OpEd

Flijimi i një këmishe pa njolla

Derisa 20 sekonda nga Twitteri i ambasadorit Hill shemben 20 vjet iluzion në Kosovë, ato janë, po ashtu, pikënisja e dobishme për të rivlerësuar rrugën tonë përpara. Rruga jonë përpara është moçal, ku këmisha e pastër politike e Kurtit duhet të zhytet për të na nxjerrë nga përmbytja në ujërat e thella ndërkombëtare

Kosova është e mirë, Serbia është e keqe dhe Perëndimi mbështet Kosovën. Duke thjeshtëzuar, por jo edhe shumë, ky është në thelb besimi i shumicës së qytetarëve të Kosovës. Ky ishte besimi në 1999 dhe ky është besimi sot. Por ky besim 20-vjeçar u shemb për 20 sekonda nga një video që u postua në Twitter nga ambasadori amerikan në Beograd, z. Christopher Hill.

Në video shihet ambasadori Hill brenda një tende ushtarake i rrethuar me ushtarakë serbë dhe amerikanë të cilët së bashku janë duke vëzhguar ushtrimin “Ujku Platinum”. Zhurma në sfond të videos e helikopterëve dhe e të shtënave vetëm dramatizoi edhe më shumë pamjet apostazike të ushtrimeve të përbashkëta të forcave serbe dhe atyre të NATO-s. Ndonëse ushtrimi “Ujku Platinum” është mbajtur pothuaj çdo vit që nga viti 2014, ky ishte ushtrimi i parë ushtarak që shteti serb ka mbajtur me forcat e huaja pas vendosjes së moratoriumit të ushtrimeve ushtarake në shkurt të vitit 2022. Mbajtja e ushtrimit të parë ushtarak me forcat e NATO-s për Perëndimin shihet si lëvizje e Serbisë drejt Perëndimit dhe larg Rusisë. Prandaj zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Beograd tha: “Serbia ka zgjedhur të jetë pjesë e Perëndimit, dhe kjo përfshin integrimin e mëtutjeshëm me strukturat euroatlantike të sigurisë dhe ushtritë partnere”.

Përkundër retorikës antiperëndimore dhe qëndrimit zyrtar për neutralitet ushtarak, nga viti në vit Serbia ka thelluar marrëdhëniet e saj me NATO-n, duke e lartësuar sot në nivelin më të lartë që një vend joanëtar mund të këtë me NATO-n. Në vitin 2006 Serbia i është bashkuar partneritetit për paqe dhe ka ngritur Zyrën Ndërlidhëse në Beograd. Në vitin 2009 Serbia dhe NATO-ja kanë dakorduar Programin e Parë Individual të Partneritetit. Në vitin 2015 kanë dakorduar Planin e Parë Dyvjeçar të Veprimit për Programin Individual të Partneritetit, dhe po të njëjtin vit Serbia ka ratifikuar Marrëveshjen për Statusin e Forcave me NATO-n (SOFA). Ndër vitesh numri i ushtrimeve të përbashkëta me NATO-n ka tejkaluar shumë fish numrin e atyre me Rusinë. Dhe më e rëndësishmja në kontekstin e sotëm, Serbia u është bashkangjitur përpjekjeve ushtarake të Perëndimit në mbështetje të Ukrainës duke siguruar armatim dhe municion për Ukrainën.

Krahas integrimit të thelluar ushtarak me NATO-n, Serbia ndër vite ka avancuar rrugëtimin e saj drejt BE-së. Në vitin 2012 ajo fitoi statusin e vendit kandidat, ndërsa në vitin 2014 hapi negociatat e anëtarësimit. Deri më sot ajo ka hapur 22 nga 35 kapitujt negociues. Në kuptimin ekonomik BE-ja është larg partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë: 60% e tregtisë së Serbisë është me BE-në, ndërsa 63% e investimeve të huaja direkte në Serbi vijnë nga BE-ja. Nga viti 2009 deri në vitin 2021 eksportet serbe drejt BE-së janë pesëfishuar, duke arritur shumën rekorde prej 14 miliardë eurosh.

Asnjë nga këto nuk ka ndodhur përnjëherë. Këto janë rezultat i njëzet vjetëve të investimit politik të Perëndimit për transformimin e ngadaltë të Serbisë nga një armik i gjunjëzuar në luftë, në një aleat të lartësuar në paqe. Dhe për 20 vjet në Kosovë ne kemi mbyllur sytë para këtij ndryshimi tektonik në rajonin tonë. Sot – në veçanti për shkak të dinamikave të kaskaduara nga lufta në Ukrainë – qytetarët e Kosovës janë të obliguar të ballafaqohen me realitetin e ri. Prandaj, videoja 20-sekondëshe e Hillit ishte shok për shumë kënd në Kosovë. Këto 20 sekonda pasqyrojnë bukur ndryshimin radikal të rajonit tonë në këta 20 vjet të fundit. Para 20 vjetësh Kosova ishte partner, e Serbia problem; sot Kosova është problem, e Serbia partner. Para 20 vjetësh Serbia është ndjekur për krime lufte, sot Kosova ndiqet për krime lufte. Sot derisa Kosovës i anulohet ushtrimi i përbashkët me trupat e NATO-s “Defender 2023”, NATO-ja i gëzohet ushtrimit të përbashkët “Ujku Platinum” me Serbinë.

Të mos pranosh këtë ndryshim të postures perëndimore karshi rajonit është të jesh intelektualisht miopë e politikisht oportunist. Dhe derisa kjo është qartazi realitet i ri i rajonit, pyetja që ngelet është si do të pozicionohemi karshi këtij realiteti. Nisja e shtegut vetëvrasës duke nisur konflikte me aleatët është rrugë qorre. Kosova nuk ka as kapacitet, as mjete të ndikojë në ndryshimin e erërave dhe interesave të fuqive të mëdha në rajonin tonë. Perëndimi nuk e do Serbinë mbi emocione, por mbi interesa. Serbia është vendi më i madh i rajonit në çdo kuptim të fjalës: gjeografikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht. Rrjedhimisht aleatët tanë kuptojnë se pa ankorim të Serbisë në strukturat euroatlantike nuk ka Ballkan euroatlantik. Dhe aleatët tanë besojnë se kjo është e mundur. Në fund fare, nëse kanë arritur të modernizojnë një Gjermani naziste dhe një Japoni perandorake, patjetër se do të arrijnë të modernizojnë edhe një Serbi të gjunjëzuar në kufijtë e saj më të vegjël historikë.

Në gjithë këtë sfond rruga para Kosovës është e qartë, por e vështirë. Nuk duhet të mashtrojmë veten se hapërimi ynë i mëtutjeshëm në kuadër të dialogut me Serbinë do të jetë i lehtë. Ai do të përfshijë kompromise të të dyja palëve. Sa i përket anës tonë edhe përkundër dy vjetëve “dialog të ri” të udhëhequr nga Kurti, pothuaj asgjë në thelb nuk është e re. Asociacioni (apo vetëmenaxhimi, zgjedh sipas qejfit tënd) mbetet epiqendra e avancimit të dialogut. Sikur që epiqendra e avancimit të dialogut mbetet gatishmëria e Kurtit për të flijuar këmishën e tij të pastër politike për të nxjerrë shtetin nga përmbytja ndërkombëtare. Nuk ka asgjë fisnike në të qëndruarit e kullës së lartësisë morale kur shteti është duke u mbytur në ujërat ndërkombëtare. Të besosh se Thaçi, Isa apo Ramushi kanë pasur qejf koncesionet e imponuara nga dialogu me Serbinë është naivitet. Ata kanë kuptuar se në jetën reale shpesh duhet të zgjedhësh në mes të këqijave më të vogla. Dhe, po ashtu, ata kanë kuptuar se në jetën e secilit politikan vjen koha kur duhet të sakrifikojë një pjesë të vetes për interesat e shtetit. A kanë parë ata në gjithë këtë mes edhe ndonjë përfitim personal? Ndoshta, por gjejeni një njeri mbi këtë rruzull tonë mëkatar që nuk mund të akuzohet për oportunizëm? Sido që të jetë, ajo është histori. Tani e dy vjet Kurti ka udhëhequr një “dialog të ri”. Nuk mund të themi se ka qenë i pasuksesshëm. Është sukses i respektueshëm që Kurti ka arritur të ri-negociojë kundërshpërblimin e Kosovës për ngritjen e Asociacionit. Para Kurtit ngritja e Asociacionit ka qenë thjesht një obligim singular ndërkombëtar i Kosovës. Sot ngritja e Asociacionit është veshur me përfitimet e rëndësishme për Kosovën në kuadër të propozimit franko-gjerman. Por këto përfitime presin ngritjen e Asociacionit, prandaj tani është koha e kryeministrit që të sakrifikojë Albin opozitarin për të fituar Kurtin burrështetas. Dhe e bukura e kësaj është se në këtë rrugëtim Kurti nuk do të jetë i vetmuar. Shumica e qytetarëve do ta shoqërojnë Kurtin në këtë rrugëtim fisnik. Qytetarët nuk mund ta mbështesin Kurtin në aventurat e administrimit qesharak të katër ndërtesave komunale, por shumica e qytetarëve do t’i dalin zot vendit të vet nëse ngritja e Asociacionit do të rrezikojë shtetësinë e Kosovës. Prandaj Kurti ka nevojë për një rrëfim të ri. Një rrëfim mbrapa të cilit mund të përbashkohen shumica e qytetarëve.