OpEd

Fronti i brendshëm i debaklit kufitar të Polonisë

Refuzimi i qeverisë polake edhe për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare ka përkeqësuar krizën në kufi. Përfshirja e Frontex (Agjencia e Rojës Kufitare dhe Bregdetare të BE-së) do ta kishte ndryshuar menjëherë llogaritjen për Bjellorusinë dhe Rusinë

Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) në Poloni e dinte mirë se çfarë të priste nga presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, përpara se ai të fillonte të transportonte refugjatët nga Lindja e Mesme në kufirin polak. Autoritetet bjelloruse e kishin bërë tashmë këtë me Lituaninë dhe Letoninë.

Dhe në një shenjë të qartë të asaj që do të vinte, Bjellorusia ndërpreu marrëveshjen e ripranimit me BE-në në tetor. Polonia kishte kohë për të ndjekur masat parandaluese në vendet e origjinës së refugjatëve. Nuk ndodhi, dhe tani mijëra njerëz të dëshpëruar po grumbullohen në të ftohtë në kufi, duke u përballur me opsione që janë të këqija ose shumë të këqija.

Një arsye pse qeveria e udhëhequr nga PiS dështoi të punojë me BE-në për të shmangur krizën muaj më parë, është se ajo ka qenë e zënë, ndër të tjera, me luftimin e institucioneve të BE-së mbi politizimin e gjyqësorit të Polonisë. Ironia, natyrisht, është se PiS kishte fituar më parë famë për refuzimin e qeverisë së saj për të pranuar azilkërkues gjatë krizës së refugjatëve në mbarë BE-në gjatë vitit 2015. Duhet të ishte e qartë në atë kohë se situata mund të përmbysej lehtësisht – dhe tani ajo është përmbytur.

Në zvarritje derisa refugjatët kishin filluar tashmë të grumbulloheshin në kufi, PiS krijoi një mundësi për të organizuar një shfaqje cinike, duke mbrojtur në mënyrë performuese kombin polak kundër kërcënimeve të huaja. Që atëherë, zyrtarët kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kanë mbajtur konferenca shtypi kundër një sfondi automjetesh të blinduara – lëvizje që synojnë të bashkojnë shoqërinë pas qeverisë duke nxitur frikën dhe patriotizmin. Udhëheqja polake refuzon gjithashtu të lejojë gazetarët në zonën kufitare, gjë që të lë përshtypjen se ose ka diçka për të fshehur ose është paranojake. Ndërkohë, Lukashenko i lejon gazetarët të hyjnë, gjë që e ndihmon atë të promovojë versionin e tij të ngjarjeve.

Në anën tjetër të kufirit janë forcat bjelloruse, të armatosura deri në dhëmbë dhe të zhytur në refugjatët në kufi. Ushtarët polakë dhe bjellorusë janë vetëm disa dhjetëra metra larg njëri-tjetrit, me disa mijëra njerëz të dëshpëruar mes tyre. Situata është e tensionuar; mund të shkrepen armët në çdo moment.

Po të ndodhte kjo, personi përgjegjës në anën bjelloruse do të ishte një diktator i çmendur me prirje për dhunë. Shfaqjet e gjalla të agresionit janë tashmë rutinë për autoritetet bjelloruse. Dhe, duke i bërë gjërat edhe më keq, komandantët ushtarakë më me përvojë në anën polake janë larguar prej kohësh nga qeveria e PiS.

Lukashenko duket se ka arritur në përfundimin se mund të përmirësojë më së miri pozicionin e tij ndaj Perëndimit dhe aleates së tij më të rëndësishme, Rusisë, jo duke demonstruar se ai është dikush me të cilin të tjerët mund të punojnë, por përkundrazi, duke treguar se ai është i aftë për çdo gjë. Në fund të fundit, regjimi i tij tashmë ka rrëmbyer aeroplan civil që udhëtonte mes dy vendeve anëtare të BE-së. Këtë e bëri vetëm për të ndaluar një gazetar të ri në bord. Me çdo provokim, mesazhi për Rusinë dhe Perëndimin është i qartë: “Nëse përpiqeni të më gëlltisni, unë do t’ju ngecë në fyt dhe do t’ju mbys”.

Qeveria e PiS e ka lënë Poloninë gjithnjë e më të izoluar, duke prishur marrëdhëniet me çdo aleat, përveç vendit më pro-rus në BE, Hungarisë së Viktor Orbanit. Polonia është tani një peng, siç mund të shihet nga vendimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, për të anashkaluar qeverinë polake dhe për të diskutuar krizën e migracionit në telefonatat me Lukashenkon dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Qytetarët polakë tani duhet të vendosin gjithë besimin e tyre në vullnetin e mirë të mbetur të BE-së dhe NATO-s. Por, teksa neni 5 i traktatit të NATO-s siguron mbrojtje të ndërsjellë kundër agresionit të jashtëm, ai nuk specifikon se si duhet të përgjigjen aleatët. A duhet të dërgojnë një ushtri, apo thjesht të krijojnë një komision hetimor? Në një epokë të luftës hibride, marrëdhëniet e mira me aleatët janë gjithçka. Polakët janë të sigurt për sa kohë që ne jemi në marrëdhënie të mira me Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara. Fatkeqësisht, këto marrëdhënie janë duke u shembur.

Refuzimi i qeverisë polake edhe për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare ka përkeqësuar krizën në kufi. Përfshirja e Frontex (Agjencia e Rojës Kufitare dhe Bregdetare të BE-së) do të kishte ndryshuar menjëherë llogaritjen për Bjellorusinë dhe Rusinë. Një sulm ndaj një oficeri polak është një gjë, por një sulm ndaj oficerëve nga të gjitha vendet e BE-së do të ishte krejt tjetër. As qeveria polake nuk është shqetësuar për të thirrur nenin 4 të Traktatit të NATO-s, edhe pse kjo do të shkaktonte një konsultim të menjëhershëm midis aleatëve.

Një arsye tjetër pse Polonia ishte kaq e papërgatitur për këtë krizë është se PiS ka punuar me zell për të përçarë shoqërinë polake dhe elitën politike. E dëshpëruar për të penguar çdo lloj konsensusi ndërpartiak, qeveria nuk e ka ftuar opozitën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Por edhe nëse do të ndodhte, politikanët e opozitës do të kishin çdo arsye të dyshonin se po futeshin në një kurth. Sido që të jetë, fokusi do të mbetej në lëvizjen për përfitim politik, jo në ndërtimin e solidaritetit përballë një kërcënimi armiqësor.

Një front i bashkuar midis PiS, partisë kryesore opozitare, Platforma Qytetare dhe të tjerëve do të ishte shumë më e lehtë për ta mbështetur liderët politikë në Berlin, Paris dhe Washington. Udhëheqësi i Platformës Qytetare, ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, mban marrëdhënie të mira me partnerët dhe aleatët e dikurshëm të Polonisë. Gjatë Samitit të fundit të BE-së në Bruksel, ai zhvilloi takime me krerët më të rëndësishëm të shteteve dhe qeverive, ndërsa kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, u shmang më së shumti.

Duke qëndruar më vete, Morawiecki dhe mjeshtri i tij i kukullave, udhëheqësi i PiS-it, Jarosław Kaczyński, kanë më shumë gjasa të frymëzojnë “shadenfreude” sesa simpati. Por ky mund të jetë një moment vendimtar për opozitën, e cila kolektivisht rezulton më e mirë se PiS. Tani që Polonia po përballet me një kërcënim real – dhe jo një spektër të ngjallur nga gjermanofobia apo euroskepticizmi – liderët botërorë duhet të kujtojnë se PiS nuk është sinonim i Polonisë.

Polonia është ende një vend të cilit ia vlen t’i besohet, edhe nëse një pjesë e elitës së saj politike po bën gjithçka që është e mundur për ta kthyer atë në një rast koshi. Polonia nuk është vetëm Kaczyński, dhe vetë vendi meriton mbështetje, edhe nëse qeveria e saj nuk e bën këtë.

Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore” Përktheu: Gent Mehmeti.