OpEd

Folklori ynë politik

Gëzim Sveçla është shembulli më i mirë që do të duhej t’ia hapte sytë partisë së vet: në vend se të thuren elozhe për liderin, më mirë do të ishte që të studiohej e analizohej se kush do të duhej t’u propozohej qytetarëve si përfaqësues potencial i interesave të tyre në zgjedhje. Dhe të pranohej faji kur përzgjedhja është e gabuar dhe e dëmshme. E kjo do të duhej të vlente për të gjitha partitë, pa dallim

Nuk e di çfarë është ajo që i shtyn njerëzit të mbajnë fjalime që i çojnë në qiell personat e caktuar, edhe atëherë kur mbizotëron dyshimi se edhe ai që i lexon ato fjalë nuk beson në to.

Para disa vitesh, kishte qenë Enver Hoxhaj ai i cili kishte mbajtur fjalim për ta lartësuar Hashim Thaçin si kandidat për kryeministër dhe kishte shkuar aq larg sa e kishte thënë edhe këtë: “Të gjithë do të vdesim e do të bëhemi hi, emri i Hashim Thaçit do të rrojë përherë”.

Kësaj radhe, hisja i ra Glauk Konjufcës, nënkryetarit të parë të VV-së, i cili nuk e përmendi as zjarrin as hirin, por u mor me terma kryesisht filozofikë: “Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë kandidatin e vet për kryeministër. E ju me të drejtë pyesni se kush nga ne është më meritori, më i përgatituri... po më i devotshmi kush është? Ne e kemi gjetur kush është, më lejoni që para jush ta propozoj Albin Kurtin, kryeministrin e tashëm edhe për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës”.

Njëmend, nuk e kuptoj se përse gjithë këto fjalime, nëse tashmë ka konsensus brenda asaj apo kësaj partie për atë që do të bëhet bartës i listës apo edhe kandidat për kryeministër. E kisha kuptuar deri diku kur dilet nëpër mitingje parazgjedhore, kur me eufori do të bëhen përpjekje për t’i bindur njerëzit që t’ia japin votën folësit më të zjarrtë...

Fatkeqësisht, kjo është pjesë e folklorit tonë politik, nga i cili nuk po mund të çkapemi qe sa dekada...

* * *

Që nga dita kur ishte caktuar data e zgjedhjeve, partitë politike kishin pasur kohë që t’i paraqisnin listat e kandidatëve për zgjedhjet e radhës. Data e fundit ishte caktuar më 11 dhjetor deri në fund të orarit të punës. Por, me një vendim pa praninë e gazetarëve, KQZ-ja vendosi që këtë afat ta zgjaste deri në mesnatë.

Ky veprim vetëm sa e vërtetoi problemin që e kanë thuajse të gjitha partitë kur duhen bërë përzgjedhjen dhe renditjen e kandidatëve në secilën palë zgjedhje. Janë tashmë tradicionale kalimet prej një partie në tjetrën, ndërkohë që janë tradicionale edhe “prurjet” e reja që vijnë sa herë që duhet dalë në kutitë e votimit.

Porse as këtë herë nuk u shënuan ndryshime të mëdha: edhe kësaj radhe, shumica e partive garon me shumë emra, të cilët i kemi parë së paku në tri-katër zgjedhjet e fundit; shumica e partive e kanë marrë dikë nga estrada për t’u bërë pjesë e listës dhe absolutisht asnjëra parti nuk ka dalë me një listë ku nuk ka dallime numrash mes gjinish. Paraqitja e proklamuar e barazisë gjinore mbetet pikërisht vetëm një proklamatë: ndoshta dikur (në shekullin tjetër) i vjen radha.

Kështu, tri partitë më të mëdha i kanë kandiduar 330 veta, prej të cilëve 212 janë burra e 118 janë gra, pra diçka mbi 35%. A mund  të themi se kemi ecur pak përpara e nuk kemi mbetur te 30 përqindëshi?

Përgjigjja është jo, natyrisht, sepse ky vend vazhdon të jetë i sunduar nga mentaliteti patriarkal.

A mos ju ka rënë të dëgjoni ndonjë fjalim që i kushtohet ndonjë gruaje e cila ngrihet në qiell për cilësitë dhe mendjen që e ka?

Natyrisht se jo (pos nëse dikush në “Guxo” na befason ndërkohë).

Përse asnjëherë askujt në Kuvend nuk iu kujtua që ta ndryshojë ligjin zgjedhor e të kërkojë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore (50%-50%). Ligji i zgjedhjeve të përgjithshme në nenin 28 paragrafi 1 (Kuotat gjinore) thotë “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30 %) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30 %) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.

A po që 30% e keni mbajtur në mend vetëm te rasti i grave? Po pra, për shkak se paragjykohet që nga starti se kandidati i parë në listë do të jetë burrë, pra e treta do të jetë grua.

Nuk e di a do të kishte kush kohë të merrej me gjuhën e ligjeve tona – e besoj do të dilte një studim shumë interesant që do ta vërtetonte teorinë e mendësisë patriarkale.

* * *

Po kjo mendësi e shtyrë nga ndjenja e superioritetit agresiv u shfaq gjatë javës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Kryetari Rama dhe e gjithë Qeveria e tij komunale kanë vendosur ta bojkotojnë KOHËN dhe të mos na kthejnë përgjigje në asnjë pyetje të parashtruar, e këtë na e kanë bërë me dije me shkrim.

Pra, gojën plot demokraci, interes qytetar, zhvillim e ku ta di unë çka, e kur duhet dhënë përgjigje për të gjithë tenderat që i shpallin, kontratat që i lidhin edhe kur kanë ndalesa gjyqësore apo kur japin “pëlqime”, vendosin të mos japin përgjigje. Thuajse qyteti është pronë e LDK-së dhe e Ramës.

Faktet do të dalin në pah, pavarësisht pengesave, ndalesave dhe “përcaktimit”, që tash e mbas do ta përdorim si sinonim për “vendimin”. E besoj se do të jenë organet e drejtësisë ato që do të merren me përcaktimet për tenderat, kontratat milionëshe e të ngjashme.

Ndërkohë, temë e nxehtë ishte miratimi i buxhetit për vitin vijues që mbeti peng disa herë për shkak të mungesës së votave. Kësaj radhe kaloi, me votën e dy asamblistëve të VV-së dhe një të PDK-së.

Shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, u bë ylli i ditës (për të keq). Kinse i befasuar dhe i hidhëruar me praninë e dy asamblistëve të VV-së në seancën e Kuvendit, fillimisht erdhi për t’i qortuar, publikisht, thuajse janë mbledhur në çerdhe fëmijësh. Meqë nuk ia doli t’i bindte që të tërhiqeshin, mllefin e shfryu te mikrofoni i kryesuesit të Kuvendit. Me një të shkulur prej kapadaiu i hallakati rrjetet sociale, dhe kaq.

Policia e mori dhe e çoi në mbajtje 48 orë. E tash mbrohet në liri, derisa të nisë rasti kundër tij.

Megjithatë, nuk ia doli të bënte asgjë: as nuk i ndali asamblistët që të votonin e as nuk e shpërlau veten nga fakti se me praninë e tij dhe të grupit të tij të asamblistëve, para një viti e kishte mundësuar kuorumin për ta votuar këmbimin famëkeq të trojeve të Badocit me Prishtinën e Re. Kujtesa nuk na ka lëshuar ende.

Ky mbase është shembulli më i mirë që do të duhej t’ia hapte sytë partisë së vet: në vend se të thuren elozhe për liderin, më mirë do të ishte që të studiohej e analizohej se kush do të duhej t’u propozohej qytetarëve si përfaqësues potencial i interesave të tyre në zgjedhje. Dhe të pranohej faji kur përzgjedhja është e gabuar dhe e dëmshme.

* * *

E dëmshme për të dhe vetë procesin, në të cilin është qe katër vjet, ka qenë sjellja e Hashim Thaçit në burg gjatë vizitave që i janë bërë nga miqtë e ish-bashkëpunëtorët.

Iu ngrit edhe një aktakuzë për pengimin e administrimit të drejtësisë. Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Thaçi i udhëhoqi tri grupe me qëllim që të ndikonin te dëshmitarët për të dhënë dëshmi shfajësuese në gjykimin e madh për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Po qe se pretendimet e akuzës qëndrojnë, Thaçi i ka bërë vetes shumë dëm, duke besuar se ato që ka mundur t’i fliste me vizituesit nuk do të jenë dëgjuar nga askush. E në fakt janë incizuar nga Gjykata.

Dhe aq serioze u pa kjo çështje, saqë dëgjimi i të akuzuarve u mbajt të dielën e shkuar (me përjashtim të H. Kuçit, që u paraqit një ditë më vonë), ku Thaçi fillimisht tha se nuk ishte konsultuar ende me avokatët, e më pas deklaroi: “Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd”, duke aluduar qartazi se kjo ishte një akuzë politike, që do të mund të nënkuptonte madje se do të jetë e porositur në kohë zgjedhjesh në Kosovë.

Sinqerisht, nuk e besoj se kjo deklaratë do t’i ketë lënë shumë përshtypje Gjykatës, ngase nuk ndërlidhej me mbrojtjen nga akuza e drejtpërdrejtë për udhëheqjen e tri grupeve që do t’i manipulonin dëshmitarët.

Për më tepër, e besoj se kjo do të ketë mundur të interpretohej edhe si një manovër për të fituar ende kohë për konsultime.

Po qe se këto akuza do të qëndrojnë dhe do të dëshmohen – ky do të jetë argumenti më i fuqishëm se përse selia e kësaj gjykate është 2300 kilometra larg Prishtinës.

* * *

Certifikimi i partive dhe kandidatëve ende nuk ka përfunduar, dhe deri në janar nuk do t’ua dimë numrat partive... ama për të mos na lënë të mërzitemi, kandidatët tashmë kanë nisur t’i vendosin fotot e tyre nëpër FB me numrat rendorë që i kanë në listë... ama fotot e “bukra” të përpunuara në photoshop.

Sikur duan të na tregojnë se fytyrat e tyre të vërteta do t’i shohim atëherë kur të mbërrijnë në Kuvend.

[email protected]