Aty, ku politikanët qytetarëve, në vend se vende pune u kanë dhënë flamuj, në vend se siguri u kanë dhënë simbole. Pavarësisht se a flasin shqip, ose serbisht, pavarësisht a shikojnë kah Prishtina, ose Beogradi. Zaten, duket se sa më shumë flamuj, aq më shumë varfëri e abuzim
PËRNJËHERË NË RRUGË shpeshtohen flamujt kuqezi. Të shtrirë mbi një litar që mbahet në ndërtesat e dyqaneve me vitrina të ndryshkura në të dyja anët e rrugës, valojnë të lidhur njëri pas tjetrit.
Sakaq, në një largësi jo më të madhe se 50-60 metra, ndërrohen. Tash në secilën shtyllë elektrike valojnë flamuj me ngjyra bardh, kaltër dhe kuq, me një stemë shqiponje bizantine në mes dhe nën të mbishkrimin “Россия”.
Prej kur po u kufizokan Shqipëria dhe Rusia?! Në fakt, kjo do të mundë të ishte batuta, nëse do të dëshironim të qeshnim me ato që na dalin para sysh. Mirëpo, jo! Situata, në realitet, është larg prej komikes. Është tragjike.
Ky kontrast flamujsh, natyrisht, nuk ndodh as në Shqipëri dhe as në Rusi, por në shtetin flamuri i të cilit s’shihet asgjëkundi aty – Kosovë. Në qytetin më të varfër dhe të paperspektivë sot – në Mitrovicë. Aty, ku politikanët qytetarëve, në vend se vende pune, u kanë dhënë flamuj, në vend se siguri u kanë dhënë simbole. Pavarësisht se a flasin shqip, ose serbisht, pavarësisht a shikojnë kah Prishtina, ose Beogradi.
Zaten, duket se sa më shumë flamuj, aq më shumë varfëri e abuzim.
PAS SHUMË vjetësh, ndodhem sërish në pjesën veriore të Mitrovicës. Herën e fundit që kam qenë atje, ose më mirë të thuhet, kam bërë përpjekje të shkoj atje, ka qenë para më shumë se 10 vjetësh. Pa sukses. Po i shoqëroja disa gazetarë japonezë, të cilët po raportonin për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Me një xhip të marrë me qira, kaluam postbllokun e KFOR-it, në rrugën e Lagjes së Boshnjakëve, dhe u ndalëm mu në hyrje të pjesës veriore. Pa arritur as të merrnim pajisjet televizive nga bagazhi i makinës, dy makina pa targa u vendosën njëra prapa dhe tjera para nesh. Gabimi ynë: targat e Shqipërisë.
Shkurt, për dy minuta, rreth 15 serbë na kishin rrethuar. Ultimatumi: Menjëherë kthehuni prapa, ose s’garantojmë asgjë. Natyrisht, u kthyem. Ushtarët e KFOR-it, 40 metra larg, as që u lodhën të na pyesnin se çfarë ndodhi.
Kësaj radhe është pak më ndryshe. Nuk më ndalon askush. Nuk jam me pajisje televizive, por i ftuar në një studio televizive. Vetëm tema është e njëjtë, siç ishte edhe para dhjetë vjetësh e mund të ishte edhe para njëzet vjetësh – marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Në pyetjen e moderatores, se cila është përshtypja ime e parë e pjesës veriore të Mitrovicës, njëzet vjet nga lufta: Zgjatim i Serbisë, por i Serbisë së viteve ’90!
NË FUND TË emisionit, organizatorët kanë një pyetje për publikun që ndodhet në studio, rreth 25 të rinj në të njëzetat e hershme, kryesisht serbë dhe romë, që jetojnë në veri të Kosovës. Pyetja është: Nëse do t’ju ofrohej mundësia të shkonit në ndonjë shtet të Perëndimit, çka do të bënit?
Kartelat e gjelbra që janë për opsionin e ikjes nga vendi dominojnë për më shumë se dy të tretat kartelat e kuqe, të cilat janë për të qëndruar.
I pyetur për të komentuar këtë disponim të rinisë në veri të Kosovës, përgjigjen e jap në formë pyetjeje: A s’dalin përgjigjet e njëjta në pyetjen e njëjtë kur pyeten të rinjtë edhe në veri të Kosovës, të rinjtë në Prishtinë dhe të rinjtë në Beograd?
Në Serbi, ka kohë që janë duke diskutuar, me shumë panik, emigrimin e pandalur të dhjetëra e mijëra qytetarëve çdo vit, në atë që e quajnë rrjedhje të trurit.
Në Kosovë - edhe pas plotësimit të të gjitha kritereve të kërkuara - ende ka hezitim për liberalizim vizash nga disa shtete të BE-së, nga frika se do të ketë vërshim të njerëzve drejt Perëndimit.
S’ka se si të pritet të jetë ndryshe me të rinjtë e një enklavë të zënë në kohë, të cilën politikanët si në Prishtinë e në Beograd vazhdojnë ta përdorin si çështje e larjes së hesapeve me njëri-tjetrin.
Cili ishte rezultati më i madh i përplasjeve dhe konfliktit në këta 30 vjet të fundit? Të rinjtë i bashkon vetëm një gjë – ideja e arratisjes nga vendi ku jetojnë, qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd, qoftë në veri të Kosovës.
PRESIDENTI TRUMP, në letrën e tij të dhjetorit, shkruante se nëse nuk do të ketë një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti, kjo do të mundë të nënkuptonte një prapakthim tragjik.
Nuk ka as flamuj të Amerikës aty ku ndahen shqiptarët dhe serbët në Mitrovicë. Siç nuk ka as flamuj të Kosovës.
A do të jetë “marrëdhënia Kosovë-Serbi” temë televizive edhe tridhjetë vjet pas luftës?!
Twitter: @adriatikk