OpEd

Fundi i dy karrigeve të Serbisë

Sot dakordimi i Kosovës dhe Serbisë mbi propozimin franko-gjerman është kontributi më domethënës i tyre kundër pushtimit rus të Ukrainës. Heqja e argumentit rus për Kosovën në sfondin e pretendimeve të saj në Ukrainë është aspekt kyç i përkushtimit dhe interesave të kancelarive në Evropë dhe SHBA në kuadër të propozimit franko-gjerman. Nga Kosova dhe Serbia nuk pritet t’i dërgojnë tanket “Leopard”, por pritet të dakordohen për propozimin franko-gjerman

Në vendet demokratike është me rëndësi të dëgjojmë çfarë thonë liderët politikë gjatë takimeve partiake, mbledhjeve të qeverisë apo seancave të kuvendit. Këto janë forume demokratike ku idetë prezantohen, argumentet ballafaqohen dhe zgjidhjet dakordohen. Sidoqoftë, në autokraci është ndryshe. Në autokraci partitë, qeveria, kuvendi, media, gjyqësori – të gjitha janë makijazh i pushtetit që mban lideri, fuhrer apo il duce. Në autokraci lideri i drejtohet drejtpërdrejt popullit i papenguar nga institucionet demokratike dhe të baraspeshimit të pushteteve. Kësisoj, konferencat për shtyp të presidentit serb Vuçiq janë shndërruar në ngjarjen më të rëndësishme të jetës publike të Serbisë. Të ngjashme me pamjet e Koresë Veriore konferencat për shtyp të Vuçiqit transmetohen drejtpërdrejt në trembëdhjetë kanale të ndryshme televizive të Serbisë. Aty prezantohen sfidat më të mëdha, planet më të rëndësishme dhe sukseset më të veçanta të vendit.

Në këtë drejtim konferenca e fundit për shtyp e Vuçiqit pas takimit me 5-shen e emisarëve ndërkombëtarë tërhoqi vëmendje të madhe. Ishte konferencë ndryshe nga të gjitha të tjera deri më sot. Aty pamë një Vuçiq krejtësisht ndryshe nga fjalimi i të cilit mund të nxjerrim së paku tri mesazhe kryesore.

1. Plani franko-gjerman nuk është më plani franko-gjerman. Është më shumë se kaq

Pra, para syve tanë po ndodh një evolucion i heshtur i planit franko-gjerman. Mbani mend, plani ka filluar si një ide apo “non-paper”, më pastaj ai evoluoi në propozimin formal të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, ndërsa sot ai është shndërruar në mjet kyç ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pra, sot plani gëzon mbështetjen e të gjitha 27 vendeve të BE-së, përfshirë pesë vendet mosnjohëse të BE-së. Si i tillë plani në thelb ka zëvendësuar gjithë rrugën integruese të Kosovës dhe Serbisë. Thënë ndryshe, propozimi franko-gjerman është shndërruar në proces negociator të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Mungesa e progresit në pranimin dhe zbatimin e planit franko-gjerman nënkupton stagnim dhe izolim në rrugën integruese. Dhe jo vetëm kaq. Sot dakordimi i Kosovës dhe Serbisë mbi propozimin franko-gjerman është kontributi më domethënës i tyre kundër pushtimit rus të Ukrainës. Heqja e argumentit rus për Kosovën në sfondin e pretendimeve të saj në Ukrainë është aspekt kyç i përkushtimit dhe interesave të kancelarive në Evropë dhe SHBA në kuadër të propozimit franko-gjerman. Nga Kosova dhe Serbia nuk pritet t’i dërgojnë tanket “Leopard”, por pritet të dakordohen për propozimin franko-gjerman.

2. Sanksionet ndaj Serbisë

Nga fjalimi i Vuçiqit kuptuam se kohës së uljes në dy karrige i ka ardhur fundi. Serbia ose do ta pranojë planin franko-gjerman, ose do të këtë sanksione. Pra, koha e karotave ka përfunduar, tani kanë mbetur vetëm shkopinjtë. Sipas Vuçiqit, emisarët e kanë bërë të qartë se në rast të refuzimit të planit, Serbia do të ballafaqohet me: (1) Pezullimin e procesit integrues, përfshirë liberalizimin e vizave, (2) tërheqjen e investimeve të BE-së dhe (3) sanksionet e përgjithshme politike dhe ekonomike.

Dhe në këtë drejtim Vuçiqi qartazi tregoi se izolimi i Serbisë nuk është opsion. Zakonisht Vuçiqi ka përdorur konferencat e këtilla për të sforcuar narracionet populiste të llojit: “Gjermanëve nuk iu besoj ama bash asnjë gjë”, prandaj ishte freskuese të dëgjosh një Vuçiq tërësisht pro-evropian që lavdëron BE-në dhe Perëndimin: “Duhet të jemi fer dhe t’u tregojmë qytetarëve se BE-ja është investitori më i madh në vendin tonë”. Pra, Vuçiqi kupton se ka ardhur koha që Serbia ta njohë publikisht rëndësinë e BE-së. Mbi 60% të investimeve të huaja direkte në Serbi vijnë nga BE-ja. 65% të eksporteve të Serbisë shkojnë në BE. Vetëm Gjermania punëson 80.000 qytetarë serbë. Vetëm me Gjermaninë volumi tregtar arrin 8.2 miliardë euro.

Prandaj Vuçiqi foli me një gjuhë kompromisi dhe urtësie: “Nëse zgjedhja është që në një anë kemi sanksione dhe izolimin, e në anën tjetër të pranojmë Kosovën në OKB – unë jam për rrugën e kompromisit, aq sa është e mundur”.

3. Serbia është gati për kompromis

Dhe kjo na sjell te mesazhi i tretë i Vuçiqit. Ai foli me fjalët e përzgjedhura dhe të urta që do ta kishte zili çdo klerik i devotshëm: “Neve na duhet paqe me shqiptarët” dhe “Duhet të diskutojmë si të ngremë besimin në mes nesh dhe shqiptarëve”. Ai foli edhe me sinqeritet kur bëri thirrje që “të dalim nga flluska e vetëndërtuar e gënjeshtrave tona dhe mendojmë se nuk kemi nevojë për askënd në botë”. Ndërsa në pjesën më mbresëlënëse të fjalimit ai sulmoi të gjithë ata në Serbi që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës: “Ju me të vërtetë bëheni kaq naivë? A të gjithë ne dëshirojmë të jemi kaq naivë? Të jetojmë nga goja deri te veshët tanë dhe të bëhemi që nuk kemi sy për të parë realitetin”. Ai madje paralajmëroi Serbinë se nuk guxon të përsërisë gabimin dhe të refuzojë komunitetin perëndimor sot me propozimin franko-gjerman, ashtu siç kishte bërë Milosheviqi në vitet ‘90.

Në gjithë këtë sfond krahasoni tani këtë gjuhë me “Nema predaje” (“Nuk ka dorëzim”). Pra, në pak fjalë ajo çfarë pamë është ndryshim thelbësor dhe hapi i parë serioz i Vuçiqit për të përgatitur narracionin publik në Serbi për kompromis në kuadër të marrëveshjes me Kosovën. Dhe, siç duket kjo funksionoi. Të nesërmen kryetitulli në gazetat serbe ishte: “Marrëveshje ose sanksione”.