Muajve të ardhshëm të gjithë popujt e botës do t’i kanë sytë nga SHBA-ja. Dështimi i demokracisë më të konsoliduar në botë për të mbijetuar një Trump do të jetë festë për të gjithë autokratët dhe fashistët e botës. Prandaj gjatë muajve në vijim sytë e botës do të janë të drejtuar drejt Washingtonit dhe Kievit. Në njërin demokracia do të mbrohet në paqe, ndërsa në tjetrin me luftë
Shpesh thuhet se politika është “luftë me mjete të tjera”. Nëse është kështu, atëherë gjuha është arma kryesore në betejat politike. Politikanët përdorin gjuhën për të komunikuar premtimet e tyre dhe për të qeverisur vendet e tyre respektive. Shumicën e rasteve politikanët përdorin gjuhën në mënyrë civilizuese dhe për qëllime fisnike. Por jo rrallë ata e përdorin gjuhën për qëllimet e kundërta: për manipulimin e së vërtetës dhe të qytetarëve të tyre.
Këtë dukuri askush nuk e ka kapur më bukur se Orwelli: “Gjuha politi ke është e dizajnuar në atë formë që të bëjë gënjeshtrën të besueshme, ndërsa vrasjen të respektueshme”. Për këtë shtrembërim të përdorimit të gjuhës Orwell ka përkufizuar edhe një term të ri: “doublethink”.
“Doublethink” është një gjendje e narracionit publik ku qytetari është i vetëdijshëm se një fjalë ka një kuptim të qartë gjuhësor, por për shkak të manipulimit politik është i obliguar ta besojë të kundërtën e kuptimit gjuhësor, duke e zhveshur kështu në tërësi qytetarin nga kuptimi i gjuhës, dhe rrjedhimisht të qenies së tij. Kësisoj duke e çarmatosur qytetarin nga kapaciteti për të përdorur gjuhën si mjet efektiv komunikimi, politikanët çmontojnë themelin e shoqërisë mbi të cilin ngrihet ndërveprim civilizues qytetar apo ajo çfarë ndryshe jemi mësuar ta quajmë demokraci.
Ndikimi i Orwellit në ekspozimin e keqpërdorimit të gjuhës për qëllime politike ka inspiruar në vitin 1974 Këshillin Nacional Amerikan të Mësimdhënësve të Gjuhës Angleze të dizajnojë shpërblimin vjetor “Doublethink”. Çmimi u dhurohet politikanëve dhe institucioneve të cilët janë “shembuj të shtrembërimit dhe mashtrimit gjuhësor” – me fjalë të tjera, kampionëve të gënjeshtrave. Gjatë katër vjetëve të fundit fituesi rekord i çmimit ka qenë ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe anëtarët e administratës së tij. Dhe duke jetësuar fjalët e MLK-së, harku i drejtësisë morale këtë javë zuri Trumpin.
Për herë të parë në histori një president amerikan u akuzua për “shpërndarjen e gënjeshtrave” me qëllim të përmbysjes së rendit demokratik amerikan. Me fjalë të tjera, ai u akuzua për dezinformim. Nuk na është dashur një aktakuzë që të kuptojmë se Trumpi është gënjeshtar. Washington Post ka evidentuar se për katër vjet të mandatit të tij, Trump ka gënjyer 30573 herë.
Kjo i bie që ka gënjyer 21 herë në ditë. Sidoqoftë, aktakuza për herë të parë na sjell një risi. Ajo provon se Trumpi ka gënjyer duke ditur që ajo çfarë po thotë është gënjeshtër dhe ka përdorur gënjeshtrën për të arritur një qëllim specifik politik: mbajtjen e pushtetit dhe përmbysjen e rendit demokratik amerikan.
Me qasje në dokumentet konfidenciale dhe intervistat me personat kyç, prokuroria ka arritur ta vendosë Trumpin në epiqendër të kësaj ndërmarrjeje: “I akuzuari për muaj të tërë ka shpërndarë gjerësisht gënjeshtra për mashtrimin zgjedhor, përkundër faktit se ka ditur, dhe në shumë raste ka qenë i informuar drejtpërdrejt, që ato pretendime janë të pavërteta. Gënjeshtrat e të akuzuarit kanë qenë pjesë integrale e planit të tij kriminal për të rrënuar funksionet qeverisëse, të pengohet procesi i certifikimit (zgjedhor), dhe të pengohet e drejta e të tjerëve për të votuar dhe vota e tyre të numërohet”.
Trumpi kishte zgjedhur të vazhdonte të shpërndante gënjeshtra për mashtrimin zgjedhor, përkundër faktit se ai ishte informuar drejtpërdrejt nga e gjithë hierarkia e shtetit amerikan se rezultati zgjedhor ishte i drejtë. Kjo i është kumtuar Trumpit nga zëvendëspresidenti Pence, prokurori i SHBA-së, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, drejtori i Agjencisë për Sigurinë Infrastrukturore dhe Kibernetike, Shërbimi ligjor i Shtëpisë së Bardhë, zyrtarët e fushatës presidenciale të Trumpit, aleatët e tij politikë dhe në fund vetë gjykatat amerikane kishin konfirmuar se i gjithë procesi zgjedhor ishte i rregullt.
Aktakuza detajon gjashtë rastet specifike kur Trump kishte gënjyer publikisht, përkundër faktit se e ka ditur se pretendimet e tij janë të pavërteta: 10.000 votues të vdekur në Xhorxhi. Trump kishte pretenduar publikisht se në Xhorxhi janë numëruar 10.000 vota të njerëzve të vdekur.
Katër ditë më herët ai ishte informuar drejtpërdrejt nga sekretari i shtetit i Xhorxhias që kjo është e pavërtetë; 205.000 vota fantome në Pensilvani. Trump kishte pretenduar publikisht se në Pensilvani janë numëruar 205.000 vota më shume se numri total i banorëve të Pensilvani së. Prokurori dhe zëvendës prokurori – të emëruar nga Trumpi – e kishin informuar se kjo është e pavërtetë; Vjedhje industriale zgjedhore në Miçigen. Trump kishte pretenduar publikisht se në qytetin e Detriotit, Miçigen, është ndërmarrë një vjedhje industriale e votave në favor të Bidenit.
Prokurori – i emëruar nga Trumpi – e kishte informuar se kjo është e pavërtetë. Po ashtu, aleatët politikë të Trumpit – kryetari i Kuvendi dhe kryetari i Senatit të shtetit Miçigan – kishin konfirmuar publikisht se nuk kishte shenja të vjedhjes së votës në shtetin e Miçigenit; Vjedhje industriale zgjedhore në Nevada. Trump kishte pretenduar publikisht se në Nevada është ndërmarrë një vjedhje industriale e votave në favor të Bidenit, përkundër faktit se sekretari i shtetit i Nevades kishte mohuar kategorikisht pretendimet e tilla; 30.000 vota të jashtëligjshme në Arizona. Trump kishte pretenduar publikisht se në Arizona 30.000 vota ishin të jashtëligjshme pasi që votu e sit nuk ishin shtetas amerikanë.
Menaxheri i fushatës presidenciale të Trumpit e kishte informuar Trumpin se kjo është e pavërtetë. Po ashtu, aleati politik i Trumpit – kryetari i Kuvendi të Arizonës – e kishte konfirmuar publikisht se nuk kishte shenja të vjedhjes së votës në shtetin e Arizonës; Vjedhje elektronike në favor të Bidenit. Trump kishte pretenduar publikisht se në mbarë vendin makinat e votimit elektronik ishin përdorur për të vjedhur votat e Trumpit në favor të Bidenit. Prokurori dhe zëvendësprokurori – të emëruar nga Trump – e kishin informuar se kjo është e pavërtetë.
Aktakuza vazhdon duke shtjelluar se si këto gënjeshtra të Trumpit ishin vendosur si themelet e ngritjes së një mekanizmi mashtrues politik i cili kishte për qëllim përmbysjen e demokracisë amerikane. Ky mekanizëm është vendosur në lëvizje në pesë hapat sekuencial. Një: ngritja e pavërtetë e pretendimeve për vjedhje zgjedhore. Dy: inicimi i hetimeve ligjore nga prokuroria amerikane për vjedhje zgjedhore mbi pretendimet e pavërteta me qëllim të shtrembërimit të rezultatit zgjedhor. Tre: kur hapi dy kishte dështuar, Trump dhe bashkë punëtorët e tij vendosën të falsifikonin dokumentet zgjedhore për t’i ofruar bazë politike zëvendëspresidentit Pence për të penguar certifikimin e rezultatit zgjedhor më 6 janar. Katër: marrja e masave për të siguruar se më 6 janar zëvendëspresidentit Pence do të shtrembërojë rezultatin zgjedhor mbi pretendimet e pavërteta. Dhe e fundit: kur të gjithë këta hapa paraprakë kanë dështuar, më 6 janar Trump kishte drejtuar turmën e mbështetësve të tij drejt Kongresit të SHBA-së në përpjekje për të ushtruar presion publik mbi anëtarët e Kongresit me qëllim të shtyrjes së certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe ngeljes së tij në pushtet.
Se sa të çmendura ishin të gjitha kë to përpjekje të Trumpit më së miri i ka kapur një bashkëpunëtor i tij i afërt, i cili i quan “bërllok konspirativ”. Aq sa aktakuza është pikturë e një përpjekjeje brengosëse politike për përmbysjen e demokracisë ame ri kane, aq është edhe përshkrim zba vi tës i paaftësisë qesharake të Trum pit dhe ekipit të tij. Dhe krahas me këtë moment komedie, ngrihet edhe një pyetje serioze: çfarë nëse në vend të Trumpit dhe këtij grupi qesharak të bashkëpunëtorëve të tij, tjetër herë do të jetë një grup shumë më serioz?
Shpresa jonë mbetet pasuria më e madhe amerikane: populli i saj. Trumpi ka dështuar në puçin e tij falë popullit amerikan. Falë çdo qytetari amerikan i cili ka votuar në zgjedhjet e vitit 2020 dhe i cili ka besuar në shenjtërinë e proceseve demokratike amerikane. Aktakuza është edhe dëshmi për integritetin monumental të politikanëve të ndershëm amerikanë. Patriotëve të cilët në mes lojalitetit ndaj partisë dhe Trumpit kanë zgjedhur betimin ndaj qytetarit dhe shtetit. Askush nuk e ka kapur këtë fisnikëri më mirë se Lee Chatfield, kryetar i Kuvendit të Miçiganit.
Pasi që Trumpi i kishte kërkuar ta shtrembëronte procesin zgjedhor në favor të Trumpit, ai tha: “Luftova me gjithë qenien time për presidentin Trump. Askush nuk donte që ai të fitonte më shumë se unë. Unë besoj se ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Por unë po ashtu e dua Republikën. Unë nuk mund rrezikoj normat, traditat dhe institucionet tona duke kaluar një rezolutë e cila në mënyrë retroaktive ndryshon trupin zgjedhor në favor të Trumpit, vetëm sepse dikush mendon se ka pasur vjedhje të mjaftueshme zgjedhore për t’i siguruar atij fitore zgjedhore. Ka arsye përse kjo do të ishte e paprecedentë. Dhe kjo është arsyeja përse nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Kuvend për të zëvendësuar trupin zgjedhor. Unë kam frikë se kështu do të humbasim përgjithmonë vendin tonë. Kjo përfundimisht do të shkatërronte çdo zgjedhje të ardhshme. Dhe këtë nuk mund të pranoj. Këtë nuk e bëj dot”. Patriotët sikur z. Chatfield kanë qenë engjëjt mbrojtës të demokraci së amerikane. Me veprimet e tyre ata kanë parandaluar puçin e Trumpit.
Që nga ajo kohë SHBA-ja ka qenë në një udhëkryq: të relativizojë çfarë ka ndodhur dhe “të fusë pisllëkun nën tepih” apo të shikojë problemin në sy dhe të fillojë një proces të dhimbshëm kurimi demokratik. SHBA-ja ka vendosur për këtë të dytën. Kjo është rrugë më e gjatë, por më e shëndetshme. Ngritja e aktakuzës është ftesë për institucionet dhe popullin amerikan për t’u përgjigjur në pyetjen themelore: a do ta lejojmë një lider politik ta rrënojë demokracinë amerikane? Dhe përderisa kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet vetëm populli amerikan, disa muaj të ardhshëm të gjithë popujt e botës i kanë sytë nga SHBA-ja. Dështimi i demokracisë më të konsoliduar në botë për t’i mbijetuar një Trumpi do të jetë festë për të gjithë autokratët dhe fashistët e botës. Prandaj gjatë muajve në vijim sytë e botës do të janë të drejtuar drejt Washingtonit dhe Kievit. Në njërin demokracia do të mbrohet në paqe, ndërsa në tjetrin me luftë.