti, të cilët qëndruan për një fillim të ri, së bashku morën 360.000 vota, gati 10% të të gjithë votave të hedhura për qindra kandidatë. Kurse ata që tani synojnë ta rimarrin timonin, Hoti, Haradinaj dhe Limaj, së bashku kanë më pak se 130.000 vota, shumë më pak sesa Kurti e Osmani veç e veç! Këta numra tregojnë kush e kishte fituar besimin e qytetarëve.

Sidoqoftë, një pjesë e konsiderueshme e mbajtësve të mandatit kanë abuzuar turpshëm me besimin e qytetarëve duke vepruar në kundërshtim me vullnetin e shumicës qytetare (shiko rezultatet e sondazheve të fundit!). Shumë mbajtës të tjerë të mandatit u bashkuan në këtë abuzim. Të gjithë ata të deleguar nuk meritojnë më besimin e votuesve të tyre! Prandaj, votuesit duhet ta tërheqin hapur dhe qartë besimin e tyre! E vetmja mënyrë për t’i dhënë përsëri një mundësi vullnetit të qytetareve janë zgjedhjet e reja. Kjo është arsyeja pse "Losers And Nobodies" (Humbësit dhe Askushët) tani nuk kanë guxim të maten në zgjedhje, sepse e dinë që do të humbnin përfundimisht. Prandaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese doli ashtu si doli.

Për të gjithë ata që besojnë dhe duan të besojnë në demokraci dhe shtet të së drejtës, tani është koha për të vepruar. Tërhiquani mandatin atyre që nuk e merituan besimin tuaj! Luftoni që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë. Nuk do të mjaftojë një protestë, duhet angazhim i vazhdueshëm qytetar deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja.

(Frank Hantke, ish-drejtor për Kosovë i fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, ka 15 vjet që jeton dhe punon në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai tani jeton dhe punon në Prishtinë).

* Term ushtarak: Rrethim që bëhet duke i marrë armikut njëkohësisht të dy krahët dhe që vjen gjithnjë duke u ngushtuar derisa e detyron atë të dorëzohet apo të asgjësohet