OpEd

Fshesa për zgjim

Shumë probleme i kemi pasur që nga fundi i luftës, e edhe më shumë probleme na i kanë krijuar elitat politike të papërgjegjshme. Nuk e di njeri a të qeshë a të qajë kur i dëgjon partitë opozitare tek tregojnë se çfarë duhet bërë në këtë e atë sektor, kur vetë ato i kanë krijuar telashet për të cilat tash befasohen se ekzistojnë

Siç edhe pritej, me ardhjen e qeverisë së re do të ndodhnin edhe ndryshime nëpër borde dhe përfaqësi diplomatike nëpër botë. Ajo që nuk pritej aq shpejt është njëfarë zgjimi tek organet e prokurorisë, që po tregojnë se megjithatë ekzistojnë dhe se kur duan mund edhe të veprojnë. Se sa kohë do t'u zgjasë ky entuziazëm i nxitur nga fjala magjike "veting" mbetet të shihet.

Sidoqoftë, ishte një ngjarje e shëmtuar, që kishte ndodhur para një muaji, e që ishte bërë virale nëpër ca faqe interneti ajo që kaploi interesimin e publikut javën që shkoi. Dhunimi i një fëmije parashkollor nga disa filloristë u menaxhua jashtëzakonisht keq nga mediumet që e publikuan xhirimin, e më pas edhe me reagimin e vonshëm të autoriteteve komunale me një status në Fejsbuk. Shkelja e parë qe publikimi i videos, pavarësisht se imazhet ishin mjegulluar. E dyta qe përmendja e shkollës në oborrin e së cilës kishte ndodhur ngjarja e shëmtuar. E treta, mosmenaxhimi i komenteve të të gjitha llojeve nëpër ato portale ku u fol për ngjarjen.

Fakti – u mor vesh më vonë – ishte se autoritetet përkatëse dhe profesionistë psikologë ishin marrë me rastin. Aty janë zbuluar mbase gjëra që assesi nuk duhen bërë publike, për shkak se i cenojnë të drejtat e të miturve. Ndërkohë që krijojnë obligimin që dikush të merret me prindërit e këtyre fëmijëve, ashtu që t'u ndihmojnë që raste të këtilla të mos përsëriten.

Thuajse kjo ishte java në të cilën shpërthyen problemet të cilat duket të kenë qenë prezente përherë në shoqërinë tonë, porse tash marrin dimension tjetër për shkak se bëhen publike. Gjatë javës u raportua për vrasjen e një prindi nga arsimtari që e kishte ngacmuar seksualisht të bijën e viktimës. U raportua për dhunimin e një të miture nga dy madhorë dhe për ngacmimin e një të miture tjetër nga dashnori i nënës.

Kushedi edhe sa raste të këtilla ekzistojnë nëpër Kosovë e nuk raportohen. Dhe përfundimisht tregojnë se në arsimin e Kosovës duhet futur në program edukatën seksuale - natyrisht me një planprogram të përgatitur mirë dhe me arsimtarë që nuk kanë paragjykime dhe që në fakt, në fund, mund të shndërrohen në burime të sjelljeve të këtilla patologjike.

Besoj se këtu duhet të dalë në ndihmë Departamenti i Psikologjisë i UP-së, i cili ka bërë një studim që shpalos rezultate rrëqethëse në lidhje me dhunën fizike mes nxënësve në shkollë; bullizmin dhe keqtrajtimin psikologjik; dhunën seksuale fizike; ngacmimet nëpërmjet internetit; bartjen e armëve në shkolla dhe komunikimin e pakënaqshëm brenda familjeve të fëmijëve që shpesh manifestojnë reagime të këtilla të pakontrolluara.

Kjo çfarë kemi sot është një alarm shumë i fuqishëm për krejt shoqërinë, nisur nga familjet e mësimdhënësit e deri te përgjegjësit e arsimit. Si shoqëri e dalë nga lufta plotësisht e traumatizuar, nuk kemi pse tash e ushqejmë traumën tonë te brezat e rinj, që do të duhej ta kishin një jetë shumë më të mirë sesa e kanë pasur prindërit e tyre.

* * *

Dhe derisa e gjithë java kaloi nën shenjën e këtyre ngjarjeve, megjithatë diçka nisi të lëvizte në drejtimin e luftimit të krimit të organizuar dhe kontrabandës së narkotikëve.

Të hënën u bë publike se pas një aksioni të koordinuar të DEA-s amerikane dhe të policive italiane, shqiptare e kosovare, u zu një kamion me mish të importuar nga Brazili, që gjithashtu mbante edhe 400 kilogramë kokainë. Malli me vlerë prej 20 milionë eurosh (sipas vlerësimi të policisë sonë) ishte zënë në çastin kur kishte arritur në Lipjan dhe bëhej gati për shkarkim. Pra, një aksion i përgatitur që nga 3 maji është përcjellë me vëmendje ashtu që të zihej para se të shpërndahej malli për në Lindje.

Përderisa ky aksion është për t'u përshëndetur dhe për të uruar që të ketë sa më shumë të tillë, megjithatë mbetet pa përgjigje pyetja se sa ngarkesa të këtilla kanë kaluar nëpër Kosovë në gjithë këto vite. E vetëm mund të supozohet se do të ketë pasur shumë sish, për shkak se Kosova megjithatë ka shumë milionerë të shpejtë me gjithë ekonominë e gjymtë dhe të pazhvilluar që e ka.

Për të qenë ky aksion plotësisht i suksesshëm do të duhej parë se si kjo sasi e drogës do të shkatërrohet. Që të mos ndodhë sërish që një diçka e tillë të zhduket nga cilado dhomë e dëshmive.

* * *

Ndërkohë, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i liroi nga detyra – të gjithë përnjëherë – ambasadorët që ishin emëruar sipas çelësit politik. Padyshim se kjo është përmbushje e një premtimi elektoral, porse nuk e di nëse kthimi i menjëhershëm i këtij stafi është veprimi i duhur. Mbase ministrja tashmë i ka identifikuar kandidatët që do t'ua zënë vendet ambasadorëve të tërhequr, porse edhe emërimi i të rinjve ka nevojë për një copë procedure.

Jam e sigurt se edhe kjo qeveri do ta shfrytëzojë mundësinë që e ofron ligji që 50% të ambasadorëve t'i ketë të emëruar politikë. Kjo ngase diplomacia kosovare në 13 vjetët qëkur ekziston MPJ-ja më tepër ka shërbyer për rehatimin e akraballëkut të ministrave të caktuar dhe të militantëve partiakë, sesa njerëzve që e kultivojnë zanatin e diplomacisë.

Sido që të jetë, pavarësisht se Gërvalla mund të kritikohet për këtë veprim, megjithatë është në të drejtën e saj për ta bërë një veprim të këtillë, për shkak se ligji ia mundëson dhe për shkak se vendimin e saj e përkrah me dekret edhe kryetarja e shtetit. Pra, vendim i harmonizuar që vjet në këtë kohë nuk ka mundur as të imagjinohet.

E nëse kjo fshesë do të aktivizohet edhe në sektorët e tjerë besoj se do ta shohim shpejt. Porse tashmë po bëhet evidente se veprime të këtilla mund të jenë edhe një lloj trysnie indirekte për performancë më të mirë, sidomos të atyre që do të duhej të përkujdeseshin për zbatimin dhe respektimin e ligjit.

Mbase për pasojë të kësaj mund të kemi më shumë aktakuza të nivelit të lartë që do të mund të përfundojnë me gjykime brenda afateve normale të procedurës, e të mos zvarriten sikurse ka ndodhur në aq shumë raste deri tash, saqë të parashkruhen e krimi të mbetet i pandëshkuar.

* * *

Mbase një aktakuzë e radhës do t'i përgatitet ish-ministrit Pal Lekaj, i cili më 2018-n e paska nënshkruar një marrëveshje të dëmshme me njërën kompani të Devollëve, kësaj radhe për homologimin. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, nëse Qeveria e shkëput marrëveshjen me kompaninë që e ka monopolin e homologimit, do të mbarojë në Arbitrazh.

Më 2019-n, atëherë shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, kishte ngritur shqetësimin në lidhje me homologimin e veturave dhe u ishte drejtuar deputetëve, anëtarë të Komisionit për Ekonomi: “Ne jemi të brengosur për këtë monopol, sepse ka një udhëzim administrativ i cili ka rekomanduar zbatimin e ligjit… Kemi frikë se kjo kontratë do të vazhdohet automatikisht. Qytetarët po paguajnë çmime më të larta, po detyrohen të vijnë vetëm në Prishtinë të paguajnë 125 euro për homologim. Kjo është një barrierë për veturat. BE-ja ka një brengë për këtë, sepse është kundër rregullave të BE-së dhe të MSA-së".

Atëbotë brengën për homologimin e kishte shprehur Hykmete Bajrami, në emër të LDK-së. Mirëpo, kur në tetor të 2020-s doli në votim heqja e homologimit, LDK-ja dhe PDK-ja votuan kundër dhe madje e shmangën krijimin e kuorumit për ta votuar atë.

Porse, përfundimisht, lojën më të keqe e paska luajtur AAK-ja me këtë rast. Kjo parti, e cila u bë pjesë e Qeverisë Hoti, do ta ketë ditur për kontratën që ka nënshkruar Lekaj dhe nuk e mori mundin për të treguar se nisma për kalimin e ligjit të ri është e kotë, ngase tashmë ishte nënshkruar një marrëveshje që e çonte Kosovën në arbitrazh. Sërish. Dhe sërish me personazhet e njëjta.

* * *

Shumë probleme i kemi pasur që nga fundi i luftës, e edhe më shumë probleme na i kanë krijuar elitat politike të papërgjegjshme. Nuk e di njeri a të qeshë a të qajë kur i dëgjon partitë opozitare tek tregojnë se çfarë duhet bërë në këtë e atë sektor, kur vetë ato i kanë krijuar telashet për të cilat tash befasohen se ekzistojnë.

Kushedi edhe sa marrëveshje të kalibrit të kontratës së Pal Lekajt do të gjenden nëpër ministri, e kushedi edhe sa zhdukje milionash do të zbulohen. Kjo për shkak se – sikurse në rastin e kamionit të mishit mbushur me drogë – është marifet i miut që e ka mësuar rrugën të kalojë nëpër mustaqe, sepse e ka ditur se nuk ka kurth që mund ta ndalë në shtegtim e sipër.

Nëse kjo qeveri e ka përnjëmend të merret me krejt hajnitë e dallaveret që janë bërë në këto dy dekada, me gjasë do ta ketë vështirë që të gjitha t'i zbulojë deri në fund të një mandati të plotë. Pos nëse hajnat nisin ta zbulojnë njëri-tjetrin për ndonjë dënim më të butë.

Ndërkohë, ende po i presim vaksinat.

Me 50 mijë të vaksinuar, ende jemi në fund të listës së të mbrojturve, kur Kosova zyrtarisht regjistron 107.178 të infektuar dhe 2239 të vdekur si pasojë e virusit.

Jemi vonë.

[email protected]