Ndryshe prej LDK-së, PDK-ja ka kontroll më të fortë mbi anëtarësinë – deputetët. Derisa ish-lideri i saj, Hashim Thaçi, kishte frikë nga njerëzit e afër të tij, pasuesi i tij, Kadri Veseli, ka tjetër marrëdhënie me ta – atij ia kanë frikën anëtarësia
Frika është reagim mendor dhe fizik. Efektet e saj janë shumëdimensionale. Pavarësisht se nga disa këndvështrime konsiderohet ndjenjë apo teknikë që mund të na mbrojë nga rreziku, ajo në të vërtetë prodhon shkatërrim për lirinë dhe dinjitetin e njerëzve dhe të shoqërive. Frika, sipas teorisë politike, “e ha shpirtin e demokracisë”, ua mohon individëve zhvillimin aktiviteteve të tyre dhe e dobëson fuqinë për përfaqësim politik në institucione.
Në ambientin politik të Kosovës, rendi shoqëror është ndërtuar e zaptuar nga individët dhe grupet (partitë politike), që nuk janë të orientuar drejt qëllimeve që u sjellin të mira qytetarëve, por janë të motivuar nga pasionet e tyre personale - pushteti, karriera, pasurimi, kënaqësitë dhe luftimi me çdo mjet i kundërshtarëve.
Në sfondin e partive tona politike që duken shumë entuziaste qëndron frika, një frikë e madhe mbytëse e kthyer në fobie. Burimin ajo e ka në egon e sëmurë – në nevojën për pushtet dhe fuqi, e që nga zaptuesit e tyre përdoret për ta luftuar po frikën.
Koalicioni PDK-LDK, si edhe në mandatet e tjera, vuajti nga kjo patologji – kishin frikë nga hilet e ndërskamcat e njëri-tjetrit, kishin frikë nga opozita e nga ndërkombëtarët, u druanin mediave dhe pakënaqësive sociale. Nuk kishin besim as brenda llojit të vet.
Frika se nuk mund të bënin gjë, i shtyri të çlirohen përkohësisht me ndarje. Me shpresën se ajo nuk do t’i përcjellë bashkë me akuzën për faljen e tokës Malit të Zi, për dhënien e pushtetit ekzekutiv komunave serbe dhe për mosthemelimin e ushtrisë.
Nuk u dilnin mirë llogaritë as me ekonominë e mirëqenien. Rritja artificiale e buxhetit nëpërmjet kredive ndërkombëtare vetëm sa e thelloi borxhin publik e statistikat e të punësuarve mbetën larg numrit të atyre që futeshin si të rinj në tregun e punës. Nuk u vu në zbatim ligji për sigurimet shëndetësore, ndërsa vlerësimet për arsimin ishin të nivelit afrikan.
PDK-ja dhe LDK-ja u ndanë për t’u futur në garë më të lehtësuar, nisur nga parimi më mirë “dështak” sesa “tradhtar”. Ato e kanë provuar shumë herë se të jesh i padijshëm, dështak dhe i pamoralshëm nuk përbën karakteristikë negative në matjet publike. Në shoqërinë me vlera të përmbysura, asnjëra nga to nuk përjashtohet nga kategoritë morale. E për “tradhti” e dinë se ka një grimë shans të paguash çmimin.
“I pari që ndien frikën së pari e shkatërron veten dhe pastaj atë e përhap tek të tjerët”, shkruan filozofi anglez Thomas Hobbes.
Të parët që shfaqën publikisht shqetësimin e “prishjes së kontratës” ishin drejtuesit e LDK-së. Vajtuan gjatë shkurorëzimin nga partneri, PDK-ja. I quajtën të pabesë. Ndërsa dita e mocionit, një praktikë normale parlamentare në demokraci, u kthye në ditë “morti” për ta. Parë nga qerja të mbushej mendja se po ekzekutoheshin pa gjyq.
Pse do të duhej të ishin të shqetësuar e të frikësuar për rrëzimin e Qeverisë, duke ditur se nuk ishin partia më e madhe, se përgjegjësia i binte PDK-së për mbijetesën e koalicionit, e edhe për sigurimin e votave në Kuvend për të ashtuquajturat “vendime të mëdha”.
Çfarë ndjesie u krijonte atyre të qenit në krye të Qeverisë, të asaj që ishte paralizuar për gati dy vjet. Pse u zunë në befasi, ata që tash thonë se për këtë skenar të PDK-së e kanë ditur disa muaj më parë. Pse me krejt atë dije “akademike” nuk u treguan më të shkathët, dhe para se propozimi të shkonte në Kuvend, të uleshin me partnerin dhe t’ia thoshin në sy - nëse ju jeni dakord që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme e bëjmë këtë, ne nuk kemi frikë nga një tjetër test para qytetarëve. Një dalje publike për tërheqje nga koalicioni nuk do t’i bënte me lot në sy.
Fundja, prishja po u ndodhte dy partive, jo vetëm LDK-së.
Shkrimtari dhe historiani Guglielmo Ferrero, e përshkruan qytetërimin si “shkollë të guximit”. Ai thekson se fuqia është shprehja supreme e frikës që njerëzit kanë për vete.
PDK-ja nuk ishte më pak se LDK-ja e frikësuar. Kishte përgjegjësinë për shumë vendime që opozita i quante të dëmshme për vendin – sidomos marrëveshjet e Brukselit dhe atë për kufirin me Malin e Zi. Një numër i madh i zyrtarëve të saj ose janë dënuar ose janë nën akuzë, e në këtë rrëmujë asaj i iku lideri “historik” Hashim Thaçi, që këtë post e “sakrifikoi” për atë të presidentit të shtetit. PDK-ja e di se besimin e shumicës e ka fituar me kartën e “patriotizmit” dhe të “guximit” për të marrë vendime të vështira. Për herë të parë ajo po vihej në sprovë nga të dyja. Por ndryshe nga LDK-ja, që nuk i fshehu emocionet e ndarjes, ajo veproi me strategji. Fshehu frikën dhe nuk qau për pushtetin e dorëzuar.
“Nga njëra anë, fuqia është një institucion që mbron dhe e mban shoqërinë të bashkuar, e nga ana tjetër është një makinë që i shtyp subjektet e saj”, shkruan Ferrero.
Subjektet politike injorante, të ndrojtura dhe të thyera deri në palcë, si dhe makina shtypëse që i detyron të tjerët ta respektojnë (PDK-ja), i hapin rrugë despotizmit. Parimi i despotizmit është frika. Është i thjeshtë dhe bazohet mbi qetësinë, por një qetësi që nuk përkthehet si paqe, por si heshtje e atyre që janë të gatshëm t’i dominojë i forti.
Loja mes të fortit dhe të heshturit është kthyer në model komunikimi politik e institucional.
Partitë opozitare, AAK dhe Nisma, që iu bashkuan PDK-së në koalicionin parazgjedhor, shfaqën një tjetër dimension frike – mbetja e gjatë në opozitë çonte drejt shuarjes së tyre. AAK-ja humbi primatin e të qenit partia e tretë, kurse Nisma humbi besimin në forcën e saj elektorale - tre vjet më parë kaloi pragun me “foto-finish”. Frika e të dyjave që plotësoi frikën e madhe të PDK-së u shndërrua në “fuqi supreme”.
Rrugën e tyre, për shkak të frikës së dështimit, disa orë më herët e kishin ndjekur dy parti të tjera – por në drejtim të kundërt. Me dëshirën për t’u futur në Parlament, AKR-ja dhe Alternativa iu bashkuan LDK-së. Asnjëra nuk shfaqi ambiciet e AAK-Nismës, të cilat jo vetëm duan të kalojnë pragun, por edhe ta drejtojnë Qeverinë. As rezultati i përgjithshëm i koalicionit me LDK-në nuk përbën shqetësim për AKR-Alternativën. Ngase shansin për të kapur diçka nga kulaçi i Qeverisë, nëse koalicioni rreth LDK-së nuk del i pari, nuk e kanë zor me e shiju edhe duke u bashkuar me koalicionin e udhëhequr nga PDK-ja. Të “pabesë” ndaj LDK-së mund të jenë edhe disa kandidatë të partive me orientim religjioz, që në legjislacionin e kaluar kishin zënë vend në Kuvend duke bashkëpunuar me PDK-në.
Me të tillë partnerë, LDK-së i bëhet i vështirë operacioni zgjedhor, e edhe më shumë i shtohet frika se pasojat mund të jenë më të mëdha nëse rezultati i 11 qershorit nuk është ai që dëshiron. Fraksionet e shumta që janë rezultat i thyerjeve të shpeshta në këtë subjekt mund të çojnë në ndarjen e re. Dhe kjo pasi të fitohen mandatet. LDK-në aktualisht e kontrollon fraksioni i njohur si i “Bukoshit”. Grupi i ish-kryetarit Fatmir Sejdiu, kritik ndaj Qeverisë dhe koalicionit me PDK-në, është përfaqësuar në këto zgjedhje me numër të vogël dhe është dënuar nga lideri Mustafa – disa janë larguar nga lista e kandidatëve për deputetë e disa janë vënë në bisht të saj. Rugovistët e “vjetër” kanë humbur ndikimin dhe përfaqësohen simbolikisht, ashtu si edhe disa nga mbështetësit e Nexhat Dacit.
Ndryshe prej LDK-së, PDK-ja ka kontroll më të fortë mbi anëtarësinë – deputetët. Derisa ish-lideri i saj, Hashim Thaçi, kishte frikë nga njerëzit e afër të tij, pasuesi i tij, Kadri Veseli, ka tjetër marrëdhënie me ta – atij ia kanë frikën anëtarësia.
Meqë AKR-ja dhe Alternativa nuk i përmbushën apetitet për t’u hakmarrë ndaj PDK-së, sidomos pasi kjo e fundit afroi afër vetes AAK-në, Nismën dhe tetë parti të tjera të vogla, LDK-ja tentoi të bëjë një tjetër kompromis të madh. Negociatat e 5 minuta pas 12-ve në mes Vetëvendosjes e LDK-së treguan për lojalitetin e dy subjekteve kur bëhet fjalë për pushtet. Paqja në mes tyre zgjati vetëm një ditë, kur i bënë përpjekjet e fundit për të gjetur një formulë që i bënë ato partnerë në zgjedhje. Madje diskutimi ka shkuar deri aty, saqë është propozuar që njëra të heqë dorë nga identiteti, nga emri e nga trashëgimia politike dhe ato t’ia bartë “përkohësisht” tjetrës, në mënyrë që të bëhet e ligjshme “kurora” e tyre.
Vetëvendosje shmangu “harakirin” dhe vazhdoi të mbetet partia e vetme që nuk shfaq shenjat e frikës. Në fakt ajo edhe nuk ka çfarë të humbë. Nga formimi i saj luan rolin e opozitës së fuqishme në nivelin qendror dhe nuk e ndjek pas asnjë mëkat për veprimet e saj. Për perspektivën e saj mund të flitet tek pas përfundimit të procesit të votimit. Nëse nga këto zgjedhje nuk del e fuqishme, atëherë atë e pret fati i partive tjera të vogla. Për më tepër që anëtarësia e saj ka predispozita të lëvizë në drejtimin e dy blloqeve të mëdha politike. Pjesa e madhe e Vetëvendosjes i takojnë krahut të luftës dhe përfaqësojnë idealin e Shqipërisë së bashkuar - janë kryesisht ish-militantë të PDK-së e AAK-së, përfshirë edhe ish të burgosur politikë. E pjesa tjetër që aderoi më vonë tek ajo identifikohet me ish-udhëheqjen e FER-it dhe më e afërt me LDK-në.
Rezultatet e votimeve të 11 qershorit do të nxjerrin fituesit dhe humbësit. Por, nuk do t’ua heqin asnjërës palë barrën e përgjegjësisë për punët e pakryera, e edhe frikën, që në literaturë përkufizohet edhe si “diktator i kohës”.