Pasi nuk gjeti përkrahje nga Gjermania në reformimin e thellë të BE-së, presidenti francez, Emmanuel Macron, goditi tavolinën me mesazhin: «Disa duan që rriska e bukës të jetë gjithnjë më e madhe, por kur vjen puna që mbi atë rriskë të hidhet më shumë gjalpë, ata refuzojnë». Domethënë: Gjermania vetëm po kursen dhe nuk po investon. Ky është një argument që vështirë mund të hidhet poshtë.
Presidenti francez është i frustruar. Në vitin 2017 ai mbajti një fjalim në Universitetin Sorbonne në Paris. Emmanuel Macron kërkoi faktikisht rithemelimin e Bashkimit Evropian. Vizioni i tij ishte dhe mbetet një buxhet i përbashkët i BE-së, një autoritet i përbashkët i BE-së për trajtimin e kërkesave për azil, politikë unike për mbrojtjen e klimës dhe të kufijve të jashtëm të BE-së. Ai dëshironte që në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të kishte lista transnacionale. Ai kërkon që Evropa ta forcojë komponentin e saj ushtarak, sepse Amerika nën Donald Trumpin nuk është më garantuese e pakusht e lirisë dhe sovranitetit të Evropës.
Asnjë nga nismat e Macronit nuk kanë pasur sukses. Dhe fajtorin Macron e sheh në Berlin. Qeveria e koalicionit të madh në Gjermani me kancelaren Angela Merkel më shumë po e administron status quo-në. Vizionet e mëdha kushtojnë, në radhë të parë guxim dhe para.
Në intervistën dhënë revistës britanike “The Economist” muajin që shkoi, Macron e goditi edhe njëherë tavolinën me grusht. Më parë Franca kishte bllokuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Disa duan që rriska e bukës të jetë gjithnjë më e madhe, por kur vjen puna që mbi atë rriskë të hidhet më shumë gjalpë, ata refuzojnë”, ka thënë Macron.
Nuk duhet fantazi e madhe për të kuptuar se kritika i drejtohet Gjermanisë, e cila dëshiron vetëm të kursejë dhe njëkohësisht u ofron vendeve të Ballkanit anëtarësim në BE. Por edhe ky premtim gjerman mbetet bosh. Dhe kjo është parë që nga ardhja në pushtet e Aleksandër Vuçiqit. Berlini nuk i ka bërë presion serioz t’i ndalë aksionet e sabotazhit kundër pavarësisë së Kosovës. Edhe i ashtuquajturi “Proces i Berlinit” ka qenë vetëm përpjekje për të shtyrë integrimin e vendeve të Ballkanit në BE.
Macroni është ankuar disa herë se aktualisht në rast të regresit në vendet kandidate për anëtarësim, e vetmja gjë që ndodh janë vendnumërimi dhe stagnimi i procesit të negociatave - si në rastin e Turqisë. Këtu do të mund të përmendej edhe Serbia. Ndonëse negocion për hyrje në BE që nga 21 janari 2014, Serbia viteve të fundit ka shënuar hapa pas. Mediat nuk janë të lira, drejtësia nuk po iu afrohet standardeve evropiane, presidenti autokratik, Aleksandër Vuçiq, ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë dhe lidhjet ekonomike me hapësirën postsovjetike, korrupsioni në Serbi është stabil. Duke marrë shembull Serbinë, Macron mund të thotë se negociatat për hyrje në BE nuk po sjellin përparim në vendet përkatëse, sepse për politikanët më e rëndësishme është ruajtja e pushtetit, sesa reformimi i thellë i shtetit, funksionalizimi i institucioneve, sundimi i ligjit, demokracia vetëkontrolluese. Këtu Macron ka një argument që vështirë mund të hidhet poshtë.
Mediat gjermane citojnë këshilltarë të Macronit, të cilët hapur flasin për një “shok-terapi” të presidentit francez me qëllim që partnerët, e para së gjithash Gjermania, të zgjohen nga gjumi. Një zgjim gjerman nuk mund të pritet. Macron po e mbizotëron debatin edhe për shkak se kancelarja Merkel synon ta mbarojë mandatin më 2021 pa ndonjë plan të madh. Edhe disa vende të Evropës Lindore janë skeptike ndaj nismës së fundit të Macronit për ndryshimin e procesit të anëtarësimit në BE. Duke vepruar në stilin e menaxherit dhe jo politikanit, Macron ka plasuar idetë e tij pa u konsultuar me kolegët e tij në BE. Por disa vende anëtare të BE-së janë të lumtura që Macron po e thotë atë që s'kanë pasur guxim ta thonë të tjerët: sa më e ulët gatishmëria e BE-së për pranimin e vendeve të Ballkanit, aq më e madhe gatishmëria e liderëve të vegjël ballkanikë për t'i bërë shtetet e tyre autokraci të mëdha. Është një dështim i dyanshëm. Andaj parulla “S’po na do BE-ja” e bjerrakohësve nga Kosova e Shqipëria është vetëm një petardë për të shkaktuar tym. E pse nuk po na do BE-ja? Qe një përgjigje që nuk duan ta dëgjojnë bjerrakohësit: sepse edhe ministrin e Drejtësisë e ka marrë në pyetje Gjykata Speciale në Hagë për sabotim të drejtësisë. Dhe bjerrakohësit nuk shqetësohen për këtë zhvillim dramatik, por bërtasin si në kafehane: “S’po na do BE-ja”. Lista e tmerrit është e gjatë. Por vetëm ky shembull mjafton. A po dështon zgjerimi i BE-së? E mundshme. Por, pyetja pse po dështon duhet të shtrohet edhe në Prishtinë, Tiranë, Shkup e gjetiu, jo vetëm duke e mallkuar Macronin e Merkelin. Sepse çdo medalje i ka dy anë.