Së pari të bëhet ushtria duke e amendamentuar Ligjin mbi FSK-në, ashtu siç sanksionohet me Kushtetutën e Republikës si forcë kombëtare e mbrojtjes, pastaj të dialogohet me serbët kosovarë për kushtet e bashkëngjitjes së tyre një ushtrie që ka për synim parësor ruajtjen e paqes e jo kërcënimin e saj. Ushtria nuk bëhet me rezoluta, por me vendime të guximshme. Përcaktimi i FSK-së si forcë kombëtare e mbrojtjes së Kosovës sipas modelit të ushtrive të NATO-s buron nga Pakoja Ahtisaari dhe është e drejtë ekskluzive e kombit kosovar si popull shtetformues, dhe nuk ka asnjë arsye për t’ia ndërruar emrin…
A i kujtohet dikujt fjalimi i George W. Bushit në Fushë-Krujë më 10 qershor 2007?
A e mbani mend fjalinë e tij: "Kosovo is Indepedent State. Now"!
Po ashtu, foli edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, James N. Mattis.
SKF is Army. Now!
FSK- është ushtri.
Prandaj lidershipi kosovar duhet t’i lërë fjalët dhe ngarendjet për protagonizëm dhe ta bëjë ushtrinë tash!
Ndër katër liritë për të cilat foli presidenti Roosewelt në fjalimin e tij inaugurues është edhe liria nga frika, si një e drejtë themelore e njeriut.
Kosovarët duhet ta ushtrojnë këtë liri, të lirohen nga frika!
Do të ishte shumë e drejtë dhe e lakmueshme që ushtria kosovare të ndërtohet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe duke e përfillur votën e dyfishtë (pra edhe dy të tretat e pakicave) dhe kam qenë vetë ithtar i kësaj logjike.
Mirëpo në rrethanat e jashtëzakonshme që janë krijuar, pasi që në rajonin tonë ka indicie të fuqishme se është shtrirë influenca ruse (frikësim dhe destabilizim të shteteve ballkanike)kurse vendet fqinje të Kosovës po bëjnë gara në armatim, e në anën tjetër Serbia ka mësyrë Kosovën përmes një fushate të egër jo vetëm diplomatike për destabilizim e ndoshta edhe zhbërje të shtetit kosovar.
Natyrisht se me ushtrinë e Kosovës duhej të niste deetnizimi i shtetit.
Porse po të sillej ma ndryshe Serbia, pra po të hiqte dorë nga instrumentalizimi i serbëve kosovarë që po i përdor si vegla për ta destabilizuar Kosovën dhe për ta dëmtuar shtetin kosovar dhe po t'i linte ata të lirë që të vendosin për fatin e tyre me pjesëmarrje në kombndërtim mbi bazat e qytetarisë. Mirëpo ata nuk e duan këtë - jo së paku shpejt - dhe për këtë Kosova nuk mund të mbesë peng i nacionalizmit etnik serb - pra duhet ta ndërtojë ushtrinë (si një e drejtë elementare për t’u mbrojtur dhe si e drejtë e shumicës që ka luftuar për liri e shtet, përderisa serbët kosovarë tërësisht ishin me shtetin fashist të Milosheviqit e kundër shumicës shqiptare) e tek pastaj të bëjë përpjekje për deetnizimin e saj (ushtrisë pra) pas ndonjë traktati paqeje me Serbinë, pas pajtimit, ngjashëm me Afrikën e Jugut.
Sy bote Serbia ka nisur një ofensivë diplomatike kundrejt Kosovës dhe për habi Brukseli zyrtar po hesht.
Kjo heshtje sikur e sqaron frikën e BE-së përballë Rusisë, që është rikthyer fuqishëm në skenën evropiane, duke e instrumentalizuar Serbinë për ta përdorur si shantazhuese të BE-së.
Gjermania nuk ia del dot e vetme t’i bëhet mburojë kësaj BE-je fragjile e kaotike, e presidenti Trump e sheh me xhelozi forcimin ekonomik të saj.
Në anën tjetër Kosova nuk ka strategji kombëtare për t’u mbrojtur ligjërisht nga Serbia…
Presidenti i vendit duhet ta dekretojë FSK-në, për të marrë detyrën e mbrojtjes së kufijve kushtetues të vendit.
Me Kushtetutë, FSK-ja është forcë kombëtare mbrojtëse e Kosovës (neni 126, pika 1). Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgojë pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.
E qartë, që nuk ka nevojë për ta riemërtuar si Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) me ligj, duke ndryshuar Kushtetutën e për çfarë pretendohet se duhet votimi i dyfishtë (dy të tretat e Kuvendit dhe dy të tretat e pakicave), sepse me Kushtetutë FSK-ja është ushtri, por asaj duhet dhënë detyrat ushtarake, natyrisht në koordinim me aleatët dhe me Komandën e NATO-s!
Presidenti i Republikës, sipas nenit 84, (4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë kushtetutë.
Kryetari i shtetit si komandant i Forcës së Sigurisë të Kosovë (ushtrisë) në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme.
Sipas nenit 126 të Kushtetutës, pika 2. Forca e Sigurisë e Kosovës i mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj.
Pra, me këtë nen përkufizohet qartë statusi shumetnik i forcës mbrojtëse kosovare, që po ashtu qartësohet edhe më në pikën 4, që saktëson se Forca e Sigurisë e Kosovës është profesioniste, pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës dhe rekrutohet nga shtetasit e Republikës së Kosovës.
Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë të Kosovës të marsit 2008, kreu III: FSK, neni 9.3: Forca e Sigurisë e Kosovës do të jetë e dizajnuar dhe e përgatitur për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë apo organizatave të tjera për zbatim të ligjit, të cilat funksione do të autorizohen përmes një procesi monitorues sipas standardeve të përcaktuara, i cili do të vendoset nga prania ushtarake ndërkombëtare, në bashkërendim me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil. Përderisa PUN-i është përgjegjës në aspektin e sigurisë, natyrisht se lidershipi kosovar duhet t’i bashkërendojë veprimet me këtë prani, mirëpo nëse për krijimin e ushtrisë së Kosovës u dashka të ndërrohet Rezoluta 1244 e OKB-së, kjo përfundimisht e përmbys idenë që shteti sovran i Kosovës të ketë ushtrinë e vet, prandaj Prishtina zyrtare detyrohet të ndërmarrë një hap unilateral. Kurse Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil (PNC) pas verdiktit të GJND-së ka pushuar veprimtarinë e tij në Kosovë, kështu që kjo prerogativë bie.
Neni 10- Misionet dhe detyrat 10.1- Misioni i Forcës së Sigurisë i Kosovës, si instrument i sigurisë, është që ta mbështesë Qeverinë e Republikës së Kosovës. 10.2- Forca e Sigurisë e Kosovës është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda, siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitete sulmuese ajrore. Çdo ndryshim në armatim do të përcaktohet nga prania ushtarake ndërkombëtare, në bashkërendim me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil. Një rishikim i plotë i këtyre kufizimeve do të bëhet jo më herët se pesë vjet nga koha e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
Duke qenë se më 2013 ishte tejkaluar afati prej pesë vjetësh për rishqyrtim, presidenti i Kosovës, që sipas Kushtetutës është komandant suprem i forcave të Armatosura – që juridikisht e zëvendëson PCN-në pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Përcaktimi i FSK-së si forcë kombëtare e mbrojtjes së Kosovës sipas modelit të ushtrive të NATO-s buron nga Pakoja Ahtisaari dhe është e drejtë ekskluzive e kombit kosovar si popull shtetformues.
FSK-ja është ushtri, e theksi mbi pjesëmarrjen e saj në operacione jashtë vendit nuk qe vendosur aty vetëm për shkak të përcaktimit historik që duhet ta ketë Kosova për ndihmë në operacione për ruajtje të paqes aty ku mundet, por edhe për shkak se pjesëmarrjen në operacione të këtilla e bëjnë ushtritë.
Veton Surroi i jep në këtë kontekst shembujt më ilustrativë se si janë krijuar ushtritë moderne në kontekste të ngjashme me Kosovën.
Kur popujt si izraelitët apo japonezët u ballafaquan me këso dilemash, zgjodhën përmbajtjen në vend të simbolizmit. Ushtria izraelite, ndër më të fortat në botë, e quan veten IDF, Forca Mbrojtëse Izraelite, dhe u themelua me një dekret të presidentit të parë të izraelit, Ben Gurion.
Japonia, për shkak të së kaluarës së vet historike, zgjodhi që ushtria e vet të quhej JDSF, Forca Vetëmbrojtëse e Japonisë, por kjo gjë nuk e bëri më pak ushtri…
Natyrisht se liderët kosovarë duhet të dinë të zbërthejnë gjuhën diplomatike, e cila në këto rrethana nuk do të insistojë që Kosova të krijojë ushtrinë me urgjencë, porse ajo do të këmbëngulë që është e dëshirueshme vota e dyfishtë, pra pajtimi i serbëve!?
Dihet se NATO-ja ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Marrëveshja e Kumanovës) për një ambient të sigurt në Kosovë, mirëpo edhe Kosova është partnere në fushën e sigurisë, ngase ajo ka nënshkruar marrëveshje bilaterale me Shqipërinë dhe me ShBA-në në fushë të mbrojtjes (SOFA.)
Kështu që për sigurinë në Kosovë i bën përgjegjëse edhe OKB-të (sipas Rezolutës 1244 dhe këshillëdhënies së GJND-së.)
Neni 3 i kësaj marrëveshjeje thotë: Në mënyrë që të arrihen objektivat e këtij traktati efektivisht, palët, më vete dhe, së bashku japin ndihmë të vazhdueshme dhe efektive reciproke në zhvillimin e kapaciteteve kolektive dhe individuale për të rezistuar një sulm ushtarak.
Nga kjo del se është shumë e qartë që nuk ka nevojë për ta riemërtuar si Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) me ligj, duke ndryshuar Kushtetutën, për çfarë pretendohet se duhet votimi i dyfishtë (dy të tretat e Kuvendit dhe dy të tretat e pakicave), sepse me Kushtetutë FSK-ja është ushtri, por asaj duhet dhënë detyrat ushtarake, natyrisht në koordinim me aleatët dhe me Komandën e NATO-s!
Deklarata e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mattis, ishte lajm shumë i mirë pas ankthit që u krijua në Kosovë se ardhja e Donald Trumpit në Presidencën amerikane do ta linte Kosovën në harresë.
Ushtrinë e vet e ka nxjerrë populli i Kosovës nga palca e vet kurrizore dhe është një e drejtë e fituar me gjak e lot.
Derisa në rajonin tonë kemi garë për armatim, kurse ne jemi ndalur dhe po këqyrim seri për formimin e ushtrisë.
Kur kemi parasysh se Serbia po bën luftë speciale ndaj Kosovës, kurse presidenti serb Nikoliq tha para disa kohësh se do ta dërgojë ushtrinë në Kosovë, sepse, sipas tij, ky është qëndrim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pra qëndrim i shtetit, atëherë ndërtimi i ushtrisë së Kosovës fiton në legjitimitet.
Fushata e Serbisë për defunksionalizimin e shtetit kosovar dhe për shpërbërjen e shoqërisë kosovare duhet marrë seriozisht dhe duhet ndërtuar një strategji kombëtare për t’u përballur me këtë, e në këtë vazhdë duhet bërë ushtrinë e Kosovës si një e drejtë tashmë e arrirë.